Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Dy sistemet, dy palë lexuesit dhe ‘dy librat’ e Lea Ypit

Është ditë me shi dhjetori 1990 kur 11-vjeçarja Lea vendos jo me u kthy nga shkolla në shtëpi, por me rendë për te shtatorja e bronztë e Stalinit në qendër të Durrësit. Kur avitet, shtatorja i rri përballë me “vështrimin të tretur në horizont sikur të kishte kohë që më priste”. Lea kapet te këmba e shtatores. Për kiamet, ka zgjedhë bash çastin dhe vendin ku plasin të parat protesta antikomuniste në Durrës. Vajza mshel sytë, mbahet fort për këmbën e bronztë dhe, e frikësuar, nis të njehë në heshtje. E, mbasi kur arrin te numri 37, lehjet e qenve të policisë së vënë në ndjekje të protestuesve nuk ndihen më, ajo çel sytë, ngre kryet dhe tmerrohet nga ç’sheh: “Huliganët ia kishin rrëmbyer Stalinit kokën”. Me këtë rrëfenjë nis libri ‘Të lirë’ i autores Lea Ypi.

Nuk është se autorja përshkruan, siç kish me u pritë, të ketë hetu shkundje e kërcëllima sa ndodhej symshelë përposht shtatores, e as rrapëllima metali të ngrehur zhag mbi rrugë. Vërtet u gjet aty në atë çast aq historik, kur protestuesit, për gjysmë minute a më pak arritën t’ia këpusnin shtatores kokën, e madje t’ia rrëmbenin, ndonëse “të ndjekur këmba-këmbës nga policët dhe qentë”?

Autorja rimerr zhdukjen e kokës në fund të kapitullit, tashmë me hamendësimin se mos ndoshta “stuhia” do ta ketë dekapitu figurën e prijësit sovjetik gjatë natës, ndaj ajo tani ndodhet te ndonjë skulptor që ka marrë urdhër ta bëjë edhe më të fortë. Dilema e autores bëhet kështu trilema e lexuesit – ajo harron të ketë përshkru se, kur i qe avitë, Stalini e kish mirëpritë me “vështrimin të tretur në horizont”, që domethënë se sytë i kishte pasë në ballë, ballin në kokë, e kokën mbi supe.

Meqë e lirë kripa në Durrës…

Miq që njohin Durrësin e periudhës së diktaturës, vërtetojnë gjetjet prej googlimeve: Durrësi nuk paskësh pasë ndonjëherë shtatore të Stalinit, por vetëm bust.

Vepra është gërshetim bisedash e ngjarjesh të jetuara e të trilluara me përsiatje të autores mbi nocionin e lirisë, deri aty sa i bishtnon ndonjë përçanësimi përfundimtar zhanror. Në perëndim po cilësohet si memoir, megjithëse në promovimin në Prishtinë, autorja e prezantoi fillimisht si roman e pak më vonë si diçka me hise përkatëse prej romani, eseje e autobiografie.

Do të më pëlqente sikur shprehja “mos e gjyko librin nga kopertina” – e cila jep kaptinën e zhdukur të shtatores së paqenë – të mund të vazhdohej me “e as sipas kapitullit të parë”. Kjo mbasi të gjithë kapitujt e tjerë, papërjashtimisht, janë shkru më mirë; disa madje ku e ku më mirë.

Anglezët, në gjuhën e të cilëve autorja e shkruan zanafilltas veprën, sugjerojnë që tekstet e këtilla të lexohen gjithnjë “me një kokrrizë kripe”, por ndërkohë është ky kapitull i parë që, duke ia mbushë xhepat plot kripë lexuesit të mirinformuar, ia kushtëzon këtij krejt leximin e mëtejmë.

“Xhafer Ypi NUK ka qenë i pranishëm në librin e historisë për moshën e autores. Historia fillonte në klasë të 6-të dhe nuk fillonte me historinë e Shqipërisë të vitit 1939”, thotë një recension që shigjeton simulim-manipulimet e veprës, duke iu referu këtu kapitullit për kryeministrin e kohës, stërgjysh i Leas, njolla e biografisë familjare.

Është e qartë se vëmendja e lexuesve të huaj, përgjithësisht pa njohuri kontekstuale mbi Shqipërinë a historinë politike të saj, nuk ka si me qenë te faktoidet. Është kryesëpari te eglendisja që u ofrojnë ndodhitë, zhvillimet e njerëzit, për ta sa të përçudë, aq të përgaztë. Madje, vlerësimi më i përsëritur në shumicën e recensioneve perëndimore është pikërisht cilësimi i veprës si ‘funny’.

“Ypi’s memoir is […] brilliantly observed, politically nuanced and – best of all – funny”, thotë një recension në The Guardian, që nga tjetra anë, pavëmendjen e plotë të recensentit ndaj lokacionit ku zhvillohen ngjarjet e dëshmon qysh në pohimin e parë: “One wet afternoon in December 1990, little Lea Ypi ran across Tirana to the garden of the Palace of Culture”.

