Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Udhëtimi në Ukrainë: mes normalitetit dhe bombave ruse

Artikulli i përkthyer.

Udhëtimi në Ukrainë në kohë lufte nuk është i lehtë, as në zonat larg vijave të frontit. Transporti më i zakonshëm që aplikohet për ta arritur në kryeqytetin ukrainas është treni nëpërmjet Polonisë. Deri në qytetin kufitar polak Chelm, udhëtimi zgjati rreth tri orë, prej ku bëhet edhe ndërrimi i trenit për ata që kanë destinacion Kievin.

Krahas shumë udhëtarëve që ia kanë mësyrë kryeqytetit ukrainas më 20 qershor, në vagonin e fundit është edhe një grup gazetarësh nga Europa Juglindore, Azia, Lindja e Mesme e Ballkani Perëndimor – edhe unë në mesin e tyre.

Udhëtimi nis në mesnatë dhe zgjat rreth 13 orë. Pritjet më të gjata janë në pikat kufitare ku policia kontrollon pasaportat e secilit udhëtar. Pavarësisht përpjekjeve ruse për ta dëmtuar edhe infrastrukturën hekurudhore, ukrainasit krenohen me saktësinë e trenave.

Problemi kryesor është se nuk dihet me siguri nëse treni ku ndodhesh do të bëhet objektiv i raketave ruse. Kjo ngjall frikë mes udhëtarëve që kanë për destinacion Ukrainën. Vendimi për të shkuar atje kërkon guxim dhe përkushtim.

Image

Tanket e djegura ruse qëndrojnë të ekspozuara në qendër të Kievit.

Arritja në Kiev

Ndalesa e fundit është stacioni kryesor hekurudhor në Kiev, i cili gumëzhin nga njerëzit e shumtë. Për të dalë nga stacioni u duhet nënshtruar sërish kontrolleve të sigurisë, të cilat ngjasonin me kontrollet e aeroporteve.

Udhëtimi nëpër rrugët e kryeqytetit Ukrainas të jep ndjesinë e një vendi normal, që jeton në paqe. Kievi që takuam me kolegët gazetarë dukej se i ishte kthyer plotësisht normalitetit, më shumë se një vit pas pushtimit rus.

Rrugës për në hotelin “Radisson Blu”, ku do të qëndronim për tri ditët e ardhshme, dyqanet, kafenetë e restorantet dukeshin të furnizuara mirë. Banorët e Kievit vazhdonin jetë e tyre sikur të mos kishte luftë fare. Qytetarët shkonin nëpër punë, fëmijët në shkolla, ndërsa kompanitë e ndërtimit merreshin me renovimin e shesheve dhe objekteve të dëmtuara nga bombardimet.

Por, gjithçka ndërpritet kur dëgjohet sirena e alarmit që paralajmëron se rusët kanë filluar sulmet ajrore. Këto nuk janë të rralla. Pas çdo alarmi, banorët janë të detyruar të futen në tunele, stacione të metrove dhe bodrume të ndërtesave, derisa të largohet rreziku.

Ndërsa ushtria ukrainase, me ndihmë të aleatëve perëndimorë, posedon teknologjinë e avancuar e cila tregon në kohë reale se nga cili drejtim vijnë raketat ruse dhe cili është caku i tyre.

Hoteli ku vendoset grupi i gazetarëve ndodhet në qendër të qytetit dhe ai mirëpret kryesisht mysafirë të huaj, përfshirë edhe diplomatë. Në mesnatë nis ora policore dhe çdo aktivitet pushon deri në orën shtatë të mëngjesit.

Mesnatën e 21 qershorit bie alarmi, pas të cilit në dhomat e hotelit dëgjohet zëri i folëses që u kërkon klientëve të shkojnë në bodrumin e hotelit, që konsiderohet hapësira më e sigurt në rast të sulmeve me raketa. Në përdhese të hotelit janë vendosur shtretër e gjëra ushqimore. Pasi kalon rreziku, jepet lajmërimi tjetër se klientët mund të kthehen në dhomat e tyre. Kjo është rutina që përsëritet pothuajse çdo ditë.

Si rezultat i sulmeve të vazhdueshme ruse, qeveria e Ukrainës është detyruar të krijojë hapësira të sigurta për qytetarët. Momentalisht, Kievi ka më shumë se 3,600 strehimore, në të cilat mund të strehohen në të njëjtën kohë rreth tre milionë njerëz.

Të nesërmen, grupi ynë eksploron rrugët e sheshet e kryeqytetit. Mjetet e rënda të shkatërruara ruse qëndrojnë të ekspozuara në qendër të qytetit, para ndërtesës së Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

as a “Rusët deshën ta vizitojnë kryeqytetin tonë dhe kjo është mënyra si i ‘mirëpritëm’ ne”, thotë me ironi ciceronia e cila udhëheq grupin tonë.

Pas Kievit, destinacioni ynë i radhës është qyteti më verior Chernihiv, i cili gjendet 144 kilometra larg kryeqytetit. Udhëtimi për në Chernihiv zgjat rreth tri orë me kombi-busMë 22 qershor, ekipi ynë arrin në qytet në mesditë. Pamja me të cilën u ballafaquam ishte tragjike.

