Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Tregimi i thikës me dy tehe: Historia e arsimimit të grave në SHBA (II)

Ilustrimi nga: BigEye

Feminizimi i profesionit të mësimdhënies

Historia e arsimit, si u zgjerua dhe si filloi shkollimi masiv zakonisht shqyrtohet nga perspektiva që  industrializimi ishte shtysa kryesore pse arsimi u bë shtyllë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Lindja e shtetit-komb, narrativa iluministe që diktonte ligjërimin politik të asaj kohe me idenë që shoqëria po shkonte drejt një të ardhmeje më progresive kishte shtyrë arsimin drejt zgjerimit të tij. Rendi i ri ekonomik, avansimi teknologjik dhe nevoja për punëtorë të aftë e moralisht të shëndoshë pati si rezultat masivizimin e arsimit. Megjithatë, kur fusim pozicionin e gruas në këtë ekuacion, gjërat ndërlikohen. Në pjesën e parë fokus ishte përjashtimi dhe më pas përfshirja e grave në arsim si nxënëse. Ky seksion do përqendrohet te ajo sesi dhe pse u bënë gratë pjesë e profesionit të mësimdhënies.

Gruaja historikisht është parë si “tjetra”, ekzistenca e së cilës vërtitej rreth burrit: t’ia plotësojë nevojat, të jetë bashkëshorte model, të lindë fëmijët e tij dhe të jetë nënë shembullore. Pak a shumë, kjo ishte e tëra. Kjo u përjetësua kryesisht nga etosi protestan që rregullonte mënyrën e organizimit të jetës shoqërore. [1] Ndërsa në SHBA po ndodhnin transformime të mëdha si rritja ekonomike dhe nevoja për punëtorë të arsimuar, njëkohësisht rriteshin zërat që besonin se gratë, përveç nevojës për t’u arsimuar, duhet edhe të arsimojnë fëmijët tanë meqë janë më të përshtatshmet për këtë punë. Por pse gratë ishin papritur kaq të përshtatshme për ta arsimuar fëmijën amerikan.?

Yayan Rahayani argumenton në artikullin e saj “Feminizimi i mësimdhënies” sesi gratë që kishin hyrë në profesionin e mësimdhënies mund të shihen nga dy këndvështrime: si një formë tjetër e domestifikimit ose si mundësi për gratë. [2] Sidoqoftë, duket se të dy propozimet janë të vlefshme.

Kjo është një dukuri shumështresore që duhet paraqitur kronologjikisht: së pari, industrializimi krijoi vende të reja pune që nënkuptonte më shumë vende pune për burrat në fusha të ndryshme, duke rezultuar në më shumë vende të lira në fushën e arsimit. Së dyti, paga e mësimdhënësve ishte relativisht e ulët duke bërë që burrat të interesoheshin për gjetjen e punëve më fitimprurëse. [3] Së treti, për shkak të ndarjes seksuale të punës, gratë paguheshin ekponencialisht më pak.  Kjo ishte situatë mjaft e leverdisshme meqë vazhdohej puna në shkolla pa ndonjë kosto shtesë.

Së fundi, një grua ishte e përshtatshme për këtë profesion sepse asaj i lejohej t’u jepte mësim vetëm fëmijëve në nivel fillor. [4] Ato po edukonin të vegjëlit (të njëjtën që bënin në shtëpi) dhe po bënin gati terrenin për mësuesit burra që ta vazhdonin punën në nivelet më të larta e gjoja më të rëndësishme shkollore. [5] Me këtë në mendje, gratë mësuese nuk shiheshin si ‘profesioniste’, kjo ishte më shumë një zhvendosje fizike nga shtëpia në klasë pa ndonjë ndryshim të vërtetë thelbësor.

