Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Trungu i dardhës së egër – ëndrrat e fëmijëve janë edhe ëndrrat e etërve tyre

Kthimi. Filmi hapet me kuadër pasqyrimi transparent të bregdetit dhe në imazhin reflektues, një i ri ndërsa pi çaj dhe e lexon gazetën. Kthimet, shpeshherë, janë të një dramaciteti biblik që vështirë mund të tejkalohen nga një imagjinatë njerëzore. Ngjashëm siç ndodh kthimi i Adamit dhe i Evës në parajsën biblike. Nuri Bilge Ceylan, si rrallëkush, shënon një prolog pothuaj hyjnor ku një djalë i ri kthehet nga qyteti i studimeve në provincën e tij. Me një shpirt dhe mendje të ndritur, me një superioritet të ngarkuar mbi supe por edhe një pezëm, mllef dhe revoltë të akumuluar ndër vite.

Ngjyra e kuadrit në hapje është e zbehtë, të mjegullta e të përziera, ngjashëm siç është personaliteti i Sinan Akarsu-së (Aydin Dogu Demirkol). Filmat e Ceylanit përbëhen nga kuadro të gjërave panoramike, e që shpesh të ngjasojnë në filma fotografikë, herë-herë edhe të mërzitshëm. Por megjithatë fryma ekzistenciale, njeriu në lakuriqësinë e tij dhe heshtja në film e thyen shpejt monotoninë.

Në pika të përgjithshme, ky film ka të bëjë me idealin e një djali të ri, ideal ky që është i lidhur me fatin, gjegjësisht fatalitetin e një familje të varfër. Djali është në përpjekje të botimit të një libri, kurse babai përçapet për rregullimin e një kasolleje në fshat, prej nga edhe dëshiron ta kuptimsojë fundit e jetës së tij. Trungu i  Dardhës së egër, në fakt është titulli i romanit të cilin e shkruan Sinani andaj edhe simbolika e saj mbështillet rreth trungut e cila ndodhet pranë kasolles së prindit, e nën trung ndodhet bunari. Po çfarë simbolike përmban ky trung, ku qëndron thyerja shpirtërore e Sinanit dhe sublimja e këtij trungu?

Filmi “Wild Pear tree” apo “Trungu i dardhës së egër” për herë të parë u shpalos në festivalin e filmit të Kanës 2018. Regjinë e filmit e ka bërë Nuri Bilge Ceylan njëkohësisht, së bashku me Ebru Ceylan, Akin Aksu janë edhe skenaristë të filmit. Në film luajnë: Aydin Dogu Demrikol, Murat Cemcir, Bennu Yildirimlar dhe Hazar Erguclu. Filmi është produkt i përbashkët midis disa shteteve siç janë Turqia, Franca, Gjermania, Maqedonia, Bulgaria, Bosnja-Hercegovina, Suedia dhe Katari.

“Trungu i dardhës së egër” është një film që shoqërohet me fotografi mahnitëse të natyrës në katër stinët e vitit. Kinematografi Gokhan Tiryaki, ka bërë një punë të mrekullueshme duke shpërfaqur pamjet mahnitëse, madhështore qoftë edhe të gjeografive provinciale, që ne shpesh priremi, jo natyrshëm t’i perceptojmë si të shëmtuara. Kthimi në provincë, provinca qoftë si konstruksion mental apo realitet gjeografik e urban, është boshti i temave të Nuri Bilge Ceylan-it. Një film ku riu i sapokthyer nga studimet me një ndjenjë të shquar e të thellë superioriteti nuk shpëton pa shpërthyer makthin, trishtimin, problemet sociale dhe familjare të Sinanit. Për më tepër, dilema hamletiane e Sinanit zgjidhet krejt në fund të filmit, duke e pranuar realiteti e bunarit dhe zinxhirët fatalist të trashëgimit të fatit prindëror.

