Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Teknologjia e një grabo-pushteti

Nga përgjimet e përditshme që po publikohen e në të cilat po flasin zyrtarët e lartë të PDK-së me njëri-tjetrin, marrim vesh se ky pushtet pa kurrfarë zori i shpërfillë kriteret dhe i shkelë procedurat për punësim, madje edhe kur është fjala për pozitat më të larta publike.

Paragjykimi ynë ishte i drejtë! Përfytyrimet tona për funksionimin e këtij pushteti janë të vërteta!

Një fantazmë e shëmtuar dhe e tmerrshme i pluskohet dhe e frikëson secilin që e ka ndërmend të nisë një karrierë ose të gjejë një punë bazuar mbi aftësitë e tij. Kjo fantazmë është ajo e konkurseve të kurdisura, e mundësive të mbyllura, e një qorrsokaku. Nuk duhet të mësosh a studiosh – thotë fantazma – ajo që duhet është të punosh me karakterin: ta përdredhësh e ta përthyesh sa më shumë, t’ju afrohesh njerëzve të pushtetshëm; me një fjalë: të nënshtrohesh sa më bukur.

Kryepersonazhi i përgjimeve tha se punësimi i njerëzve nuk është krim. Ka të drejtë. Por të punësosh njerëz duke ndërhyrë në konkurse publike, duke çkriterizuar e çformalizuar – është krim. Këtu kemi të bëjmë me një kundër-sistem dhe kundër-pushtet që e prishë sistemin, që e pamundëson atë.

Dhe, pushtetet funksionojnë përmes përfytyrimeve që i vijëzojnë. I pari, pushteti i konkurseve e kritereve na bën me dije se duhet të mësojmë sa të mundemi, të zhvillojmë aftësitë tona – nëse duam të kemi të ardhme. Pra ekziston një diskurs që thotë se “duhet të mësojmë – se pa shkollë s’ka e të tjera.” Përveç fantazmës së shëmtuar të kundërpushtetit, ekziston një tjetër fantazmë, e vështirë, e ashpër, që shtron shumë kërkesa – dhe e cila po ashtu frikëson, madje edhe më shumë se e para.

Ta themi hapur: shumica e njerëzve i frikësohen më shumë një pushteti kriteresh sesa një pushteti që i shkelë ato. Turma është dembele dhe e paaftë. Dembelizmi pra, është shndërruar thuajse në një virtyt. Dhe po, është dembelizmi një ndër shkaktarët kryesor të këtij pushteti grabitës.

Pra, këtu kemi një ndeshje fantazmash. Fantazmën e parë, të kritereve dhe kërkesave; të punëtorëve dhe njerëzve të aftë – kundër fantazmës së dytë që është vulgare, dembele, ku s’kërkohet tjetërçka veç një letre dhe një karakteri dashamirës që përdridhet e përthyhet.

Shoqëria jonë e ka bërë zgjedhjen e saj. E ka zgjedhur të dytën. Disa herë me radhë. Madje, përtej zgjedhjeve mund të thuhet se e ka instaluar ose rrjetëzuar atë, në përditshmëri. Këto përgjime nuk përbëjnë skandal për shumicën e njerëzve të këtij vendi – sepse ky vend është vend dobësirash në çdo fushë.

Dhe ne shohim studentë që s’dinë të shkruajnë një fjali pa gabime drejtshkrimore a logjike – por janë studentë me letra. Pastaj shohim profesorë që s’dinë të shkruajnë dy fjali pa këto gabime – por janë profesorë me letra. Shohim funksionarë të lartë të vendit, presidentë, parlamentarë – krejtësisht të papërgatitur.

Ky kundër-pushtet vazhdimisht e ka trasuar një rrugë të gjerë si autostradë me pesëdhjetë korsi për dobësirat si ata vetë. Është hapur çdo pozitë, çdo mundësi për këta njerëz! Prandaj, një analfabetisti i lejohet të ëndërrojë që të bëhet president ose kryeministër ose thjesht shef i dikujt.

Përgjimet e përvijojnë teknikën e këtij grabo-pushteti. Të punësosh njerëz në pozita të larta, nënkupton t’i mbash nën kontroll ata njerëz, të falënderohesh prej tyre, të punësosh njerëz përmes tyre, në pozita më të ulta. Me një fjalë, të krijosh dhe të kontrollosh rrjetin e punëdhënësve. Le të paragjykojmë prapë: mbi 70% e njerëzve në Kosovë janë punësuar me ndërhyrjet e tyre.

Vetëm kriteret e pamundësojnë këtë rrjet. Kriteret janë qorre – ato nuk e njohin dajën, tezen, djalin e mixhës, mixhën – ato shtrojnë thjesht kërkesën për aftësi e profesionalizëm në punë. Megjithëse, natyrisht, edhe kjo mund të manipulohet. Por këtu po bëjmë fjalë për një mashtrim shumë më sipërfaqësor. Për një kundërpushtet ose për një grabitje e plaçkitje tejet ordinere.

