Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Të drejtat e njeriut dhe aleanca asimetrike kinezo-shqiptare

Themelimi i mekanizmit “17+1” në vitin 2012 në Varshavë, e cila qe iniciuar nga Republika Popullore e Kinës me qëllim të shtrirjes dhe përforcimit të marrëdhënieve ndërmjet Pekinit dhe 17 shteteve evropiane (të gjitha ish vende komuniste), ishte parë për disa vende evropiane më shumë si mundësi, sesa si sfidë për bashkëpunim me gjigandin komunist kinez. I tillë ishte perceptuar ky mekanizëm edhe nga qeveritë shqiptare pas vitit 2012.

Kriza financiare që kishte kapluar Evropën dhe tregjet e saj pas vitit 2008 dhe në anën tjetër kapitali (i mirëseardhur) kinez që trokiste në derë të shteteve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, vështirë të refuzohej. Më së miri këtë e dëshmuan dy shtetet anëtare të BE-së Greqia dhe Italia. E para duke iu bashkangjitur “Mini-Shëngenin sino-evropian” dhe e dyta, si shteti i vetëm i G7 për t’u bërë pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit.

Për dallim nga të gjitha shtetet e tjera evropiane pjesë të platformës “17+1”, Shqipëria e vogël ka pasur eksperiencë të veçantë të bashkëpunimit me Kinën e madhe. Një hulumtim voluminoz mbi këtë “aleancë të pabarabartë” është bërë mjaft mirë nga Elez Biberaj, gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar në Uashington (“Albania and China – A Study of an Unequal Alliance”). Libri i Biberajt i botuar më 1986, si një ndër hulumtimet e para serioze (jashtë nomenklaturës komuniste) mbi raportet shqiptaro-kineze 1962-1978, hedh dritë mjaftueshëm në ndriçimin e trajektores së bashkëpunimit ndërmjet dy republikave popullore.

Por, pas vitit 2012, si rezultat i iniciativës së sipërpërmendur dhe startimit të projektit gjigand Rrugës së Re të Mëndafshit (2013), pasuan edhe intensifikimet e kontakteve bilaterale dhe vizitave zyrtare ndërmjet Tiranës dhe Pekinit, të cilat u shoqëruan me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve kineze në Shqipëri, si dhe me zgjerimin e aktiviteteve biznesore, turistike dhe kulturore. Libri i presidentit kinez Xi Jinping “Qeverisja e Kinës”, është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, në ceremoninë e promovimit të së cilit libër (të organizuar nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë në vitin 2017) ishte edhe presidenti shqiptar Ilir Meta.

Aventura dhe diskrepanca kinezo-shqiptare

Kur Republika Popullore e Kinës (në Pekin) synonte t’ia merrte vendin në Kombet e Bashkuara Republikës së Kinës (në Tajvan), Shqipëria komuniste e asaj kohe ishte “veshi dhe goja” e Pekinit e sidomos në Kombet e Bashkuara. Duke mbrojtur qëndrimet e Pekinit dhe duke shërbyer si zëdhënëse e interesave të saj, roli i Tiranës (bashkë me shtete të tjera komuniste) ishte prijës, që Republika Popullore e Kinës të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara në vitin 1971. Jo të pakta ishin rastet, kur diplomatët shqiptarë në forumet e Kombeve të Bashkuara mbronin asokohe përkushtimin e qeverisë kineze për “respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” në Kinë, e cila realisht ishte një nga nënshkrueset e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948.

Me kalimin e viteve dhe dekadave, bilancet socio-politike të Kinës dhe Shqipërisë janë raste të çuditshme studimore. Një nga vendet me shkallë më të lartë të varfërisë në botë, Kina është për momentin ekonomia e dytë në botë, importuesi i dytë dhe eksportuesi më i madh në botë, si dhe një nga shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut. Në anën tjetër, Shqipëria pas tranzicionit të vështirë të saj nga komunizmi, i është rrekur rrugës së saj drejt demokracisë, duke u bërë pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike (NATO) dhe drejt synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), por që ende ka shumë punë për të bërë, për t’u larguar nga fundi i listës së shteteve më të varfra evropiane.

Pavarësisht shifrave të karakterit statistikor, të cilat flasin në favor të bumit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies kineze (shtresa e mesme e së cilës është më e madhe se popullsia e ShBA-së), shteti shqiptar sipas karakterit normativ rezulton të dalë – së bashku më shtetet tjera demokratike perëndimore – një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut. Dhe atë pikërisht kundër Kinës dhe atë pikërisht në Kombet e Bashkuara, për pranimin e së cilës, Shqipëria kishte dhënë kontribut të veçantë diplomatik. Pavarësisht, që koha dhe rrethanat kanë ndryshuar, siç do të paraqitet në vijim, shteti shqiptar vazhdon të japë kontribut diplomatik, por tanimë, si pjesë e një ekipi tjetër.

Gardiane e mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Gjatë dy viteve të fundit, Shqipëria mbetet vendi i vetëm nga Evropa Juglindore dhe Lindore që është pozicionuar në mënyrë konstante në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të cilat janë duke u minuar nga Kina. Shqipëria ishte në mesin e 23 shteteve evropiano-perëndimore (të udhëhequr nga SHBA-të dhe Britania e Madhe), të cilat i bënin thirrje udhëheqjes komuniste kineze t’i jepte fund ndalimit (të paktën) një milion ujgurëve dhe minoriteteve të tjera në Xinjiang në takimin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Sociale, Humanitare dhe Kulturore në tetor 2019. Kina mobilizoi një koalicion prej 54 shtetesh (të drejtuara nga Bjellorusia), të cilat përmes një deklarate të përbashkët lavdëronin masat e Pekinit për të luftuar terrorizmin, islamizmin dhe radikalizmin në Xinjiang. Nga iniciativa “17+1” vetëm Shqipëria, Estonia, Letonia dhe Lituania votuan kundër Kinës. Serbia ishte i vetmi vend me një perspektivë evropiane që votoi në favor të Kinës dhe 12 shtete të tjera evropiane për shkak të politikës së tyre “të kujdesshme” ndaj Kinës thjesht abstenuan. E ambasadori i ri serb në ShBA, Marko Gjuriq, bëri bujë me intervistën e tij në mediat ndërkombëtare duke akuzuar këto të fundit për manipulim me të vërtetën mbi Xinjiang: “Unë mund t’ju them se shumë vende në pjesën time të botës do t’i kishin zili të drejtat e pakicave të Xinjiang”.

