Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

UÇK dhe e drejta ndërkombëtare: individi versus ushtria

Në tridhjetë vitet e fundit – e sidomos pas rënies së komunizmit – është parë një rënie e konsiderueshme e luftërave ndër-shtetërore, dhe njëkohësisht një ngritje gati eskponenciale e luftërave brenda-shtetërore. Disa i quajnë ato konflikte etnike apo ndër-etnike, luftëra civile, luftëra të reja, etj. Sidoqoftë, mjafton t’u referohemi atyre si konflikte ose luftëra brenda-shtetërore.

Me vetë faktin se janë të tilla – pra luftëra brenda kufijve të shteteve ekzistuese – konfliktet zhvillohen ndërmjet një ushtrie të mirëfilltë të shtetit, dhe një apo disa njësiteve ose formacioneve joformale, kuazi-ushtarake. Dikush i quan këto njësite rebele, guerile, kryengritëse, pastaj lëvizje popullore për çlirim, apo grupacione brenda-shtetërore të armatosura. Bota është përplot me grupacione të tilla: nga Euskadi Ta Askatasuna (ETA) në Baski të Spanjës tek Irish Republican Army (IRA) në Irlandë, nga Movimiento 19 de Abril (M-19) dhe Fuerzas Armadas Revolucionarias de Colombia (FARC) në Kolumbi tek Farabundo Martí National Liberation Front (FMLN) në El Salvador, nga African National Congress në Afrikë të Jugut në Liberation Tigers of Tamil Eelam (LTTE) në Shri Lankë, nga Garakan Acheh Merdaka (GAM) në Açeh të Indonezisë tek South West Africa People’s Organisation (SWAPO) në Namibi. E shumë e shumë të tjera.

Mund të kemi debate pa fund mbi ”pastërtinë” – apo më mirë të themi drejtësinë – e kauzave të këtyre grupacioneve. Mjafton të nënvizohet këtu se ideologjia dhe veprimtaria e tyre kap një spektër të gjerë: duke filluar prej kauzave fisnike dhe të drejta – si p. sh. liria, autonomia, të drejtat themeltare njerëzore, etj. – deri në raste po aq të shpeshta, e ndoshta edhe më të shpeshta, kur këto grupacione përfshihen në aktivitete kriminale, korrupsion, trafikim njerëzish, e madje edhe krime të luftës e krime kundër njerëzimit.

E drejta ndërkombëtare në veprim

Me rritjen e numrit të luftërave brenda-shtetërore, kemi parë natyrshëm një intensifikim të përpjekjeve ligjore ndërkombëtare për të ndarë drejtësi mbi krime të kryera në këto lufëra. Këto përpjekje janë përshpejtuar pikërisht shkaku i rritjes së numrit të luftërave brenda-shtetërore, por edhe për arsye të paaftësisë apo pamundësisë së vetë shteteve individuale për të ndarë drejtësi mbi krime të kryera brenda territorit të tyre. Kështu, më 1998 u themelua Gjykata Penale Ndërkombëtare (International Criminal Court), institucion ky i përhershëm me seli në Hagë që ”heton dhe gjykon individë për krimet më të rënda në bashkësinë ndërkombëtare: gjenocid, krime të luftës, krime kundër njerëzimit, dhe krime të agresionit”. (Vlen të nënvizohet këtu se ShBA-ja, edhepse ndihmoi në themelimin e kësaj Gjykate, nuk është anëtare e saj, pra nuk ka pranuar që t’i nënshtrohet juridiksionit të saj). Puna dhe judiksioni i kësaj Gjykate mbështetet me Statutin e Romës mbi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 1 korrik 2002.

Është me rëndësi të theksohet se si Statuti i përkufizon krimet me të cilat merret kjo Gjykatë:

• Gjenocid: nënkuptohen aktet kriminale që për qëllim kanë shfarosjen e tërësishme apo të pjesërishme të një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar.

• Krime kundër njerëzimit: përfshihen akte të cilat janë pjesë e një sulmi të gjerë apo sistematik kundër një popullate civile, siç janë vrasja, zhdukja, skllavërimi, burgosja, tortura, përdhunimi seksual, prostitucioni i detyruar, aparteidi, etj.

• Krime të luftës: janë krime të bëra si pjesë e një plani apo politike dhe që bijnë ndesh me Konventat e Gjenevës 1949, ku hyjnë vrasja e qëllimshme, tortura apo trajtimi johuman, keqtrajtimi i të burgosurve të luftës, marrja e njerëzve peng, etj.

