Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Polemika mbi luftën hibride pas publikimit të audio-incizimit mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit

*Prepared by: Fitim Gashi

Publikimi i një audio-incizimi nga “Paparaci” mes shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiqit, që për shumë vite ishte figura kryesore në veri e lidhur me krimin dhe korrupsionin, ka nxitur polemika dhe përplasje. Audio-incizimi daton nga qershori i vitit 2022, periudhë kjo kur Radoiçiqi ishte në kërkim nga organet ndjekëse të Kosovës, për shkak të dyshimeve se ka gisht në vrasjen e ish-politikanit të njohur serb, Oliver Ivanoviq. Në bisedën që fillimisht nis mes Kusari-Lilës dhe-ish shefit të deputetëve të Listës Serbe, Slavko Simiq, ky i fundit e përfshin edhe Milan Radoiçiqin, i cili atë kohë ishte në arrati. Diskutimet bëhen për çështje politike, përfshirë votimin e Ligjit për Pagën Minimale, që ishte kundërshtuar gjerësisht nga opozita, dhe emërimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

Vetë Kusari-Lila mohoi pazaret potenciale mes Listën Serbe, duke i quajtur audio-incizimet të manipuluara përmes Inteligjencës Artificiale dhe pjesë të një fushate shpifëse ndaj saj. Sipas saj, biseda u bë për shkak të rrymës në veri, ku “Milan Radoiçiqi në mënyrë të njëanshme ofroi gatishmëri për të garantuar siguri për zyrtarët e KOSTT-it, të cilët do të zhvillonin takim me homologët e “Elektroseverit” në trafo-stacionin në Vallaq”. Kjo ka qenë hera e vetme që ajo thotë se ka komunikuar me të.

Kryeministri Albin Kurti nuk u mor me faktin se Kusari-Lila ka biseduar me Radoiçiqin, derisa i njëjti po ndiqej nga organet e Kosovës. Ai e mbrojti shefen e deputetëve të LVV-së, duke thënë se publikimi i këtyre incizimeve është pjesë e luftës hibride kundër Kosovës, me synimin për të destabilizuar qeverinë e udhëhequr prej tij. Për partinë në pushtet, krejt kjo është një fushatë dezinformimi dhe propagandë edhe ndaj përpjekjeve për ta shtrirë sundimin e ligjit dhe sovranitetin në gjithë vendin.

Lufta hibride bëhet përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike, propagandës dhe mjeteve të tjera, me qëllimin për ta destabilizuar një shtet, për të nxitur përçarje dhe minuar institucionet demokratike, që mund të shfaqet veçanërisht në kohë tensionesh.

Në rastin e fundit, vetë protagonistja Kusari-Lila nuk e ka mohuar ekzistencën e bisedës, por tha se ka pjesë që janë manipuluar, ose të nxjerra nga konteksti. Nëse ato janë të manipuluara, u takon organeve përkatëse të drejtësisë ta verifikojnë, ku tashmë Kusari-Lila ka deponuar rastin. Meqë incizimet përfshijnë diskutime të vërteta, edhe nëse interpretohen ndryshe, atëherë nuk bëhet fjalë për dezinformim klasik që karakterizon luftën hibride.

Aspekt tjetër i rëndësishëm është se incizimet, të cilat janë publikuar edhe në të kaluarën nga mediat, kanë rëndësi për transparencën, veçanërisht kur përfshihen politikanë dhe përmenden çështje që prekin interesin e publikut. Nxjerrja e incizimeve mund të konsiderohet si ekspozim i vendimeve të diskutueshme politike; në të kaluarën, punësimet partiake ose emërimi i gjyqtarëve, e tash diskutimi i Ligjit për Pagën Minimale dhe emërimin e një gjyqtari të Kushtetueses.

Shpërfaqja e parregullsive dhe skandaleve përmes audio-incizimeve është një nga format që aplikohen në vendet që pretendojnë se janë demokraci dhe nuk mund të konsiderohen domosdoshmërisht akte që destabilizojnë vendin, edhe në rastet kur publikimi i tyre e dëmton reputacionin e politikanëve ose partive.

Kjo nuk përbën domosdoshmërisht një luftë hibride.

Opinioni publik duhet të informohet për veprimet e vendimmarrësve dhe shpesh zbulimi i bisedave mund të shihet si pjesë e luftës së brendshme politike, më shumë sesa një sulm i orkestruar nga jashtë. Tash për tash, nuk ka prova të qarta që publikimi i këtyre incizimeve është pjesë e një strategjie më të gjerë nga ndonjë fuqi e jashtme. Kur incizimet përmbajnë fakte që kanë rëndësi për publikun, ato konsiderohen më tepër si informim.

Vitet e fundit, është bërë e zakonshme që lufta hibride të përmendet në kontekst të zhvillimeve të brendshme, për t’i mohuar gjetjet apo intimiduar të tjerët sa herë që pushtetit nuk i konvenon ajo që raportohet. Edhe ligjërues të medias thonë se lufta hibride kontekstualizohet gabimisht nga politikanët, me tendencën që të kontestohet puna e mediave në raport me Qeverinë, Kuvendin, apo këtë rast Grupin Parlamentar të VV-së.

Në rastin e një lufte hibride, një nga elementët kryesorë është përhapja e informacionit të rremë, ose të manipuluar, me qëllim për të shkaktuar kaos ose përçarje. Nëse konfirmohet se biseda është e vërtetë, pavarësisht se si interpretohet, është vështirë të cilësohet si propagandë e drejtuar për qëllime hibride.

