Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

COVID-19 dhe Kosova: kriza e trefishtë

Përderisa shumica e vendeve në botë ballafaqohej me krizën e dyfishtë, shëndetësore dhe ekonomike, Kosova po kalonte në krizë të trefishtë për shkak të zhvillimeve politike.

Nëse duhet përshkruar krizën ekonomike të ndezur nga COVID-19 me një mbiemër, atëherë ajo është: e paprecedent. Kjo sepse përmasa e saj është globale, në të njëjtën kohë, dhe nga e njëjta arsye. Megjithatë duhet kuptuar se ajo po ndodh në një tokë të plleshme krizash: në kapitalizëm krizat janë të qenësishme dhe pothuajse periodike. Pra, COVID-19 është më shumë shkëndijë, se sa arsye e plotë e problemeve ekonomike me të cilat ballafaqohemi.

Kështu, kriza aktuale ekonomike, ndonëse e paprecedent, nuk është e shkëputuar nga e kaluara. Ose thënë ndryshe: në të kaluarën nuk e gjejmë një krizë të natyrës së njëjtë, por kriza kemi parë në vazhdimësi. E ndonëse kjo është e një lloji të pazakontë, tendencat për krahasime nuk mungojnë. Ta zëmë, disa e kanë krahasuar këtë krizë si një që ngjason me ato të luftës.

Duke e ditur se Kosova nuk ka patur rënie vjetore ekonomike që nga koha e luftës, dhe meqë tani presim rënie, lufta na bëhet një pikë reference në histori. Dhe, meqë nuk ka aq shumë studime të historisë ekonomike të rajonit, mbase ia vlen t’i rikujtojmë sfidat e një të kaluare jo shumë të largët.

Depresionet më të mëdha ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Përderisa vendet e zhvilluar si pikë reference e kanë Depresionin e Madh të 1929-39 apo Recesionin e Madh të 2007-9, Kosova dhe pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja & Herzegovina, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, dhe Serbia), që aktualisht nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, rëniet më të mëdha vjetore ekonomike, bazuar në të dhënat që janë aktualisht në dispozicion, i kanë patur gjatë luftrave dhe tranzicioneve ekonomike e politike në të 90-at.

Sa për rikujtim, një definicion teknik i depresionit në ekonomi është situata kur rënia vjetore e Bruto Produktit Vendor (BPV) real është më shumë se 10%. Dhe, kryesisht falë të dhënave historike nga databaza ambicioze e The Maddison Project mund të llogariten depresionet me të mëdha në vendet e ndryshme të botës përgjatë historisë. Siç mund ta shohim nga Figura 1 më poshtë, e tërë gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor (WB-6) ka patur rënie të tilla nga e kaluara.

KOVID 19 predizvika trojna kriza vo Kosovo 1Figura 1. Rëniet më të mëdha vjetore në BPV-të e WB-6

Nga këto rënie historike, më e “buta” ka qenë në Maqedoninë Veriore në 1993, kur rritja reale vjetore ishte rreth -10.2%. Ndërsa, rënia më e thellë u shënua gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, kur BPV kishte shënuar një rënie reale vjetore prej rreth 37.6%.

E rimëkëmbja (kthimi në gjendjen e para depresionit) kishte qenë poashtu e ndryshme edhe në kohëzgjatje edhe në normat vjetore të rritjes. Për shembull, siç shihet në Figurën 2 më poshtë, Republika e Kosovës dhe Bosnja & Herzegovina kishin arritur të rimëkëmben më së shpejti. Kjo edhe për faktin se baza ekonomike ishte më e vogël dhe rritja mesatare ekonomike për ato vite ishte më e larta.

KOVID 19 predizvika trojna kriza vo Kosovo 2Figura 2. Vitet dhe norma mestare e rritjes ekonomike për t’u rimëkëmbur

Por, përkundër shumë pasigurive, as pesimisti më i madh sot nuk pret që kriza aktuale të karakterizohet nga këso rënie drastike të BPV-së, siç kanë ndodhur në të 90-at. Fondi Monetar Ndërkombëtar njëmend po e cilësojn krizën aktuale si të pakrahasueshme me të tjerat. Banka Botërore poashtu po e sheh si recesinonin më të thellë global në dekada. Por as parashikimet e tyre më pesimiste, nuk janë afër rënieve të paraqitura në Figurën 1.

Ngjashëm, as optimisti më i madh nuk do t’mund të priste norma të ngjashme të rritjes vjetore, meqë shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë – nga rritja e bazës së ekonomive vendore deri tek dinamikat e integrimit të tyre në tregjet globale.

