Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Vlerësimi i efektivitetit të sanksioneve të BE-së kundër Kosovës

Artikulli i përkthyer

Përgjatë vitit 2023, dialogu Kosovë-Serbi dëshmoi përparime dhe tensione. Veç arritjes së Marrëveshjes së dytë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të saj, në mars, punët midis Beogradit dhe Prishtinës nuk ishin aspak të mira.

Pas bojkotit të serbëve të Kosovës dhe vendosjes së barrikadave në dhjetor të vitit 2022, Kosova hyri në vitin 2023 me tensione tashmë të ndezura. Këto tensione u përshkallëzuan tutje pas organizimit të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan kryesisht nga serbët lokalë, me një pjesëmarrje prej më pak se 4%, duke vënë kësisoj në dyshim legjitimitetin e rezultateve zgjedhore.

Kjo gjendje pastaj kulmoi në maj, kur protestat në veri u bënë të dhunshme, duke nxitur dislokimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, thirrjet për depërshkallëzim nga komuniteti ndërkombëtar u injoruan, duke çuar kështu në tensione ende më të mëdha.

Në korrik, xhandarmëria serbe arrestoi tre oficerë të Policisë së Kosovës në kufi, gjë e cila i përkeqësoi edhe më shumë tensionet.

Krejt në fund, incidenti në Banjskë përfundimisht i çoi tensionet drejt një pike kritike, duke i sjellë vendet në prag të konfliktit ushtarak. Për ta kapërcyer ngërçin, BE-ja propozoi një plan depërshkallëzimi, i cili përfshinte tërheqjen e plotë të njësive speciale policore nga veriu i Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të reja lokale dhe krijimin e Asociacionit/Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Megjithëkëtë, Kosova e hodhi poshtë planin e BE-së për depërshkallëzim dhe në vend të kësaj prezantoi planin e vet për depërshkallëzim, i cili ishte dukshëm më i ndryshëm nga ai që propozoi BE-ja.

Në planin e tij pesëpikësh, Kurti propozoi këto masa: identifikimi dhe ndjekja e grupeve kriminale në veri; tërheqja e grupeve kriminale nga Kosova në Serbi; vlerësimi i përbashkët i sigurisë i Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it; si dhe zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat veriore.

Në këtë valë problemesh dhe tensionesh, në qershor të vitit 2023, BE-ja vendosi të miratojë sanksione (masa kufizuese) kundër Qeverisë së Kosovës për të parën herë në histori. Masat e miratuara unanimisht nga BE-ja përfshinin pezullimin e vizitave, kontakteve dhe ngjarjeve të nivelit të lartë, si dhe bashkëpunimin financiar.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nënvizoi se këto masa janë të përkohshme dhe të kthyeshme, varësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Në vitin 2024, masat kufizuese kundër Kosovës janë ende në fuqi, ndërkohë që tensionet janë ende të ndezura. Megjithatë, këto sanksione nuk po zbatohen siç duhet nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efikasitetin dhe suksesin e politikës së saj të presionit dhe besueshmërinë e BE-së.

Shkeljet e kufizimeve të vizitave të nivelit të lartë

Nisur nga kufizimet për vizitat, ngjarjet dhe kontaktet e nivelit të lartë, një ekzaminim më i afërt zbulon shkelje të shumta nga krerët e shteteve dhe qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

Për shembull, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz në qershor dhe vizitoi presidentin kroat Zoran Milanovic, në tetor 2023. Gjithashtu, presidentja Osmani priti në Prishtinë presidentin e Bullgarisë, Ruman Radev, dhe u ftua në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Për më tepër, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në takimet e organizuara nga Greqia në gusht dhe në samitin BE-Ballkani Perëndimor, organizuar nga Shqipëria në tetor 2023. Ai po ashtu u takua me kancelarin Scholz, në dhjetor 2023.

Rasti i vetëm kur BE-ja zbatoi masat e saj lidhur me takimet e nivelit të lartë ishte në raport me politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Rashiqi qe viktima e parë e masave kufizuese kur BE-ja anuloi disa takime me të në Bruksel, në qershor 2023.