Me të kthyer nga studimet, ditët në vazhdim, Sinani me gjyshin e tij do të shkojnë në fshat për t’i ndihmuar babait në meremetimin e kasolles, ku ai planifikon kohën ta kalojë e pensionimit. Një kasolle e regjur, e vjetër e ndërtuar me qerpiç e shtrirë në një bregore. Para shtëpisë ndodhet “Trungu i Dardhës së Egër” dhe krejt pranë aty, rrëzë bregores është bunari i thatë. Këtë bunar, kokëfortësish, përpiqet babai Idrisi ta hapë tash sa vite. Por kot, bunari është i thatë ngaqë është në pikë të lartë mbidetare. Kuadri në këtë sekuencë është fantastik, se si tri gjenerata: babai i bir dhe nipi përpiqen ta nxjerrin një shkëmb përmes litarit të çikrikut arkaik. Barra me shkëmb me të arritur përmbi nivelin e bunarit, litari këputet dhe shkëmbi bie prapë në bunar. Pamje sizifiane. Të gjithë bëjnë punën e Sizifit dhe përballjen me absurdin. Me të rënë shkëmbi në bunar, je i pafuqishëm se kujt t’i çirresh. Qiellit? Njeriut? Apo thjesht, ta pranosh si absurd.

Idrisi, babai i Sinanit, një mësues në shkollën e qytetit, është i lidhur me lojërat e fatit, një obsesion i meshkujve në Turqi. Ballafaqimi me borxhet familjare, jetën mizore dhe indiferencën e babait, Sinani e përkthen në formë të derdhjes së një pezmi ironik me nuanca revolte. Ai, nuk heziton aspak, të prishë gjithçka që mundet, të thotë të vërtetat më të hidhëta por edhe të shpreh komplekset e tij në formë të çoroditur ironie. Sipas tij, Çan-i – pjesë e komunës së Çanakalasë –  është një vend me njerëz mendjengushtë të cilët i përngjasin njëri tjetrit. Sinani ka një nënë dhe një motër. Nëna paraqitet në karakterin e gruas së fortë e cila është direku apo vetëdija e shtëpisë. Kurse motra, me sjellje kapriçioze dhe e harlisur. Familje tipike e kastës së mesme por që paraqitet në etapa të vështira varfërie.

Regjisori është përkujdesur edhe për detaje të tjera përmes të cilave dërgon mesazhe edhe kur nuk jemi të vëmendshëm. Çajtorja në të cilën Idrisi, babai i Sinanit, e herë pas here edhe ky i fundit e frekuentojnë, mban paralajmërimet e ndalimit të duhanit, e që në fakt nuk respektohet. Kjo të ngjan pak a shumë me mentalitetin tonë ballkanik, qoftë ai i qendrës. Nuk len pa rënë në sy edhe fotoja  Alber Camy-s, ekzistencialistit francez me origjinë algjeriane, e ngjitur në derën e dollapit personal të Sinanit. Librarinë të cilët e frekuenton Sinani, nuk ka se si mos të bien në sy portretet e varura në mur të Simone De Beauvoir, Franz Kafka dhe Gabriel Garcia Marquez.

Dialogët në mes personazheve fillojnë ashtu befshëm, me pahir po ndërkohë bëhen të rrëshqitshme, e herë-herë kulmojnë në shfryrje emocionale dhe impulsesh të akumuluara në mënyrë kronike. Megjithatë, heshtja apo kuadrot fotografikë me personazhin në planin e bustit e shpalosin një dimension tepër hyjnor dhe përgjërues të heshtjes. Kërkohet të të dëgjojë qielli, por ai është i shurdhër dhe njeriu i shkretë njeri, është krejtësisht i vetmuar në këtë botë. Vetmia, për Sinanin, ishte një mundësi e mirë sublime frymëzimi për krijim artistik. Por ama Sinani, kërkonte me këmbëngulje vetminë duke derdhur pezmin përreth tij. Dialogët e tij janë me përplot ironi, sarkazëm dhe komplekse superioriteti.

Moment i rëndësishëm, prekës por edhe dekonstruktues është përpjekja e tij – gjatë bisedës me biznesmenin lokal – për ta shpjeguar sesi individi i kësaj ane është përmbytur dhe eklipsuar nga  një beteje të shekullit të kaluar, gjë që sipas shkrimtarit, kultura e të jetuarit dhe fatet njerëzore janë po aq, mbase edhe më tepër se sa një luftë e zhvilluar dikur. Sinani solidarizohet me të tanishmen, të këtushmen dhe refuzon të mendojë se lavdia e dëshmorëve të luftës është më e rëndësishme se jeta një plaku pijanec që vërdalliset rrugëve të Çanakalasë. Gjersa të gjithë përpiqen t’i dalin zot dëshmorëve të Çanakalasë, e pse 70-vjeçarit, gjyshit Riza nuk i del zot dot askush?

