Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Të kuptuarit e integrimit të serbëve

Integrimi i komunitetit serb nuk duhet parë si një detyrim i jashtëm ose një imponim që duhet përmbushur me zor. Jo, është e domosdoshme që kjo të bëhet vullnetshëm – sepse komuniteti ndërkombëtar nuk do të jetë këtu përjetësisht – në mënyrë që të mos konservohet në skutat e mendjes së shoqërisë sonë kurrfarë potence për diskriminim.

Shoqëria kosovare nuk është raciste. Ajo po e gënjen veten. Ajo nuk ka asgjë kundër integrimit të serbëve, procesit të kthimit, apo një bashkëjetese normale ndëretnike. Sidoqoftë, është e shtrënguar me u sillë tjetërqysh. E shtrënguar nga virtualiteti që ka prodhu, dhe nga vetja në relacion me tjetrin. Është racizëm fals.

**

Veçoritë e rrethanës epistemike të shoqërisë kosovare mund të njihen vetëm duke rrëmuar në të kaluarën e saj. Mbi këtë kuptim, kanuni ndjell shumë kurreshtje. Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptu që ky set normash që e përthekonte jetën e një shoqërie të tërë, sot është i fijëzuar brenda skemës së kuptimeve, mendimeve, prodhimit e vlerave të saj.

Kanuni e organizonte shoqërinë në një formë të ngurtë e të ngushtë familjare. Normat e tij të rrepta e pamundësonin hapjen kulturore dhe mendimin e vlerave. Kësisoj, shoqëria shqiptare mbeti mjaft shterpe dhe e pavirtualizuar. E vetmja dromcë virtualiteti vërehet në konceptimin e mikut, i cili e merrte rolin e shokut të sotëm të Facebook-ut. Përmes tij, familja pritëse kishte mundësi me dalë përtej realitetit të përditshëm, dhe me u virtualizu. Kjo dëftohet në pikën 603, ku thuhet se “Miku nuk mund të hijë në shpi, pa ba za n’oborr”. Kjo ndalesë i mundësonte familjes të kishte kohë që të organizonte shfaqjen e saj para mikut. Të mbulonte intimitetin e saj. Se miku kishte rol virtualizues, e tregon edhe pika 616 ku thuhet se ‘Mikut i lëshohet kryet e vendit” – e ndër arsyet që përmenden në pikat e mëposhtme, është se ai duhet të jetë i rrokshëm për shikimin e pritësve, por edhe shikues i shfaqjes.

Ky virtualizim i rremë, pa fijen e spontanitetin, vërehet qartë edhe në ditët e sotme. Shoqëria e sotme kosovare nuk mund të njihet përmes televizorit, radios, gazetave apo Facebook-ut. Ajo vazhdon ta ketë prirjen kanunore për falsifikimin e virtualitetit. Hapësira digjitale nuk i duhet për me shprehë veten, por për me ndërtu një maskë të rremë, që ia mbulon fytyrën e vërtetë. Ky falsifikim i virtualitetit, nuk është thjesht manipulim imazhi, maskë, apo ndryshim i pamjes. Jo, është me jetu brenda një mashtrimi më kompleks kur vendosesh brenda hapësirës publike. Kur je i dukshëm. Njerëzit bile mund të mos jenë të vetëdijshëm se janë hipokritë. Ta zëmë, për çështjen e moralit. Në një anë kërkojnë të mos ketë korrupsion, të ketë kritere e profesionalizëm – në sytë e të tjerëve. Por në anën tjetër, atë të padukshmën, janë krejt të pakualifikuar, jomeritorë për gjithçka, dhe shumë kollaj të korruptueshëm.

Kjo sjellje ka bërë që shoqëria jonë të mos e njohë veten. Bile, të mos ketë as interesin më të vogël që të merret me veçoritë e saj. Brenda asaj mosnjohjeje, ajo ngutet me saju bindje të rreme. Dhe përmes tyre, me kriju virtualitete të çuditshme, siç është ta zëmë, nacionalizmi kuq e zi, i kopjuar nga pika e parë e deri në atë të fundit nga nacionalizmi serb. Historiografia shqiptare e ka prodhu ligjërimin për autoktonitetin tonë, për lashtësinë, për rilindjen, mandej edhe qasjen humane e viktimizuese – dhe të gjitha si kopje nga historiografia serbe.

