Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Të filozofuarit me anë të kinemasë

Foto nga Freepik.

Në një botë të çmendur,

vetëm të çmendurit janë normalë.

Akira Kurosawa

Që në fillim të këtij ekskursi dua ta theksoj se tema e cila do të trajtohet në vazhdim, është mjaft e gjerë dhe shumë dimensionale. Si e tillë mendoj se është e pamundur që të shpjegohet në tërësinë e saj. Andaj, mendoj se kjo përpjekje këtu do të jetë si një tendencë që të prekë, aq sa është e mundur, pikat kryesore që i kemi për objek trajtimi.

Në historinë e kinemasë janë bërë shumë filma, të cilët për subjekt të trajtimit kanë shumë tema me karakter filozofik. Duhet ta cekim që në fillim se ka një mospajtim të thellë në mes të njohësve të kinemasë; se a ka filozofi në kinema (film)? A është filmi një medium i cili mund të përçojë mesazhe filozofike tek audienca, etj.? A mundet filozofia të transmetohet nëpërmes ekranit? Këto janë vetëm disa vërejtje që kanë të bëjnë në lidhje me këtë temë. Megjithatë, unë ndaj argumentin tim me pjesën që mendon se filmi është një medium i cili jo vetëm që mundet, por edhe e ka dëshmuar tanimë, se kemi filmografi me bollëk, që ka një bazë shumë të thellë filozofike. Shumë skenare, imazhe, dilema teorike, specifika të xhirimit, hapësira, peisazhi, akti, poza, muzika etj., dëshmojnë se filmi në disa raste jo vetëm që është bartës i mesazhit filozofik, por është edhe përmbajtësisht i tilië. Trajtimet që kanë karakter filozofikë, apo më mirë të themi filmat të cilët kanë për subjekt trajtimi tematikë filozofike, janë po aq kolorit në tema sa edhe vetë filozofia. Në kinema janë diskutar dhe diskutohen tema me përmbajtje të ndryshme filozofike. Janë trajtuar probleme që perveç konsekuencave që kanë prodhuar, kanë pasur edhe ristrikcione mjaft të mëdha. Që nga problemi i Zotit dhe deri tek problemet psikopatologjike, kinemaja i ka vendosur në fokusin e trajtimit të vetë.

Andaj, për ta shqyrtuar dhe argumentuar edhe më lidhjen film-filozofi dhe anasjelltas, ne në vazhdim nëpërmes filmit Metropolis të regjisorit Fritz Lang dhe filmit The Seventh Seal të regjisorit Ingmar Bergman-it, do të mundohemi ta argumentojmë këtë lidhje.

Më 13 mars 1927, Fritz Lang e përfundoi projektin e tij filmik Metropolis, një ndër projektet kinematografike më të përfolur dhe njëherit më të arrira në historinë e kinemasë. I cilësuar në atë kohë, por edhe sot si një film futuris, Metropolis-i i Lang-ut rreh përbrenda tij tematikat me karakter të thellë filozofik. Në këtë film Lang trajton tema të ndryshme që nga kundërthëniet klasore, problemi mbi autoritetin e babait dhe derit tek ideja kryesore e tij, të një metropoli imagjinar, që në atë kohë konsiderohej ‘ëndërr e shfrenuar’, por një ëndërr e tillë, e cila në njëfarë forme sot me tërë këto zhvillimet tekniko-teknologjike duket se ishte paralajmëruar në këtë film. Tek problemi klasor, Lang-u e nxjerr pikërisht edhe idenë e Metropolis-it. Një qytet i mbuluar me drita, me zhvillim teknologjik të paimagjinueshëm për mendjet e zakonshme, me bollëkun…, parajsë e vërtetë, por që në sfond të gjithë këtij luksi qëndron një dyzinë e punëtorëve të cilët përkujdesën për Metropolis-in. Kjo tingëllon si ide marksiste, sepse aty ka një shfrytëzim të fuqisë punëtore. Mirëpo, Lang me një mprehtësi të jashtëzakonshme nëpërmes kësaj kundërthënie klasore, nxjerr në sipërfaqe problemin e autoritetit të babait. Kur Freder (luajtur nga Gustav Fröhlich) e kupton se qyteti është zhvilluar dhe mbahet nga fuqia e punëtorëve të varfër (nga qyteti i ferrit, sepse qyteti ku jetojnë punëtorët është i ndarë nga Metropolis-i), ai përpiqet që t’i ndihmojë ata. Mirëpo, këtu edhe fillon përplasja shumë e madhe në mes tij dhe babit të tij, Joh Fredersen (luajtur nga Alfred Abel). Autoriteti i babait është aq konservator sa që me asnjë kusht nuk pranon që i biri i tij t’u ndihmojë të varfërve dhe kjo gjendje dërgon deri në pikën e fundme ku rrënohet edhe vetë Metropolis-i. Kjo formë e ndërtuar nga Lang, është pikërisht zhvillimi nëpër të cilin po kalonte shoqëria moderne. Ky ballafaqim i ashpër ishte e kundërta e ballafaqimit të Kafka-s me babain e tij, sepse po ta parafrazojmë Georges Bataille-in, Kafka as që dëshironte të arratisej nga qerthulli dhe të ballafaqohej me autoritetin. “Ai donte të jetonte brenda qerthullit, si një i dëbuar”, thotë Bataille. Ndërsa e kundërta e Kafka-s është Freder-i, sepse ai ballafaqimin me autoritetin e zhvillon në një luftë permanente, dhe që nëpërmes këtij ballafaqimi të pakompromis, Lang-u tenton të na e shpërfaq kontradiktat jo vetëm në të jetuarit, por edhe në mendësi. Andaj, ky ballafaqim i mendësive ishte shprehje e nje epoke që po ndryshonte dhe këtë Lang-u na e paraqet nëpërmes veprës se tij filmike Metropolis.