• Agresion: përkufizohet si planifikimi, përgatitja, inicimi ose ekzekutimi nga një person që është në pozitë të kontrollojë apo të dirigjojë veprimet politike apo ushtarake të shtetit. Një akt i tillë agresioni, për nga karakteri, pesha dhe shkalla e tij, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kartës së OKB-së. Agresion konsiderohet pushtimi apo sulmi i një shteti mbi një shtet tjetër, përdorimi i grupacioneve bandite, mercenare nga një shtet për sulm në shtet tjetër, etj.

Nga këto katër kategori, vetëm për krim të agresionit përmendet shteti si ekzekutues potencial i krimit. Poashtu, për shkak të peshës së rëndë që përmban krimi i gjenocidit, lihet të nënkuptohet se shteti është përgjegjës për ekzekutimin e kësaj kategorie, por edhe individët mund të ngarkohen me këtë akuzë. Për dy krimet e tjera – krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit – shteti nuk pëmendet në mënyrë eksplicite. Në fakt, këtu mëtohet që të konkretizohet përgjëgjesia në nivel individësh. Ata individë mund të kenë vepruar në emër të shtetit apo të një njësiti politiko-ushtarak – ta kujtojmë planin sistematik dhe të gjerë që i karakterizon këto krime – por në gjykatë ata gjykohen si individë.

Ky është konsensusi i gjertanishëm sa i përket përkufizimit të këtyre krimeve, siç potencohet edhe nga burime si Trial International, apo Office on Genocide Prevention and the Responsibility to Protect në OKB. Duhet theksuar se nga këto katër kategori krimesh, vetëm ajo e krimeve kundër njerëzimit ende nuk është kodifikuar nga ndonjë traktat i së drejtës ndërkombëtare. Pra, kjo kategori vazhdon të jetë në një gjendje fluide dhe të evoluojë ashtu si zhvillohen rastet ndërkombëtare kundër individëve të përfshirë në kësilloj krimesh.

Përveç nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare ka testuar në praktikë këto kategori krimesh në disa gjykata të përkohshme. Në dekadat e fundit ishte Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi që ka shqyrtuar krime të gjenocidit, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Kishim poashtu edhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandë që ka gjykuar personat që ishin përgjegjës për gjenocid në atë shtet. Poashtu ishte edhe një Gjykatë Speciale për Sierra Leonen, e themeluar si rrjedhojë e marrëveshjes në mes të OKB-së dhe qeverisë së këtij shteti, me qëllim të gjykimit të rasteve të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Në të gjitha këto raste, e drejta ndërkombëtare është testuar dhe praktikuar vis-à-vis katër kategorive të krimeve të lartcekura. Në një proces të natyrshëm, secila seancë dhe secila gjykatë ka kontribuar në qartësimin, konsolidimin dhe kodifikimin e mëtutjeshëm të këtyre krimeve në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndëkombëtare. Nëse flasim për një të përbashkët të këtyre zhvillimeve është se fokusi ka qenë çdo herë e më shumë në individin. Pra, në përgjegjësinë individuale për krime madhore. Kështu, gradualisht, e drejta ndërkombëtare është duke kërkuar thuajse të njëjtin nivel të përgjegjësisë nga grupacionet ushtarake brenda-shtetërore sikurse nga shtetet dhe ushtritë formale të tyre. Dhe kështu, natyrshëm, vijmë edhe te rasti konkret e aktual i UÇK-së, i individëve të saj, dhe i të drejtës ndërkombëtare e marrëdhënieve ndërkombëtare sot.

Është thënë shumë herë se në historinë e grupacioneve gruerile kryengritëse, apo ushtrive joformale brenda-shtetërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është sigurisht storia më e sukseshme. Kauza e saj ishte e drejtë – liri, pavarësi nga zgjedha njëshekullore – e rrjedhimisht edhe lufta e saj ishte e drejtë. Pra, këtu preferoj të flas për drejtësinë e jo për pastërtinë, edhepse kur pëmendet lufta ne shpesh i referohemi kësaj të fundit. Kjo sepse ”pastërtia” nuk është ndonjë koncept real e objektiv që njihet në të drejtën ndërkombëtare. Ç’nënkuptojmë me pastërti? Për atë ne duhet të flasim për të drejtën, apo drejtësinë e luftës së UÇK-së. Në fakt besoj se kur flasim për pastërtinë ne e kemi fjalën pikërisht për të drejtën, apo drejtësinë. Por për dallim nga pastërtia, e drejta si koncept është e normatizuar në të drejtën ndërkombëtare e në marrëdhëniet ndërkombëtare. Mjafton këtu të përmendim kriteret e luftës së drejtë:

• E drejta apo drejtësia për të hyrë në luftë (Jus ad bellum): A ekziston kauza dhe qëllimet e drejta për të luftuar? A është lufta opsioni i fundit i mundshëm?