Kjo na çon tek një diskutim tjetër i rëndësishëm. Angazhimi i grave në profesionin e mësimdhënies nuk mund të shihet vetëm si një përpjekje profesionale. Potencialisht mund të argumentohet në dy mënyra, varësisht nga cila perspektivë zgjedhim të analizojmë. Njëra është se gruaja si mësuese ishte thjesht zgjatimi i nënës në një klasë shkollore, ndërkaq mënyra tjetër për ta parë është si përfshirja e grave në profesionin e mësimdhënies ishte fillim i një rrugëtimi drejt një shoqërie më të barabartë si për gratë ashtu dhe për burrat. Sidoqoftë, feminizimi i profesionit të mësimdhënies këmbëngulësisht ka qëndruar ashtu.

[6] Edhe sot, kur gratë kanë mundësi të barabarta (në letër dhe në vende të caktuara) ato vazhdojnë të ndjekin profesione që përputhen me shpjegimin “nënë”. Prandaj, feminizimi i mësimdhënies sigurisht që ka krijuar mundësi për gratë, por edhe ka vulosur një identitet të gruas që sfera shtëpiake do ta përcjellë atë kudo që mund të shkojë. Ndonëse përfshirja e grave në profesionin e mësimdhënies nuk është një nismë e ndërmarrë prej tyre, thjesht në atë moment ka ekzistuar një klimë e përshtatshme politike dhe ekonomike e diktuar nga burrat. [7]

Vërejtje përmbyllëse

Jam e vetëdijshme që ky shkrim ka kufijt e tij kur bëhet fjalë për shqyrtimin e pabarazive klasore dhe racore, që natyrisht janë faktorë vendimtarë në përcaktimin e pozitës së grave në botë, veçanërisht në botën e arsimit. Për më tepër, literatura e përdorur në këtë punim merret pak me faktorët e lartpërmendur, e kjo nga ana tjetër mund të ofrojë konceptualizime të rreme në lidhje me përvojën dhe formimin e identitetit të grave në përgjithësi dhe veçanërisht në arsim siç është diskutuar sipër. Krahas kësaj, kjo mund të shërbejë si tregues sesi shkruhet kjo histori (apo si nuk shkruhet) nga një perspektivë shumë e ngushtë duke lënë shumë gjëra anash. Problemi tjetër është i akademisë, përkatësisht i fushës së “studimeve gjinore”.

Çështja e parë është ekzistimi i një fushe të veçantë, ndërkaq mos ekzistimi i kësaj fushe është po aq problematik; pra përballemi me një dilemë jo të vogël. Ndërkohë që dega e historisë së sociologjisë vendosë të mos merret me gratë, detyrohet fusha e studimeve gjinore ta bëjë një gjë të tillë dhe shpesherë në mënyrë përjashtuese për grupe të ndryshme shoqërore. Por, duke pasur parasysh kush prodhon dije brenda akademisë, dhe formës sesi prodhohet ajo, dija është goxha e diktuar nga forcat e jashtme dhe tregut i cili përcakton trendet mbi atë çfarë duhet të studiuar. Meqë kjo është një çështje mjaft e ndërlikuar, do ndalemi këtu, për ta diskutuar në një moment të dytë.

Një vërejtje tjetër po aq e rëndësishme është madhërimi i disa pioniereve si Catherine Beecher në historinë e arsimit të grave siç haset shpesh në literaturë. Kjo mund të krijojë një gjykim të turbullt për lexuesit dhe ata që dëshirojnë të hulumtojnë këtë temë më tutje (përfshirë veten). Ajo që dua të them është se glorifikimi dhe krijimi i idesë se disa gra që apeluan për qasje në arsim ka rezultuar në ndryshime të mëdha mund të kuptohen gabimisht si shenja të çlirimit të grave nga detyrat e tyre shtëpiake dhe hyrjes në sferën publike. Përveç kësaj, ajo gjithashtu mund të krijojë idenë e rreme e një kronologjie “progresive”, ku historia e grave në arsim është parë si një sekuencë pozitive nga periudha e hershme e kombit deri te shekulli XXI, e që qartazi del të mos jetë ashtu.

Qasjet sociologjike dhe historike ofrojnë mjete të dobishme për shqyrtimin e transformimeve dhe ngjarjeve të veçanta si kjo. Hetimi historik i grave në arsim që e shpjegon këtë vetëm në mënyrë kronologjike dhe faktike mund të rezultojë i mangët kur mungon një kornizë teorike për t’i interpretuar ato ngjarje. Prandaj, është thelbësore që t’i kushtohet vëmendje komponentit strukturor që pozicionon gratë në botë.

