Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Votimi nga jashtë vendit: A po neglizhohet rëndësia e diasporës?

Votimi nga jashtë vendit është i garantuar me ligjin për zgjedhjet e Republikës së Kosovës, megjithatë, fushatat e subjekteve politike dhe programet e tyre kryesisht janë të fokusuara për të “joshur” qytetarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, më pak vëmendje u kushtohet qytetarëve të cilët jetojnë në shtete tjera, apo ndryshe të njohur si “diaspora”.

Neglizhenca kundrejt një trupi elektoral potencialisht mjaft domethënëse nuk mund të arsyetohet. Në anën tjetër, kjo mund të vlerësohet edhe si mosmirënjohje për  angazhimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm ndër dekada për lirinë, ngritjen e institucioneve dhe shtetësisë së Kosovës. Mostrajtimi për një kohë të gjatë i problematikave që janë të lidhura me votimin jashtë vendit, nuk mund të kuptohen ndryshe.

Meqenëse procesi i votimit nga jashtë vendit, në vetvete është mjaft kompleks, kjo edhe shtron nevojën për procedura më të thjeshta, të qarta dhe efikase. Pasi që procedurat aktuale nuk janë janë aq shumë të qarta dhe lejojnë mundësinë e manipulimeve të ndryshme.

Sfidat e votimit dhe pasojat

Ani pse shteti ynë nuk ka një mekanizëm kontrollues për të matur saktë numrin e shtetasve, të cilët jetojnë jashtë vendit, burime të ndryshme tregojnë se ky numër mund të jetë 400.000 deri 600.000 qytetarë. Numër ky i cili është jashtëzakonisht i madh në krahasim me numrin e aplikimeve për të votuar dhe numrin e votuesve të cilëve u aprovohet aplikacioni për votim. Përveç mos interesimit të këtyre qytetarëve për të votuar arsye mjaft e fortë mund të jenë edhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata në procesin zgjedhor, e që për banorët e Kosovës është mjaft e thjeshtë në aspektin procedural dhe pa kosto financiare.

Ndër sfidat me të cilat ballafaqohen votuesit nga jashtë vendit, të identifikuara edhe nga një hulumtim i Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D) janë: afati i shkurtër për aplikim/regjistrim, procedurat e aplikimit/votimit, kostoja e aplikimit, mungesa e njohurive për procedurat e votimit, targetimi i dobët i qytetarëve jashtë vendit, përfaqësimi i dobët i interesave të diasporës, mungesa e njohurive për të drejtat zgjedhore si dhe mungesa e dokumenteve të identifikimit. Si rezultat i këtyre pengesave duhet me doemos të bëhen fushata vetëdijesuese më të mëdha rreth informimit për procesin e votimit, të zgjaten afatet për aplikim si dhe për ankesa, të definohen qartë dokumentet me të cilat lejohet votimi, përveç votimit me postë si formë e vetme e aplikueshme momentalisht të mundësohet edhe votimi fizik në misione diplomatike. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej numri i aplikacioneve të parregullta si dhe do të  uleshin shpenzimet.

Me gjithë sfidat me të cilat përballet votuesi jashtë Kosovës, numri i votave të pranuara nga jashtë vendit nuk janë të pakta. Kjo praktikë e pjesëmarrjes në zgjedhje ka qenë herë më e lartë, e herë ka mbetur në kuota minimale. Numri më i madh i aplikacioneve nga jashtë vendit ka qenë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ku numri i aplikacioneve të pranuara ishte 41.168, për dallim nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 ku ishin vetëm 1.806 aplikacione. Numri kaq i lartë i aplikimeve për votim nga jashtë, në vitin 2013 ishte si rezultat i përfshirjes, apo më saktë, i thirrjes nga ana e Serbisë ndaj komunitetit serb në katër komunat veriore për pjesëmarrje në zgjedhje lokale të Kosovës. OSBE-ja, që në ato zgjedhje ishte angazhuar që të ndihmojë procesin zgjedhor në komunat veriore të Kosovës, nga pikat grumbulluese në Mal të Zi dhe Serbi, kishte sjellë rreth 40 mijë aplikacione për votim nga jashtë Kosovës.

Ndërsa në vitin 2017, në zgjedhjet nacionale janë pranuar gjithsej 20,354 aplikacione, numër ky i cili është zvogëluar në zgjedhjet lokale po këtë vit në 11,815 aplikacione.  Ndër to vlen të përmendet se numri më i madh në zgjedhjet nacionale ishin aplikimet e pranuara nga shteti i Zvicrës me 5,432 aplikime, duke u pasuar nga aplikimet nga Serbia me 4,395 aplikime. Kurse në zgjedhjet lokale këto dy shtete bëjnë ndërrimin e pozicioneve, duke u renditur Serbia si shteti me më së shumti aplikacione 4,076, ndërsa Zvicra me 2,361 të tilla.

Duke parë një trend të tillë, të një lloj ngritjeje dhe rënieje madje edhe të dyshimtë të aplikimeve nga jashtë vendit, politikëbërësit dhe udhëheqësit e Komisionit Qendror Zgjedhor duhet që të kenë një strategji dhe plan veprues, që do t’i motivonte votuesit nga jashtë vendit, por njëkohësisht do të siguronte  procedurat e sakta verifikuese në mënyrë që të pamundësoheshin keqpërdorimet qoftë edhe në raste individuale.

