Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Universiteti në vorbullën e politikave qeveritare

Krahas disa përmirësimeve, qeveritë e Kosovës kanë udhëhequr edhe politika që e kanë dëmtuar gjendjen edhe ashtu të rënduar të universitetit, pa përmendur ndërhyrjet arbitrare të grupeve të pushtetshme, të cilat kanë shkelur mbi dinjitetin e universitetit sa herë që kanë pasur interes e mundësi.

Asnjë qeveri nuk adresoi me seriozitet nevojat më themelore të universitetit: literaturën shkencore dhe kërkimet shkencore. Mirëpo, në disa aspekte, qeveria Kurti 2 e degradoi universitetin dhe rrezikon ta sjellë atë në një gjendje më të keqe se më parë. Vërehen tri politika më kryesore të qeverisë aktuale deri më sot në universitet. Heqja e tarifave të studimeve qysh në fillim të mandatit të kësaj qeverie; ulja e pagave të mësimdhënësve universitarë dhe mospagesa e mbinormave që po vazhdon si praktikë tash e katër muaj; dhe një përkrahje e papërshtatshme qeveritare e kërkimit shkencor, duke lënë krejt pas dore përkrahjen e kërkimit shkencor drejtpërdrejt në universitet.

Heqja e tarifave të studimit

Së parime heqjen e tarifave të studimeve, universitetit iu tkurr edhe ajo pak autonomi financiare që e siguronte në sajë të të hyrave nga pagesat e studentëve. Nuk ka vend për pretendime se shkollimi publik duhet të jetë falas. Politika e shkollimit falas është false. Shkollim falas nuk ka (siç nuk ka asnjë shërbim tjetër publik kaq kompleks); për të paguan dikush. Në të vërtetë, arsimimi i lartë falas vetëm e dëmton universitetin, duke e dëmtuar pavarësinë e pakët financiare që rrjedh prej pagesave të studentëve.

Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se studentëve nuk duhet t’u ofrohet mbështetje financiare nga shteti ose nga burimet e tjera. Studentëve të varfër dhe të shkëlqyeshëm mund t’u ofrohen bursa shtetërore ose mbështetje nga organizatat, korporatat dhe bizneset. Pra, bursa që do të ishin të mjaftueshme për pagesën e tarifave të studimeve dhe për shpenzimet e tjera. Të ulësh tarifat ose t’i heqësh krejt ato, në një kontekst ekonomik e arsimor në të cilën gjendet Kosova, është politikë populiste, që nenvlerëson pasojat e dëmshme të politikave të tilla në arsimin e lartë.

Një politikë e tillë e ka shtrënguar universitetin të kursejë buxhetin duke hequr ose ulur shpenzimet aty ku ka më së tepërmi nevojë. Në këtë drejtim, Universiteti i Prishtinës (UP) tash e disa vite në praktikë ka pamundësuar pagesat e mësimdhënësve për mentorim të temave të diplomës dhe të kandidatëve të programeve master. Me rregulloret përkatëse, pagesat për mentorim janë bërë praktikisht të pamundshme të realizohen. Kjo ka ulur interesimin e mësimdhënësve për punë mentorimi dhe rrezikon ta dobësojë cilësinë e mentorimit.

Universiteti duhet të kërkojë pagesë nga studentët për shërbimin që ua jep, nëse do që vërtet të ofrojë shërbim cilësor. Tjetër gjë është pastaj se ku i marrin studentët paratë për të paguar. Një qeveri vërtet miqësore ndaj studentëve do t’u gjente paratë atyre të paguajnë për studime universitare, pa dëmtuar vetë universitetin, duke pakësuar a hequr të ardhurat nga tarifat e studimit. Një qeveri që e dëmton vetë universitetin ku arsimohen studentët nuk është miqësore ndaj tyre, pasi i trajton ata si vegla për të arritur në pushtet dhe për ta forcuar pushtetin.

Deri më tani, qeveria ka ofruar bursa për studentët e shkencave natyrore, të matematikës, të inxhiniersë dhe të teknologjisë (STEM). Kjo është një përkrahje e mirëpritur në këto fusha, por që nuk përkthehet në kurrfarë ndihme financiare për universitetin. Plus që, lënia anash e studentëve të drejtimeve të tjera është e dëmshme për zhvillimin e studimeve në shkenca shoqërore e humane, në arte dhe në drejtësi. Bursat që privilegjojnë studimet STEM rrezikojnë që universiteti të orientohet pas kërkesave të tregut, duke lënë pas dore rolin e zhvillimit të mendimit, edukimit të qytetarit dhe emancipimit që duhet ta ketë universiteti.

