Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Bretkosa dhe Bukowski

***

Mo Yan, fitues i Nobelit për letërsi në vitin 2012, me motivacionin se kishte bërë bashkë tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren me një realizëm prej iluzionisti, ka një libër të hatashëm dhe të mbushur me një soj dëshpërimi që ta kall datën. Ta themi edhe këtë. Për hir të korrektësisë. Në fjalimin e tij gjatë marrjes së çmimit më të madh letrar Mo Yan, thotë diçka vërtet madhështore. Ai thotë se është i vetëdijshëm mbi ndikimin minimalist të letërsisë në gjendjen politike dhe në krizën ekonomike kudo në botë por ama ai beson se rëndësia e letërsisë në qeniet njerëzore është e lashtë. Dhe ma ha mendja se ka të drejtë. Djaloshi i ardhur nga një fermë e Gaomit të provincës Shandong, thotë se meqenëse letërsia ekziston ne nuk jemi të vetëdijshëm mbi rëndësinë e saj por nëse ajo nuk do të ekzistonte, jetët tona (e imja po se po) do të bëheshin brutale dhe të ashpra. Po ta mendojmë pak si hollë vendi ynë goxha i shkon për shtati dhe e argumenton deri diku atë që e thotë i urti, Mo Yan. Sensi letrar nuk është i mjaftueshëm tek ky sistem shoqëror i hallakatur sidomos tek mendjet e prijësve, të cilët besojnë më shumë se askund tek pushteti i forcës. Tek pushteti i frikës. Dhe tek mohimi i së vërtetës letrare, që nuk i hyn në punë as dreqit. Të dalim aty ku ishim nisur. Njëri nga librat e Mo Yan quhet Bretkosa dhe siç ka pohuar edhe vetë shkëlqesia e tij, është shkruar e ndryshuar disa herë përgjatë dhjetë viteve. Libri prek një nga temat më të ndjeshme për popullin kinez. Historinë e planifikimit familjar në 60 vitet e Kinës së re dhe situatën konfuze të problemit të lindjeve në Kinën e sotme. Libri ka në qendër historinë e jetës së një mjekeje fshati. Historinë e gjinekologes Gu Gu (Halla), e cila për pesëdhjetë vite me radhë ushtron profesionin e saj duke hequr të zitë e ullirit, në shërbim të politikave të sistemit. E bindur thellësisht se Planifikimi Familjar, kishte të bënte me ekonominë e vendit dhe jetën e popullit. E anëtarësuar në Partinë Komuniste, duke i shërbyer me një ,,besnikëri qeni,, e duke kafshuar aty ku donte partia. E gjendur në krye të operacionit sterilizues të burrave dhe e trishtuar nga domosdoshmëria e saj për të përmbushur detyrën e cila ishte mbi detyrat. E ballafaquar me lloj lloj nënash e baballarësh që klithin, vajtojnë, vuajnë. E mashtruar në rini nga një pilot që del të jetë kundër atdheut dhe e gjendur në krahët e një mjeshtri të kukullave prej balte, Halla në pleqërinë e saj, çmendet. Ajo mbetet një heroinë pa rrugëdalje. E ç’njerëzuar. Paranoike dhe thellësisht e frikësuar nga e kaluara e saj. A jemi ne qenie që duhet të paguajmë gjithsesi çmimin që na caktohet nga një sistem i çfarëdoshëm politik? A është ekzistenca jonë esenca e skllavërisë kundruall pushteteve të ndryshme? A është gjithmonë i sikletshëm fundi, që nënkupton kthimin e madh tek ajo se kush jemi dhe çfarë kemi bërë? A është rezistenca e pakuptimtë, kur materia e saj është gjaku? Bretkosa është një libër që jep përgjigje rrënqethëse. Dhe një vërejtje e madhe në ndërgjegjen sakate të njeriut.

***

Mbaj mend kur si gjimnazist shfletova për herë të parë librin e Charles Bukowskit. Isha i tronditur. Ma kishte dhënë një shqelm në bark. Dhe m’i kishte thyer dhëmbët me një grusht. Sapo kisha provuar ethet e futjes në botën barbare të të rriturve dhe duket se aspak nuk e pëlqeja që kisha nisur të formësohesha fizikisht dhe ndoshta edhe shpirtërisht. Gjithmonë më ka shkaktuar pakënaqësi marrja e përgjegjësive dhe detyrave të reja, që shpesh na palohen padëshirueshëm në supe. Por ama rrjedhja e gjërave ishte e paprekshme. E kam vështirë të kthehem në atë kohë dhe të arrijë ta deshifroj atë që ma kishin dhuruar librat e një njeriu, që duket se kishte dalur mendsh. Kujtesën e kam të lodhur. E di se isha dashuruar në të. Dhe po përpiqesha ta kopjoja stilin e jetës së tij. Kisha nisur të pija alkool dhe ta përçmoja botën duke u zhytur thellë në dashuriçkat e asaj kohe. Thjeshtë më shumë më pëlqente të krekosesha dhe të ja bëja qejfin vetes se isha një motherfucker. I tillë sikurse ishte ai. Alkoolist i shkëlqyeshëm. Megjithëse sulesha si një fëmijë i lazdruar e ngucakeq në çfarëdo diskutimi, po të më thoshte dikush, se po e kopjoja atë qoftë me ato vjershat e mia, qoftë me mënyrën se si kisha nisur të sillesha, isha gati të qëroja hesapet më të, në të gjitha mënyrat e mundshme. Gjithmonë ka shumë mënyra. E vërteta ishte se një njeri i ashpër kishte bërë vend në zemrën time dhe kishte nisur ta ashpërsonte trupin tim. Domethënë isha i sigurt dhe i bindur se nuk kishte mundësi të bëhesha sikurse ai. Natyrisht tani kjo ide më duket idiote. Sido që të jetë librat e tij kishin bërë kërdi në mua. Dhe po më dhuronin një njohje të re mbi këtë botë. Mund të ishte e gabueshme. Por rëndësi kishte që po e ndjeja dhe po e pëlqeja. Jo gjithmonë duam atë që është e drejtë. Madje ta duash të gabueshmen mund të jetë shumë joshëse. Në librat e tij kisha gjetur kuptimin e refuzimit. Refuzimit ndaj pjatës së madhe shoqërore, që na rri para fytyrës. Bukowski ishte një dem. Që sulej dhe fuste brirët e tij në rregullin e madh të yjeve. Ai kishte kuptuar dhimbjen deri në atë masë sa që më nuk i interesonte, e kishte kuptuar jetën deri në atë pikë sa që më nuk i ngjallte asnjë interes, e kishte kuptuar vdekjen deri në aty sa që dukej se nuk i’a ndiente për të. Prandaj e gjente veten tek pija, kuajt dhe gratë. Gjithnjë duke besuar se thithja ishte e tij ndërsa tymi i të tjerëve. Me rastin e njëzet e dy vjetorit të vdekjes së tij, duke shpresuar se gjendet diku në mes një tufe qensh të ardhur nga dashuria e ferrit, ja bëj me dije se ende po gjallojmë ashtu si po mundemi në mes një realizmi të pistë e të ndyrë. Domethënë fare pak kanë ndryshuar gjërat. Sa për të mos thënë aspak. Fatkeqësisht.

***

Brenda nesh. Asgjë nuk i shpëton kthetrave të zhgënjimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.