Po ashtu, lufta hibride bëhet me sulme të koordinuara dhe shumëdimensionale, ku kombinohen teknika dhe operacione të ndryshme për të minuar sovranitetin dhe stabilitetin e një shteti.

Ka raste kur Serbia dhe Rusia përdorin taktika të tilla ndaj Kosovës. Paralelisht pushtimit të Ukrainës, Rusia u angazhua agresivisht në shpërndarjen e informacioneve të rrejshme për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit. Propaganda ruse kryesisht e ka cak komunitetin serb në Kosovë, me qëllim të thellimit të polarizimit etnik. Kjo përfshin përhapjen e narrativave të rreme lidhur me trajtimin e serbëve në Kosovë dhe paraqitjen e shumicës shqiptare si armiqësore ndaj tyre.

Nëse qëllimi prapa incizimeve është manipulimi i opinionit publik, apo tendenca për thellim të ndarjeve etnike dhe politike, kjo mund të përbëjë një rrezik, veçanërisht në kontekstin e situatës në veri dhe problemit të pazgjidhur me Serbinë. Për këtë nevojiten dëshmi e prova, të cilat autoritetet zyrtare do të duhej t’i vinin në dispozicion dhe po ashtu të tregojnë nëse edhe audio-incizimi i fundit është pjesë e kësaj lufte.

Debati rreth Radoiçiqit u rindez disa javë pasi Prokuroria e Shtetit ngriti indicted kundër grupit që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, dhe la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Organizator i këtij sulmi ishte Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Vitet e fundit, ka një tendencë që raportet mes komunitetit shumicë shqiptar dhe atij joshumicë serb, të reduktohen në debatin dhe rolin që kanë Radoiçiqi e Lista Serbe.

Ka një narracion që është proklamuar në vazhdimësi nga partia në pushtet, se nuk bashkëpunojnë asnjëherë me Listën Serbe, tek i akuzuan në vazhdimësi partitë e “regjimit të vjetër” për varshmëri ndaj subjektit që kontrollohet nga Beogradi zyrtar. Audio-incizimi dëshmoi se, në rrethana të caktuara, të paktën derisa Lista Serbe ishte pjesë e institucioneve, bashkëpunimi LVV-Lista Serbe nuk ka munguar, gjë që është krejtësisht normale.

Lista Serbe është subjekti që përfaqëson serbët në Kuvendin e Kosovës dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje, rrjedhimisht koordinimi me ta, qoftë rreth agjendës legjislative, apo politikave që kanë të bëjnë me këtë komunitet, nuk duhet të shihet si problematikë dhe për më tepër të përdoret si kartë për t’i akuzuar të tjerët. Problematike është kur pjesë e vendimmarrjes bëhen akterë që ikin prej drejtësisë së Kosovës, siç është rasti me Radoiçiqin.

Derisa Kurti dhe Kusari-Lila pretendojnë se regjistrimet janë manipuluar dhe ricikluar për të shkaktuar dëme politike, për opozitën kjo nuk është propagandë dhe përmbajtja zbulon qasjen e vërtetë dhe koordinuese të LVV-së me Listën Serbe, madje duke e sulmuar opozitën. Prej partisë në pushtet, opozita kërkoi sqarime nëse në këmbim të votave të Listës Serbe ia plotësuan kushtet Radoiçiqit, për të cilat dëgjohet t’i thotë Kusari-Lilës: “Duhet t’i shikosh me shefin tënd.”

Debati që shpërtheu mbi audio-incizimet tregon ndikimin e vazhdueshëm të Radoiçiqit, edhe pse fizikisht mungon në Kosovë për shkaqe ligjore. Pavarësisht se është një figurë kontroverse me të kaluar kriminale, emri i tij shfaqet në momente kritike politike, gjë që dëshmon se roli i tij shtrihet përtej aktiviteteve kriminale.

Nga ajo që u pa deri tash dhe announcements që jepen sa më shumë që afrohet data e zgjedhjeve, Milan Radoiçiqi mund të mbetet figura qendrore rreth të cilit do të zhvillohet beteja e brendshme politike.

Fokusi për çështjet që supozohet se Radoiçiqi në të kaluarën ka pasur ndikim, dëshmojnë se një pjesë e madhe e narrativës politike sillet rreth veprimeve dhe aleancave të tij.

Publikimi i audio-incizimeve që përfshiu zyrtarë të partisë në pushtet dhe paralajmërimet e po të njëjtëve se ka fotografi të politikanëve të tjerë që kanë frekuentuar ambientet e Radoiçiqit, mund të kenë ndikim në fushatën parazgjedhore në Kosovë.

as a “Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoçiqit, imagjinojeni kur të dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit nga zyrtarë e udhëheqës, imagjinoni kush e ka vizituar e kush ka pasur biznese,”  said Kusari-Lila në seancën ku u debatua për këtë çështje.

Nëse këto materiale publikohen gjatë fushatës nga partia në pushtet, mund të jenë një goditje për partitë rivale, veçanërisht atyre që supozohet se kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin.

Kjo do të çojë në zbehjen e debatit për problemet dhe sfidat e brendshme e të jashtme, që do të ndikonin në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

*This article is published as part of the Western Balkans Regional Initiative against disinformation. “Western Balkans Anti-Disinformation Hub: exposing malign influences through watchdog journalism.”

 

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.