Zbatimi i njëanshëm i sanksioneve dhe rregullave është diskriminues dhe jodemokratik, veçanërisht kur ato zbatohen në mënyrë selektive kundër përfaqësuesve të pakicave.

Ndikimi i limituar i kufizimeve në bashkëpunimin financiar

Kufizimet e bashkëpunimit financiar të BE-së përqendrohen në ndalimin e financimit për projekte specifike të gjelbra në Kosovë, sikundër janë për shembull trajtimi i ujërave të zeza dhe projektet e termocentraleve diellore dhe termike, që synojnë të forcojnë përpjekjet e Kosovës për dekarbonizim.

Vendimi i BE-së për të ngrirë mbështetjen financiare për mbrojtjen e mjedisit është kundërproduktiv, ngadalëson tranzicionin e gjelbër dhe prek drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës. Për më tepër, kjo nuk ka kurrfarë lidhjesh me tensionet në veri dhe dialogun.

Përveç këtyre, nuk ka asnjë informacion se BE-ja ka bllokuar apo ndërprerë ndonjë mbështetje tjetër financiare, as nga Plani i saj Ekonomik dhe Investiv, dhe as nga Instrumenti i Para-Aderimit (IPA). Përkundrazi, Komisioni ka shpallur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Duke u thelluar në masat financiare, mund të shihet se shuma e fondeve të ngrira për Kosovën është 24 milionë euro, që përbën vetëm një pjesë të vogël të asaj që Kosova merr nga IPA. Për krahasim, në kuadër të programit IPA II (2014-2020), Kosova ka marrë më shumë se 600 milionë euro.

Rezultatet kundërproduktive dhe humbja e besueshmërisë

Vendosja e masave kufizuese ndaj Kosovës, jo vetëm që rezultoi në shpërfilljen e plotë të tyre nga Qeveria e Kosovës, por gjithashtu u dëshmua të jetë edhe kundërproduktive.

Nuk është se pala kosovare nuk e respektoi planin e depëshkallëzimit; përkundrazi, pala serbe i përkeqësoi tensionet (incidenti i Banjskës) sepse me gjasë nuk perceptoi fare pasojat e mosrespektimit. Rrjedhimisht, BE-ja përfundoi duke humbur besueshmërinë në negociata dhe procesin e normalizimit, duke kontribuuar kësisoj në rritjen e paqëndrueshmërisë.

Kjo ngjau sepse, në radhë të parë, politika e presionit dhe sanksionimit e BE-së ishte e gabuar. BE-ja u detyrua ta ndiqte këtë politikë pasi nuk ishte në gjendje të garantonte ndonjë përfitim në aspektin e procesit të besueshëm të anëtarësimit për Serbinë dhe Kosovën. BE-ja do të vazhdojë të jetë e pasuksesshme përderisa perspektiva për anëtarësim në BE bëhet e besueshme dhe e arritshme për të dyja palët.

Sinjalet e përziera

Duke shkelur masat kufizuese kundër Kosovës, vendet anëtare të BE-së i kanë dërguar disa mesazhe të rëndësishme lidershipit politik të Kosovës: a) këto masa nuk janë serioze; b) shtetet anëtare nuk i mbështesin ato plotësisht; c) nuk ka pasoja të rënda për shkeljen e masave.

Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës hezitoi të bashkëpunonte me BE-në, duke dështuar kësisoj në zbatimin e planit të BE-së për depërshkallëzim (për shembull, organizimi i zgjedhjeve të reja lokale dhe largimi i njësive speciale policore), si dhe në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – veçanërisht themelimin e AKS-së.

Një zhvillim tjetër domethënës ishte liberalizimi i vizave për Kosovën, që hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe që i kontribuoi ende më shumë gjuhës së sinjaleve të përziera.

Mbetet të shihet nëse kufizimet e BE-së për Kosovën do të zbatohen në vitin 2024 dhe nëse Qeveria e Kosovës do ta ndryshojë kursin e saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.