Shkatërrimi i Chernihivit

Gjendja në Chernihiv ishte e mjerueshme. Qyteti ishte i shkatërruar pothuajse në çdo cep të rrugës. Në disa prej ndërtesave, jo totalisht të shkatërruara, ishin rikthyer disa nga banorët lokalë, të cilët nuk hezitojnë të rrëfejnë për tmerret e tyre, të cilat ngjasojnë me ngjarjet që kishin ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

as a “Për disa ditë kemi përjetuar sulme të tmerrshme dhe ushtria ruse hyri në qytet”, thotë Alla, teksa drejton gishtin kah ndërtesa që është shndërruar në gërmadhë.

Image

Blloqet e shkatërruara të ndërtesave në Chernihiv nga fushata 39 ditore e granatimeve të ushtrisë ruse, gjatë ofensivës për ta okupuar qytetin verior të Ukrainës.

Duke qenë se Chernihiv është vetëm 45 kilometra larg kufirit me Bjellorusinë, prej ku depërtuan forcat ruse, frika për sulme e bombardime të tjera vazhdon të mbetet prezente. Për më shumë se një muaj, ushtria ruse sulmoi brutalisht me raketa banorët e Chernihivit, duke e shndërruar qytetin në një kurth vdekjeje urbane.

as a “Problemi kryesor është siguria, sepse ne jetojmë afër kufirit dhe e dimë se çdo ditë është e mundur që ushtarët rusë të kthehen. Për një vit e gjysmë nuk ka pasur asnjë raketë të hedhur nga ta, megjithatë ende nuk ndihemi plotësisht të sigurt”, shton ajo.

Nuk është kursyer as hoteli ikonë i këtij qyteti, “Hotel Ukraina”, dhe spitali i lindjes, të cilët ndodhen brenda një perimetri rreth 10 kilometra katrorë. Nga sulmet nuk ishin kursyer as objektet fetare e as ato kulturore. Ato fillimisht ishin shndërruar në baza ushtarake për rusët e më pas ishin shkatërruar.

Kisha e vjetër ortodokse në fshatin Lukashivka i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe viteve më të egra të ish-Bashkimit Sovjetik, por jo edhe agresionit rus. Kambanat e saj kanë rënë përtokë dhe krejt çka ka mbetur brenda saj janë mbetjet e shkatërruara. Kjo kishë është në mesin e rreth 1,600 objekteve të shkatërruara të trashëgimisë kulturore në Ukrainë.

Image

Kisha Ortodokse në fshatin Lukashivka, Chernihiv, ishte shnëdrruar në bazë ushtarake nga rusët. Pas sulmeve të ushtrisë ukrainase dhe luftimeve disa ditore, kisha u dogj pjesërisht.

Pak kilometra larg kishës, në derën e një shkolle është vendosur një tabelë që kujton se në periudhën marsi-prill 2022, më shumë se 300 banorë ishin ngujuar nga ushtria ruse në bodrumin e këtij objekti.

Të mbijetuarit rrëfejnë se dhomat e bodrumit ishin aq të ngushta, saqë njerëzit flinin ulur. Në vend të tualetit, janë përdor kova të plastikës, ndërsa si pasojë e kushteve të vështira dhe mungesës së ajrosjes, 11 prej tyre vdiqën. Rusët nuk kishin lejuar që të vdekurit të varroseshin për disa ditë.

as a “Shumë njerëz kemi qenë në këtë hapësirë. Tani jemi në stinën e verës dhe jashtë është nxehtë, por këtu, siç mund ta shihni edhe ju, është ftohtë. Në atë kohë, kur na futën brenda, ishte shumë ftohtë dhe nuk kishte ngrohje. Nuk na lejonin të dilnim jashtë”, thotë njëra nga të mbijetuarat, Ludmilla Kaduka.

Image

Rrënojat e hotelit ikonë të Chernihivit – “Hotel Ukraina”, i cili u shkatërrua nga një sulm ajror më 12 mars 2022.

Ndërsa ushtria ruse u tërhoq nga Chernihiv, zyrtarët dhe banorët ukrainas deklaruan se qyteti pati rol heroik në parandalimin e sulmit të mëtutjeshëm në Kiev.

Gjatë rrethimit të Chernihivit u vranë 700 persona civilë dhe ushtarë ukrainas. Vetëm në sulmin e 3 marsit 2022, ishin vrarë 47 persona. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut “Amnesty International”, gjatë sulmit u përdorën të paktën tetë bomba ajrore, të njohura si “bomba memece”.

Ndërkaq dy të tretat e popullsisë së para pushtimit prej 300 mijë vetash kishin ikur nga qyteti. Sipas banorëve, shumë njerëz të tjerë vdiqën si rezultat i temperaturave të ulëta, mungesës së kujdesit mjekësor dhe mungesës së ushqimit.

Por, pavarësisht shkatërrimeve enorme nga Rusia dhe sado që të zgjasë lufta, për ukrainasit qëllimi final mbetet liria dhe ruajtja e sovranitetit të Ukrainës. Porosia që ata u japin secilit vizitor që lë Ukrainën është: “shihemi në fitore.”

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.