Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ukraina do t’i festojë Krishtlindjet në kushte lufte

Këtë vit ukrainasit do t’i festojnë festat e fundvitit gjithandej nëpër botë, pasi afërsisht 8 milionë njerëz janë dëbuar me forcë nga Ukraina që nga pushtimi rus në shkallë të gjerë më 24 shkurt. Për ukrainasit, kjo kohë e vitit lidhet më shumë me Vitin e Ri sesa me Krishtlindjet.

Në këtë artikull do t’ju tregoj pse shumica e ukrainasve mbajnë një qëndrim të ftohtë ndaj Krishtlindjeve, se si ukrainasit zakonisht i festojnë festat e fundvitit dhe çfarë ka bërë qeveria këtë vit që, edhe pse në kushte lufte, të ndihet të paktën një atmosferë e lehtë festimi.

Si i vodhi BRSS-ja Krishtlindjet

Para vitit 1917, Krishtlindjet ishin festa më e pëlqyer në Perandorinë Ruse. Pas tetorit të vitit 1917, për disa vite me radhë, festimi i Krishtlindjeve u ndalua. Paraqiste rrezik të madh kremtimi i tyre. Por, pas vitit 1945, Krishtlindjet u kthyen në një festë legale, ndonëse jo e miratuar nga shteti. Vetëm në epokën post-sovjetike Krishtlindjet u bënë përsëri një nga festat kryesore, veçanërisht për Kishën Ortodokse.  

Menjëherë pas fitores në Luftën Civile, bolshevikët nisën të krijonin festat e tyre. Fillimisht nuk përziheshin në festat e vjetra fetare. Në vitet 1920, Dita e Komunës së Parisit, Dita e Përmbysjes së Monarkisë, Krishtlindjet dhe Pashkët, bashkekzistonin paqësisht në kalendar. Ndryshimi i vetëm midis tyre ishte se festat revolucionare konsideroheshin festa shtetërore dhe paguheshin, ani pse atë ditë nuk punonte askush. Ndërsa festat fetare konsideroheshin si ditë të veçanta pushimi dhe nuk paguheshin.

Sidoqoftë, një nga festat kryesore pararevolucionare – Krishtlindjet – u ndesh me probleme që në fillim. Ideja është se bolshevikët, menjëherë pas revolucionit, kaluan në një kalendar të ri – atë gregorian. Kisha nuk e bëri këtë dhe iu përmbajt kalendarit julian. Për rrjedhojë, në kalendar, Krishtlindjet ishin zhvendosur nga 25 dhjetori në 7 janar. Në të njëjtën kohë, 25 dhjetori, kur vetë Kisha nuk festonte asgjë, ishte ditë pushimi, por 7 janari, kur Kisha festonte Krishtlindjet, ishte ditë e zakonshme pune.

BRSS-ja u bë gjithnjë e më ateiste, kishat u mbyllën dhe festat e shpikura komuniste zëvendësuan festat fetare. Kështu Viti i Ri zëvendësoi Krishtlindjet dhe, në vend të Shën Nikollës, domethënë Baba Dimrit, nuk erdhi asnjë Baba Frost i shenjtë.

Ndryshimi i diskursit sovjetik  

Menjëherë pas rënies së BRSS-së, në ish-shtetet aleate, nisi një ngritje e shpejtë fetare. Njerëzit përsëri festuan hapur festat e krishtera, por Viti i ri dhe Baba Dimri zunë rrënjë të forta në përditshmërinë e tyre. Kështu, në Ukrainë, Viti i Ri është ende festa më e rëndësishme. Nëse në botën perëndimore e gjithë familja bëhet bashkë për Krishtlindje, në Ukrainë bëhet bashkë më 31 dhjetor.

Meqenëqë Ukraina është një vend i madh me dallime tepër të dukshme regjionale, data e Krishtlindjeve varion. Për shembull, në pjesën perëndimore të Ukrainës, shumica e njerëzve janë katolikë, kështu që Krishtlindjet festohen më 25 dhjetor. Ukraina Lindore dhe Ukraina Qendrore janë ortodokse dhe Krishtlindjet i festojnë më 7 janar. Gjithashtu, në Ukrainë ka një popullsi të madhe grekësh katolikë, por ata, sikundër ortodoksët, festojnë Krishtlindjet më 7 janar.   

Sidoqoftë, një nga festat kryesore të fundvitit në Ukrainën Perëndimore është Dita e Shën Nikollës, që festohet më 19 dhjetor. Në këtë ditë fëmijët marrin dhuratat e tyre fort të çmuara nën jastëk. Për banorët e Ukrainës Lindore apo Jugore, Dita e Shën Nikollës ka hyrë tash së voni në kalendarin e tyre festiv.

