Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Thuj grue, jo femën!

 

Thuj grue! Gjithmonë!  Sepse femën mundet me qenë edhe nji lopë, nji qen, nji pelë a nji zog. Thuj grue, sepse tue thanë femën, vijmë  në  ditën kur kryeministri thotë “lopë” kur të mendon “grue”. (E ka me femnat ai.)

Me i thanë nji grueje “femën” asht gabim. Gruen si qenie njerëzore e shoqnore e zvogëlon kështu në aspektin e saj  biologjik, duke e ba që veç burrat të shihen si qenie njerëzore. Përveç asaj, fjalët “femën” e “grue” nuk e përshkruejnë të njejtën gja. (Gja, këtu, në kuptim të gjësë, pra gjëja, e jo gja si “njerëzit me bisht”.)

Grue mundet me qenë veç nji njeri. Fjala “femën”  asht term shkencor që përshkruen seksin ose gjininë biologjike– karakteristika fiziologjike të nji gjallese, tue e përfshi njeriun njëjtë sikur edhe krejt gjallesat tjera. Fjala “grue” asht e rezervume veç për njerëzit, pavarësisht rolit që i mvishet grues në shoqni të ndryshme. Fjala “grue” implikon shpeshherë gjininë biologjike, por nënvizon identitetin gjinor. E njëjta vlen tani për fjalën “çikë”. E gjinia biologjike dhe identiteti gjinor nuk janë e njëjta, përkundër tendencës  me i barazue.

Përdorimi i “femnës”

Image

Fjala “femën” në vetvete po e zhdukë subjektin, sepse po përshkruen veç nji veçori të atij subjekti, d.m.th. gjininë biologjike. Veçori e parandësishme. Veçori që në kontekst p.sh. kur flasim për presidenten, tashti ish presidenten e vendit, sikur në shkrimin e Baton Haxhiut (“Lamtumirë Presidente” botue në S’bunker), s’ish dashtë me na interesue hiç. Mujna me folë për presidenten si grue dhe krejt implikimet e të qenit grue në nji post të naltë në nji shoqni patriarkale. Por asht absurde me folë për të tue e përdorë fjalën “femën”, përveç nëse na intereson “aftësia e saj e riprodhimit”.  A na intereson neve kjo?  Haxhiu, në shkrimin e tij, thotë “ajo erdhi si femën.” Qysh?! Qysh erdhi ajo si femën!?

Thojzat

Në po të njejtin shkrim, përderisa grues i thotë femën, Haxhiu burrat i vnonë në thojza. Këtë e bajmë të gjithë ne, jo vetëm ai. A e keni vu re që burrat i shtijmë në thojza sa herë që dojna me thanë diçka të keqe për ta, thue se “e keqja” s’mundet me qenë virtyt burrnor?! Përderisa, na në heshtje po pajtohemi që gra ka veç nji lloj, e edhe ato në vend se me i quejtë gra po i quejmë “femna”. Gratë nuk veçohen në virtyte që nënvizohen me thojza. Ato nuk mujna me i ba ma gra se gratë. Eventualisht mujna me i ba burrnesha (ose edhe lopë, nëse jemi kokë-ministri) përndryshe ato janë “femna”.

Edukimi

Nëse e analizojna përdorimin e fjalës “femën” kena me e pa që për të njejtin kontekst rrallëherë kena me e gjetë fjalën “mashkull” me e përshkrue nji burrë në vlerën e tij si njeri. Ma së shpeshti fjalën “femën” e gjejmë në konotacion negativ dhe  përdoret prej burrave e prej grave gati njisoj. P.sh., “Ah, shum femën budallicë ish”. Thue se budallallëku i nji grueje e ka burimin në vaginën e saj e jo në përdorimin e trunit. Por edhe me qenë e kundërta, edhe me qenë diçka pozitive, e njejta vlen. Nën nji, truni s’ka gjini, dhe nën dy, përdorimi i tij nuk varet prej gjenitaleve, por prej shëndetit të tij dhe prej edukimit, e për fat të keq te na edukimi ka gjini. Po, edukimi po.  Që edukimi pastaj ndikon në mënyrën qysh mendojna e veprojna, s’ka fjalë.

