Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Transparencë e llogaridhënie me teknologji blockchain në qeverisje

Teknologjia blockchain është në fillet e saja dhe benefitet e aplikimit të saj janë duke u eksploruar. Si fillim, kjo teknologji në parim premton mundësimin e transaksioneve pa besim të ndërsjelltë në mes palëve, të cilat i besojnë algoritmit kompjuterik, të cilin e ndajnë në mes vete. Ky largim i ndërmjetësuesit ka implikime të mëdha në shumë fusha e sidomos në fushat e qeverisjes. Ne sot funksionojmë në një sistem ku besimi është i centralizuar. Kur vjen puna te qeverisja, ne si qytetarë japim dhe marrim nga shteti, mirëpo vendimi përfundimar për ekzekutim mbetet brenda autoritetit që kanë institucionet qendrore.

Ta zëmë nëse unë bëj një transfer në bankë unë i jap udhëzime bankës dhe pastaj besoj që banka do ta kryejë transaksionin me sukses. Njashtu edhe në qeverisje – për shembull, në çdo muaj paguajmë taksa, mirëpo kur këto taksa paguhen për projekte të ndryshme të qeverisjes, është qeveria vetvetiu që vendos se çfarë të bëjë me këto taksa të cila ne i kontribuojmë në shtet.

Në të njëjtën mënyrë shteti mban në regjistër të vet se kush sa tokë ka në pronësi, ku gjindet kjo tokë dhe pak a shumë regjistron dhe qëndron si garant i çdo pronësie individuale duke filluar prej identitetit tonë si qytetar, deri te pronat tona të cilat mund të jenë makinë, banesë, shtëpi e deri tek lidhjet tona familjare ose guardianë në raportin prind-fëmijë. Shteti gjithashtu ruan të dhënat tona mjekësore dhe historinë tonë ligjore e juridike brenda sistemit gjyqësor.

Ne pretendojmë që përmes procesit demokratik dhe mbikëqyrjes së ndërsjelltë të institucioneve këto përgjegjësi që i janë deleguar shtetit, mirëmbahen dhe çohen deri në fund në mënyrën më të mirë të duhur. Mirëpo praktika na ka treguar se si në Kosovë, ashtu edhe nëpër botë, koncentrimi i madh i fuqisë, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies mund të çojë deri tek korruptimi i fuqisë dhe keqpërdorimet.

Në Kosovë kemi parë akuza e raste të keqpërdorimeve të ndryshme. Për shembull akuzat në fushën e kadastrës, që pronarët e ligjshëm janë larguar nga e drejta pronësore kundrejt një pronari jo-legjitim përmes korrupsionit. Në regjistrim të fëmijëve në çerdhe, të rinjve në shkolla ose universitete, që janë përdorur ndikimet e ndryshme në procesin e pranimit. Në prokurim publik, që janë favorizuar disa operatorëve ekonomik më shumë se disa operatorë të tjerë, duke krijuar konkurrencë të padrejtë. Në ndarjen e statuseve të ndryshme që përbëjnë benefite, skema sociale, statusi i veteranit, pensionim, e të tjera, që ka pasur njerëz që mund të jenë futur në këto lista duke paguar shuma ose duke shkëmbyer favore të cilat thyejnë ligjin dhe rregullat. Në ndarjen e granteve bujqësore, për zhvillim ose për IT, që janë ndarë pa transparencë, pa mundësi konkurrence fer, ku operatorë të caktuar ekonomikë janë më të favorizuar kundrejt operatorëve të tjerë. Gjithashtu, në vendimet e gjykatave, ka raste kur janë marrë vendime pa u përfillur të gjitha normat, ku janë favorizuar individë të ndryshëm kundrejt shpërblimeve personale.

Ne sot jetojmë në një botë teknologjike ku teknologjia si e tillë konsiderohet agnostike. Njeriu mund ta përdorë për të mirë, ose për të keq. Mirëpo implementimi i teknologjisë blockchain me një arkitekturë gjithëpërfshirëse dhe anti-keqpërdoruese mund të kontribuojë në disa mënyra.

Llogaridhënie shtesë

Njerëzit që do të nënshkruajnë duke përdorur çelësat kriptografikë gjithmonë do të jenë më të përgjiegjshëm duke e ditur se vendimet e tyre do të jenë transparente përgjithmonë në një blockchain publik të shtetit, të decentralizuar, të cilin as shteti vetë nuk do të mund ta ndryshojë. Fakti që për të arritur një vendim të plotfuqishëm të gjithë personat e involvuar duhet të vendosin nënshkrimin virutal tregon që llogaridhënia do të shtohet, sepse secili duhet të mbrojë personin e vet në mënyrë ligjore, por edhe reputacionin publik.