Në letërsitë popullore është shkruar shumë për mitet me origjinë natyrore siç janë, mali, lisi dhe toka. Mali është simbol i adhurimit, trungu është simbol i vjetërsisë dhe i qëndresës, kurse toka është simboli i identitetit dhe i prejardhjes. Prezenca e trungut të dardhës së egër në kuadrin filmik përçon edhe mesazhin e jetës dhe vdekjes. Një ditë, teksa Sinani po vinte drejt kasolles së babait Idris, lemeriset teksa sheh babin e shtrirë në trung. Litari që varej në dardhë dukej i këputur e Idrisi i shtrirë si për vdekje. Qetësi. Fërshëllimat e gjetheve në mal, furtunat brenda vetes, ankthi në vete e bënte Sinani të ndodhet para dilemës frojdiane. E hoqëm qafe këtë prind të mallkuar. Kjo është skena ku ndodh kthesa e madhe ontologjike. Babai Idris dukej se kishte kryer vetëvrasje. Pas shumë dilemave, i trishtuar pas një misioni që ishte dashur ta kryente Sinani – ta vriste babain në zemrën e tij – Idrisi tashmë ishte përkujdesur vetë për këtë gjë. Ai dukej se ia kishte marrë jetën vetes. Sinani i kthyer, s’deshi t’i afrohej fare. Pas disa hapave, u ndal. Megjithatë e kishte baba. Me t’u kthyer i afrohet “kufomës” e cila ishte përmbysur me fytyrë përdhe, e mbuluar nga insektet dhe buburrecat. Idrisi fillon t’i lëvizë qepallat. Ishte gjallë. Po dremiste.

Sinani është shpirti i cili shëtitet në çdo trup të shoqërisë. Ai ndodhet në të gjitha dialogët. Nga ato të përditshmet, debatet për artit dhe vetëvlerësimi e konstruktin social të shkrimtarit, debatet për martesën dhe dashuritë e harruara, aftësitë kalkulonte të provincialit dhe debatin për fenë. Nuri Bilge Ceylan, përmes Sinanit, përpiqet që të japë një pasqyrë reale të probleme të qenies turke dhe ballafaqimit të tij me realitetin atje. Një sekuencë shumë interesante e besa edhe intriguese është edhe debati mbi fenë, konceptimin e saj dhe (pa)mundësitë e reformimit të saj. Në një plan filmik, dy ligjërues fetarë – imamë dhe shkrimtari, i cili e mban rolin e kritikut dhe agnostikut.  Biseda për fenë fillon nga dasmat e shtrenjta dhe ari që jepet në zonat e thella të Turqisë. Tutje, ky debat vazhdon rreth rolit të arsyes në fe, ku imami është tradicionalist – që tashmë e kishte kryer mandatit si imam fshati dhe po kthehej – mbron idenë e përfundimit interpretimit të fesë. Sipas tij, nëse do i futeshim interpretimeve alternative do kishim fe po aq sa ka njerëz. Sipas imamit tradicionalist ky ishte një kurth i periudhës së reformacionit në perëndim. Në anën tjetër imami i ri – i cili sapo ishte emëruar në fshat – flet për mundësitë alternative të interpretimit të fesë. Debati në përgjithësi ka të bëjë përshtatjen Islamit me modernitetin. Debat ky me një shtrirje të gjerë midis akademikësh teologë në Turqi dhe qarqe të tjera intelektuale. Imami reformator këmbëngul në ndryshimin dhe qasjen ndaj burimeve historike të islamit dhe se ka ardhur koha që t’i referohemi burimeve dhe rrjeteve alternative të përçimit të traditës kurse imami tradicionalist. Me një fjalë, kërkon dekolonizimin e dijes fetare nga kthetrat kushtetore që janë mbartur në histori, gjeneratë pas gjenerate. Shkrimtari kritik mbron idenë se gjithçka duhet t’i nënshtrohet kritikës apo vetëkritikës. Sinani, në përgjithësi mendon se njeriu duhet ta ndjekë të vërtetë dhe sipas tij – i cili as në këtë debat nuk arrin ta fsheh ironinë – thotë se ka shumë njerëz që pavarësisht të vërtetës ata prapë do ta zgjidhnin islamin. Në anën tjetër imami tradicionalist flet mbi simbiozën e moralit dhe fesë. Për të qenë i moralshëm a duhesh të jesh edhe fetar apo i moralshëm mund të jetë edhe ateisti?