A djalë a çikë?

Edukimi i bazuem në gjini fillon me “planifikimin familjar” (nënkupto: kena me ba aq fëmi sa na duhet me i ba, për me e pasë bile nji djalë. Kjo lidhet pastaj me mentalitetin e trashëgimisë dhe ndamjen e hises.)  e pastaj vazhdon me gëzimin familjar kur të lind fëmija, me ngjyrat e teshave e zgjatet deri te racionimi i vërejtjeve në tryezën familjare të moraleve. “Ti je çikë, s’bon me bo ashtu.” Kur asht fjala për djalin, kësaj krenarie kombtare që i ka hije gjithçka, bile edhe organit të tij gjenital i kemi vnue emën miklues qysh si fëmi: peci. S’asht marre me e thanë: asht “peci”.

Çikat i mbushin me faj e inferioritet që janë çika, ma së voni kur t’iu vijnë menstruacionet “se tash je bo femën, asht marre” u thojnë (ec e guxo vazhdo me qenë fëmi pas kësaj), dhe ironikisht nuk u thojnë ”ruju prej pecit”, por “ruje fëtyrën e familjes”. Gjenitali i saj nuk merr emën miklues. Dhe besom, nuk asht punë e hatrit. Problemi asht që gjenitali i saj asht kërcënim serioz për ftyrën e babës, vllaut, axhës, dajës, djalit të axhës, djalit të dajës, krejt fisit, krejt katunit, dhe së fundi hiç ma pak, krejt nderit të kombit.

Komunikimi  

Ky kërcënim po pasqyrohet edhe në përdorim të gjuhës, përmes së cilës vjen në shprehje edhe psikologjia e nji populli e veçanërisht komplekset dhe frikat e tij. Gjuha asht mjet komunikimi, e kjo nënkupton që randësia e saj asht ma shum se me pasë fjalor të pasun e me qenë gramatikisht korrekt. Ajo përcakton jo veç qysh komunikohet, por edhe çka e sa thellë, e rrjedhimisht përcakton lidhjen, ndarjen ose barazinë e njerëzve (dhe perceptimin e kësaj barazie) në këtë komunikim në bazë të kuptimit që i vihet nji fjale. Kështu që kur thue “femën” në vend se “grue” hiç nuk ka lidhje a je tue thanë diçka pozitive a jo për gratë. Sepse, çkado pozitive që thue, ti me përzgjedhjen e fjalës “femën” je gjithashtu tue komunikue që grueja për ty asht ma së pari gjini, d.m.th. asht ma së pari femën, eventualisht veç femën (e që asht absurde), dhe që roli i saj, për mos me thanë qëllimi i ekzistencës së saj, asht në thelb  i ndërlidhët ma së pari me biologjinë e saj, rrjedhimisht aftësinë e asaj “biologjie”, p.sh. riprodhimin. Ose, edhe ma keq, për  shfryrje të  epshit biologjik mashkullor, në procesin e aktit riprodhues. Pra, në këtë kuptim, me thanë femën, asht njisoj si me thanë vaginë. Fakti që na tingëllon ma e lehtë për veshë, nuk e ban këtë  fjalë diçka tjetër pos një  emën të vonuem miklues për vaginën. Funksioni asht i njejtë.

Komunikimi asht baza e të mësuemit prej njani-tjetrit, e kur na komunikojmë me nji gjuhë që na dallon si njerëz, na jemi tu zgjedhë në njifarë mënyrë me folë përskej njani tjetrit e jo me njani tjetrin. Qysh mos me pasë tani dallime gjinore? Hajt, tregomni, qysh?!

Gratë, marrja, faji dhe ftyra e burrave

Edhe për gra të përdhunume sot e kësaj dite, na si shoqni nuk kemi pasë debat të hapun e konstruktiv ndër të tjerash edhe për shkak të “femnës” (përveç kur kena folë në rastin e grave të përdhunume gjatë luftës, në kontekstin e krimeve që i kanë ba “shkijet” për me kallxu sa të këqij kanë qenë). Por, nuk e kemi kursye muhabetin veç për shkak të dhimbjes, se që për sende të dhimbshme asht vështirë me folë asht e kuptueshme, por na s’kemi folë për shkak të marres, ose me thanë ndryshe, për shkak t’arsyes së dhimbjes, pra marres!

