Përgatiti: Fitim Gashi
Zgjedhjet e 9 shkurtit mund të shënojnë një pikë kthese për komunitetin serb në Kosovë. Ende pa hyrë zyrtarisht në fushatën elektorale, narrativat kryesore që po proklamohen, paralajmërojnë një garë e cila po shndërrohet gjithnjë e më shumë në betejë identitare ku vihen në dukje përplasjet për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë.
Narrativat që etiketojnë kundërshtarët politikë si “tradhtarë” ose “bashkëpunëtorë” të institucioneve të Kosovës, mund të çojnë në polarizim dhe përçarje brenda komunitetit.
Lista Serbe, e cila vendosi t’i kthehet garës zgjedhore pas bojkotit institucional të viteve të fundit, vazhdon të artikulojë narrativën që e portretizon veten si të vetmen forcë politike që garanton mbijetesën e komunitetit serb. Përmes kësaj retorike, tentohet të mobilizohen votuesit duke krijuar një ndjenjë rreziku të përhershëm nga institucionet e Kosovës dhe duke e lidhur mbijetesën e serbëve me mbështetjen për subjektin i cili përkrahet nga Beogradi zyrtar. Nga ana tjetër, partitë opozitare, si Demokracia Serbe dhe politikanë të tjerë që kanë vendosur ta sfidojnë Listën Serbe, e paraqesin këtë të fundit si një forcë politike të korruptuar e të distancuar nga interesat dhe problemet reale të komunitetit serb. Këto parti akuzojnë Listën Serbe për manipulim politik, frikësim të qytetarëve dhe lidhje të ngushta me Beogradin. Ata argumentojnë se ky kontroll centralist i ka çuar serbët në izolim dhe mungesë përfaqësimi, duke iu referuar faktit se komunat në veri qeverisen nga kryetarë shqiptarë që nuk e përfaqësojnë shumicën.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një intervistë për “Prva TV”, pjesë të së cilës u shpërndanë edhe nga media lokale në veri, ka deklaruar se është e rëndësishme që Lista Serbe të fitojë të gjitha 10 vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, “sepse, në të kundërtën, do të zhbëhet forca e serbëve në parlament dhe do të ketë spastrim përfundimtar etnik të serbëve”. Sipas tij, madje, ka serbë në Prishtinë që punojnë kundër interesave të popullit serb.
as a “Nëse do t’i humbnim ato 10 mandate, ne do të zvogëlonim forcën e popullit serb në parlament dhe do t’u mundësonim mbajtësve të ardhshëm të pushtetit në Prishtinë që të zgjedhin serbët që janë të përshtatshëm për ta, siç bënë disa vite më parë”, tha Simiqi.
Ai shkoi më larg duke pretenduar se nëse nuk i marrin 10 ulëset e Kuvendit, “Kosovës do t’i mundësohet bashkimi me Shqipërinë, do t’u merren manastiret mesjetare serbe, do të ketë ndryshim të zonave të mbrojtura, si dhe do të shfuqizohet gjuha serbe e të drejtat e tjera”.
Simiqi nuk ofron asnjë dëshmi të qartë për këto ndryshime të pretenduara dhe më shumë duket si një tentativë për të manipuluar elektoratin përmes frikës dhe pasigurisë për të ardhmen e tyre në Kosovë.
Ndaj deklaratave të Simiqit reagoi ashpër lideri i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq, duke i cilësuar frikësuese dhe shantazhuese.
as a “Nuk mjafton që Kurti dhe ekstremistët shqiptarë po na kërcënojnë me spastrim etnik dhe tani me të njëjtën ka filluar të na kërcënojë edhe Igor Simiqi”, tha Arsenijeviq, i cili muajt e fundit u arrestua disa herë nga Policia e Kosovës për shkak se iu fishkëlleu zyrtarëve të Qeverisë që shkonin në veri, si dhe protestoi kundër mbylljes së zyrave ilegale serbe.
Arsenijeviqi e ripublikoi një video të para disa muajve, ku ishte përplasur zyrtari i partisë së tij, Stefan Veljkoviq, me Igor Simiqin. Aty shihet se derisa Veljkoviqi i kërkon sqarime se pse i lanë serbët pa përfaqësim në veri, Simiq e shtyn dhe e quan “narkoman”.
Arsenijeviqi ka përmendur planet që Lista Serbe ka për komunitetin në veri nëse i humbin zgjedhjet.
“Dhe një pyetje tjetër për Igor Simiqin: a po i kërcënoni njerëzit se qeveria serbe ka përgatitur qendra kolektive në të gjithë Serbinë qendrore nëse nuk i fitoni të gjitha mandatet? A është e mundur që Beogradi po planifikon vërtet të ndëshkojë njerëzit e vet, siç pretendoni ju? Dëshironi një mandat tjetër për të heshtur edhe më shumë, ndërsa Prishtina na shtrydh në geto? Mos kërcënoni dhe trembni njerëzit, o njeri i turpshëm”, ka shkruar Arsenijeviqi.
