‘Burgu’ është ‘shpia’ ku lind karriera politike e shumë politikanëve në Kosovë. Thënë në mënyrë poetike, burgu ishte vendi ku banonte qenia e heronjëve shqiptarë. Burgjet jugosllave, pra. Shumë prej figurave markante të këtij vendi në CV-në e tyre e kanë një seksion të veçantë: aty shkruan ‘ish i burgosur politik’. Kohëzgjatja: 5 vite e 7 muaj e tri javë. Dikur këta ishin heronjtë e Kosovës. Një pjesë jo e vogël e këtyre figurave politike, nga paslufta e 1999-s e tutje, janë ‘heronj të korrupsionit’ – që i futin në qarkullim të gjitha meritat heroike (legjitime të së kaluarës) për të grumbulluar në mënyrë jolegjitime kapital ekonomik, social dhe politik. Prandaj, duhet të pyesim zëshëm: A nuk ka ardhur koha që të prehet një vijë e qartë mes heronjëve dhe të burgosurëve politikë të së kaluarës dhe gangsterëve dhe profiterëve politikë të së sotshmes? Duke e bërë një prerje të tillë, ne pamundësojmë transferimin e kapitalit simbolik të së kaluarës për përfitime politike e ekonomike në të sotshmen. Pra, e çelim udhën që ta ndryshojmë modelin e liderit politik në Kosovë, i cili si prototip është edhe ish i burogur politik, edhe ish komandant i një zone lufte në Kosovë, edhe politikan dominant i pasluftës në Kosovë, por edhe profiter ordiner e shkelës ligji. Të gjithë ata që kanë pasur fatin të kontribuojnë për Kosovën dje, nuk kanë asnjë të drejtë legjitime që ta gërryejnë shtratin, mbi të cilin provon të ndërtohet Kosova sot.
… të burgosurit politik
Burgjet serbe ishin instrumente të kontrollit politik mbi Kosovën. Burgosjet politike të shqiptarëve nga regjimet antidemokratike të ish Jugosllavive shërbenin për ta përkulur ‘trupin kolektiv shqiptar’ kundrejt pushtetit serb. Faji ishte etnik, prandaj edhe ndëshkimi duhej të ishte etnik. Shqiptarët kërkonin të vetërealizoheshin me të drejta civile e politike, kurse regjimi serb që posedonte jo vetëm shtetin, por edhe burgjet brenda tij, duhej të ndëshkonte çdo praktikë, organizëm e rrjet intelektualësh shqiptar që kundërshtonin vetë regjimin serb. Praktikat rituale të ndëshkimit dhe të torturës ishin të formave të ndryshme, deri tek eliminimi fizik. Përfshirë këtu, mes tjerash, edhe shuemjen e cigareve të ndezura të gardianëve serb nëpër fytyrat e të burgosurëve politikë shqiptarë. Këto forma të ndëshkimit dhe të torturës duhej ta ‘riedukonin’ vetëdijen kombëtare shqiptare në Kosovë. Në mënyrë që kjo vetëdije shqiptare të mos kontestonte regjimin, dhe të mos kërkonte të drejta. Me fjalë të tjera, të përbrendësohej një vetëdije ‘bretkoce’.
Ky trup i njerëzve të arrestuar, të burgusur, të keqtrajtuar kanë përbërë grupin e të burgosurëve politik. Janë ato raste gjyqësore ku paneli gjyqësor, ‘në emër të popullit’, dënonte me qindra vjet grupe të ndryshme të burgosurish politikë. Kurse, ‘përgjigjet heroike të të burgosurëve politikë në gjyq, ishin të formës teatrale: Ne nuk e njohim këtë gjyq! Karakteristika e përbashkët e të gjitha këtyre burgosjeve politike të shqiptarëve ishte rituali i torturës. Këta të burgosur ishin tip i veçantë i të burgosurëve. Në regjimin sovjektik, sipas Kodit Penal të 1928, njerëzit akuzoheshin me vite të tëra burg sipas nenit 58, nëse ishin të përfshirë në aktivitete antisovjektike. Mund të akuzoheshe me vite të tëra burg për buzëqeshjen tënde kundrejt një anektode antisovjetike. Pra, këtu sanksionohej edhe ‘buzëqeshja antisovjektike’, por kjo ‘buzëqeshje’ nuk ishte e lidhur me një grup të caktur etnik.
Burgjet jugosllave, në raport me shqiptarët, nga ana tjetër, më shumë ishin modeluar sipas logjikës ndëshkuese të burgjeve gjermane të Hitlerit, ku anëtarët e një grupi të tërë etnik ishin cak i persekutimeve, torturave e mundimeve. Pra, këtu, aktivitetet antijugosllave/antiserbe medoemos duhet të kishin karakter etnik. Thënë në mënyrë metaforike, kishim të bënim me një ‘buzëqeshje seperatiste, irridentiste, nacionaliste shqiptare kundrejt rendit juridik e politik jugosllav’, e cila sanksionohej ashpër. Shqiptarët burgoseshin politikisht pikërisht për thyerjen e këtij rendi.