Kodet gjuhësore

Vepra rrëfehet nga pikëvështrimi fëminor. E, meqë gjuha e fëmijës dallon nga ajo e të rriturve, të cilëve vepra u flet, duhen epë që të përputhen me rrethanat kodet gjuhësore të protagonistit, të personazheve e të narratorit, për ta kriju urën mes veprës dhe lexuesit. Është ky një tel i hollë i tendosur nëpër të cilin autorit i duhet me ecë si akrobat. Këtë, në leximin tim të veprës, autorja nuk e zgjidh fort mirë.

Fjala vjen, Lea është pesë vjeçe ditën që edukatorja e kopshtit u kumton mes lotësh fëmijëve vdekjen e Enverit, para se t’i sigurojë që së bashku do të ndjekin “misionin socialist që ai na ka lënë amanet”. Edhe në rastin skajshmërisht hipotetik, kur ndonjë edukatore për arsyet e veta do ta zgjidhte këtë regjistër bashkëbisedimi me parashkollorët, protagonisja e kësaj vepre s’do ta memorizonte dot atë vargëzim tingujsh të pakuptimtë për moshën, pa ta riprodhonte si narratore dekada më vonë.

Ose, mësuesja në shkollë (Nora), në fjalët e Leas narratore, u kishte sqaru nxënësve 10-vjeçarë se protesta e Murit të Berlinit kish qenë një ndeshje fatale midis imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik. Ligjërimit të mësueses i ngarkohen edhe terma si revizionizëm, proletariat, diktaturë e proletariatit, reaksionar, luftë e klasave. Deri këtu i sforcuar për nevojat e autores, personazhi i mësueses, të cilës kryesisht i mvishet ky regjistër fjalësh, edhe nëse në thelb i bazuar në njeri real, vjen në vepër si tejet fiktiv.

Habit prandaj pohimi krejt në fund të librit, kur Lea studente lexon ‘Kapitalin’ e Marksit: “Fjalët kyçe si kapitalistëtpunëtorëtpronarëtvlerafitimi, më jehonin në kokë me zërin dhe formulimet e thjeshtuara të mësuese Norës, të përshtatura për nxënësit e tetëvjeçares”.

Në tjetrën anë, rrëmuja e dhjetorit 1990 te shtatorja ia kujton atë që kish dëshmu si 10-vjeçare nga ekrani:

“Sikur të mos kisha parë në televizor skena rrëmuje jashtë shtetit, nuk do ta dija fare se ajo pamje e çuditshme njerëzish që çirreshin duke hedhur parulla […] quhej pikërisht ashtu: protestë”. Deri këtu në rregull; narratorja Lea ilustron zbërthimin që i bënte kodit gjuhësor të të rriturve. Megjithatë, lexojmë në kapitullin kur Lea është kund 8-9 vjeçe, se revolucionin e preferuar e kishte atë bolshevikun.

Me sa vihet re nga krahasimet mes botimeve në dy gjuhët, autorja përkthen në shqip variantin krudo të origjinalit, atë që i ka dorëzu botuesit britanik, jo atë që ekipi i redaktorëve të këtij e përpunon për ta nxjerrë në treg. Vepra në shqip del veç një muaj mbas asaj në anglisht, pa asnjë ndërhyrje redaksionale dhe e ndryshme në shumëçka.

Versioni anglisht zbut zotimin e edukatores së kopshtit për ta ndjekë “misionin socialist” të Enverit në “We will continue his work and follow his example”. Revolucionin e parapëlqyer bolshevik të Leas fëmijë e thjeshton në ‘Russian’, social-imperializmin e zbut në ‘revisionism’ (të paktën në përputhje me ç’përdor tjerakund mësuesja Nora), kurse “vështrimin e tretur në horizont” të shtatores së Stalinit thjesht e fshin.

Nuk është se versioni anglisht zgjidh krejt poblemet që lindin nga zotësia e jashtëzakontë e protagonistes për të riprodhu diksursin socio-politik të kohës, përkundër pamundësisë reale për t’iu ekspozu gjithë asaj terminologjie të tij në moshë aq të njomë.

Gjejmë në versionin shqip të librit edhe formulime si “turfulloi në heshtje”, “përsiatja dyluftuese me antenën”, “‘Po pse e bëri këtë?’ u përgjigja unë”, ose “mbrëmjet që organizoheshin paradite”, që shpalosin njëfarë prirje latente për oksimoronë dhe, ndonëse krejt tërthorazi, e ulin më në tokë edhe figurën e wunderkind-it protagonist.

Qartazi, figura e Leas personazh, me interesat, ndodhitë, zotësitë e kuvendet që i përshkruhen nëpërmjet Leas rrëfimtare, veçmas në pjesën e parë, amplifikohen nga Lea autore që metarrëfimin marksist e përvetëson vite më vonë, studente në Itali. Krejt këto, mësojmë në epilog, në mënyrë që autorja të mundet me i përballë me njëfarë autoriteti prej dëshmitareje kompetente të të dyjave, sistemin “socialist” me atë “liberalist” që zë pjesën e dytë të librit.

