Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Tregimi i tre budallicatve

Foto nga Yana Bulgak.

U ba ngushtë edhe me ecë rrugëtve në Prishtinë. Si duket nuk jemi çlirue asnjiherë prej sindromit të hjekatve shekullore “sa ma ngushtë aq ma shlirë”. E lam me dalë me pi naj birrë me shoqe. Menxi po depërtojmë te sheshi.  Ato shtëpizat, në vend se me i shty skejetve, gjithë aj vend aty, i kanë afrue me njana tjetrën thu se dojnë me i shti njerëzit me zor me u ndalë aty. Pa kurrfarë koncepti, edhe lezeti bahet shkel e shko në këtë vend. Po i bajmë do akrobacione, dolëm dyqysh, por jo që u çliruem. Ngushti vazhdojke. E krejt kësaj shtoja do drita idiotike që i kanë gjujtë pa fije shije nëpër degë e bandera. Nejse.

Ku po shkojmë? Ke pytje kogja e randë kjo. Se vende plot, por ose s’ka vend ose janë shndrrue në katalogje bajate të Jysk-ut, e përtej kësaj edhe pse të thojnë s’pihet duhani mrena, i kanë bo do “ndarje” që edhe kur s’pihet në fakt pihet more, qysh jo. Nëse nuk shkon ti dy tavolina ma tutje ku fillon pjesa ku pihet, vjen tymi te ti hiç mos e ba gajle. Bile ndodh, nëse çohesh me shkue në atë pjesë, vjen kamarieri ta ban: pihet edhe këtu. Pihet more, pse jo. Nejse, un si duhanpirëse kahnjiherë e nxa veten tue u gëzue, ani tash dimnit. Por tani i shoh dy zoja që kanë dalë me beba me pi kafe e nihna keq, kështu që çohna edhe dal jasht e e dhezi nji, e tani hi mrena vazhdoj muhabetin. Aq ma shum kur e kam parasysh, sa vështirë asht me kenë nanë në Kosovë. Me u ba me fëmijë, asht si me u robnue. Nëse s’ke nji krah të fortë me ta ngjitë, mbetesh e mshelun në shpi për nji kohë kogja të gjatë. Partneri (burri) ose baba i fëmijës, ose edhe jo baba i fëmijës, por veç partneri, çka do që asht, nëse e ke, nëse don e nëse i del kohë, kuptohet, të ndihmon eventualisht, por ama sille qysh ta sillsh, quhet “ndihmë” ma përpara se obligim i barabartë. Kështu që kur shoh nana të reja që dalin me bebat e tyne në krah, me u takue me shoqe e me e “vazhdue” jetën që kishin, më vjen mirë. E shoh si njifarë “lufte” ndaj këtij robnimi gjinor.

Nën presion grupor, nuk asht që s’dorëzona edhe un najherë. Se asht shum pozitë palidhje kur mes njiqind njerëzitve veç ti çohesh e del jashtë me pi cigare. E ban nji herë e ban dy herë, dikur s’ja vlen.  Përveç asaj ta nxajnë për të madhe, mujnë edhe me t‘u idhnue. Se ta interpretojnë sikur je tue ju thanë që je ma e mençme se ata. E kam provue nji herë në Hamam. Qëlloi aty vet kryetari i komunës të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe, krejt me rend, ose dilshin jashtë, ose shkojshin me nji dhomë të improvizume (depo), pa kurrfarë ventilimi, me e dhezë nji e u kthejshin. E kur, masi që nejti sa nejti, aj shkoi, t’ia nisën krejt me pi mrena. Përfshi dostat e tij që ishin me te në tavolinë e në “pushtet”. Tashti, vini re aj reprezentojke „autoritetin“ shtetnor. Ose me e thanë ndryshe „pushtetin politik“. Këtu edhe respektimi i ligjit asht veç lojë politike që vjen në shprehje si demonstrim fals i „respektimit“ të pushtetit, përmes respektimit të “të fortit”, e jo përmes identifikimit me arsyen e ligjit. Ligjet vijnë e shkojnë. “Të fortit” ma zor.