Pas kthimit nga shërbimi ushtarak Sinani kthehet në shtëpi. Paketat e librave të tij i ka nxënë myku. As nëna e as motra nuk e kishin lexuar librin. Në librari mësoi se asnjë kopje nuk iu kishte shitur. Idrisi ishte shpërngulur në fshat. Në kasollen e tij, gjegjësisht në kuletën e babait, ai gjen artikullin e nji gazete për librin e Sinanit. Mallëngjehet, mbushet në lot. Krejt papritmas, në kuadër shfaqet dardha e egër dhe litari. Në litar është e varur një foshnje. Me t’u afruar kuadri në plan shohim se foshnja është kapluar nga buburrecat që ecin trishtueshëm dhe irritueshëm mbi fytyrën e saj. Mu ashtu sikur në kuadrin ku shihet babai i tij i shtrirë në tokë pranë dardhës së egër me litarin pingul. Ky është një moment reflektimi. Jeta mbaron ashtu siç fillon. Fillimi e predestinon fundin. Fëmija është i ngujuar në fatin e prindit të tij. Ne jemi vazhdimësia e rrugëtimit tonë prindëror. Të qenit i revoltuar nuk mjafton ta “vrasësh” babanë brenda vetes. Ai banon në qenin tënde.

Filmi përmbyllet me kuadrin në formë të një mirazhi a ëndrre me bunarin, i cili ndodhet pranë kasolles ku duket i varur pingul në brendësi të murit në litarin e çikrikut. Me t’u afruar pranë bunarit gjersa në prapavijë dëgjojmë gumëzhitjen e litarit që po lëkundet, Sinani ishte varur në litar. Vetëvrasje në bunar. Babai Idris zgjohet nga gjumi. Aty pranë nuk e kishte Sinanin. Vajti t’i lëshojë delet jashtë dhe t’u japë sanë. Ai prapë filloi ta kërkojë Sinanin. Teksa babai i Sinanit dëgjonte gumëzhitjen dhe disa krakëllima goditjeje i afrohet me drojë bunarit. Çfarë të shohë? Të dihaturat e tij dëgjoheshin lart. Fuqishëm. Sinani gërmonte bunarin. Mbi gurin, shkëmbin e rënë të verës, ai mbivendosi edhe një shkëmb tjetër. Shkëmbin e tij.

Një film mbi 3 orë i gjatë. Aq shumë kuadro, dialogë dhe fotografi. Mesazhin e thellë njerëzor të cilin mund ta nxjerrim nga ky film është se jeta është me madhe se mendimi e intelekti. Kujdes kur kritikoni bindjet e baballarëve. Kritikoni me dhembshuri e dashuri. Kujdes kur i gjykoni, aq më keq kur i përqeshni ëndrrat e etërve tuaj. Mos harroni se edhe ne jemi pjesë e ëndrrave të tyre. Me kohë do të bindemi se ëndrrat tona nuk dallojnë nga ato të të etërve. Madje ne përbrendësojmë dhe i vazhdojmë tutje ëndrrat e tyre. Mbase ky është çmimi i një egoizmi filantrop dhe të detyruar por jemi këta që jemi dhe mbetemi po ata që ishim. Jemi fiks të njëjtë. Dardha pikë ndër Dardhë!

Author

  • Latif Mustafa

    Latif Mustafa ka përfunduar studimet në fushën e filozofisë pranë Universitetit të Prishtinës. Ai, po ashtu, ka qenë asistent hulumtues në kuadër të Institutit të Aleancës së Qytetërime në Stamboll. Ka qenë autor i emisionit filozofik PikëPamje, autor dhe publicist i analizave socio-politike të botuara në shtypin e Maqedonisë së Veriut. Së fundi, ai është angazhuar si kritik në revistën për teorinë, historinë dhe kulturën e filmit – Kinopis, e cila botohet në kuadër të Kinotekës të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai, është aktivist dhe ligjërues në fushën e edukimit mediatik në kuadër të projekteve të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.