• E drejta apo drejtësia gjatë kohës së luftës (Jus in bellum): a ushtrohet proporcionalitet dhe përgjegjësi gjatë luftës? A respektohet jeta e civilëve?

• E drejta apo drejtësia pas luftës (Jus post bellum): a tregohet përgjegjësi e drejtësi karshi popullatës civile pas luftës? Këtu është fjala sidomos karshi palës së mundur, viktimave.

Lufta e UÇK-së tregoi një sukses të jashtëzakonshëm sepse që nga krijimi i celulave të para e deri të arritja e qëllimit të saj – çlirimi i vendit – kaluan pak më shumë se pesë vjet. Nuk ka dilemë se lufta u fitua edhe falë fushatës ajrore të NATO-s, por kjo nuk e shlyen kontributin e UÇK-së në arritjen e qëllimit të saj në kohë rekord. Ka grupacione të shumta anekënd botës që sorollaten nëpër male për dekada me radhë, pa asnjë shans për të arritur synimet e tyre.

Përgjegjësia para gjykatës: individ versus ushtri

Siç dihet, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan ”në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, një amendamenti kushtetues, si dhe në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës”. Si institucione të përkohshme që operojnë sipas legjislacionit të Kosovës, ato kanë mandat dhe juridiksion për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera, që përfshijnë periudhën prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000 në Kosovë.

Në debatin për Gjykatën Speciale – siç quhet shkurt – shpesh është pohuar se rastet gjyqësore kanë në shënjestër individë të cilët pretendohet se kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit apo krime të tjera. Është theksuar në vazhdimësi se, edhepse këta individë ishin në pozita udhëheqëse në UÇK, vetë ushtria nuk është cak i gjykatës. Pra, individi është në bankën e të akuzuarve, jo UÇK-ja.

Kjo logjikë e argumentimit përputhet edhe me praktikat e mëhershme në gjykata të ngjashme. Mirëpo këtu duhet rikujtuar se përkufizimi për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit përfshin një element kyç që i bën këto krime të kategorive të rënda, e ai është planifikimi i gjerë dhe sistematik. Sipas këtyre përkufizimeve, sqarohet se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit kryhen në përpjekje të avansimit të një politike apo qëllimi politik nga një entitet, organizatë apo grupacion i caktuar.  Pra, për t’u kryer një krim i tillë, ka gjasa që mbrapa tij qëndron nëse jo shteti, atëherë ndonjë lloj organizate apo entiteti politiko-ushtarak-ideologjik. Patjetër se individi mund të ngarkohet më të tilla krime të rënda, por gjasat janë që ekzekutimi i tyre të jetë bërë në suaza të një planifikimi më të gjerë dhe sistematik. Nga kjo rrjedh se krimet e një qytetari të thjeshtë, sado makabre qofshin ato, nuk do të arrinin pragun e krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit, përderisa ai qytetar nuk vepron në emër të një platforme më të gjerë organizative. Për më shumë, krimet me motive personale si hakmarrja, armiqësia në mes individësh, s’para kualifikohen si krime lufte apo krime kundër njerëzimit, anipse mund të jenë bërë gjatë luftës apo periudhës menjëherë pas saj.

Dihet se UÇK-ja është shpërbërë në qershor 1999, ndërsa procesi i çarmatimit dhe demobilizimit është rrumbullakësuar suksesshëm në shtator të të njëjtit vit. Në anën tjetër, Gjykata Speciale ka ngritur pretendime për krime kundër njerëzimit që kapin edhe periudhën pas këtij procesi, më saktësisht deri më 31 dhjetor 2000.

