Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Aktori që refuzoi të luante para surratëve të vrasësve

Bekim Fehmiu ishte simbol i seksualitetit, ishte shqiptar, gjithëherë aktor në gjuhë të huaja, dhe ishte shkrimtar i madh i dy kombeve.

Në vitin 2001, në Pavijonin Velkoviq, në rrugën e Birçaninit [Birčaninova], i takova Brankën dhe Bekimin. Ajo: aktore e madhe e teatrit, zonjë elegante dhe e brishtë beogradase, tek e cila atë natë nuk kishte gjurmë të kohëve të liga dhe rrethanave të paëndje në të cilat po i kalonte. Ai: qyshse më gjat se një dhjetëvitësh, në shenjë të protestit, jasht jetës publike, me një fytyrë që kishte ndryshuar nga ajo me të cilën na ishte i njohur nga filmi. Plakej bukur, por në ndërkohë fytyra e njërit prej simboleve të seksualitetit nga filmi jugosllav dhe europian ishte shndërruar në fytyrë të oshënarit. Sikur të kishte arritur të plakej Ahmed Nurudini, ose po ta kishte personifikuar Selimoviqi¹ si plak, rolin e tij në film do ta kishte lojtur Bekim Fehmiu. Në të vërtetë, nuk do ta kishte lojtur, se Bekimi pat vendosur, së pari në shenjë të protestit për shkak të qëndrimit që ekzistonte në Beograd dhe Sërbi ndaj shqiptarëve, e pastaj edhe për shkak të shumë gjërave të tjera, të mos aktronte më. Një herë, vite më vonë, do ta pyesja përse, e ai do të ma shpjegonte, arsyeshëm dhe qetë, se si për të aktrimi është lojë, ndonëse lojë shumë serioze, dhe që ai më nuk mund të luante, mbasi që kishin ndodhë disa gjëra tmerruese. Folte ngadalë-dalë dhe bukur, sikur të ishte duke e mësuar çdo herë sërish kët gjuhë tonë të huaj për të, dhe ta çmonte çdo fjalë të shqiptuar posikur fjala të ishte njeri. Folte me zë të bukur, çfarë ngapak fitohet nga lindja, por që në një kuptim të caktuar duhet edhe të meritohet. Ishte i liruar nga ajo shtirja e cila te aktorët është aq e shpeshtë, mirëpo edhe simpatike. Ishte njeri me dinjitet të theksuar, vetëmse atë dinjitet nuk e kishte nga seritë britanike me kostume, e as të pamjeve të akullta të jetës qytetare, nga ato të Bergmanit. Dinjiteti i tij ishte i ngritur nga ngrohtësia dhe pranueshmëria.

I pata thënë sinqerisht, por vetëm një herë, se çka ka pas qenë për mua kur isha djalosh. Nuk pata dashur të tingëlloj si ndonjë çupulinë apo tinejxher që sapo njihet me fytyrën nga afishi i murit të dhomës së vet fëmijërore. I pat ardhur mirë kur i pata thënë se gjyshja e ime nuk pat mundur ta shiqonte pamjen në të cilën Bora i Bardhë² [Beli Bora] i then gotat deri në gjysëm, e pastaj në dert të dashurisë i godet grimcat e qelqit me shuplaka të hapura të dorës. Disa gjëra duken më të njëmendëta në film se sa që kanë mundur të ishin në jetë.

Bekim Fehmiu sërbishten dhe gjuhët tona të tjera nuk i folte siç i folim ne. Por do të ishte e padrejtë të thuhej se kjo mund të vërehej nga theksi, sepse theksin e kishte kryesisht me vend. Intonimi i tij ishte ndryshe, ndryshe ishte ritmi i fjalëve të tij. Fjalitë e tij kroate, serbe, bosnase, dhe malazeze e kishin një stakato i cili u fut në kujtesën kulturore të një vendi dhe një kohe. Ashtu folte vetëm Bekimi dhe do të ishte i gabuar mendimi se kjo ishte për shkak se gjuhët tona nuk i kishte amtare. Brenda mënyrës së të folurit të Bekimit ishte ndërtuar personaliteti i tij, privat dhe prej aktorit, kështu që një epokë e tërë, më e madhja dhe me rëndësinë më të madhe se të gjitha epokat në histori të njerëzimit, epoka e fëminive tona, e rinive dhe njohjeve tona të para, do ta kishte humbur sinkopën po të mos kishte folur Bekim Fehmiu ashtu.