Me folë për këtë temë, padyshim shum të dhimbshme e të randë, nënkupton me komunikue edhe diçka tjetër përveç përdhunimit, diçka që na po mundohemi sot me e mshefë (nënkupto: mos me e thanë ashiqare). Kjo vërehet në gjuhën që përdorim qoftë me zgjedhje të vetëdijshme, ose kur na “rrëshqet”.

Ashiqarja që po mundohemi me e mshefë, asht që grueja (që në fakt e shohim veç si femën) të cilës na ia kemi mveshë barrën e ruejtjes së nderit të nji kombi, nuk ka zgjedhë me mbajtë këtë barrë mbi vete dhe në fakt kjo barrë po e randon, kjo barrë po e mbytë. Kjo barrë asht krim i joni kolektiv, si shoqni, ndaj saj.  E ajo sot po mundohet  me refuzue këtë “prestigj”, sepse nuk asht e s’ka qenë kurrë prestigj por mashtrim dhe shtypje e saj, ka qenë mënyra me e ba atë me u ndi fajtore për diçka që ajo s’ka faj: nën nji që asht grue, dhe nën dy që asht përdhunue. A t’i ndihmojmë mos me u ndi fajtore, tue ia nisë me e pa si subjekt e jo si objekt? Pra, ma s’pari, tue i thanë grue, e jo femën.

Faji

E njëjta vlen për gratë që mbesin me barrë pa dëshirë, që s’janë të martume, që dojnë me abortu… Ato s’kanë qare pa pasë faj. I gjykon ma s’pari mjekja. Mjekja e gjykon nji grue edhe kur ajo vendos me lind fëmiun e saj me metodë cezariane. S’asht e natyrshme “këto gratë e reja veç po kqyrin qysh asht ma lehtë”. Jo, jo s’asht e natyrshme, por dhem si thiu. Edhe dhambin me e hjekë nën narkozë lokale s’asht e natyrshme, por ama moti ma kurrkush nuk i nxjerrë dhambët ndryshe. E njëjta vlen për gratë që ndahen prej bashkshortit (sidomos kur kanë fëmijë), me arsye, pa arsye hiç s’ka lidhje, ato kanë faj. I gjykon menjiherë mas familjes, edhe punëtori/ja sociale. Dhe padyshim, e njëjta vlen për gratë që hajnë grushta prej burrave: vëllaut ose babës, bashkëshortit a kunatit, që pshtojnë ose edhe jo, ato e kanë lyp dyqysh. I gjykon edhe policia.

Nuk mujna, se nuk mujna me e përmbajtë veten prej kërkimit të fajit që ajo duhet me e pasë, bile nji trohë, për dhunën që ushtrohet ndaj saj.  Sepse, ajo asht “femën” dhe si e tillë asht përgjegjëse për ruejtjen e nderit.

Boll bre mo! Boll! Grueja s’ka faj. Ajo s’ka hise në ftyrën e ndershme të nji burri! Vagina e saj edhe ma hiç! Ndërsa hises së saj për nderin e kombit, ajo i ka dalë hak shum herë. Por, asht e mundshme që s’ke ndi. S’ke faj, as unë s’kam ndi shum, se asaj nuk i thurret himn e përmendorja i ndërtohet me ftyrë anonime.

Identiteti gjinor

Gjithashtu duhet me e përmendë patjetër,  që sa i përket përdorimit të fjalës “femën” në vend të fjalës “grue” argument i mirë për me theksue se asht gabim ky përdorim, asht edhe fakti që nji njeri mundet me qenë femën, por me qenë burrë, dhe mundet me qenë mashkull por me qenë grue. Asht e mundshme që gjinia biologjike mos me u përputhë me identitetin gjinor. Po, edhe asht normale. Pavarësisht çka thotë naj hajvan-deputet i rastit.

