Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Të zotët e kaluar të së ardhmes dhe ndryshimi që nuk është ndryshim

Gati tre dekada që prej fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe dy dekada që prej fundit të luftës në Kosovë dhe rënies nga pushteti në Serbi të Sllobodan Milosheviç-it, rajoni ka kaluar një proces të shndërrimit shumështresor. Shtatë shtete të reja janë ngritur mbi gërmadhat e ish federatës socialiste, ku që të gjitha janë në faza të ndryshme të demokratizimit dhe evropianizimit. Prapëseprapë, historia e Jugosllavisë socialiste, shpërbërja e saj, si dhe gjysma e shteteve që dolën prej saj, sot e kësaj dite mbesin të kundërshtuara dhe janë objekt grindjeje. Në këtë drejtim, duket sikur në rajonin post-jugosllav, sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë qendrojnë siç janë.

Kjo është e vërtetë posaçërisht për rastin e Kosovës dhe Serbisë, një ngatërresë e vazhdueshme politike në rajon. Tre dekada pas fjalimit të famshëm të Milosheviç-it në Gazimestan, duket se shumë pak ka ndryshuar në marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve. Ndarja etnike mbetet më e thellë se kurrë, kryesisht për shkak të pasojave të drejtpërdrejta të luftës së fundit, shkatërrimit, zhvendosjes dhe posaçërisht për shkak të paaftësisë dhe mosvullnetit të elitave në të dyja anët, që të zhvillojnë një vizion të bashkimit e jo të ndarjes, që ka në qendër popullin dhe që shtron rrugën për progres socio-ekonomik.

Vërtet që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë është shumë e ndërlikuar për shkak të një numri faktorësh që kanë të bëjnë me historinë, nacionalizmin dhe, ç’është më e rëndësishmja, mosmarrëveshjen rreth statusit të Kosovës. Megjithatë, përtej faktorëve historikë dhe mosmarrëveshje politike të kohës, problemi kyç i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet ajo të cilën Charles Taylor-i e quan ‘mos-njohje’ dhe ‘keqnjohje’. Procesi i njohjes dhe keqnjohjes është thelbësor në procesin e formimit të identitetit, i cili nga ana e tij luan rol të rëndësishëm në proceset shoqërore e politike, përfshi shtetndërtimin dhe krijimin e politikave. Sipas Taylor-it, ‘identiteti ynë formësohet pjesërisht nga njohja ose mungesa e saj, shpesh nga keqnjohja e të tjerëve, dhe kështu një person a grup njerëzish mund të vuajnë dëme e shtrembërime të konsiderueshme, nëse populli ose shoqëria që i rrethon reflekton një tablo të kufizuar ose poshtëruese ose përçmuese të tyre. Mosnjohja ose keqnjohja mund të shkaktojë dëm, mund të jetë formë e shtypjes, që burgos dikë përbrenda një formë të rreme, të shtrembëruar e të nënshtruar të të qenit’.

Në rastin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ‘tjetri’ është burgosur vazhdimisht, e në shumë mënyra, në një formë të rreme, të shtrembëruar e të nënshtruar të të qenit. Që prej shekullit 19, kornizat narrative dhe mjetet diskursive në rajon janë orvatur që, në shkallë të ndryshme, të riprodhojnë imazhe të tilla të rreme e të shtrembëruara për ‘tjetrin’. Për fat të keq, njëzet vite që prej përfundimit të luftës në Kosovë, këto imazhe të shtrembëruara vazhdojnë të riprodhohen prej elitave dhe mediave të ndryshme në të dyja anët, edhepse në shkallë të ndryshme.

Progresi i vërtetë është shumë i kufizuar. Përkundër negociatave shumëvjeçare dypalëshe në Bruksel të ndërmjetësuara nga BE, pjesëmarrjes së përbashkët në Procesin e Berlinit (të nisur nga kancelarja gjermane në gusht 2014) dhe Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP), ka shumë pak bashkëpunim dhe komunikim të vërtetë. Përkundrazi, për të shmangur vëmendjen prej problemeve të vërteta dhe për t’u mbrojtur prej kritikës në rritje kur vjen puna te korupsioni, kapja e shtetit dhe jokompetenca politike, elitat e sotme në të dyja anët, mbështeten gjithnjë e më shumë te mobilizimi nacionalist.