Ndërkohë un po vazhdoj gjatë gjithë mbramjes me dalë jashtë me dhezë cigaren, kur po ma ban nji kamarier: munesh me dhezë mrena tash se shkoj aj. Nuk e kam prej tute, edhepse nuk na kish ba keq me dijtë me u tutë pak në këtë vend najkush, ia bana. Nuk më kuptoj. Ama bash hiç. Më pa me përbuzje. Qysh këqyret nji snob. Nejse.

I njoh kogja do njerëz që nuk e pijnë cigaren edhe e di që u pengon, e kush jam un me i helmue ata? Uf. Sa herë kam pi cigare “ku s’pihet” ama pihet. Por ama, kur shoh beba sa troha, në nji hapësinë po aq sa troha ku pihet cigarja, edhe pse ”nuk lejohet“, ku në vend të dy tavolinatve i kanë rrasë dyqysh katër tavolina, sa që menxi ulesh, tavanin munesh me e prekë me dorë, për ventilim as mos të folim, aty un e kam kufinin. Dreqi e marrtë, dikund duhet me e vnue atë kufi.

Nejse, po e pi cigaren, e kur t’hi mrena, çka me pa? Ato dy zojat me beba tue pi cigare, qaty përmi kry të evladit. Rreth e rreth plot tjerë tue pi cigare në të njajtën hapësinë. Tymi i asaj pjesës të improvizume ku pihet cigarja, që ia ka nisë si zgjanim me do llastika e ndërkohë u konkretizue me armaturë që topi s’e lunë, tue kenë se asht si hapësinë trefish ma e madhe se kjo “ku nuk pihet” e që dikur ishte kafiqi origjinal, para se me u legjitimue uzurpimi i trotuarëtve, e kish pushtue këtë pjesë, sa që me folë drejtë gati jish budallaki mos me e dhezë cigaren edhe knej.

Pashë çka pashë, shoh vazhdimisht. Prap nihna keq. Kësaj radhe për fëmijët dhe për mungesën e forcës tem me ia thirrë “shtetin” i cili kisht me ardhë me ia trusë nji dënim ma së pari aty dy zojatve, e tani me e mbyll krejt kafiqin, dhe me i marrë fëmijët në mbrojtje të shtetit deri sa të mbushen mend prindërit. Tani keshi vetmevete me budallakinat që më sillen në kry. Kjo ideja e shtetit gjithë më shtin me keshë.

Po baj muhabet me shoqe e prap kur po më pihet nji cigare, po çohna e po dal jashtë. E kamarieri po insiston “pihet edhe këtu” dhe ma bjen nji tabëll të filxhanit të kafes. Due me ia gjujtë tabllën kresë. Por nuk e baj. Ngihna me fantazinë. E i thom kamarierit: pihet, po e shoh, por dikush duhet me i ndalue nëse jo cigaret, bile bebat në këtë kafiq. Ia jap idenë me i vnue do sheja të bebatve te dera me vijën e kuqe diagonale të ndalesës. Bile bohna kreative e për hajgare i thom këqyr mos harroni me përcaktue që e keni fjalën për beba të kaltërta e beba të pembe. Ato dyjat më nijnë edhe zgërdhihen mes vete. Bile njana m’u dok që bash për inati tem e ngrejti edhe nji tym të fortë e e fryjti me elegancë drejt tavanit (kishe sa ma larg bebës) tue e përzdredhë nyjen e dorës në kand 90 shkallë në kahun e jashtëm, sa që u tuta po e then. S’ka lidhje, dola un. Po e pi cigaren para derës. Kur po kthehna, çka me pa? Jish dhezë nji luftë e vogël mes shoqetve të mija edhe atyne dy zojatve me beba. Kur pasna dalë un, ajo zoja me frymë elegante të tymit ju kish pas drejtue shoqetve të mija: çka pat kjo shoqja e juej, a asht normal?

Shoqja jem nr.1 ia kish pasë ba: urdhno?

Kjo zoja ja kish pas kthye: qajo që dul jasht, a asht mirë në kry?

Shoqja jem nr.2 masi që e kish shkëmbye nji shikim habie e hutie e shoku me shoqen tem nr.1, i kish pasë thanë: pse? (Ashiqare tue e zgatë pak e-jën.)