Identitetet e krijuara për gratë si nëna dhe si bashëshorte janë ende të spikatura sot sa i përket fushës së arsimit, duke pasur parasysh feminizimin e mësimdhënies dhe ngecjen e studenteve në fusha të caktuara akademike që reflektojnë zgjatimin e sferës shtëpiake në sferën publike. Historia e grave në arsim është një histori e pabarazisë së vazhdueshme. Prandaj, interpretimi i kësaj historie ka shumë vështirësi dhe varet me cilën shkollë të mendimit vendosim ta interpretojmë. Meqenëse kjo histori është e fragmentuar, duhet të sigurohemi që nuk jemi të njëanshëm në shpjegimin e saj. Një nga problemet më të mëdha përtej keqinterpretimit është mungesa e historisë së ‘shkruar’, fillimisht pasi që gratë të cilat nuk kanë qenë pjesë e sistemit arsimor në njëfarë forme s’kanë ekzistuar fare. Rreziku është që të shihet historia e grave në arsim si një hap çlirues dhe qe hetimi të ndalet aty, ndërkohë që mundësia që gratë të shkollohen në atë kohë ishte e kufizuar për një grup të vogël e të privilegjuar.

Bibliografi

Anderson-Faithful, S. and Goodman, J. Turns and twists in histories of women’s education. Women’s History Review, Vol. 29, no. 3, 2019: pp.363-376.

Bowles, Samuel., Herbert Gintis. Schooling in capitalist America. Chicago: Haymarket Books, 2011.

Fennema, Elizabeth. and Ayer, M. Jane. Women and Education. Berkley, California: McCutchan Publishing Corporation. 1984

Green, Andy, Education and state formation. 2nd ed. New York: Palgrave Macmillan, 2013.

Conway, K. Jill. Perspectives on the History of Women’s Education in the United States. History of Education Quarterly, Vol. 14, no. 1, 1974: pp.1-12.

Cortina, Regina. and Roman, Sonsoles. Women and Teaching. New York: Palgrave Macmillan. 2006

Madigan, Jennifer. The Education of Girls and Women in the United States: A Historical Perspective. Advances in Gender and Education, Vol. 1,  2009: pp.1-3.

Matthews, Barbara. Women, Education and History. Theory into Practice, Vol. 15, no. 1, 1976: 47-53

Meyer, John, Francisco Ramirez, and Yasemin Soysal. World Expansion of Mass Education, 1870-1980.Sociology of Education. Vol. 65, no. 2, 1992: 128-149

 (Accessed 2021-01-28)

Nash, A. Margaret. Women’s Education in the United States, 1780-1840. 1st ed. New York: Palgrave Macmillan. 2005

Rahayani, Yayan. Feminization of Teaching. Journal of English and Education, Vol. 4. no. 2, 2016: pp.13-24.

Ramsey, Paul. J, “Toiling together for social cohesion: International influences on the development of teacher education in the United States.”.  Paedagogica Historica, Vol. 50, 2014, 109-122.

[1] Spence, Jean., Aiston, Sarah. and Meikle, Maureen. Women, education, and agency, 1600-2000. London: Routledge. 2011. p. 2

[2] Rahayani, Yayan. Feminization of Teaching. Journal of English and Education, Vol. 4. no. 2, 2016: p.14

[3] Cortina, Regina. and Roman, Sonsoles. Women and Teaching. New York: Palgrave Macmillan. 2006. p. 2

[4] Cortina, Regina. and Roman, Sonsoles. Women and Teaching. New York: Palgrave Macmillan. 2006. p.2

[5] Rahayani, Yayan. Feminization of Teaching. Journal of English and Education, Vol. 4. no. 2, 2016: p. 17

[6] Ibid. pp. 13-14

[7] Cortina, Regina. and Roman, Sonsoles. Women and Teaching. New York: Palgrave Macmillan. 2006. p.7

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.