Luftërat jugosllave lanë pas trashëgimi tragjike me qindra mijëra të vrarë, miliona refugjatë, jetë të rrënuara e ekonomi të shkatërruara. U shkatërrua edhe vetë struktura shoqërore e rajonit. Sikur të mos mjaftonte kjo, përgjatë tranzicionit të pasluftës, që duket sikur s’ka fund, një brez i tërë nuk ia ka dalë të rikthejë një shkallë të dëshirueshme të normalitetit, qëndrueshmërisë politike, progresit ekonimik dhe përmbushjes personale. Shpresat për demokratizim të shpejtë, pajtim ndëretnik dhe bashkëpunim rajonal u dëshmuan të rreme. Në vend të kësaj, popujve të rajonit iu duhet të kënaqen me një tip të holluar të shtetit dhe një demokraci që as garanton të drejta të plota civile dhe bashkëpunim ndëretnik, as mirëqënie socio-ekonomike dhe prosperitet. Pashmangshëm, kjo ka ushqyer ndjelljen e sensit të apatisë politike dhe ndjenjës gjithnjë e më të pranishme të çmagjepjes me vet shtetin. Mospjesëmarrja në votime dhe procesi i ngadalshëm, por i vazhdueshëm i migrimit të rregullt e jo të rregull të të rinjve (shumica të arsimuar), të cilët kanë humbur besimin në ndryshim, mbase e ilustron më së miri çmagjepsjen e gjërë të popujve në Kosovën dhe Serbinë e pasluftës.

Sot Serbia qeveriset prej një koalicioni të partive e udhëheqësve që luajtën rol të madh në çmendurinë nacionaliste të viteve 1990 që prodhoi shkatërrim dhe tragjedi në masë të gjërë. Ky akt i dytë politik i tyre, vështirë se ndryshon prej të parit. Të trimëruar nga pranimi i gjërë ndërkombëtar dhe mbështetja e fortë zgjedhore në shtëpi, Vuçiç dhe Daçiç e kanë ringjallur me sukses këtë ide shkatërrimtare politike – rishikimin e kufijve administrativë në vija etnike – 30 vite pas ngritjes së Milosheviç-it në pushtet në Serbi, si dhe kanë rigjallëruar termin denigrues Šiptari’ në publikun serb.

Kur është fjala për Kosovën, dy dekada pas luftës dhe më shumë se një dekadë që prej shpalljes së pavarasisë dhe përkundër problemeve kronike me situatën ekonomike dhe mirëqenien sociale, agjenda politike e vendit vazhdon të jetë e mbizotëruar nga çështja e marrëdhënieve me pakicën serbe dhe Serbinë. Grindjet e brendshme politike, shtrirja e gjërë e korupsionit dhe paaftësia insitucionale, si dhe mungesa e vizionit politik dhe konsensusit mes partive politike, që të gjitha kanë ndikuar në performancën e dobët të Kosovës në ndërtimin e shtetit. Tash për tash, Kosova qeveriset prej një koalicion ‘komandantësh të luftës, pjesë e elitës së konsoliduar politike e ekonomike që pengon reformën dhe garën e hapur politike dhe ekonomike. Sa më e madhe pakënaqësia popullore për mungesën e progresit të përgjithshëm socio-ekonomik, aq më shumë i kthehen ata bëmave të luftës, heronjve, statujave, pëfitimeve për veteranët e luftës si dhe lojës sekush e ka fajin, me Serbinë në epiqendër.

Këta janë të zotët e së kaluarës të Serbisë e të Kosovës që na sigurojnë se atyre dhe vetëm atyre mund t’iu besohet që të zgjidhin çështjen e Kosovës. Kështu na thonë, të paktën. Fatkeqësisht, shumë në Kosovë e Serbi, po aq sa edhe në komunitetin ndërkombëtar, duan të besojnë këtë. E megjithatë, këto elita i shëmbëllejnë Tancredi Falconeri-t, personazhit të Giuseppe Tomasi di Lampedusa-s te Leopardi, i cili deklaronte se “nëse duam që gjërat të mbesin kështu siç janë, gjërat do duhet të ndryshojnë.” Me fjalë të tjera, me këto elita nuk ka ndryshim.

Që të ngjajë ndryshimi kuptimplotë në marrëdhëniet mes dy popujve e vendeve, do të duhej të përmbushet një parakusht i rëndësishëm: njohja e ndërsjellë si të barabartë. Në terma praktikë, kjo do të thotë heqje dorë prej idesë së hegjemonisë rajonale për të mirën e bashkëpunimit rajonal, superioritetit etnik dhe/ose kulturor për të mirën e dialogut, dhe të kupuarit etnocentrik të shtetit për të mirën e të kuptuarit që e pozicionon shtetin si mjet arritjen e mirëqenies dhe prosperitetit për qytetarët e lirë dhe të barabartë. Prapëseprapë, që të ngjajë ky ndryshim, është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor i elitave.

——

Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues me remarker.media nga Beogradi.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.