Në filmin “Edukatë speciale” [Specijalno vaspitanje, 1977] nga Goran Markoviq [Marković] e pat lojtur rolin e edukuesit Munizhaba [Munižaba]. Po, e di, mbiemër qesharak—e pat pranuar në njërën nga replikat e para në të cilën, ndoshta, as që e pat shqiptuar. Rol të një njeriu për çudi pat lojtur në atë film, të një njeriu plot fuqi dhe të mbyllur në vetvete gjatë rritjes, prandaj nuk është as e jashtzakontë që në nekrologji, krahas lajmit mbi vdekjen, ia përmendnin gjithaq mu “Edukatën speciale”. Në rastin e veçantë të tij, ky ishte një film çfarë ekziston në karrierat e të gjithë aktorëve të mëdhej, por del që ai ndodhë vetëm në fund, kur mbyllen me të shpejtë, dhe përpilohen, përshëndetjet e fundit. Filmat që mbesin si amanet, disa aktorë i kanë në fillim të karierës, të tjerët në fund, kurse Bekimi të vetin e pati disi mu në mes.

Në at vit, 2001, u ktheva në Zagreb me pjesën e parë të prozës së tij biografike “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” [Blistavo i strašno, 2001]. Fillova ta lexoj në tren dhe e lexova ngadalë, për tri netë. Megjithqë mbi kët libër në shtypin beogradas shkruhej me respekt, e shumë bukur u përmend nja dy-tri hera edhe në shtypin kroat, madhështia e tij dhe intensiteti i brendëm i tij mbetën jasht diskursit publik, për ndonjë kohë të ardhme në të cilën do të mund të lexohej me më tepër qetësi dhe durim. Dukej sikur t’iu kishte njohur rëndësia, por ishte lëshuar në komodinë, për t’u lexuar prap, më vonë.

Image

Libri “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” do të ketë një ditë rëndësi dhe lavdi të madhe, e kultura dhe letërsia serbe do të krenohen me faktin që në një kohë tmerruese të tyre, veprën më shpagimtare të tyre e shkroi një shqiptar. Atëherë Sërbia do të jetë e denjë për Bekimin.

Bekimi rrëfen për rritjen e tij në një familje shqiptare në Kosovë në vitet rreth LDB, e cila i kishte punët mirë. Ngadalë, fjalë për fjalë, figurë për figurë, e bën bashk mozaikun i cili pikësëpari do ta befasojë lexuesin me shkallën e lartë të stilizimit. Megjithse nuk përmban në vete asgjë që do të ishte përdëllimtare në mënyrë të Marsel Prustit, kjo prozë, me hollësinë dhe ndjeshmërinë e saj, por edhe me ambient të njëfarë zotnillëku të qëmotëm, është një lloj i gjurmimit kosovar të kohës së humbur. Por përpos që “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm” mund të lexohet si roman i madh mbi rritjen, e cila ndodhë njejt kudo, në cilindo skaj të njohur apo të panjohur të botës, fjala është për një libër prej të cilit lexuesi sllavojugor, e sidomos ai serb, mbi shqiptarët dhe jetën e familjes shqiptare në Kosovë mëson më tepër se nga të gjitha që në nëntëdhjetë vitet e fundit, sa kemi jetuar së bashku me ta në shtete të njejtë, ka mundur të lexohet në gazeta, revista dhe libra të botuar në gjuhët tona. Dhe të gjitha këto me vetëdije mbi dinjitetin, si të njeriut, ashtu edhe të tekstit letrar. Ky ishte për Bekim Fehmiun po ai moralitet i njejtë, se ai thjesht nuk dinte t’i kishte dy prej tyre. Për këtë arsye edhe ishte aq vështirë për të.

Rrëfimin e përfundon para se të bëhet aktor personazhi kryesor. E pyeta se a do ta vazhdojë. Po si, natyrisht! Dhe kurdoherë që i takoja, ate ose Brankën—ose vetëm Brankën, se atë pa Brankën kurrë s’e kam pa, që për mua ishte shenjë e njëfarë dashurie më të ngritur—i pyetja se çka ishte puna e pjesës së dytë. Pyetja meqë kisha kurreshtje, por edhe mbasi që besoj se është me rëndësi për shkrimtarin kur i shtrohen pyetje të tilla. Kjo duhej të ishte shenjë e respektit tim ndaj shkrimtarit brenda Bekimit. Vërtet shkrimtarit të madh.