Me synimin e arritjes së pragut të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, prokurorisë i duhet të bindë trupin gjykues se ndër të tjera veprimet e të akuzuarve nuk ishin thjesht veprime individuale, por se ishin të koordinuara dhe i përkisnin një grupacioni të qartë organizativ. Kjo na sjellë deri te shprehja ”Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” që si duket po përdoret nga prokuroria për të justifikuar akuzat e ngritura, pra që të ngarkojë lidershipin me përgjegjësi komanduese për krimet që pretendohet se janë bërë nga dikush tjetër, apo për krime që pretendohet se nuk janë parandaluar nga ky lidership.

Ky, pra, është paradoksi i parë i identifikuar: në njërën anë pretendohet se këto janë raste kundër individëve të caktuar e jo kundër UÇK-së. Ndërsa në anën tjetër, prokuroria e di se për të justifikuar akuzat për kategorinë e rëndë të krimeve, duhet argumetuar se prapa këtyre krimeve qëndronte një plan i gjerë dhe sistematik, që sipas tyre ishte i organizuar dhe i koordinuar nga ”Ndërmarrja…”. Ndërsa fakti se këta individë ishin pjesë e udhëheqësisë së ushtrisë duket si ironi e trishtë. Rezulton se në bankë të të akuzuarve janë vërtet individët. Por, në anën tjetër, s’do mend se jashtë kornizës së Gjykatës dhe debateve në mes ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, opinioni publik nuk do të bëjë dallimin. Në të vërtetë, ka të ngjarë që për pjesën dërrmuese të publikut, individi, ushtria dhe ndërrmarja shkrihen në një të vetme.

Të mbrosh duke mohuar

Paradoksin e dytë që mund ta hasim gjatë seancave të kësaj Gjykate ka të bëjë me raportin e prokurorisë, respektivisht të mbrojtjes, me UÇK-në dhe trashëgiminë e saj. Paradoksalisht, për të qenë të suksesshëm në akuzat e ngritura, prokuroria duhet të bindë trupin gjykues se vërtet ekzistonte një zinxhir komandues që ishte funksional dhe që, rrjedhimisht, involvon udhëheqësinë (lexo: të akuzuarit) me krimet e kryera në terren. Pra, duhet të argumentojë se kjo strukturë, që në fakt ishte struktura e UÇK-së, ishte funksionale dhe e mirëfilltë. Me fjalë të tjera, se funksiononte si ushtritë e rregullta shtetërore. Në një logjikë të përmbysur të gjërave, për të qenë të suksesshëm në përndjekjen penale, është prokuroria ajo që do të kontribuojnë në konsolidimin e imazhit të një ushtrie rebele kryengritëse, dhe ngritjen e statusit të saj në nivel de facto të ushtrisë së rregullt.

Në anën tjetër, ka mundësi që për të rrëzuar pretendimet e prokurorisë mbrojtja duhet të bëjë pikërisht të kundërtën: të pretendojë se për krimet e përmendura nuk mund të fajësohen të akuzuarit pasi që zinxhiri komandues nuk ishte përnjëmend funksional. Pra, përfaqësuesit e të akuzuarve duhet ta mohojnë vetë strukturën organizative të ushtrisë duke pretenduar se ajo ishte më shumë një grupacion i çrregullt ushtarak që funksiononte në celula të vogla që jo domosdoshmërisht koordinoheshin me njëra tjetrën. Pra, përsëri në një logjikë të përmbysur të gjërave, për të bindur trupin gjykues në pafajësi duhet mohuar mbase vetë ushtrinë si formacion i rregullt e koheziv organizativ.

Sido që të jetë, kjo përvojë e të akuzuarve me drejtësinë ndërkombëtare (anipse me ligj të Kosovës) do të kontribuojë në normatizimin dhe kodifikimin e mëtutjeshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Do të kontribuojë veçmas në vënien në pah të rolit të ushtrive guerile, kryengritëse, si dhe ngritjen e llogaridhënies dhe marrjes së përgjegjësisë karshi bashkësisë ndërkombëtare. Në proces e sipër, e drejta ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare evoluojnë edhe karshi këtyre ushtrive brenda-shtëterore, duke i trajtuar ato gati njëjtë me ushtritë e mirëfillta shtetëtore.

Author

  • Armend Bekaj

    Armend Bekaj është Ligjërues në Departamentin për Kërkime të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Uppsala-s, Suedi. Ka punuar për një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshirë International IDEA në Suedi. Ka të kryer doktoratën në shkenca politike në Universitetin e Sheffield, Britani të Madhe.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.