Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Tastaturë a kaci?

Foto nga Harrison Haines.

Fundjavën që shkoi, bregdeti lindor i ShBA-ve përjetoi një stuhi bore, e cila në qytetin e New York arriti të akumulonte rreth 68 cm borë, në pjesë të Maryland bora e akumuluar tejkaloi 80 cm. Në Washington DC, ku isha edhe unë, bora arriti vende vende 40-50 cm. Para fillimit të kësaj stuhie, organet shtetërore bënë thirrje tek qytetarët që të furnizohen me ushqim për të përballuar 2-3 ditë të mbyllur nëpër shtëpi, e qytetarët u përgjigjën me një panikë e cila i la raftet e supermarketeve të zbrazëta. Stuhia pritej të premten, e të mërkurën, me 20 janar, filloi bora para kohe dhe i zuri qytetarët e Washington DC, e edhe komunën të papërgatitur. Një udhëtim që zakonisht më merr 15 minuta, më morri 2 orë, dhe përfshiu momente frike të aksidentit. Rrugët u bllokuan dhe kryetarja e komunës i ftonte qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, sepse kur borë vazhdon të bie, rrugët edhe nëse pastrohen, mbushen me borë përsëri. Çka më bëri përshtypje ishte që askush nuk i akuzonte shërbimet komunale për bllokim të rrugëve, të gjithë e kuptonin logjikën e thjeshtë të pastrimit të rrugëve vetëm pasi të ndalet bora. Interesant.

Sidoqoftë, kjo ishte vetëm parapërgatitje, për stuhinë e fundjavës. Të premten, transporti publik u ndal pasdite, automobilat ndaluan së qarkulluari, qytetarët u mbyllën nëpër shtëpitë e tyre.  Bora nuk u ndal për rreth 40 orë. Nuk ishte ndonjë borë masive, por 40 orë borë pa ndërprerë, e bën të vetën. Gjate këtyre 40 orëve, dihej që nuk ka nevojë me dalë askush, sidomos jo me automobila. Të shtunën, gjatë ditës, qytetin e pushtuan ata të cilët ishin të përgatitur për të skijuar. Nëpër rrugë kryesore të qytetit kishte persona që qarkullonin me snowboard, kodra në te cilën ndodhet ndërtesa e Kongresit i përngjante Dragodanit të kohës së para-luftës gjatë dimrit – e mbushur me fëmijë me saja, njëjtë edhe memoriali i Linkolnit. Këta njerëz kishin ecur nëpër qytet, prej një pike në tjetrën, kishin skijuar, kishin rrëshqitur me saja, mirëpo askush nuk kishte tentuar të qarkullonte me automobila. As edhe Presidenti i shtetit. Sepse rrugët ishin të pakalueshme, sepse borë binte vazhdueshëm, sepse logjika është e thjeshtë – presim deri sa të ndalet.

Edhe pritëm. Bora u ndal dikur në orët e hershme të së dielës. Pas 2 ditëve pa lëvizur nga banesa, dola të dielën, më shumë për të shijuar borën që ende kishte mbuluar gjithçka, po edhe pak nga kurioziteti se sa ishte i bllokuar qyteti edhe pse bora ishte ndalur. Banesa ime ndodhet në një rrugë as dytësore, rruga i kryen punë vetëm kompleksit tonë banesor dhe banesave përballë. Nuk u çudita që kjo rrugë nuk ishte e qarkullueshme, çka u çudita ishte që trotuaret ishin. Duke ecur më tej, pashë që shërbimet komunale nuk kishin arritur as edhe afër kësaj pjese të qytetit, po trotuaret ishin të gjitha të kalueshme, se vet qytetarët i kishin pastruar, dhe vazhdonin t’i pastronin. Mirëpo, çka ishte edhe më interesant, ishte që shumica e pastronin edhe rrugën, duke tentuar sado pak ta bënin të kalueshme. Mjetet e pastrimit i ndanin me njëri tjetrin, e në një moment edhe dëgjova një bisedë në mes dy të rinjëve të ndanin punën për të pastruar trotuarin para një shtëpie në të cilin banorët ishin të moshuar dhe nuk mund ta bënin vet.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku individualizmi është mbret, në raste të tilla, sensi i komunitetit ishte për lakmi. Rrugët dytësore ishin gjysmë të pastruara, rrugët kryesore ishin plotësisht të qarkullueshme – aty ku një ditë më parë kalonin me skija. Po këto rrugët të cilat janë pastruar nga komuna, e as nuk pritet të pastrohen me urgjencë të madhe, këto rrugë qytetarët i pastronin vet. Edhe pas 2 ditëve të plota të mbyllur në shtëpi, të gjithë ishin në rregull me faktin që nuk janë rrugët e tyre prioritet dhe i kapën kacitë në duart e tyre.

Bora dimrit nuk mund të zë asnjë të papërgatitur. As komunën, po as vetë qytetarët. Herën e fundit që ra borë në Prishtinë, rrjetet sociale ishin përplot postime duke kritikuar komunën që nuk po i pastronte rrugët, që rrugët nuk ishin të qarkullueshme, edhe pse borë vazhdonte të binte.

“Komuna nuk po e kryen punën e vet! Ku është Shpendi tash? Sa aksidenti! Automobilat po rrëshqasin si saja!” Këto vetëm një përmbledhje pak e tej-thjeshtësuar e asaj çka pashë nëpër statuse. Po ndoshta aksidentet po ndodhin se në kushte të tilla, askush nuk duhet të vozisë. Ndoshta po rrëshqasin automobilat se – po pikërisht – rrugët janë të rrëshqitshme. Po përveç ankesave në Facebook, me tastaturë në prehër, nuk pashe dikush që tha: “po valla une i dola zot vetës, e pastrova para shtëpisë time.” Jo se kacia shumë ma vështirë me e përdorë se tastatura.

Është e kuptueshme që bora të bllokojë qytetin, qarkullimin, funksionimin normal. Është gjithashtu e kuptueshme që komuna të mos mund t’i përgjigjet borës në sekondën që fillon të bie. Po është shumë më rëndësi që në vend se t’i drejtojmë gishtin komunës, të provojmë edhe ne të kontribuojmë pozitivisht pak në reagimin tonë kolektiv ndaj situatave që janë jashtë kontrollit tonë. Nuk është pa kritikë komuna e Prishtinës, ose cilado komunë në Kosovë, në mënyrën si e manovrojnë borën, por kritika nuk duhet të drejtohet drejt pastrimit të rrugëve. Në raste kur ka borë që nuk mund të pastrohet, komuna mund të shpallë gjendje emergjente, të mos punohet nga vendi i punës, por nga shtëpia, të mos shkohet në shkolla. Atëherë në rrugë dilet vetëm për zor, dhe evitohen edhe aksidentet, edhe ankesat. Mirëpo, në raste kur është e menaxhueshme, por duhet pak durim, epo të presim 2-3 orë pa dalë me automobila. Të qëndrojmë 3-4 orë të mbyllur në shtëpi, pa postuar ankesa në Facebook. Fundi fundit, deri sa të zbulohet teknologjia që të mbulohen qytetet me çadra për të mos lënë borën të depërtoj as edhe pak, nuk mund t’i ikim borës dimrit. Nuk mund t’i ikim as bllokimit të rrugëve. Çka mund të ndryshojmë është qasja jonë. Se aktivizimi qytetar shkon përtej një vote të dhënë çdo 4 vite, e postimeve në rrjete sociale. Aktivizimi qytetar është edhe kacia në dorë, me e pastru borën para shtëpisë e para banesës – me vetëdije të plotë që komuna ka kapacitete të limituara.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.