Pas fitimit të pavarësisë, qeveria ukrainase nuk i ndryshoi edhe aq pushimet. Pra, 7 janari prore ka qenë ditë pushimi. Pika e kthesës në vetëdijesimin e Ukrainës ka qenë viti 2014, kur Rusia sulmoi Ukrainën Lindore. Që nga atëherë, mediat dhe historianët i janë përkushtuar në mënyrë aktive punës për ndryshimin e trashëgimisë sovjetike. Për herë të parë, 25 dhjetori, i quajtur gjerësisht si Krishtlindjet Katolike, u bë ditë pushimi në vitin 2017.

Sipas vlerësimeve, gjatë vitit të kaluar, më shumë ukrainas kanë nisur të mbështesin idenë e zhvendosjes së festimit të Krishtlindjeve më 25 dhjetor: 44% e ukrainasve pranojnë të ndryshojnë datën, krahasuar me 26% sa ishin vitin e kaluar. Numri i atyre që festojnë Krishtlindjet vetëm më 25 dhjetor (nga 4% në 11%) dhe i atyre që festojnë në të dyja datat (nga 18% në 25%) është rritur ndjeshëm. Më shumë se gjysma (55%) do t’i festojnë Krishtlindjet më 7 janar (71% më 2021).

Një ndryshim i tillë i disponimit është shkaktuar nga agresioni rus. Kësisoj, ukrainasit sikur duan të thonë: “Nuk duam të kemi kurrgjë të përbashkët me ju, madje as Krishtlindjet më 7 janar.”

Krishtlindjet vs. Viti i Ri

Janë dy festa krejt të ndryshme për ukrainasit. Nëse për Vitin e Ri marrin dhuratat më të mira, dekorojnë pemën dhe festojnë në një shoqëri të madhe miqsh dhe të afërmish, për Krishtlindje shtrohet një darkë me 12 pjata në një rreth të ngushtë familjar.

Në vigjilje të Krishtlindjeve, fëmijët vishen me rroba me ngjyra të ndezura, gatuajnë kutia (pjatë ceremoniale drithërash me krem të ëmbël sipër) dhe i vizitojnë fqinjët e miqtë. Derisa shtrojnë kutiat, fëmijët recitojnë poezi dhe këndojnë këngë Krishtlindjesh. Në këmbim marrin dhurata të ndryshme: ëmbëlsira, para ose fruta. Në të njëjtën kohë, konsiderohet e pamundur të merren mbrapsht enët në të cilat servohen gatimet kutia. Andaj pjata zakonisht shërbehet në një shportë dekorative dhuratash. Ishte festa ime e preferuar si fëmijë!

Këtë vit, shumica e fëmijëve ukrainas, veçanërisht në lindje të vendit, nuk do të bashkëndajnë gatime kutia me të tjerët në vigjilje të Krishtlindjeve. Shumë ukrainas do ta festojnë këtë Vit të Ri pa energji elektrike, sepse Rusia shkatërroi pothuajse 50% të sistemit energjetik të Ukrainës. Sidoqoftë, në orën 23:59 të natës së Vitit të Ri, familjet ukrainase do të mbërthehen para televizorëve të tyre dhe do ta dëgjojnë fjalimin e presidentit Volodymyr Zelensky drejtuar vendit.

Në Ditën e Shën Nikollës, në Kiev, autoritetet ndezën pemën kryesore të këmbënguljes në Ukrainë. “Tradicionalisht, më 19 dhjetor, në Ditën e Shën Nikollës, ne ndezim dritat e pemës kryesore të Krishtlindjeve në sheshin Sofia. Këtë vit u diskutua shumë nëse do të vendosim një pemë Krishtlindjeje, duke qenë se jetojmë në kushte të ligjit ushtarak, bombardimeve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike. Por, një pemë Krishtlindjeje duhet të jetë këtu! Fëmijët tanë duhet të festojnë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të barbarëve rusë për t’i privuar ukrainasit nga gëzimi i Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”, citohet të ketë thënë kryebashkiaku i Kievit Vitaliy Klitschko, në ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjeve.

Pema e Krishtlindjeve e këtij viti është artificiale, 12 metra e lartë (në vend të 31 sa ishte), e zbukuruar me kurora dritash që kursejnë energjinë dhe që do të dritëzojnë me anë të gjeneratorit. Dekorimet e përdorura janë të gjitha të vitit të kaluar. Më parë, një pemë Krishtlindjeje u vendos në stacionin hekurudhor të Kievit, që ndizet me pedalim.

Edhe në kushte lufte, ukrainasit nuk e humbasin dot këmbëngultësinë e tyre. Gjithandej vendit mund të shihen tabela në të cilat shkruhet: “Baba Frosti s’ka ekzistuar kurrë.” 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.