Dy ndër parimet e para që i mësojmë në mikroekonomi dhe makroekonomi janë zgjedhja racionale/e arsyeshme dhe kufizueshmëria/pamjaftueshmëria e burimeve. Sipas ekonomisë klasike, burri ekonomik, apo ‘ homo economicus’ (më vonë ka filluar të përdoret termi “njeri”), është një qenie e arsyeshme që merr vendime për të kursyer, blerë, apo investuar në mënyrë që për çdo veprim të maksimizojë të mirat materiale, por edhe përfitimet tjera. Në fakt, sipas Adam Smithit, burri duke ndjekur interesin e vet, shpesh promovon në mënyrë më të efektshme të mirat e shoqërisë sesa kur qëllimisht tenton t’i promovojë ato. Dhe ky bashkë me burrat e tjerë menaxhojnë burimet ekonomike klasike, pra tokën, kapitalin, dhe punën që janë në dispozicion të individëve dhe bizneseve për të prodhuar produkte të vlefshme të konsumit.
Dhe pastaj burrat, që nënkuptohet ‘njerëzit’, si qenie të arsyeshme, kanë edhe funksionin e tyre të kënaqësisë (utility function) së derivuar nga konsumi i produkteve/shërbimeve të caktuara për të cilën ekonomistët edhe kanë krijuar mënyra për matjen e tij duke u dhënë vlera numerike preferencave të konsumimit të një produkti krahas një tjetri.
Edhe nëse pajtohemi se teorikisht të gjithë njerëzit janë racionalë dhe marrin vendime personale pa i futur emocionet në ekuacion, në praktikë, normat shoqërore ua kufizojnë racionalitetin dhe mundësinë e zgjedhjes grupeve të margjinalizuara të një shoqërie, që në rastin e shumë vendeve si dhe në Kosovë, grupi më i margjinalizuar janë gratë e çfarëdo etnie. Shumë kundërshtues të këtij argumenti do të thonë se gratë kurrë nuk kanë qenë në pozicion më të mirë dhe duke investuar në edukim e duke punuar në zhvillim të aftësive bëhen më të pavarura dhe konkurrente me burrat, pra ekonomikisht të pavarura. Po, por pa u lejuar dhe ofruar mundësitë për këto të dyja, pavarësia ekonomike, mbetet sërish vetëm një teori e bukur e paaplikueshme.
In the key Origjina e Familjes, Prona private dhe shteti (1942), Engels argumenton se gratë janë të barabarta me burrat, por meqë burrat kontrollojnë pronën private dhe kjo pronë konsiderohet si mjet prodhimi, burrat krijojnë tepricë të të ardhurave duke bërë kështu që gratë humbin fuqinë e vendimmarrjes duke u bërë të varura nga ta dhe nga familja në të cilën burri konsiderohet fitues i bukës (shtylla e familjes) dhe gruaja konsiderohet amvise.
Në shoqërinë kosovare dhe në shoqëritë shqiptare dhe më gjerë, normat shoqërore janë aq të fiksuara e të bazuara në kodet ‘mizore’ sikurse Kanuni i Lek Dukagjinit. E këto kode po rezultojnë vështirë të thyeshme. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, “m’u martue më kanun do’me thanë m’u ba shpi, me ia shtue shpis nji rob ma tepër, sa për krah të punve, sa për të shtuem të fmive,” pra gruaja është një skllav apo rob, detyrat e së cilës janë të bëjë fëmijë. E sipas po të njëjtit kanun, “Djali ka tager me mendue per martes të vet, po s’pat prind’’ e “vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue per Martes të vet, tagri asht në dorë të vllazenve a të kusherijve.” Pra, djali ka të drejtë dhe mundet me zgjedhë për jetën e vet, e vajza nuk ka të drejtë për këtë, edhe vëllaut i bjen ‘hise’ me zgjedhë për të ma përpara se asaj.
Jeta e një vajze shqiptare në vitet e 1930 ishte shpjeguar dhimbshëm dhe me shumë të vërteta përmes tregimit të Dijes, në Sikur t’isha djalë të Haki Stërmillit, ku Dija e dinte fatin e saj të poshtër, që përderisa do të jetonte me familjen, babai do të vendoste për të, dhe kur të martohej, e që do të duhej të martohej patjetër, burri i saj do të vendoste për të. Dhe për shumë ky realitet vazhdon të mbizotërojë.
Atëherë si mund të themi që të gjitha qeniet njerëzore zgjedhin, por edhe janë “të lirë të zgjedhin”, kur normat shoqërore ua kufizojnë këto zgjedhje e liri?
Normat shoqërore, pra sjellja e pranuar dhe e pritur nga një individ brenda një komuniteti apo kulture, nuk kanë ndryshuar pothuajse askund, e aq më pak në vende të pazhvilluara dhe në zhvillim. Kjo përveçse vërehet e dëgjohet me llogari personale të njerëzve se s’i duhet të sillen në familje, me babain, vëllaun, burrin, vjehrrin, e në radhë të fundit edhe me nënën e vjehrrën, ka edhe statistika që mbështesin këtë diferencë dhe mungesë të mundësisë së zgjedhjes.
Në Kosovë vetëm 4% e grave janë trashëgimtare, vetëm 12% e grave në tregun e punës janë të punësuara, krahas 48% të burrave. Përveç kësaj, mbi 11 mijë gra dhe vetëm 200 burra të cilët nuk janë aktivë në tregun e punës, si arsye për moskërkim të punës listojnë ‘kujdesin për fëmijët ose të rriturit me aftësi të kufizuara’, ndërsa rreth 224 mijë gra dhe vetëm 23 mijë burra arsye tjetër për moskërkim të punës kanë ‘përgjegjësitë të tjera personale ose familjare’. Edhe pse normat shoqërore i përjetojmë në përditshmëri secili e secila dhe mund t’i konsiderojmë si ‘common sense’, këto shifra janë mjaft treguese edhe për skeptikët.
Për më tepër, nga një kërkim i shpejtë online, vërehet se vetëm në dhjetor 2018, në Kosovë janë publikuar mbi shtatë raste të dhunës në familje qoftë me rrahje apo vrasje, dhe në shumicën e këtyre rasteve kryesit e veprave paguajnë një shumë qesharake të hollash, apo dënohen me numër minimal vitesh në burg.
Idetë e ekonomisë klasike janë aq të bukura dhe me kënaqësi i lexoj saqë dua shumë ta kishim mundësinë t’i jetësonim. Dhe, e vërtetë, programeve duhet t’ua shikojmë rezultatet e jo qëllimin siç këshillonte Milton Friedman, por edhe pa programe dhe riedukim të popullsisë, mundësia për të arritur lirinë e zgjedhjes është e vogël. Ka shtete arabe, e të Amerikës latine, që sipas Bruto Produktit të Brendshëm janë shumë të pasura, por ngecin shumë mbrapa në barazi gjinore dhe kanë shtresa shumë të varfra të popullsisë. Pra vetëm pasurimi i shtetit nuk mjafton për të arritur këto qëllime.
Pavarësisht se sa mendojmë se shteti duhet të ketë dorë në rregullimin e këtyre pabarazive e diferencave në trajtimin e shtresave të ndryshme të popullit, në asnjë mënyrë nuk duhen të neglizhohen faktet. Për këtë arsye, edhe nëse thelbësisht, të gjithë njerëzit janë ‘homo economicus’, në realitet nuk janë dhe këtë duhet ta kemi parasysh sa herë flasim, debatojmë, propozojmë e implementojmë politika.