Presion publik për korrektësi 

Kur vendimet merren në mënyrë publike dhe qytetari ka qasje në vendimmarrje në mënyrë reale, e jo vetëm të kuptojë pjesërisht të vërtetën për një vendim pas gjashtë muajsh ose një viti, atëherë presioni rritet për më shumë korrektësi dhe ky presion do të drejtohej në kohën që po ndodhte, nga qytetarët, media e lirë dhe shoqëria civile.

Transparencë

Të gjitha këto procedura do të ishin transparente, në kohë reale, gjë që nuk lejon mundësi për të bërë marrëveshje të fshehta prapa dyerve të mbyllura. Paraja publike i takon qytetarit dhe si e tillë duhet të përdorët në mënyëen se si është destinuar

Përgjegjësi pas faktit

Nëse dikush do të bëjë shkelje ligjore duke marrë vendime të dëmshme, çështja nuk do të mbyllet aty. Blockchain si i tillë ka si karakteristikë pa-fshishmërinë, që nënkupton se çfarë ndodhë në të nuk mund të fshihet, ndryshohet apo rikonfigurohet. Gjërat dhe vendimet që merren do të jenë aty përgjithmonë. Që nënkupton se një gjykatë e drejtë do të ketë fakte të mjaftueshme të dënojë përsonat e përfshirë edhe pas faktit. Tash ka disa vendime ligjore në Amerikë ku vendimet përmes blockchain dhe dëshmitë e paraqitura aty konsiderohen si prova të forta.

Me implementimin e kësaj teknologjie kadastra do të jetë publike, në atë mënyrë që çdo ndryshim do të jetë i paraqitur në kohë reale për qytetarin, dhe njerëzit do të mund të alarmoheshin nëse ka ndonjë lëvizje jo-legjitime. Nëse merret një vendim, kjo do të kërkonte disa nënshkrime të zyrtarëve, që do ta rriste vështirësinë e keqpërdorimit. Në rastin e aplikimeve për vende në universitet ose një vend pune publik, në një blockchain publik të gjitha do të ishin transparente për të gjithë qytetarët, duke filluar nga libreza e notave, CV e personave që aplikojnë për punë, e deri te rankimi i jurisë për punësim ose pranim në fakultet. Në rast të dëmtimit të palëve do të ishte shumë lehtë të evidentohen personat që janë korruptuar.

Në fushën ku njerëzit marrin benefite nga shteti, blockchain teknologjia do të kishte disa rregulla të parackatuara të cilat do të kontrolloheshin para se dikush të mund të futej në sistem si person i një kategorie benefit-marrëse. Në këtë rast, banka do të duhej të tregonte dëshmi për të ardhurat e ulëta të një familje në mënyrë që ata të mund të marrin ndihmë sociale. Në rastin e veteranëve do të duhej të kishte verifikime direkte për ta nga juritë përzgjedhëse të cilat do të vendosnin nënshkrimet digjitale që dëshmojnë se personi në fjalë i takon kësaj kategorie.

Në ndarjen e granteve dhe dorëzimin e tenderëve do të kishte rregulla që aplikohen për të gjithë ne kohë reale. Për shembull, koha e dorëzimit të tenderëve publik do të ishte e programuar në kontratën e mençur, dhe në çdo dorëzim do të krijohej një hesh kriptografik i cili përmban të gjitha të dhënat e aplikantit dhe është i derivuar nga përmbajtja dhe oferta e aplikuar. Si i tillë do të ishte e pamundur të ndryshohen çmimet e ofruar pas orarit të dorëzimit, të shtohen ose hiqen dokumentet për të favorizuar ose rrëzuar një kompani ose operator teknologjik. Kontrollimi nëse operatorët i përmbushin kushtet preliminare do të ishte automatik, i implementuar brenda në blockchain dhe t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë.

Në vendimet e gjykatës njerëzit do të kishin qasje në procesin gjyqësor, procesverbalet dhe vendimet që janë marrur. Në këtë mënyrë media, shoqëria civile mirëpo edhe qytetarët do të kishin ide më të mirë se nëse rasti është i montuar, dënimi i merituar dhe personat që kanë vënë nënshkrimet nuk do të mund t’i iknin përgjegjësisë nëse dëshmohet që kanë vepruar gabim.

Aktualisht, teknologjia blockchain është shumë atraktive për të luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe problemet kryesore me të cilat shoqëria jonë ballafaqohet. Krejt çka duhet është vullnet për implementim.

____________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.