Ulja e pagave të mësimdhënësve

Së dyti, me uljen e pagave të mësimdhënësve universitarë dhe mospagesën e mbinormave tash e katër muaj, mësimdhënësit janë varfëruar, ndërsa mësimdhënia universitare rrezikon të degradohet në profesion më pak të dëshiruar për mësimdhënësit ekzistues dhe shumë më pak të aspiruar për mësimdhënësit potencialë. Kjo politikë, sidomos në rrethana të shtrenjtimit, inflacionit dhe ngritjes së pagave për pothuajse të gjitha postet qeveritare, ka përçuar një mesazh jomiqësor, për të mos thënë armiqësor, në mesin e punonjësve të arsimit të lartë.

Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të pagave në sektorin publik në shkurt 2023, mësimdhënësit e universitetit kanë pranuar paga më të ulëta sipas ligjit në fjalë, pa kompensimin shtesë që u premtua për të arritur shumën e pagës në pajtim me kontratën që mësimdhënësit kanë nënshkruar me universitetin. Gjithashtu, ata nuk janë paguar fare për mbinormën e katër muajve të shkuar, përkundër kontratave të mbinormës të nënshkruara në fillim të vitit akademik.

Për sqarim: mbinorma është ngarkesë shtesë e asistentëve dhe profesorëve me mësimdhënie. Kjo praktikë e kursen buxhetin e universitetit, pasi në vend se të punësojë mësimdhënës të rinj, që i paguan me pagë të plotë dhe të rregullt, mësimdhënësit ekzistues ngarkohen me më shumë lëndë dhe orë dhe paguhen më pak sesa do të paguheshin mësimdhënësit e rinj. Sipas një përllogaritjeje, praktika e mbinormës kursen deri në 11 milionë euro në vit.

Kjo praktikë e mbinormës përbën eksploatim të punëtorëve të arsimit të lartë në sektorin publik me qëllim të konservatorizmit fiskal, duke qenë se universitetet pothuajse nuk kanë buxhet të tyre. Ndikimi afatgjatë i kësaj praktike eksploatuese është negativ në dy aspekte. Nga njëra anë, duke e bërë universitetin të ketë nevojë më pak për rekrutim të mësimdhënësve të rinj, e mbyll atë ndaj prurjeve të reja. Nga ana tjetër, duke shpenzuar kohën dhe energjitë në mësimdhënie në vend se në punë kërkimore, universiteti nuk do të mund të prodhojë rezultate të ndjeshme shkencore.

Një eksploatim i tillë e rrezikon cilësinë e universitetit në dy mënyra. Mënyra e parë është se e bën këtë sektor punësimi të padëshirueshëm për shumë të rinj e të reja. Kush nga të rinjtë do të punonte asistent a profesor në universitet për 752 a 1092 euro, për një profesion që kërkon së paku pesë, ose mesatarisht shtatë a tetë vite studime pasdiplomike, kur tregu, në sektorin publik dhe në atë privat, ofron mundësi pune me më pak kualifikim dhe me paga edhe më të larta?! Ndoshta vetëm një numër më i kufizuar i të rinjve: idealistë dhe ata që nuk janë gjetur mirë në tregun e punës. Mirëpo, këta janë gjithnjë e më të pakët në kontekst të hapjes së tregut të punës dhe shanseve për emigrim.

Së dyti, për shumë asistentë dhe profesorë që kanë investuar në përgatitje për profesionin e mësimdhënësit dhe kërkuesit shkencor, duke mos patur kohë a interesim të mendojnë për burime alternative a për plane B, dhe që çojnë një mënyrë jetese tipike për klasën e mesme, paga bazë mund të mos jetë e mjaftueshme. Prandaj, këta do të detyrohen të punojnë për burime shtesë të të ardhurave, e ndoshta një pjesë e tyre edhe për ta braktisur profesionin e mësimdhënies në universitet.

Mospëkrahja e kërkimit shkencor

Së treti, përkrahja e papërshtatshme qeveritare e kërkimit shkencor, duke lënë pas dore përkrahjen e drejtpërdrejtë në universitet, ka riprodhuar modelin e qeverive të mëparshme që universitetin nuk e imagjinonin dot më shumë se një shkollë të lartë që kufizohet në mësimdhënie.

