Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Fragmente të padobishme II

Posteri i filmit "Moonlight" me regji nga Barry Jenkins.

***

Filmi dramë amerikan Moonlight me një performancë të mrekullueshme të aktorëve, është një humnerë e thellë psikologjike. Mbi të gjitha është një himn i dhimbjes së njeriut që ndihet i veçuar. I fyer dhe i dëbuar nga realiteti. Dhe nga fanatizmi njerëzor që fatkeqësisht ende qëndron si statujë para turmës që e adhuron. Moonlight padyshim është rrëfim i trishtë, një vërejtje e madhe mbi pseudoliberalët dhe një mësim i duhur për konservatorët, që po rrezikojnë kaq shumë lirinë e secilit që e ka të hedhur në supe padëshirueshëm. Moonlight është një rrëfim dashurie në mes dy burrash që vetëm nën dritën e hënës, bëjnë atë që e thotë zemra e tyre e harbuar. Charles Baudelaire në Parajsat Artificiale shkruante se një njeri që pinte vetëm ujë, ka një sekret të madh që e mban fshehur njerëzve të tjerë. Personazhi kryesor pi vetëm ujë. Dhe sekreti është e gjithë përmbajtja e tij. Po ashtu drama amerikane është një reflektim mbi familjet e katandisura që kanë humbur kuptimin. Për familjet të cilat ndjejnë zgjimin vetëm atëherë kur e kanë djallosur, gjithë atë që duhej ta ruanin si sytë e ballit. Moonlight është çekiçi hyjnor që godet pandershëm tavolinën e njeriut që është përdhosur nga fati. Vjen një çast kur duhet të vendosim nëse duam të jetojmë të poshtëruar apo duhet të ecim drejt për të hapur dyert e panumërta para nesh. Moonlight është një dramë mbi motherfuckerët e dashuruar që qajnë si fëmijë bastard, në prehrin e ngrohtë të dashurisë, ardhur nga toka e trishtimit.

***

Lennoni thotë Zoti është njësia matëse e dhimbjes sonë. Për mua bota është fusha fizike, ku duhet të shtrihet kjo dhimbje. Vendi ku na bëhet e qartë shkalla e ulët e dobësisë dhe ku dëshmohet budallallëku i të qenit hero. Fatkeqësisht i të qenit njerëzor. Ndërkohë vetëm brenda këtij përçudnimi, ne mund ta arsyetojmë praninë. Mund ta arsyetojmë të bukurën, që po digjet flakë. Bota ende gjendet në majat e brirëve të një demi mitik. Vendi më i papërshtatshëm për të dërdëllitur për paqen dhe argumenti më i qëndrueshëm i ligësisë njerëzore. Pasqyra e vetme ku mund ta shohim veten. Ashtu se çfarë jemi. Të përgjakur dhe gojën mbushur me luftë. Të përgjakur dhe gjoksin mbushur me atom. Të përgjakur dhe mendjen mbushur me shpresë. Bota është formula kimike e absurdit.

***

Sot përsëri më shkoi mendja të bëj vetëvrasje. Desha ta shkruaja një letër; shporruni të gjithë. Natyrisht nuk e bëra. Isha tepër i lumtur në çastin që më shkoi mendja tek kjo gjë. Kur shoh fytyrat e njerëzve që i kam njohur gjithmonë, shpirti im i ndyrë qan si kafsha në ferr. I shoh se si po vjetërsohen. Bash i dalloj. Qenie që po shkojnë poshtë. Kjo ma prish pak. E kuptoj se diçka jokorrekte po ndodh me ne. Diç duhet të bëjmë por ende nuk jemi të aftë. Po të isha Zot, Zot na ruaj. Do të ja falja njerëzve vetëm një gjë. Veten e tyre. Dhe pastaj do t’i braktisja. Përgjithmonë.

13 shkurt 2017

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.