Në tetor 2010, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin Nr.03/L-95 për të drejtat e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Ky ligj rregullon statusin e të dënuarve politikë, ish të burgosurëve politikë dhe ish të përndjekurve politikë. Këtë status mund ta gëzojnë të gjithë ish të burgosurit politikë në periudhën kohore mars 1913 – qershor 1999. Të trija këto kategori dhe familjarët e tyre, siç e rregullon ky ligj, kanë përparësi në punësim, shëndetësi, ndihma sociale, pension invalidor etj. Qeveria e Kosovës, në dhjetor 2013, ka marrë vendim që të kompensojë të burgosurit politikë. Afër 2000 ish të burgosur politikë shqiptarë do të kompensohen për ditët e kaluara në burgjet e ish Jugosllavisë me afër 17 euro për një ditë qëndrimi në burg. Për këtë Qeveria e Kosovës ka ndarë 55 milionë euro. Dhe ka bërë mirë. Nëse përfituesit e fundit të këtij kompensimi janë ish të burgosurit politikë në Kosovë, që sot as nuk janë turbokapitalista, as deputetë dhe as ministra.
Të burgosur politikisht…
Njëra prej parakushteve për të qenë politikisht i rëndësishëm në Kosovën e pasluftës, është edhe kohëzgjatja e burgut që ke mbajtur për kauzën kombëtare. Burgu politik kështu shndërrohet në kapital politik. Madje, që nga aprovimi i ligjit për të drejtat e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë mund të thuhet, se burgu politik është shndërruar edhe në përvojë pune, meqë neni 10 i këtij ligji thotë: “Koha e kaluar ne? burg njihet si stazh i dyfishte? i pune?s pe?r te? burgosurit dhe te? de?nuarit politik”. Me fjalë të tjera, 10 vjet burg, 20 vjet përvojë pune. 20 vjet burg, 40 vjet përvojë pune. E kështu me radhë. E çka nëse kjo ‘përvojë pune’ nuk mund të vihet në punë në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë? Fatëkeqësisht, ky nuk është rasti i Kosovës. Mjafton të lexosh CV-në e disa prej figurave kyçe politike në Kosovë, dhe mes tjerash do të shohësh, se në CV-në e tyre shkruhet jo vetëm seksioni ‘ish i burgosur politikë’, por krahas kësaj edhe kohëzgjatja e burgut. Burgosjet politike, me fjalë të tjera, të qëndruarit në burg për kauza kombëtare, konsiderohet ‘kompetencë e mjaftueshme’ që në Kosovë të marrësh dhe të udhëheqësh dikastere të rëndësishme të vendit.
Një pjesë jo vogël e njerëzëve që kanë kaluar vite të tëra në burg tashmë janë figura udhëheqëse politike në Kosovë. Janë ish të burgosur politikë që kanë të drejtën të nënshkruajnë tendera milonësh ‘në emër të popullit’. Meqenëse konsiderohen si hisedarët kryesorë për çlirimin e Kosovës, një pjesë jo të vogël prej tyre nuk i kap ligji. Me fjalë të tjera, cili prokuror, gjyqtar a polic mund ta ‘drejtojë gishtin’ te dikush që na ka mundësuar neve të mund të kemi policinë tonë, gjyqësinë tonë, prokurorinë tonë, falë mundimeve, torturave e persekutimeve të tij/saj. Na ka mundësuar të gjithë neve të kemi shtetin tonë. Afërmendsh, një pjesë elitare e këtij grupi janë të ‘vaksinuar’ nga ndjekjet penale. Prandaj, pyetja shtrohet: A mund të ketë ndonjë proces gjyqësor ndaj ndonjë Patrioti të Madh në Kosovë, që ‘pa hiri’, ka rastisur edhe të korruptohet, edhe të pasurohet jashtëligjshëm, apo edhe të përfshihet në vepra të rënda kriminale: vrasje apo lëndime fizike. Nuk ka asnjë dyshim që meritat e ish të burgosurve politikë janë të mëdha për çlirimin e Kosovës. Për këtë, historiografia duhet të jetë e kujdesshme dhe objektive. Ata, së bashku, shenjojnë torturën tonë kolektive. Sidoqoftë, duket se një pjesë e tyre, i kanë përdorur meritat e tyre si ish të burgosur për t’u legjitimuar politikisht dhe për ta transferuar gjithë atë ‘kapital mundimi në një kapital pasurimi e çmundimi’ në Kosovën e pasluftës.
