Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Çka zgjoi “Zgjoi”?

Në mbrëmjen e një të shtune, bashkë me një shoqe, shkuam për ta parë filmin “Zgjoi”. Teksa po arrinim te kinemaja ku po shfaqej filmi, pamë se kishim edhe rreth tridhjetë minuta kohë para shfaqjes. Duhej të nxitonim. Megjithatë, na thanë se biletat për atë termin ishin shitur. Duhej të prisnim edhe një orë e gjysmë deri në terminin tjetër.

Do të prisnim në kafene gjersa të vinte koha ta shihnim filmin. E qortuam veten se si nuk na kishte vajtur mendja të niseshim më herët. Filluam të flasim për filmin. Nuk dija shumë për “Zgjoin”, përveçse rolin kryesor e luante Yllka Gashi. Yllkën, të cilën e njihja si Zana e “Familjes Moderne”, e simpatizoja shumë. Doja të shihja se si ishte tani Yllka si Fahrija e “Zgjoit”. A kishin ngjashmëri Zana me Fahrijen? Apo ishin thjesht dy personazhe të ndryshme të një aktoreje?

Erdhi koha të hynim në kinema. Derisa po hyja në sallën ku do të shfaqej filmi, më ra në sy diçka interesante. Ishin ulur më shumë njerëz në moshë sesa të rinj. Çka do të thoshte kjo? A ishte shenjë se të rinjve nuk u intereson të shohin filma të bërë nga shqiptarët? Apo ndoshta lidhej me faktin se shumica e tyre nuk e ndienin kohën e paraqitur në film? Këtë nuk e kam ende të qartë.

Në të djathtën time u ul një çift rreth të dyzetave. Në të majtën, natyrisht, shoqja ime.

Filmi filloi.

Sekuenca e parë ishte e një zgjoi bletësh. Yllka, në rolin kryesor si Fahrija. Po nxirrte mjaltin. Me këtë punë ajo dhe familja e saj siguronin mbijetesën. Fahrija, si një grua që nuk e dinte akoma nëse ishte e ve ose jo, me vite po jetonte me vjehrrin dhe dy fëmijët e saj.

Familja e saj dhe shumë të tjera si ajo, të të njëjtit fshat, kishin mbetur me pak burra e shumë gra. Kjo po e veçonte Krushën e Fahrijes më shumë se çdo vend tjetër në Kosovën e dalë nga lufta.

“Zgjoi” po zgjonte në kinema një ndjenjë që tashmë kishte filluar të harrohej. Po zgjonte kujtime dhe emocione. Po zgjonte dhembje.

Të gjitha personazhet përcillnin shumë emocione në audiencë. Skenari dhe regjia e filmit kishin paraparë edhe sekuenca qeshjeje. Por këto sekuenca po krijonin efekt vetëm te një pjesë e audiencës. Te të rinjtë. Tek ata që nuk ishin bashkëkohanikë të Fahrijes. Edhe pse Fahrija preku zemrat e të gjithëve. Edhe të atyre si unë, që kishin lindur pas përfundimit të luftës.

Kishte kaluar gjysma e filmit dhe shumica e shikuesve ishin me lot në sy.

Të gjithë qanin, vetëm Fahrija nuk qante. Grua e fortë.

“Bravo të qoftë!”, – thashë me vete. “Mos lejo që të tjerët të të tregojnë kush je”. Nëse populli thotë se njeriu është më i fortë se guri, atëherë Fahrija më ngjante me një shkëmb.

Por, një shkëmb nga gjaku e mishi. Edhe ajo  dikur u lodh.

Në një skenë, gjersa po bënte dush, Fahrija po lahej edhe nga lotët. U shkreh në vaj.

Ndoshta edhe për shkak të audios “surround system”, vaji i saj po më përzihej me vajin e zonjës ulur në krahun tim të djathtë. Megjithëse me siklet, e ktheva kokën për ta shikuar. Ajo, përkundër Fahrijes, kishte të shoqin afër. Hëh! Por lufta nuk kishte marrë vetëm bashkëshortë! Me siguri, edhe zonja në të djathtën time e kishte humbur dikë si Fahrija.

Por, “Zgjoi” nuk përcillte te secili ndjenjat e njëjta. Ndonjëherë në sallë dëgjoheshin disa zëra të rinjsh duke qeshur. Ndodhi një herë. Pastaj edhe herën e dytë. Herën e tretë, zonja krah meje nuk u durua më. U kthye nga ta, prapa, dhe pa folur i qortoi. Sikur ndjeu mllef për të qeshurat.

“Mos ua shih për të madhe! Nuk po qeshin me filmin”, – i thashë me pëshpërimë.

“Nuk e kanë përjetuar atë që kemi përjetuar unë e Fahrija”, – ma ktheu zonja.

Ngriva në vend. Fahrija kishte humbur bashkëshortin, Agimin. Po kjo zonjë, që ishte me të shoqin, kë kishte humbur? A e kishte edhe kjo një storie tjetër?

Filmi më preku shumë, por përsëri e dija se nuk më preku aq sa kishte prekur të tjerët.

“Zgjoi”, përveç ndjenjave që më kishte zgjuar, kishte hapur dhe plagë të vjetra. Plagë që unë nuk i kisha. Unë, si shumë të tjerë, nuk e kam përjetuar luftën. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse salla ishte e mbushur më shumë me njerëz më në moshë. Dhe pse disa po qeshnin.

Kur u fik ekrani që përIoti, të paktë ishin ata që u zgjuan menjëherë nga ulëset. Shumica rrinin ende ulur. Nuk po i mbanin këmbët.

Dhe Yllka Gashi, të cilën nuk e kisha parë në ekran për një kohë të gjatë, ma vërtetoi edhe njëherë simpatinë për të. E doja qeshjen e Zanës dhe qeshja edhe vetë. Por, edhe vuajtja e Fahrijes ma dha një grimë vuajtjeje. Yllka, yll! Edhe si Zanë, edhe si Fahrije!

Si përfundim, “Zgjoi” zgjoi me të vërtetë shumë. Ndjenja, kujtime, dhembje, plagë. Por, edhe forcë. Zgjoi edhe një grimë dashurie.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.