Ja pse e kanë të nevojshme të falënderohen nga ata shokë, familjarë e pagues që i punësojnë: sepse duan të ndërtojnë idenë se të punësuarit ju detyrohen atyre. Të punësohesh përmes tyre nënkupton të nënshtrohesh. E humbë të drejtën t’ju kundërvihesh. E humbë mundësinë të jesh profesional në punën që e kryen. E humbë të drejtën të bësh thirrje për kritere – sepse ti vet në rastin tënd s’i ke respektuar ato. Në këtë formë, shohim qartë teknikën e një pushteti që duke iu krijuar njerëzve që i punësojnë, idenë se janë mashtrues e të korruptuar në një anë, dhe në tjetrën, idenë se i detyrohen shefave – i fusin përbrenda një rrjete imorale që i shukatë, i heshtë, i paralizon dhe i shtyn drejt kapilarizimit të mëtejmë të atij pushteti.

Skamja, ndërkohë, është një tjetër instrument tepër i rëndësishëm i këtij pushteti. Shumica prej shefave të përgjuar kanë qenë njerëz shumë të varfër e skamnorë para lufte. Ata janë bërë të pangopur e dyfytyrësh pikërisht sepse e njohin mirë fytyrën e egër dhe mizore të skamjes. Dhe siç e kanë njohur ata dikur, e njohin edhe shumë të tjerë sot e gjithë ditën. A mund t’i thuash një skamnori sot, mos prano të punësohesh përmes tyre? Jo, aspak.

Kësisoj ne nuk gjejmë trohë marre te këta njerëz por vetëm krenari. Dhe po, është plotësisht e mundur që kësisoj i kanë shpëtuar nga varfëria mijëra vetë. Për ta ngulfatur krejt popullin.

Unë e kam thënë dhjetëra herë të tjera: këta nuk dinë – ky është mëkati i tyre. Janë të padijshëm, injorantë dhe fatkeqësisht të pushtetshëm. Këta nuk ia kanë idenë pse duhet të respektohen kriteret. Janë miopë dhe prandaj bien gjithmonë në të njëjtën gropë. E përdorin një teknologji të stërvjetëruar e të vrazhdë për të shtrirë pushtetin e tyre – sepse nuk dinë mënyra të tjera.

Ka mbaruar mosbesimi i dikurshëm se injoranti nuk mund të jetë i pushtetshëm. Këtë e kemi mësuar pikërisht nga disa përgjime që iu bën mafies italiane në Amerikë. Shoqëria amerikane u habit sesi ishte terrorizuar e vjedhur për dekada me radhë nga njerëz krejtësisht analfabetë, idiotë, e të paaftë në çdo gjë – përveç të vrisnin, plaçkitnin e korruptonin.

Dhe, sikurse mafia italiane, edhe ky grabo-pushtet është thellësisht familjocentrist. Vlerat të cilat kultivohen janë thellësisht familjare. Morali është familjar. Punësohen fillimisht të afërmit, familjarët, fisi. Dhe kështu, familjarçe shtrihet ndikimi, rrjetëzohet pushteti i tyre. Kjo është një tjetër mbetje e kanunit tonë primitiv që na shterpëzoi kulturën me vite. Pra, kësaj forme të funksionimit i vjen një mbështetje, në shikim të parë, e çuditshme nga familja. Familja e mbështetë korrupsionin? Po, padyshim. Familja në shoqërinë tonë, të paktën, është një institucion thellësisht kundërshoqëror. Që në lindje kundërshoqëror. E keqja ndërkohë, është se roli edukues i shkollës mbetet krejtësisht i papërfillshëm sidomos në vendet rurale.

Familjet i edukojnë fëmijët e tyre thjesht sesi të ikin nga skamja, pa iu treguar ndalesat. Për ta është e rëndësishme që të depërtohet – s’ka rëndësi mënyra. Shumë prej këtyre familjeve nuk përtojnë dhe s’iu vjen marre të mbështesin të korruptuarit e tyre – ose të bëhen edhe vetë pjesë e këtij korrupsioni. Nuk po flasim këtu për dhjetëra familje, por për shumicën dërrmuese të familjeve kosovare. Pra, para se të flasim për grabo-pushtete duhet të flasim për grabo-familje. Për një ligjërim krejtësisht imoral e të turpshëm vlerash që për synim e ka shtrirjen e dobësisë, tejzgjatjen e inferioritetit.

Teknologjia e këtij pushteti dobësirash është, po ashtu, e dobët. Grabo-pushteti nuk është aspak një fenomen i çuditshëm ose kompleks – ai është një fenomen i zakontë në shoqëritë me rrethana të ngjashme me tonën. Është e zakontë për një shoqëri demokratike ku demosi është i dobët – synimi për shtrirjen dhe mirëmbajtjen e dobësisë.

Ajo që duhet bërë është e qartë: duhet të shthurim rrjetën. Duhet të mos pranojmë të korruptohemi e të shesim kështu shpirtin tonë te disa injorantë që s’meritojnë tjetërçka veç shpërfilljes. Duhet që pas përfundimit të këtyre përgjimeve të arrestohen qindra njerëz e të largohen nga puna mijëra të tjerë. Duhet të shtrëngojmë funksionimin e Universitetit të Prishtinës dhe të rishikojmë akreditimet e Kolegjeve Private. Duhet ndërtuar një armaturë njerëzish profesionalë e të pakorruptuar në pozita të larta. Në vend të fantazmës së shëmtuar tallavaizuese duhet të përballemi me fantazmën e bukur por të vështirë që kërkon shumë prej nesh, që vë kritere e profesionalizon.

S’ka vend për tolerancë me injorancën!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.