Përderisa fjala “femën” përshkruen gjininë biologjike, fjala “grue” implikon edhe identitetin gjinor. Natyra e njeriut asht shum ma e komplikume se “pec e asishne”. Prandaj me e zvogëlue nji grue veç në femën, tue i barazu këto fjalë si të njejta në kuptim asht gabim, sepse nuk janë të njejta. Pikë.

Burrnimi i djalit e ç’virgjërimi (ose grunimi) i çikës

Kur thojna djem, thojna zakonisht edhe çika. Le që edhe këto i përdorim gabim, e në vend se me u bazue në moshë, bazohemi në statusin martesor dhe në idenë tonë të pjekurisë së tjetrit e kanjiherë bazohemi thjeshtë në qëllime pedagogjike (nënkupto: kur prindi i thotë djalit:”ti je burrë, s’ban me kajtë, veç çikat kajnë.”). Përndryshe, i pjekun boll për me votue, e me vozitë e besa edhe me u martue. Por ama për me u quejtë burrë, s’po mjaftojka. E sa duhesh me u rritë për me u ba burrë? Djali bahet burrë tue u pjekë, e pjekët, kur t’thotë pleqnia e katundit që je burrë. A burrë me thojza a pa thojza tani mvaret. Nji burrë i ri i martuem, mundet me u quejtë djalë, se konsiderohet që rinia e tij asht pengesë për me u ba burrë. Punë pjekjeje. Boll keq, por për çikat asht ma ndryshe. Veç martohesh, edhe bahesh grue, kuptohet bahesh grueja e filanit. Përndryshe je veç femën. Nji grue e re e martume, nuk quhet ma çikë. Pjekunia s’ka të baj me te kurrgjo. Çikënia e saj asht cipë që shkyhet, nuk pjeket. Burrnimit si proces i shtohet pjekunia. Grunimit si proces i shkyhet nji cipë dhe i shtohet marrja. Edhe barra, gjykimi, edhe faji, edhe durimi! Ndërkohë që ashtu diçka si kerrit që i bjen vlera me të kalumet që i ban, asaj i bjen vlera me çvirgjërim ose ndrrim partnerësh. E njëjta, për “meshkujt” (me ose pa thojza) ka kuptim krejtësisht të kundërt.

Konfuzitet

Tue e pasë parasysh që fjala “grue” tek na përdoret si sinonim për “bashkëshorten” asht krijue nji konfuzitet që nëse thue “grue” je tue folë për nji grue të martume. Dhe grue e martume nënkupton “grueja e filanit”.  Joooooo! A asht a s’asht e martume dikush ty nuk t’intereson. Gratë mujnë mos me u martue edhe hiç. Ato mujnë me pasë marrëdhanie seksuale edhe pa u martue, por mujnë edhe me u plakë virgjëresha. Punë për to. Ty s’të intereson!

Paramendone sa idiotike tingllon, kur dikush të drejtohet “zojë” e tani e korrigjon veten e thotë: “me fal se s’pe di a je e martume a jo” dhe bile para se me të pyet a je a martume të pyet “sa vjet i ke” se na bazë të moshës donë me llogaritë vetë se a je e martume a jo.

Burrat, natyrisht, e kanë ma lehtë, ata në çdo rast janë thjeshtë “zotni”.

Prej krejt këtyne arsyeve që i solla ish dashtë me mjaftue edhe kjo: grave nuk u pëlqen me iu drejtue si femën kur të folni për to, se ato nuk janë kafshë dhe ato janë ma shum se veç femna. A s’asht mjaft argument i fortë ky a?

Me thanë “femën” në vend të “grue” nuk asht nji mënyrë tjetër e të thanit grue. Asht mënyrë e gabume dhe jo e saktë e të thanit grue.  Asht mënyrë seksiste e të thanit grue. Ku po don ma seksiste, kur i adresohesh nji njeriu kryekëput tue e quejt në emën të seksit të saj (dmth. gjinisë biologjike)? Nëse thoni femën, pra, ma mirë thoni vaginë. Kështu të paktën e dimë për çka e keni fjalën!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.