Në korrik të vitit të kaluar 27 shtete perëndimore kritikuan ashpër veprimet e “Mbretërisë së Mesit”, kur kjo e fundit miratoi ligjin e ri të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, i cili i jepte kompetenca Pekinit për të ndërhyrë në statusin gjysmë autonom të qytetit metropolitan, duke minuar parimin “një vend, dy sisteme”. Kundër grupit të shteteve perëndimore, Kina reagoi kundër me një grup prej 53 të shteteve autoritare dhe gjysmë autoritare, të cilat mbështetën fuqishëm pozicionin e Kinës në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, si pjesë e procesit të Stabilizim Asociimit iu bashkëngjitën deklaratës së vendeve perëndimore. Republika e Kosovës nuk është përfshirë fare në këtë deklaratë nga BE-ja, ndërsa Serbia nuk ka pranuar t’i bashkohet korit të shteteve perëndimore.

I çuditshëm është roli i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, të cilin jo pak njerëz e shohin si mbrojtës të myslimanëve në botë. Kur Rexhep Taip Erdogan vizitoi Kinën në korrik të 2019, lëre më që nuk doli në mbrojtje të ujgurëve (të cilët etnikisht dhe gjuhësisht janë të afërt me turqit), por thuri elozhe për masat e ndërmarra nga ana e qeverisë kineze për t’i bërë “të lumtur banorët e etnive të ndryshme që jetojnë në rajonin e Xinjiang”. Ndërsa, në anën tjetër bota katolike perëndimore çështjen e kampeve të internimit dhe paraburgimit të ujgurëve myslimanë i quan “gjenocid kulturor”. Nga 53 shtetet mike të Kinës, 23 prej tyre janë shtete arabe apo me shumicë myslimane. Çuditërisht asnjë shtet arab nuk doli në mbrojtje të të ujgurëve myslimanë. Por, Shqipëria mbetet shteti i vetëm kritik me shumicë myslimane nga grupi i 27 shteteve perëndimore ndaj Kinës.

Hipokrizia e vendeve islamike nuk mbaron me kaq. Për më tepër, as Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI) që përbëhet prej 56 shteteve me shumicë myslimane nuk ka marrë guximin ta kritikojë Kinën me një deklaratë të përbashkët për çështjen e ujgurëve. Por, Turqia dhe OBI-ja i patën treguar guxim duke i reaguar ashpër qeverisë së Myanmarit për persekutimin e myslimanëve të Rohingya.

Në këtë fazë ku fuqia kineze është shtrirë në çdo cep të botës dhe ku kapitali kinez i mbështjellë me “diplomacinë e vaksinave”, ka mbërritur nivelin më të lartë të ndikimit në politikën ndërkombëtare, ka ndikuar që Pekini shumë shtete t’i bëjë për vete (Rusinë, Bjellorusinë, Serbinë, Egjiptin, Arabinë Saudite), disa të tjera t’i neutralizojë (Italinë e vendet e Vishegradit), e ndaj disave tjerave të ndjek politikë hakmarrëse (Australisë, Suedisë dhe Norvegjisë).

Kur në tetor 2020, 38 shtete demokratike (nën drejtimin e Gjermanisë) kritikuan veprimet e Kinës kundër shtypjes sistematike të ujgurëve dhe kundër miratimit të ligjit të sigurisë kombëtare për Hong Kongun, Kina përsëri demonstroi fuqinë e saj globale me një koalicion prej 45 vendeve përmes një deklarate të përbashkët duke i quajtur masat e qeverisë kineze kundër terrorizmit dhe de-radikalizimit në Xinjiang si një hap të domosdoshëm. Në këtë betejë diplomatike ndërkombëtare, Shqipëria tregoi guxim të rreshtohet me shtetet liberale dhe të civilizuara të grupit të parë.

Shembujt e lartcekur ofrojnë një tablo të votës së shtetit shqiptar përkrah vendeve perëndimore. Në këtë drejtim, përpjekjet diplomatike për mbrojtjen e normave ndërkombëtare kundër shtypjes sistematike nga ana e qeverisë kineze, rezulton se Shqipëria ia ka kaluar shumë shteteve të NATO-s dhe BE-së, sikurse Greqisë dhe Hungarisë, por edhe shteteve tjera evropiane që janë botërisht të njohura si gardianë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sikurse që është Zvicra (e cila në tetor 2019 tërhoqi nënshkrimin e saj kundër Kinës).

Duke marrë për bazë faktet e paraqitura, vështirë do ta kishte ta pranonte realitetin e ri shqiptar edhe Mao Ce Duni, i cili (si për ironi të fatit) para shumë vitesh në një letër dërguar homologut të tij shqiptar Enver Hoxha, e kishte quajtur Shqipërinë “fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut”. Me politikën e Maos sigurisht që shumëkush mund edhe të mos pajtohet, por jo domosdoshmërisht me disa nga thëniet e tij.

Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIIP) në Vjenë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.