KOVID 19 predizvika trojna kriza vo KosovoBurimi: europeanwesternbalkans.com

Ndërsa koha që do të duhet deri në rimëkëmbje nga kriza aktuale do të varet shumë nga politikat që qeveritë i dizajnojnë dhe implementojnë. Kjo mund të komplikohet më shumë në rastet kur ka kriza politike, siç është rasti i Kosovës.

Kriza e trefishtë në Kosovë dhe mundësia (e humbur) e ndryshimit ekonomik

Përderisa shumica e vendeve në botë ballafaqohej me krizën e dyfishtë, shëndetësore dhe ekonomike, Kosova po kalonte në krizë të trefishtë për shkak të zhvillimeve politike. Kjo kulmoi kur ajo u bë rasti i parë në botë që gjatë pandemisë, përmes një “puçi paqësor”, u rrëzua Qeveria Kurti, vetëm pas 50 ditëve të formimit të saj, për të ardhur më pas Qeveria Hoti. Një arsye e fortë, ndër të tjera, e këtij puçit ishte se Qeveria Kurti shihej si pengesë në planin për ndarjen e Kosovës, gjë që mund të ishte pjesë kyçe e një marrëveshjeje që do të dilte nga dialogu me Serbinë.

Përderisa në botë masat e marra për ta menaxhuar krizën shëndetësore kanë precipituar krizën ekonomike, në Kosovë kriza politike thelloi më tej krizën shëndetësore dhe ekonomike.

Përkundër faktit se trashëgoi një sistem shëndetësor me shumë probleme, Qeverisë Kurti arriti që ta bëjë Kosovën një ndër vendet më të suksesshme në përpjekjet për ta sheshuar lakoren e rasteve të infektuara. Kujtojmë se rreth 1 javë para se të votohej Qeveria Hoti, saktësisht me 24 maj, Kosova kishte 0 raste të reja dhe, deri në atë datë, kishte 29 raste të vdekjes.

Qeveria Hoti u votua me 3 qershor, me minimumin e votave që duhej, vetëm pasi Presidenti e kishte vizituar deputetin “vendimtar” për formimin e Qeverisë në shtëpinë e tij pas mesnatës. Dhe, siç shihet në Figurën 3, është kjo koha kur filloi ngritja enorme e rasteve të të infektuarve.

KOVID 19 predizvika trojna kriza vo Kosovo 3Figura 3. Rastet me identifikuara me virusin SARS-CoV-2

Natyrisht se kjo kohë përkon edhe me hapjen graduale të ekonomisë, që ishte planifikuar më herët nga Qeveria Kurti. Por, tani Qeveria Hoti kishte marrur përsipër qeverisjen e vendit dhe menaxhimin e situatës së pandemisë, të cilën e cilësonte si një prej dy prioriteve kryesore bashkë më rimëkëmbjen ekonomike.

Rezultatet e këtij prioritizimi më së miri janë të paraqitura në Figurën 3. Ajo që kemi parë deri tani nga Qeveria Hoti, nuk ka qenë menaxhim por vrojtim i pandemisë dhe kërcënim i qytetarëve përmes konferencave boshe për media.

Vetëm pas pak më shumë se një muaji kur Kosova kishte shënuar 0 raste të reja, për herë të parë në Kosovë, me 29 qershor, kishim mbi 100 raste të reja (saktësisht, 122 raste) dhe gjithsej 49 persona që kishin humbur jetën. Dhe, shifra të tilla kemi parë edhe në ditët në vijim. Krejt këto pas rekomandimit për të mos i testuar rastet asimptomatike të kontaktit – gjë që nënkupton se numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë dhe se shumë raste me virus mund të mbesin të paidentifikuara. Momentalisht, mungon transaprenca, por duket se kapacitetet shëndetësore në vend janë pranë limiteve të tyre.

Përveç dallimi të madh të menaxhimit të krizës shëndetësore, kemi një dallim thelbësor në qasje ndaj krizës ekonomike. Qeveria Kurti ishte në fazën e përfundimit të implementimit të Pakos Fiskale Emergjente, kur publikoi edhe Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. Ky ishte një plan ambicioz në shumë prej rreth 1.26 miliard euro. Konkretisht, kjo pako parashihte:

  • Kreditimin e ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare;
  • Grante për rininë për inovacion e praktikë;
  • Skemë për punësim e formalizim përmes subvencionimit të pagave;
  • Skemë e subvencionimit të pagave për sektorin e hotelerisë, restoranteve, dhe kafeneve (HORECA);
  • Bursa për nxënës e studentë dhe grante për institucione arsimore e biznese;
  • Skemë për luftimin e varfërisë;
  • Grante për mbështetje të projekteve në komunitet që bëhen nga OJQ-të;
  • Lejimin e tejkalimit të limitit të rregullit fiskal për 3 vite;
  • Për mërgatën: mbulim të kostos së kartonit të gjelbër, kushte më të volitshme për letrat me vlerë, dhe insentiva për aeroportin “Adem Jashari” në mënyrë që të ulet kostoja e biletave të udhëtimit drejt Kosovës;
  • Mbushjen e rezervave shtetërore me ato mallra esenciale që prodhohen brenda vendit;
  • Fillimin e punës për themelimin e Fondit Sovran për ndërmarrjet publike.