Duke vendosur të mos aktronte më, Bekim Fehmiu e dënoi veten me vetmi. Botërat dhe identitetet që sajoheshin rreth tij në kohëra të luftës dhe të pasluftës nuk ishin të tijat. Jetonte në dashuri dhe në vetmi. Kushedi se cila nga këto dyja ishte më e madhe, dhe kur. Problemet e mij me mospërkatsinë dhe me ate që edhe identiteti i im—më pak dramatikisht se ai i tij, pastaj edhe me investim moral i cili ndaj atij të tij ishte i parëndësi—rrudhej në mosrradhitje³ dhe vetmi, shpesh i zgjidhja duke e sjellë në mend Bekimin. Megjithse duhet të kemi mirëkuptim për ata të cilët e kanë shfrytëzuar çdo rast që u është paraqitur për aktrim, ka lezet kur mund të mahnitemi me ata të cilët kan ditur edhe ta refuzojnë.

Në ditët e para të pranverës së vitit 2009 më erdhi në adresë të postës, si bashkngjitje e një letre nga Branka dhe Bekimi, dorëshkrimi i pjesës së dytë të librit “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm”. Më lutën ta lexoja, t’u ndihmoja rreth një mëdyshjeje private që e kishin, edhe t’ua jipja mendimin tim të sinqertë mbi tekstin. Librin e shtypa dhe shumë shpejt e lexova por m’u deshtën dy muaj që të përgjigjem. Një rrëfiim i madh, tërësisht ndryshe nga ai i pari, por poaq shkëlqyes dhe tmerrues, u shkri në mua, dhe u shkrova që duhej të botohej sa më shpejt. Ishte i lumtur. Shkrimtari i vërtetë, për fat të keq, kurrë nuk e di se ka shkruar libër të madh, andaj i duhet dikush që do t’ia thojë.

Në fund të romanit shkruante se si po fillonte lufta:

“Muzg. Qielli i përhitur në të portokalltë. Kisha e Graçanicës. Njerëzit hyjnë dhe dalin, në rresht. E puthin korën⁴. Në kupola të kishës zbritën sorra të zeza. Mbi to, një tufë tjetër e stërmadhe, fluturon duke krrokatur dhe gërthitur, edhe, duke qarkulluar, e bën qiellin edhe më të errët. Në horizont, një hulli e përgjakur e ndan tokën prej qiellit. Gërthitja mbi Graçanicë është shurdhuese!

Natë. Rrij në këmbë në terrasë të gjërë të nënkulmit të shtëpisë së Dijes. Gjethet nuk lëvizin. Vështroj nga lartësia. Posht, në udhëkryq, te Taukbahçja, pesë policë të njësisë speciale. U shihet vetëm gaca e cigareve kur e thithin tymin. Nga largësia depërton zgroftira e squfurit. Azotiku. Në qytet u shtri një qetësi çuditëse, e rëndë. Drita u shurdhua!”

Është një gjë për mrekulli e cila do të dihet një ditë, e unë e di mirë që do të dihet, se ndryshe nuk do të mund të jetë, që dy libra të stërmëdhej dhe shpagimtarë të letërsisë sërbe të fillimit të këtij shekulli i shkroi shqiptari.

Bekim Fehmiu vdiq ashtu si deshti. Vullneti i tij ishte për së tepërmi i fortë për këtë botë. Dhe prap duhet ta respektojmë vullnetin e Bekimit. Vetmia e tij e tërë u shndërrua në dashuri.

*Botuar më 29 qershor 2016 në portalin e autorit

Përktheu, me leje personale të autorit, Florent Rizvanolli nga kroatishtja.

Shpjegime nga përkthyesi:

¹) personi kryesor nga romani i Mesha Sellimoviqit [Meša Selimović], Dervishi dhe vdekja [Derviš i smrt, 1966]

²) personi kryeror i filmit Mbledhësit e Puplave [Skupljači perja, 1967], njëherit një ndër rolet më të njohur nga karriera filmike e Bekimit

³) sipas shpjegimit të vet autorit të artikullit, me fjalën pak jo të rëndomtë «jednina», që shqip u përkthy si mosrradhitje, ai e ka menduar vetinë e mospranimit të rradhitjes në asnjë grup, ose bashkësi

⁴) ikonën. Në librin e tij “E madhe është gjëma e mëkatit”, Mitrush Kuteli, për ikonë e përdorë fjalën korë, e cila nuk është në fjalor të shqipes [FGJSSh], por është në fjalorin shqip-anglisht të Oksfordit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.