Në mënyrë që procesi i kombformimit të bëhet si duhet, shqiptari i Kosovës duhet që sa më parë të ndahet nga iluzionet që i ka kriju. Duhet me u nda nga ajo shfaqje që ia jep tjetrit, dhe të sillet çlirshëm, spontanisht, duke i kuptu më mirë sjelljet e tij. Shqiptari i Kosovës nuk është racist. As ndaj serbit, as ndaj maqedonit, e as ndaj askujt. Nëse e shpreh racizmin, kjo ndodh sepse i duhet që ta mbulojë të vërtetën e tij, të virtualizojë sjelljen, në këtë rast, të kopjojë maqedonin e serbin. E vetmja formë racizmi që haset në shoqërinë tonë, përtej këtyre figurave imagjinare që i sajon për veten, është ai i internalizuari. Racizëm ndaj kulturës e shoqërisë që i përket.

Çdo ditë, çdokund, mund të hasësh shqiptarë që në llafe private, nuk ngurrojnë të shprehin bindjen e tyre se shqiptarët janë budallë, të poshtër, të këqinj, të dobët, etj. etj.. Racizëm të internalizuar kishin edhe boshnjakët në foret e tyre të çuditshme të kohës së luftës, ose edhe afrikanoamerikanët. Në një eksperiment në disa shkolla në Amerikë, fëmijët afrikanoamerikanë ishin detyruar të zgjidhnin mes dy kukullave: të bardhës dhe të zezës. Të gjithë e kishin zgjedhur kukullën e bardhë. Të zezën, që ishte ngjyra e tyre e lëkurës, e lidhnin me ‘të shëmtuarën’ e ‘të keqen’. Ky është një ilustrim, jo vetëm i racizmit të internalizuar, por edhe i mundësisë për bindje të rreme publike. Përmes imagjinatës, nga ky tip racizmi, lehtë mund të kuptojmë sa i rremë që është virtualiteti ynë. Të menduarit e vetes. Sjellja ndaj komunitetit serb në Kosovë. Integrimi i tyre. I rremë e fals.

Shoqëria kosovare është e kurthuar brenda këtyre bindjeve të rreme. Brenda një virtualiteti të habitshëm që ia pamundëson me u lidhë me rrethanën e tij konkrete, me realitetin dhe të vërtetat e tij të njëmendta.

Po e përsëris: shqiptari i Kosovës nuk është racist. Por, ai shtrëngohet me aktru si i tillë, shkaku i paragjykimeve që ka për veten. Racizmi është goxha objektiv. Ai ushqehet përmes faktesh. Dhe, ashtu në mënyrë të vrazhdë, i stivon ato për me i kriju do të vërteta intime. Dhe këto fakte, asnjëherë nuk ishin në të mirë të shqiptarit të Kosovës. As tash nuk janë. Rezultatet e dobëta në sport, artistët e shkencëtarët e pakt, organizimi i dobët i jetës kulturore etj. etj. e shtyjnë të mendojë, në skutat e ndërdijes së tij, se është esencialisht inferior. Dhe kjo shprehje inferioriteti, e hasur në momente intime mes miqsh, gjithnjë ka qenë befasuese për mua. Si ka mundësi, në realitet të urrejmë kulturën të cilës i përkasim, e ndërkohë nëpër dritare virtualiteti të derdhim krenarinë e të formulojmë një shprehje si “O sa mirë me qenë shqiptar!”? Epo, njeriu i zakontë ka mundësi të besoj në pohime kundërthënëse.

Ky falsifikim i bindjeve të shoqërisë i ka dëmtu themelet e kombit tonë. Si pjesë e kombformimit të Kosovës që në fillim ishte çështja e integrimit të komunitetit serb. Në realitet, shqiptari nuk ndjen kurrfarë urrejtje për serbin nga Kosova – dhe në bazë të njohjes së këtij realiteti, do të duhej të ndërtohej një qasje racionale për çështjen në fjalë. Shqiptari bën biznes me serbin. E përshëndet e e nderon. Miqësohet me të. Por, në jetën institucionale e në hapësirën publike ku realiteti duhet me u mbulu si pasojë e shikimit të tjetrit, kalohet në një kopjim të asaj që besohet se duhej të ishte një sjellje e përshtatshme. Edhe nëse kjo sjellje përmban diskrimin racor.

Integrimi i serbëve në Kosovë është mendu si një detyrim ndërkombëtar. Epo jo, ne e dimë që është një gjë e domosdoshme dhe e drejtë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.