Ajo zoja tue u ni e validume në gjenialitetin e injorancës të vet nën miratim të zojës tjetër që ia fryjke tymin në fëtyrë, i drejtohet shoqes tem: thuji le ta këqyrë punën e vet e mos t’ia ninë asaj për foshnjat tona. Po, po, foshnjat i kish pasë thanë. Jo bebat. Jo fëmijët. Jo fmitë. As thmitë. Foshnjat. Kjo asht interesante, sepse ato ishin vendore sa un e shoqet e mija, e knej pari na nuk thojna foshnja, por beba, sidomos jo në të folun. Në momentin kur hina un mrena shoqet e mija po luftojnë me to për të drejtat e fëmijëtve të tyne. Un po ngoj nji herë. Veç po ngoj. Kur po ma ban ajo zoja: tjetër herë këqyre punën tande, mos ta ninë ty për foshnjën teme. He? Çka je tue thanë moj budallicë, menova me vete, por s’ia thash. Se dyqysh e kuptova që budallica ato nashta janë, e nashta s’janë, s’mujë me e dijtë qaq shpejtë, ama diku thellë thellë brenda tyne, nashta në nivel mikroskopik, ama bash me dashtë e gjenë, se edhe ato e kanë nji troh ndëgjegjje, se përndryshe zor që ishin qartë kështu prej reagimit tem me ua pshtue fëmijët prej tymit të duhanit. Kjo asht nji teori. Tjetra teori asht që, thjeshtë nashta e patën prej mendjemadhësisë, ose edhe habisë se s’janë mësue me mendue dikush tjetër për të mirën e evladit të tyne. A mos i gjykova rand? A mos i ofendova? Po mundona me u sqarue. Sjellshëm, butshëm, lutshëm. Tue kërkue falje që po ma ninë për fëmjët e tyne. Ama tue insistue që e kam obligim me ma ni. Nuk dhezi. Prap e dhezën.

Qyshdomekenë, iu drejtova shoqetve e po iu thom: ku metëm? E morëm edhe kah nji birrë. Ato zojat po folin edhe pak diçka në adresë teme nën dhamb, kishe po folin mes vete që me ni un dhe e dhezën edhe kah nji. Po çohna e po i çela krejt dritaret që u çelshin (ma mirë me nirthë pak bebat, se me u helmue krejt). Nën protestën e tyne, po vjen kamarieri po don me i mshelë dritaret.  Veç gabo msheli e e sheh tani, po ja baj (jo që kisha çka me i ba përveç me u çu me dalë prej aty, po thash hajt ta provoj, se kjo taktika e konfidencës trimnore e ka njifarë magjie te na). Po më këqyr shtremt kamarieri, nji herë me fëtyrë serioze; un po qëndroj stoikisht e mrroltë, e aj tani po zgërdhihet pak, edhe i la çelë dritaret e u largue.

Ju te kokshi krejt budallica, po e nij atë zojën mbrapa meje. Po i cakrojmë gotat me shoqe për këtë konstatim të vërtetë. Po kënaqemi muhabet na tre budallicat deri në mbramje vonë. Deri në mbramje vonë edhe ato zojat me beba aty po rrinë. Po kënaqen edhe ato po get. Kohë mas kohe po dal po e dhezi kah nji cigare jasht me e meritue komplimentin e zojatve. E bebat, nuk e di a ishin trullue a çka, gjatë gjithë kohës nji za s’e kanë lëshue prej vetes. Sa që mos t’i kisha pa tue lëvizë, kisha mendue që janë kukulla. Më lindi nji ide që bebat ishin mësue me ambiente të tilla sa që qysh në pelena po e mësojnë pafuqinë dhe kanë humb vullnetin edhe me kajtë. Dhe po i kujtoj krejt ato herë që ma ka sfidue ky vend takatin me kajtë, e qysh gjithë diku përreth ka kenë nji arsye me keshë që ma ka dhurue najkush, për me m‘dhanë fuqi. E këqyra njanën bebe, që mi kish ngulë sytë, ja qita guhën shpejt tue e shtramue fëtyrën. Keshi. Nashta nuk e kanë humb vullnetin me kajtë, mendova me vete, veç po presin të vëmendshëm nji arsye me keshë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.