Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Zgjedhjet e PDK-së

Përse nuk kanë plotësisht të drejtë politikanët e zgjedhur kosovarë kur përmendin votat e fituara në zgjedhje si konfirmim të legjitimitetit të tyre çfarë mund të mësojë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nga praktikat e jashtme dhe Vetëvendosja (VV)? Përse është në interes të publikut të flasim për zgjedhjet në PDK?

Gjersa votonin e fjaloseshin për Presidentin e ri të Kosovës, më 26 shkurt, deputetja Ganimete Musliu e PDK-së ia numronte deputetit Rexhep Selimi të VV-së votat e pakta që ai kishte fituar në Prekaz dhe Açarevë. Njësoj, në përballje me protestat e opozitës, Kreministri Isa Mustafa ka deklaruar disa herë se për të mbërritur në pushtet, partive politike u duhen votat. Etj, etj.

Kështu, votat në zgjedhje të organizuara nga shteti përmenden shpesh nga politikanët në pushtet si konfirmim për legjitimitetin e tyre. Mirëpo, pushtetarët nuk kanë plotësisht të drejtë në këtë argument, edhe duke lënë mënjanë kualitetin e qeverisjes së tyre.

Pse?

Sepse ata fillimisht na vijnë të zgjedhur nga elita.

Shembulli më ilustrues janë liderët kryesorë të çerekshekullit të fundit, Ibrahim Rugova e Hashim Thaçi. Rugova kishte ardhur në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si përzgjedhje e një grupi shkrimtarësh të njohur të kohës më 1989, ashtu siç ishte përzgjedhur Thaçi nga një grup luftëtarësh për ta përfaqësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Rambuje, një dekadë më vonë, më 1999.

Më e rëndësishme është se parapërzgjedhja nga elita ndodh me të gjithë kandidatët që garojnë për pushtet në Kosovë (duke përjashtuar Vetëvendosjen tash e tutje) përpara se ata të kalojnë në votime popullore ditën e zgjedhjeve.

Kjo parapërzgjedhje bëhet përmes zgjedhjeve brendapartiake.

Shumica e partive kosovare, përfshi LDK-në e PDK-në, aplikojnë modelin e votimit të anëtarëve të tyre në nivelin më të ulët duke zgjedhur përfaqësues lagjesh e fshatrash, e këta më pas zgjedhin nivelin komunal, dhe prej aty duke u përfaqësuar në një asamble të përgjithshme që zgjedh organet qëndrore. Koncepti është i njëjtë me dallime të vogla.

Problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve është kontrollueshmëria e lartë e rezultateve nga establishmeti partiak. Prandaj, nuk kanë ndodhur reforma serioze në partitë politike të Kosovës. Prandaj, nuk do mend që Kadri Veseli mund të “zgjidhet” kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e saj të paralajmëruara.

Kështu që, kur dalim të votojmë në zgjedhjet e organizuara nga shteti, ne zgjedhim vetëm nga lista e ofruar nga elita (p. sh. kryetari i një partie të madhe është tek ne zakonisht edhe kandidati për kryeministër). Ama, a do të kishte qenë Isa Mustafa kandidati i elektoratit të LDK-së për Kryeministër të Kosovës po t’i jepej shansi të votonte për këtë, apo a është Kadri Veseli kandidati i elektoratit të PDK-së, Visar Imeri (në kushte gare) i VV-së? Etj. Nuk e kemi provuar.

Praktika tjera

Funksionimi i brendshëm jodemokratik i partive kryesore politike të Kosovës, në shërbim të elitave të tyre, është ndër shkaktarët kryesorë të krizës së sotme politike dhe të përfaqësimit.

Rrugëdalja prej kësaj krize është është forcimi i alternativave politike si dhe reforma brenda partive të mëdha. Reforma mund të nisë vetëm duke i bërë zgjedhjet e brendshme më demokratike dhe më transparente.

Kështu Partia Demokratike e Kosovës, gjersa përgatitet për zgjedhje, duhet të mësojë nga praktika të mira të partive tjera.

Së pari, ajo duhet të mësojë deri diku nga Vetëvendosja, e cila organizoi zgjedhjet e saj direkte për Visar Imerin kryetar të partisë, më 2015. Ndonëse bëhej fjalë vetëm për një kandidat, edhe këtu të propozuar nga elita, VV është partia e parë që ka votuar njëherësh në nivel vendi për liderin e saj dhe ku secili anëtar i lëvizjes kishte votë të barasvefshme.

Në vende tjera, si në votimet aktuale për kandidatë presidencialë të partive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në zgjedhjet e fundit të pasreformës të Partisë Laburistë në Britaninë e Madhe, secili anëtar i partisë mund të votojë nga lista e kandidatëve të nominuar. Në rastin e Partisë Laburiste, edhe anëtarët e organizatave të ndërlidhura ose të afërta mund të votojnë, por elita ende ka fuqi kryesore sa i takon nominimeve pasi deputetët e partisë në Parlament i nominojnë kandidatët.

Presidenti aktual i Francës, ka dalë fillimisht nga gara e brendshme e partisë socialiste franceze gjatë së cilës jo vetëm ka pasur një numër kandidatësh (të cilët kishin afatin e qartë për regjistrim), por në to kanë mundur të votojnë anëtarët e kësaj partie dhe gjithë të majtët, anëtarët e organizatave të afërta dhe madje të gjithë votuesit e regjistruar në Francë.

Meqë edhe është folur për kontakte specifike të elitës së PDK-së me zyrtarë të dikurshëm francezë, ndoshta ajo mund të përfitojë më shumë duke e aplikuar modelin e Partisë Socialiste të Francës në zgjedhjet e saj. Madje, mund të marrin edhe ndonjë OJQ me përvojë dhe besueshmëri në përcjelljen e zgjedhjeve për t’i organizuar kutitë dhe numërimin e votimeve.

Për kujdes nuancash (nga ang. primaries, party elections), zakonisht zgjedhjet e brendshme partiake në Kosovë përcaktojnë listat e kandidatëve të partive për poste institiucionale, pradaj zgjedhjet e brendshme dhe kandidimet janë e njëjta gjë.

Duhet gjithashtu të ceket se modeli i zgjedhjeve që aktualisht aplikojnë PDK-ja, LDK-ja dhe shumica e partive kosovare aplikohet në rajon dhe pjesën më të madhe të Europës. Por, përderisa ne i ngjajmë një numri vendesh në rajon për nga cilësia e dobët e qeverisjes, dallojmë me shumë shtete europiane sa i takon pjesëmarrjes dhe kulturës politike – andaj vendi do të përfitonte nga demokratizimi i partive dhe forcimi i përfaqësimit.

Interesi publik

Zgjedhjet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) janë në interes të publikut, pavarësisht se ku do të çojë kriza aktuale politike, për shkak se ajo është partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare më 2014 me 222,181 vota ose 30.38 % të votave të përgjithshme.

Fuqia e saj në terren – në biznes dhe administratën shtetërore – është edhe më e madhe.

Përderisa lloji dhe kualiteti i qeverisjes së saj ka qenë në qendër të kritikave shpesh vitet e fundit, ajo qartësisht përfaqëson një pjesë të elektoratit kosovar.

Nga zgjedhjet e saj të brendshme, prandaj, mund të dalin bartës institucionesh nesër.

Mbetet të shihen zgjedhjet që do të bëjë PDK-ja. Pra, a do të organizojë zgjedhje të mirëfillta, demokratike, apo jo.

Gjasat janë të vogla për zgjedhje demokratike. Edhe më të vogla, gjasat e reformës së saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.