Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Drejt përhershmërisë virtuale

[Ekskurs përkitazi për filmin Her, të regjisorit amerikan Spike Jonze, realizuar në vitin 2013]

Transformimi aktual nën ndikimin e frymës digjitale ka krijuar shkëputje të thellë ndërmjet avancimit teknologjik e shkencor në njërën anë dhe progresit moral në anën tjetër. Kjo diskrepancë e madhe edhe sikur e rrënon pikën kryesore të referimit, ku e vërteta mund të afirmohet vetëm përmes argumenteve racionale. Ky post-iluminizëm, që e zhvendos njeriun në linjat e post-mendimit dhe të post-historisë, gjithashtu e ka kapilarizuar të vërtetën. E vërteta sot nuk është monopol, sepse tanimë nuk ka një të vërtetë. Madje-madje, duket se nuk ka të vërtetë fare, për arsye që pothuajse secili sot beson se e ka të vërtetën. Qasja e lehtë në informatë e ka krijuar përshtypjen se secili potencialisht mund të vijë deri tek e vërteta. Mjafton ta kesh një aparat që ta mundëson lidhjen me internet. Gjithashtu, teknologjia e ka rikthyer imazhin, vetëm se tani me një ndryshim – tani ky imazh nuk bart ndonjë ndjesi e as koncept. Është shumë plastik. I ftohtë. Imazhe të parafinuara, vulgare, që për qëllim kanë tërheqjen e vëmendjes. Ndërsa, simbolet automatike aty mundësojnë komunikimin. Një komunikim po ashtu i ftohtë, i paartikuluar dhe bezdisës.

Dikur imazhi ishte njohje për një fenomen a realitet. Ishte ide, ishte mendim. Ndërsa sot imazhi është riprodhim vulgar i së njëjtës. Seri digjitale që plasohet me shpejtësinë e dritës. Tani nuk ka mendim mbi krijimin e një imazhi, ka multiplifikim automatik. Në anën tjetër, simbolet digjitale e kanë zëvendësuar gjuhën. Ky bransh i komunikimit e ka zëvendësuar ndjesinë e pranisë me të qenët pjesëmarrës në rrjet. Nëse nuk të gjej në Google, nuk ekziston?! Ekzistenca jonë edhe fizike edhe intelektuale është e mundur vetëm nëse jemi të lidhur në rrjet. Kjo lidhje, ky rrjetëzim i njohur dikur si fshati global nga Marshall McLuhan-i, në fakt nuk ka prodhuar dhe nuk po prodhon socialitet.

Duket sikur jemi shndërruar në qenie digjitale dhe kjo e suspendon ndjesinë karshi njëri-tjetrit. Nuk ka lidhje se sa pranë e kemi dikë, komunikimin e zhvillojmë virtualisht. Nëse nuk të gjej në Google, nuk ekzistonduket sikur është analoge me thënien e René Descartes: Mendoj, pra jam. Të dy këto konstatime e nënvlerësojnë dhimbjen e dhëmbëve. E shpërfillin me shumë arrogancë njerëzoren. Ndjej, pra jam është një e vërtetë me shtrirje më të përgjithshme dhe që i takon çdo qenieje të gjallë, thotë Milan Kundera. Pra, edhe mendimi, edhe prania në rrjetë kanë pikësynim ekzistencën dhe nuk çajnë kokën përtej kësaj. Ndjenja vjen a posteriori – te mendimi vjen si ide, kurse në rrjetë vjen si emoj: shumësi ikonash të ndryshme që kinse shprehin gjendjen tonë emocionale. Duket sikur flasim për unin virtual, të shkëputur nga vetja.

Një pikëpamje të tillë post-iluministe na e paraqet edhe regjisori Spike Jonze, në filmin Her. Ky film, që karakterizohet nga dalldia e teknologjisë, e paraqet protagonistin e filmit Theodore-s (luajtur nga aktori Joaquin Phoenix), i cili bën një jetë rutinë, por që është i kapërthyer nën dinamikën teknologjike. Theodore punon në një kompani të quajtur BeautifulHandwrittenLetters.com. Ai u shkruan letra njerëzve për raste të veçanta. Mirëpo, pas divorcit të stërzgjatur me gruan e tij Catherine (luajtur nga aktorja Rooney Mara), Theodore edhe pse jeton në një apartament spektakolar dhe materialisht qëndron mirë, ai assesi nuk mund ta rimarrë veten. Nga kjo gjendje del kur futet në një program në internet dhe fillon të kontaktojë me zërin erotik të Samanta-s (luajtur nga aktorja Scarlett Johansson). Në fakt këtu regjisori e paraqet mjaft mirë ndikimin e teknologjisë, sepse Theodore fillon aq shumë dhe aq intimisht të komunikojë me Samanta-n sa që një ditë bie edhe në dashuri me të.

Pra, në njëfarë forme inekzistenca e Samanta-s e bën të vërejtshëm ekzistencën zvetënuese të vet Theodore-s. Përderisa iluminizmi e shfaqte të bukurën si një shëmbëlltyrë të së vërtetës dhe se subjekti ishte mishërim i asaj të vërtete, gjendja post-iluminizuese Theodore-n e kishte hedhur në tokën e pafundme të komunikimit robotik që e mundëson teknologjia digjitale. Ai është i kapërthurur skajshmërisht në këtë virtualitet. Jeta e tij ka kuptim vetëm duke qenë i pranishëm aty ku edhe zëri i Samanta-s duhet të jetë në çdo moment aktiv për të.

Madje, një nga momentet kritike në filmin Her, është kur Theodore-s, zëri erotik i Samanta-s nuk i shfaqet më në aparaturën digjitale. Aty ai e ndien pothuajse deri në palcë humbjen e madhe, humbjen e asaj të vërtete inekzistente. Mosprania e atij zëri që vinte në aparaturën e tij tek Theodore krijon frikë, sepse vetëm aty ai është i bindur që ekziston. Kur kthehet zëri i humbur i Samanta-s, Theodore sikur rilind, e rizbulon veten. Edhe kur e kupton se Samanta apo zëri erotik i aparatit nuk është vetëm “e dashura” e tij, por ajo njëkohësisht flet edhe me 83016 njerëz të tjerë, edhe përkundër xhelozisë që shpërfaqet tek ai, prapëseprapë Theodore nuk ka guxim ta braktisë atë. Pranon që ai zë kaq i bukur, kaq i ëmbël dhe erotik, që shpeshherë e dërgon deri në eksitim, t’i ‘eksitojë’ edhe mijëra njerëz të tjerë vetëm e vetëm që mos ta humbë. Këtu regjisori sikur na sjell në mendje frikën e vetmisë. Ne nuk duam të jemi vetëm. Vetmia është armiku ynë më i madh i ditëve të sotme.

Prandaj, teknologjia na mundëson që të besojmë se nuk jemi vetëm. Me këtë, regjisori përveçqë e paraqet një situatë post-iluministe, ai e vë në spikamë edhe një gjendje post-erotike. Përveçqë postulati i të vërtetës më nuk ekziston dhe si rezultat i saj ekzistojnë vetëm në momente fragmentarizuese jokoherente, nuk ekziston as erosi si ndjesi e gjithëpranishme, por vetëm si i mundësuar në virtualitet. Filmi mundohet të na thotë se nuk ka vuajtje uniforme, sepse uni është unik dhe i patransmetueshëm te tjetri. Kur vuajtja bëhet uniforme, bota zhduket. Ndërsa, kur dashuria bëhet uniforme, jeta bëhet e pashije.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.