Kosova

Vërejtja kryesore e do lexuesve të këtushëm qe se Kosova nuk figuronte kund. E prisja, ç’është e drejta, ndonjë përmendje përshqit në fund të librit, që përshkruan ngjarjet e vitit 1997, të tipit “Të gjithë e dinim se lufta ishte e pashmangshme në Kosovë, por nuk e kishim mendu se armët fillimisht do të shkrepnin te ne”. Kaq, sa me larushitë më tej ngjyrësinë përndryshe përplot me këso lloj grimcash enciklopedike për personalitete, shoqëri e vende në kohë kthesash e krizash.

Por autorja në promovim tha se “në ndërgjegjen politike e morale” të saj Kosova kishte hy veç në vitin 1999, kjo ndesh me natyrën kërshërore të Leas personazh dhe me njohuritë se Shqipëria mbaskomuniste futi herët Kosovën në programin shkollor dhe nisi transmetimin e lajmeve të përditshme për Kosovën në Televizionin Shqiptar, se politikanë të Kosovës venin e vinin duke kapë gjithmonë vëmendjen publike, se këngëtarët e këngët nga Kosova u njohën mirë edhe nëpër Shqipëri, e se turistë shqiptarë nga jashtë Shqipërisë vërshuan pikërisht Durrësin, qendrës së të cilit shpejt iu shtuan lokale me emra si Drenica, Tetova, Gostivari e Vushtrria.

E ëma, “jo për ta arsyetu Lean” shtoi gjatë promovimit se edhe në kishin folë për Kosovën në familje, kishin përdorë kod, duke i bë jeh kështu pjesëve të librit mbi kodin mes të rriturve të familjes Ypi në kohë diktature. Po në vitet kur nevoja për kodime përfundimisht u hoq, në familjen Ypi e ngado, e Kosova po shtyhej gjithnjë më afër pragut të luftës, nuk u zu më në gojë? Arsyet për mospërmendjen, më bëhet, duhen lypë ngjeti.

Me përmbyllë

Kapitujt e pjesës së parë të librit zhvillohen për mot të mirë: është pranverë kur vdes Enveri, verë kur ngjitet në pemën e komshisë me i pajtu dy familjet, ende verë kur e regjistrojnë në klasë të parë, zheg kur turistëve u bie erë krem plazhi, pranverë në 1 Majin e fundit që vajza feston.

Pjesa e dytë e librit, me Lean tashmë adoleshente, e paralajmëruar që në krye me shiun e ditës së protestave, nis me dimrin fill pas tyre, e është prapë dimër në kapitullin për marsin 1991 kur shoqja e ngushtë ik në Itali, prapë mbas pesë vjetësh kur mëson për zanatin e saj matanë detit, dhe është dimër nëpër datat përmbi pasazhet nga ditari i autores i vitit 1997. Edhe pse jo gjithmonë, kësaj gjysme të librit shpeshherë i murrëtehet qielli.

Nga ndarja primordiale mes Dashurisë dhe Frikës, merret vesh që autorja ta ketë ndiju shumë prej të parës sa ndodhej ende nën mburojën e familjes, fëmijë i patëkeq dhe pa idenë se ishte vetë me njollë biografie për sistemin, të cilit po ia blatonte besnikërinë. E kuptueshme që edhe sot mallnohet për dashamirësinë mes fqinjëve e njerëzve (skamjen e bashkëndajmë larg më bujarisht se kamjen, do ta keni vërejtë). E kuptueshme edhe ta ketë ndiju frikën prej çorientimit mbarëshoqëror në vitet e hershme të tranzicionit, që kulmoi me kaosin e gjithkahshëm të vitit 1997.

Njerëzit në atë kapërcyell kohe brofën vërtet pa asnjë pikë referimi përballë njëmendësisë së re, të shumtët syleshë edhe ndaj mashtrimeve të firmave piramidale, por të babëzitur në përpjekjet për t’u mëkëmbë me çdo mjet dhe sa më parë. Por kurrfarë pjese të fajit për ngjarjet e vitit 1997 autorja nuk ia faturon Enver Hoxhës dhe sistemit që krejt një popull në atë derexhe mjerimi e uli.

Me i trajtu, qoftë edhe në këtë vepër pa shumë mëtime teorike, dyzimet e tilla si majtizmi e djathtizmi, me qëndrimin se veç pajambajtja për njërin e jo konvergjenca mes sosh është e mundshme, e me sendëzu të parin duke zgjedhë me përbiru nëpër mikrokozmosin e mirëpruajtur të një vogëlusheje, megjithëse brenda një diktature të pashoqe, kurse të dytit me ia ngarku turbullirat e pafashitura të të parit, e majë këtyre, kështu me e paraqitë botërisht këtë hark të historisë sonë, nuk u tregu si mënyra më e gjetur për t’iu qasë edhe njerëzve me përvoja vetjake nga e njëjta diktaturë. Në thelb, besoj të jetë kjo arsyeja pse, me gjithë shitjet e vlerësimet e librit nëpër botën perëndimore, Lea Ypi u ndesh me atë rrëke fyerjesh online nga bashkatdhetarët, kurse nga kritika shqiptare vlerësimin e pati përgjithësisht të ftohtë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.