Qeveria nuk ka bërë pothuajse asgjë në drejtim të mbështetjes së kërkimit shkencor, ndonëse ky ka qenë premtim i kryeministrit para dhe pas zgjdhjeve. Granti që mbështet kërkimet shkencore dhe që administrohet nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë është i papërshtatshëm. Përmes këtij granti nuk mund të paguhet stafi mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune me universitetin, as në rast kur janë udhëheqës të projektit fitues të grantit. Kjo formë e mbështetjes vështirë se i motivon për t’iu përkushtuar seriozisht projekteve kërkimore.

Viteve të fundit universiteti u është nënshtruar ndryshimeve të shumta përkitazi me kriteret e avancimit të stafit mësimdhënës në thirje akademike, por këtë proces e kanë përcjellë ndryshime të shpeshta dhe pasiguri,  as ka pasur mbështetje të duhur për plotësimin e kritereve. Për shembull, kërkohen botime në revista të indeksuara në platforma të caktuara serioze, por nuk ofrohet mbështetje për kërkime që do të ishin pikënisje ose bazë e botimeve serioze.

Për vitin 2023 janë ndarë mbi 32 milionë euro për UP-në, pjesa më e madhe e të cilave është për paga (mbi 21 milionë euro), për shpenzime kapitale (afër 5.5 milionë), për mallra dhe shërbime (mbi 3 milionë), shpenzime komunale (mbi 1 milion) dhe subvencione e transfere (afër 1.5 milion). Ligji i buxhetit i nuk e qartëson nëse një pjesë nga ky buxhet është ndarë për kërkim shkencor a botime. Sidoqoftë, ajo çfarë shpenzohet për kërkim shkencor (se për botime shkencore nuk shpenzohet fare) është një shumë qesharake për një universitet me 14 njësi akademike (fakultete), me rreth 158 programe studimore dhe mbi 900 mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune, plus mbi 400 të tjerë të angazhuar siç është UP-ja, pa përfshirë gjashtë universitetet publike më të vogla dhe institutet publike kërkimore.

Çfarë politikash i duhen universitetit?

Qeveria e tanishme ka pasur më tepër politika negative ndaj universitetit: ngritje të kritereve, forcim të standardeve, kufizim të pagave, ngarkesë me punë shtesë, moskompensim për punën shtesë. Në shumë aspekte, politikat e tilla jo vetëm që e kanë vështirësuar punën për arritjen e standardeve, por gati sa e kanë pamundësuar atë.

Sa për ilustrim, kriteret për akreditimin e programeve janë shtrënguar, në disa raste deri në shpërputhje me mundësitë reale të universitetit dhe mësimdhënësve për plotësimin e tyre. Për pasojë, në UP është ulur ndjeshëm numri i programeve të doktoratës. Përveç kësaj, duke qenë të pasinkronizuara me sistemin arsimor në rajon e më gjerë, këmbëngulja në këto kritere ka çuar në situata absurde, si për shembull ku UP-ja nuk ofron program doktorate në disa fusha, por rekruton mësimdhënës që kanë përfunduar doktoratat në ato fusha në universitete që aplikojnë kritere më pak rigoroze në akreditimin e programeve të tyre dhe që janë të ranguara më poshtë se UP-ja!

Nëse vazhdohet me politika negative, pa bërë asnjë hap domethënës në drejtim të politikave mundësuese: lehtësime dhe përkrahje konkrete dhe të përshtatshme për përmbushjen e kritereve dhe arritjen e standardeve, shkarkim nga mësimdhënia e tepërt dhe njohje e shpërblim për punën kërkimore, kompensim për punë shtesë, politika më të hapura ndaj rekrutimit të anëtarëve të rinj në stafin mësimdhënës, e të ngjashme, universitetit do t’i zihet fryma dhe asnjë ndryshim për të mirë nuk mund të presim prej tij.

Qeveria duhet të vendosë: të jetë mike e universitetit apo armike e tij; të kujtohet për punonjësit universitarë vetëm kur ka kërkesa, kritere e kufizime, apo t’ua shtrijë atyre dorën e përkrahjes dhe stimulimit; t’i takojë vetëm në anën tjetër të sportelit, apo të hyjë në lëkurën e tyre ndonjëherë!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.