Ky në fakt nuk dukej thjesht si plan për rimëkëmbje por edhe pikë kthese nga ku mund të mendohej edhe për zhvillim ekonomik. Përmes saj, mund të krijoheshin shtigje të reja që do të lejonin adresimin e problemeve të mëdha ekonomike që ka Kosova, disa prej të cilave mund të përkeqësoheshin nga kriza.

Ta zëmë, problem kronik i ekonomisë së Kosovës është papunësia strukturore – kryesisht si pasojë e hendekut që ekziston mes përgatitjes arsimore dhe shkathësive që kërkohen në tregun e punës. Por, si pasojë e krizës, problem do të bëhej edhe papunësia ciklike – kryesisht për shkak të pamundësisë së bizneseve për t’i mbajtur punëtorët.

Ose, problem ishin normat e larta të interesit që e bënin qasjen në kapital më të vështirë për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla. Tani, kur mungesa e aktivititetit ekonomike kishte goditur profitin, përveç rritjes së nevojës për likuiditet, ishte rritur edhe rrezikshmëria nga pamundësia e kthimit të kredive – me ç’rast qasja në kapital mund të përkeqësohej edhe më tutje.

Në anën tjetër, kishte indikacione të përmirësimit të disa prej problemeve më të mëdha të ekonomisë së Kosovës siç është deficiti i lartë tregtar. Muaji maj ishte muaji i tretë rradhazi kur Kosova kishte rënie të deficitit tregtar (në mallra) në krahasim me vitin e kaluar. Në bazë të data nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, këtë muaj eksporti ishte rreth 38.7 milionë euro dhe importi rreth 239 milionë euro, me ç’rast deficit tregtar ishte rreth 200.3 milionë euro. Në krahasim me majin e vitit të kaluar, kjo ishte një rritje prej rreth 21.6% e eksportit, rënie prej rreth 25.7% e importit, dhe një rënie prej rreth 30.9% e deficitit tregtar. Kjo rënie e deficitit tregtar në mallra është vetëm edhe një indikator se pandemia është një mundësi e jashtëzakonshme për ndërhyrje në strukturën e ekonomisë.

Por ajo se çfarë ndodhi me ardhjen e Qeverisë Hoti është shembulli par excellence sesi e Vjetra nuk lë krizë që t’i shkojë huq – asaj ato i shërbejnë për ta rifreskuar statu quo-në. Ndonëse tek plani i saj për rimëkëmbje ekonomike ka tejet shumë elemente të marrura nga ajo që kishte prezantuar Qeveria Kurti, asnjëra nga to nuk duket askund në horizontin e implementimit. Një përjashtim nga masat “e huazuara” bën ideja e rrezikshme e krijimit të mundësisë së tërheqjes së 10% të Trustit Pensional, gjë që do të krijonte probleme të shumëfishta në të ardhmen. Dhe, përveç mos fillimit të zbatimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, tek pjesa e planit të zhvillimit ekonomik, ajo që premton Qeveria Hoti është privatizim dhe asfalt, që që nënkupton vazhdim i avazit neoliberal – pra, rikthim në “business as usual.”

Duhet kujtuar se krizat mund të paraqesin sfida të pazakonshme, por edhe mundësi të jashtëzakonshme. Ato krijojnë momente kur ide që dikur mund të kenë qenë të papranueshme politikisht, bëhen të paevitueshme ekonomikisht. Nuk duket se Qeveria aktuale do të zgjatë shumë por është e sigurt që ajo ka “vjedhur” këtë momentin e jashtëzakonshëm që ka paraqitur pandemia për t’i filluar ndryshimet e mëdha në ekonomi.

Por, domosdoshmëria e këtyre ndryshimeve nënkupton që nuk duhet pritur një krizë tjetër për t’i nisur ato. Thjesht, duhen zgjedhje të reja për t’u formuar një qeveri e re me qeverisje të re. Fillimisht, për ta stabilizuar situatën shëndetësore dhe rimëkëmbur atë ekonomike. Më pas, për zhvillim që shkon përtej rritjes ekonomike.

 

Iniciativa Tregime nga rajoni zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit – IKS (Maqedonia), në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (Shqipëri), Analizo.ba (BeH), Рradio KIM (Kosovë), Sbunker (Kosovë) nisma qytetare Ne davimo Beograd“ (Serbi) dhe PCNEN), (Mali i Zi).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.