Tani do ta trajtojmë një film që temën e ka me karakter shumë të thellë filozofik, është filmi The Seventh Seal, i Ingmar Bergman-it. Ky është një film tipik filozofik, madje është aq i afërt me filozofinë e Nietzsche-s sa që të duket se skenarin e ka shkruar vetë ai. Në The Seventh Seal, Bergman-i trajton problemin e Zotit, problemin e së keqes, ekzistencës, vdekjes etj. Parodia që Bergman-i e vendos nëpërmes këtij film dhe dilema që trajtohet aty, është dimension i brendshëm bergmanian. Mosbesimi në Zot e vendos Bergman-in në pozita tërësisht ekzistenciale. Dilema e ekzistencës së Zotit është një ballafaqim i ankthshëm i Antonius Block-ut (Max von Sydow). I sapokthyer nga lufta e kryqzatave si kalorës që ishte, pra nga një luftë për mbrojtjen e Zotit, Antonius Block-ut fillon t’i zbehet besimi. Ankthi i vdekjes, përpëlitja me forcat e brendshme ndjesore, arratisja nga besimi, bëjnë që Bergman-i nëpërmes Antonius Block-ut ta shprehë thellësinë e brendshme (të paesencializuar) subjektive të njeriut. Një trajtim të tillë shpirtëror terapeutik që Bergman-i në këtë film e vendos në karakterin e Antonius Block-ut e shpreh vulën e një dimensioni shumë të thellë filozofik. “Përtej vdekjes nuk ka asgjë” pohon Berbman-i, dhe që kjo është edhe pika qendrore në film që personazhi Antonius Block-u e përbrendëson një ndjenjë te tillë. Po të shprehemi me termat nietzschean Antonius Block-u nga ky moment është një udhëtar që nuk brengoset më për hijen e tij. Ai i tejkalon fuqitë ndikuese eksternale dhe lufton me fuqitë e tij të brendshme. Një debat i tillë i brendshëm që bën Antonius Block-u me vetën është tërësisht në konditat nietzscheane. Madje Nietzsche pohon se “… debati më i vështirë i njeriut, është debati me vetveten”. Prandaj në filmin The Seventh seal Bergman-i debaton me vetën nëpërmes përsonazhit Antonius Block-u.

Siç vërejmë edhe tek kjo që u tha më lart (kjo është vetëm një pjesë e vogël e tërë asaj kinematografie, që është e pa mundur që të shpërfaqet në tërësinë e saj), shihet qartë se kinemaja përveç shumë dimensionalitetit që bart në vete, ka edhe anën (shumë prezente) filozofike. Andaj, përveç filozofisë në film, unë mendoj se në kinematografi ka shumë projekte filmike që kanë nxitur mjaft debate në filozofi. D.m.th., edhe filmi si i tillë ka prodhuar dhe prodhon konsekuenca me dimension të thellë filozofik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.