Në këtë përplasje u përfshinë edhe të figura të tjera, si Nebojsha Miliq i Partisë së Drejtësisë, i cili tha se serbët nuk kanë më frikë nga kërcënimet e Listës Serbe.
as a “Njerëzit janë zgjuar, njerëzit nuk kanë më frikë nga kërcënimet tuaja…Ju vodhët gjithçka që mundët, e shitët edhe atë! Shkoni në Beograd, atje ku secili prej jush ka apartament, në emër të gruas, hallës, fëmijëve. Lërini njerëzit të luftojnë për një jetë të denjë pa juve dhe haraçin tuaj”, ka shkruar Miliqi.
Aktualisht, pjesë e Qeverisë së Kosovës nga komuniteti serb është Nenad Rashiqi, ministër për Komunitete dhe Kthim, i cili në vazhdimësi ka pasur përplasje me Listën Serbe. Por, së fundi, ai u akuzua edhe nga ish-bashkëpartiakë se po përdor metoda të ngjashme me ato të Listës Serbe. Dyshimet i ngriti ish-zëvendësministri për Komunitetet dhe Kthim, Radoica Radomoiroviq. Veç pozitës qeveritare, ai ka dhënë dorëheqje edhe nga partia Iniciativa për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, që drejtohet nga Nenad Rashiqi. Radomiroviqi ka paralajmëruar publikimin e videove “që dëshmojnë frikësimet, shantazhet dhe parregullsitë në Komunën e Leposaviqit, përkatësisht kryesuesit të Kuvendit Komunal, Gorski Buriq”.
“Komuna e Leposaviqit ka pushuar nga puna 17 punëtorë, të cilëve nuk u është paguar rroga; në bazë të filmimeve do të konstatoni se kanë humbur punën vetëm pse akuzohen si bashkëpunëtorë të mi të ngushtë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Një tjetër dimension i narrativave lidhet me përpjekjet për ta fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare se cili grupim politik i përfaqëson më së miri interesat e serbëve.
Akuzat e ndërsjella paralajmërojnë për një ambient zgjedhor të polarizuar dhe të ndarë.
Nëse këto narrativa vazhdojnë të intensifikohen, retorika mund të përshkallëzohet, duke rritur tensionet ndëretnike dhe duke thelluar polarizimin brenda komunitetit serb në veri, rajon që karakterizohet nga pasiguria dhe tensionet politike.
Ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten, rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 do të ketë ndikim jo vetëm për përfaqësimin politik të serbëve, por edhe për stabilitetin e përgjithshëm në veri. Kjo situatë kërkon angazhim dhe vëmendje të shtuar nga institucionet e Kosovës, për të shmangur çfarëdo incidenti, dhe nga komuniteti ndërkombëtar, që të sigurohet se gara zgjedhore do të jetë demokratike dhe e lirë.
Në të kaluarën, ambientin zgjedhor në veri e ka karakterizuar klima e tensionuar dhe shpesh frikësuese për kandidatët që guxuan ta sfidojnë Listën Serbe. Edhe raportet ndërkombëtare kanë evidentuar se zgjedhjet janë shoqëruar me presione ndaj kundërshtarëve të Listës Serbe, me qytetarë që janë frikësuar të mbështesin partitë e tjera, për shkak të lidhjeve të thella të Listës Serbe me autoritetet në Beograd. Lista Serbe në zgjedhjet e kaluara i siguroi të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Kjo i dha kontroll të fuqishëm mbi përfaqësimin e serbëve në institucione qendrore, edhe pse gjatë legjislaturës së fundit ata u paraqitën në seanca plenare vetëm kur u duhej rikonfirmimi i mandateve.
Ndër arsyet kryesore të dominimit të saj ishte mbështetja e fuqishme politike dhe financiare nga Serbia, si dhe kontrolli që ajo ushtronte mbi pjesën më të madhe të strukturave serbe në veri, që për Kosovën janë ilegale. Prandaj, rezultati i zgjedhjeve të reja do të jetë një test për ndikimin e Beogradit mbi politikën lokale dhe për aftësinë e partive rivale që ta sfidojnë një strukturë të konsoliduar si Lista Serbe.
Zgjedhjet e ardhshme janë edhe një provë për të vlerësuar ndikimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia. Si zgjedhjet qendrore në fillim të vitit, ashtu edhe ato lokale që planifikohen në fund të vitit të ardhshëm, do të tregojnë nëse këto struktura kanë ruajtur fuqinë dhe nëse masat e ndërmarra kanë goditur efektivisht ndikimin e tyre.