Megjithëse numri i aplikacioneve të pranuara në KQZ është i madh, jo gjithmonë aplikacionet janë të suksesshme, qoftë edhe për faktin e mosdërgimit të aplikacionit në afatin e paraparë nga KQZ. Kështu numri i aplikimeve të aprovuara është më i vogël se sa i atyre të pranuara. Në zgjedhjet nacionale të vitit 2017 nga 20,354 aplikacione vetëm 15,118 kanë rezultuar të jenë të suksesshme duke u aprovuar, ndërsa në ato lokale nga 11,815 kemi pasur 10,487 aplikacione të pranuara.

Duke parë këta numra por edhe ankesat e vazhdueshme të votuesve nga diaspora, vërejmë një nevojë të theksuar për ndryshim të ligjit për zgjedhje, specifikisht për këtë pjesë por edhe në tërësi për një reformë zgjedhore. Gjatë vitit 2018, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës mori një iniciativë duke formuar grupin punues bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile. Ky grup punues tentoi të përfshijë disa ndryshime dhe pjesë shtesë të cilat do t’i mundësonin diasporës një votim më të thjeshtësuar dhe ligj i cili nuk do të cenonte të drejtat e tyre. Por, me gjithë dëshirën për ndryshime më të detajuara, kufizimi ishte i vazhdueshëm për shkak të nevojës për përputhshmëri disa nene të caktuara të ligjit për zgjedhje të cilat janë  aktualisht në fuqi. Ky projektligj vazhdon të mbetet pezull deri në momentin kur të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe votim, e që akoma nuk dihet nëse deputetët do të kenë disponimin për ta çuar tutje.

Inkuadrimi i diasporës në procesin e votimit nga shumica dërrmuese vlerësohet si pozitiv, por ka të atillë të cilët argumentojnë dhe mbajnë qëndrime të kundërta me këtë. Madje jepen arsyetime se kjo kategori nuk është aq e prekur nga politika e vendit në krahasim me qytetarët rezidentë të Republikës së Kosovës, andaj nuk duhet të ndikojnë apo të marrin vendime sa i përket qeverisjes në vend. Por, në anën tjetër, mbështetësit e diasporës vlerësojnë fuqishëm kontributin e diasporës qoftë në inkuadrimin në jetën ekonomike apo politike në vend, investimet kapitale si dhe shumën enorme të remitencave, e cila vetëm gjatë vitit 2017, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, arriti vlerën e 759.2 milionë euro.

Manipulimet dhe parregullsitë

Vend për manipulime ekzistojnë edhe në votimin me postë, ku rasti më i freskët në memorien institucionale të KQZ, qëndron me votat në komunën e Istogut në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Istogu ishte komuna me numrin më të madh të votave me postë dhe njëkohësisht komuna më problematike. Në këto zgjedhje në garën për kryetar të komunës, në raundin e parë ishin 1,414 vota me postë në Istog, duke pasuar me Klinën me 434 vota. Po ashtu në balotazh nga 19 komuna sa ishin garuese, Istogu mori 1,356 vota me postë, nga 2,330 sa ishin gjithsej për komuna. Si pasojë e parregullsive KQZ vendosi të ridërgojë Komunën e Istogut në rivotim, në mënyrë që të verifikojnë identitetin e votuesve nga jashtë Kosova. Vetëm 85 nga 1,587 votues e konfirmuan statusin e tyre si votues nga jashtë Kosova, ndërsa 1,467 votues të tjerë u rikthyen përsëri në listën përfundimtare të votuesve në Komunën e Istogut. Kjo flet shumë për sistemin aktual të votave me postë i cili mbi të gjitha nuk është shumë i sigurt dhe lehtë i manipulueshëm. Ani pse KQZ arriti të identifikojë parregullsitë në raundin e parë në Istog, lëshimet e tilla sigurisht që shkaktojnë shpenzime materiale dhe kohore të vazhdueshme.

Votat e diasporës kundrejt trendeve zgjedhore

Votimi nga diaspora mund të luajë një rol substancial dhe vendimtar për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, kjo sidomos në balotazh kur edhe një votë e vetme ka rëndësi. Në rast se rritet numri i votave me postë rrjedhimisht mund të ndryshojnë edhe trendet zgjedhore në vend dhe në konfiguracionin politik. Votat e diasporës mund të jenë përcaktuese në kompozicionin qeverisës, gjë e cila mund ta ndryshojë skenarin e “lojës” nga brenda-jashtë. Kjo do të ishte shtysë edhe më e madhe që subjektet politike të bëjnë përfaqësim më të fuqishëm të interesave të diasporës si dhe të ketë një targetim më të madh të votuesve jashtë vendit.

Marrë parasysh ndikimin e madh që ka diaspora në vend por edhe kontributin e tyre në aspektin socio-ekonomik është e domosdoshme që të ofrohen kushte të përshtatshme për votim nga jashtë Kosovës. Po ashtu, është e rëndësishme që diaspora të jetë e përfshirë për gjatë gjithë ciklit të procesit zgjedhor. Mohimi i të drejtës për të votuar do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe një mori të ligjeve me të cilat garantohet e drejta për votim për diasporën.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.