Ambasada e ShBA-ve në Beograd jep një ndjenjë ogurzezë, një bllok i përsosur mermeri i fshekur prapa kangjellave të gjata prej hekuri, i mbrojtur nga ushtarë të armatosur. Kur arritëm, rreth 15 njerëz tashmë ishin në rend, duke u dridhur nga të ftohtët dhe duke pritur për t’u thirrur që t’i kalojn nivelet e shumta të sigurisë. Në çastet kur kishim mundësinë ta shmangnim mendjen nga të ftohtët, gruaja ime dhe unë shikonim njëri-tjetrin me sy të frikësuar dhe mendomin, “Ja ku jemi, të gjithat ose asgjë fare!”
Për familjen time, Amerika nuk ishte as vend kandidat kur shqyrtonim destinacione të mundshme për emigrim. Thjesht ndodhi ashtu. Sidoqoftë, për shumë njerëz nga Serbia, ose nga Ballkani në përgjithësi, ShBA-ja shpesh ka ofruar strehë gjatë kërkimit për një jetë më të mirë. Mijëra kilometra larg, përtej oqeanit, madje ende më larg për shkak të ligjeve të rrepta të imigrimit, Amerika nuk ishte aq e qasshme sa Evropa Perëndimore. Por, në vitin e fundit të studimeve të mia themelore, shokët dhe studentët nisën të bënin përvoja me udhëtime në ShBA, kryesisht përmes programit Work & Travel. Sipas të dhënave të disponueshme, më se 100.000 njerëz të grup-moshës 18-30 marrin pjesë në këtë shkëmbim çdo vit. [1] I paramenduar si program për studentët e rregullt që të punojnë disa muaj gjatë verës në ShBA dhe pastaj të udhëtojnë, duke marrë pjesë në një “shkëmbim kulturor”, ky program shpeshherë është bërë mënyrë për të arritur në dheun amerikan dhe për të qëndruar aty. Edhe nëse nuk e njeh askënd që ka bërë këtë, ka gjasë që njeh dikë që njeh dikë tjetër. Kësaj duhet t’ia shtojmë turmat e të rinjve ballkanas që rropaten në anije rekreative për muaj me radhë, shpesh duke u zhdukuar në errësirën e imigrimit ilegal posa anija të ndalet në një liman amerikan. Dhe fakti që një numër i caktuar të rinjsh janë gati të nisen drejt paqartësisë së plotë që përbën jeta e paligjshme në një vend të huaj – sall me një ëndërr të një të ardhmeje më të mirë – flet shumë për gjendjen që kanë në Ballkan.
Një mënyrë tjetër përmes së cilës rajoni humb njerëz në të mirë të ShBA-së është përmes Lotarisë Green Card. Kjo është një mënyrë e ligjshme e emigrimit por eshtë tërësisht e rastësishme dhe pa sigurim të rezultatin përfundimtar, pavarësisht nga ajo se sa i përkushtuar është pjesëmarrësi. Prej themelimit të programit në vitin 1995, rreth 55,000 viza janë shpërndarë çdo vit për kandidatë nga vendet që historikisht nuk kanë pasur migracion të madh drejt ShBA-së (përveç Kanadasë, Meksikës, disa vende të Amerikës Jugore, Indisë, Kinës dhe Vietnamit, ndër të tjera, qytetarët e shumicës së vendeve kanë të drejtë të aplikojnë).[2] Ajo që e bën këtë shteg drejt shtetësisë amerikane shumë të paqartë është mungesa e kritereve të sakta të përzgjedhjes (edhe pse mund të lexosh shumë teorira onllajn) dhe konkurrenca e lartë. Më se 23 milionë njerëz aplikuan për 55,000 vizat e disponueshme vetëm në vitin 2018. Sa u përket vendeve të rajonit, Shqipëria është e para në listë ku më se 5% e popullatës aplikon çdo vit; Kosova dhe Maqedonia e Veriut zënë vendin e dytë me 2-5%, kurse të tjerët kanë më pak se 2%.[3] Megjithkëtë, një statistikë është mjaft e spikatur – përqindja e përdorimit të vizave ndër fituesit. Mund të gjeni të dhëna të ndryshme onllajn, por vlerësimet janë se prej 300-500 vizave që u jepen qytetarëve serbë çdo vit përdoren më pak se 20%.
Kjo buron nga fakti që të përzgjedhurit shpeshherë janë të painformuara rreth vëshitrësisë dhe çmimit të procesit, ose nga fakti që kjo mënyrë tërësisht e ligjshme e imigrimit vjen pa asnjë garancë për jetën e ardhme në shtetin e ri. Ata që kanë fatin të përzgjidhen dhe kanë mundësinë dhe gatishmërinë ta shpenzojnë vitin e radhës me procesin do të kenë harxhime të mëdha. Aplikimi, viza, kontrollet mjekësore dhe vaksinimet janë vetëm një pjesë e shpenzimeve totale që shkojnë deri në qindra euro para se ta hapësh derën e ambasadës. Edhe pse janë të vetëdijshëm se ky është një investim që mund të shpaguhet shpejt, aplikantët shpeshherë nuk i kanë financat që të vazhdojnë tutje. Kësaj, natyrisht, duhet t’ia shtosh çmimin e biletave të aeroplanit, të akomodimit dhe të shpenzimeve të jetesës derisa ta gjesh vendin e parë të punës. Në Serbi, ku paga mesatare mujore në vitin 2020 është afro 500 euro (sipas statistikave zyrtare), shuma e nevojitur për këtë ndërmarrje do kursime disavjeçare.
Natyrisht, përvojat e atyre që kalojnë nëpër emigrim dallojnë shumë, pavarësisht nga mekanizmi i zgjedhur. Ka dëshmi të dështimeve dhe zhgenjimeve, të skenarëve përrallorë të suksesit dhe shumë histori të jetëve mesatare, paksa më të mira sesa në vendlindje. Sidoqoftë, pjesa e rëndësishme e rrëfimit është mundi i kushtuar. Pavarësisht nga pikënisja – rezidencë legale e përhershme apo imigrim ilegal – me gjasë nuk është asnjë person që do të thotë se nuk ka pasur një çast kur ka dashur të heqë dorë. Kjo pjesë e rrëfimit nuk dallon shumë nga jeta në shtëpi. Ajo që dallon – dhe njëkohësisht është arsyeja prapa numrave në rritje të emigrantëve nga Ballkani – është përqindja e historive të suksesit. Çfarë i shtyn dhe i mban “jashtë” njerëzit tonë është potenciali për një shpërblim të barasvlerëshëm me punën dhe përpjekjen. Iluzionet e njerëzve të Ballkanit se kurrë nu do ta mbërrijnë një nivel të caktuar të mirëqenies ose një nivel të kënqaësisë a realizimit personal dhe profesional po zhdukën dita-ditës – posa ta kalojmë kufirin. Çfarë pret jashtë nu është një botë përrallore. Jo, është vetëm mundësia e jetës nga puna, dhe jo mbijetesa. Se jeta vjen me shumë pengesa përgjatë rrugës, por rrallëherë me mure që kurrë nuk mund t’i kapërcesh ose t’i anashkalosh.
—-
[1] https://en.wikipedia.org/wiki/Work_and_Travel_USA
[2] https://www.uscis.gov/green-card/green-card-eligibility/green-card-through-diversity-immigrant-visa-program
[3] https://en.wikipedia.org/wiki/Diversity_Immigrant_Visa#Statistics
——–
Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.
Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.
—–
Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.