Për Pierre Bourdieu, kapitali mund të marrë formën e kapitalit ekonomik, kulturor, social, apo simbolik. Kapitali ekonomik ka të bëjë me paratë dhe pronën. Kapitali kulturor ka të bëjë me të mirat kulturore dhe kredencialet arsimore. Kapitali social ka të bëjë me krijimin e një rrjeti. Kapitali simbolik ka të bëjë me legjitimitetin. Ky i fundit, pra kapitali simbolik, është i lidhur si me atë ekonomik edhe atë kulturor dhe prodhon një model të caktuar të dominimit dhe të riprodhimit të këtij dominimi. Nuk duhet dije e madhe për të kuptuar se prototipi i politikanëve në Kosovë, që janë edhe ish të burgosurë politikë, edhe komandatë të luftës çlirimtare në Kosovës, kanë monopolizuar shumicën prej këtyre kapitaleve.
Në fillim, janë pasuruar me një shpejtësi marramendëse, duke grumbulluar para, prona, banesa, toka bujqësore kolektive, apo ndërrmarrje publike rishtazi të privatizuara. Në mes, duke poseduar vetëm kapital ekonomik, kanë filluar të ndihen të papërmbushur dhe kanë vazhduar që t’i marrin me rend krendencialet shkencore: BA, MA, e deri tek Doktor i shkencave politiko-juridiko – ekonomike, me tema kreative të tipit ‘Si u takova me Holbrook-un?’. Së fundi, të gjitha këto ‘arritje’ është dashur të ‘shiten’ në publik, të bëhen të pranueshme për masën e gjerë, pra të legjitimohen. Dhe forma më mirë e legjitimimit të këtyre ‘arritjeve’ ka qenë duke u futur vet në politikë, qoftë si deputet, ministra, zëvendësministra etj. Dhe, nga atje, të vendosin për vendin, të marrin vendime kolektive, duke e pasur si ‘model’ modelin tyre. E modeli i tyre i tanishëm është riprodhues. Ata e riprodhojnë vetveten. E kjo bëhet, në formë të kapitalit social, përmes krijimit të një rrjeti njerëzish që mendojnë, veprojnë e ekzekutojnë vendime sipas modelit të tyre. Logjika e këtij kapitali social të shpërfytyruar e zhvatës modelohet sipas formulës: ‘duhet me pasë njerin tem aty’. Tipi i këtij njeriu që duhet të dominojë sferat domethënëse të qeverisjes në vend duhet të jetë tip ‘i njeriut merimangë’. Në mënyrë që prezenca e tij të shtrihet gjithandej nëpër rrjetin e strukturave, ku vendoset për gjërat më të rëndësishme të këtij vendi. Dhe, natyrisht, ku paguhen shumë. Nëpër borde të kompanive, nëpër borde të ndërmarrjeve. Ky tip i ‘njeriut merimangë’ mundëson që edhe pas daljes në pension të këtij politikani, modeli i tij të riprodhohet përmes mekanizmave që tashmë janë instaluar gjithandej.
Nëse dikur në trupat e tyre është shprazur i tërë aresenali i torturave në formën e shuemjes së cigareve të gardianëve serbë nëpër fytyra e tyre, tani, ky tip i ‘politikanit merimangë’ , kontribues i shumëfishtë i pavarësisë së Kosovës, si ish i burgosur politik, si ish komandat, dhe tani si tip politikani domant në Kosovë, këtë shuemje të cigares, thënë në mënyrë poetike, po e bënë në fytyrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me keqqeverisje. Me moszhvillim. Me korrupsion. Me krim. Prandaj, para çdo gjyqi sot, ata mund të përgjigjen me zë të lartë: ‘Unë nuk e njoh këtë gjyq’. Ka shpresë për shtetin e Kosovës vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët e Kosovës i pranojnë gjyqet e saj. Përfshirë këtu, para se gjithash, ideatorët e këtij shteti. Fëmijët, familjarët e farefisi i tyre.
Para 99-ës, nëpër gjyqet jugosllave, patriotët e Kosovës shpallnin me zë të lartë deklaratën ‘unë nuk e pranoj këtë gjyq’. Ky gjyq NUK është i imi. Unë nuk e pranoj Jugosllavinë. Pas 99-ës, një pjesë e këtyre heronjëve, që potencialisht do të mund të akuzoheshin për keqpërdorime fondesh, korrupsion e krim, nuk mund të akuzoheshin as të gjykoheshin nga gjykatat. Ata me të njëjtin teatralitet heroik mund të ngriteshin në sallën e gjykatës, e të deklaronin: ‘unë nuk e pranoj këtë gjyq. Ky gjyq ËSHTË i imi. Pa kontributin tim, as ky gjyq, as këto institucione të Kosovës, nuk do të ekzistonin’. Sot, kur Kosova po ballafaqohet me praktika të keqqeverisjes, të gjithë duhet të deklarojmë zëshëm: Unë e PRANOJ këtë gjyq, ky gjyq është i imi. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, shteti i Kosovës do të ‘burgoset politikisht’ deri në pafundësi. Do të zhytet në humnerë, pa shpresë se ligji do të vlejë për të gjithë barabar.