Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Gazi nën litar

Për botim të dytë të librit të Rade Radovanoviqit [Radovanović“Gazi nën litar¹: Të gjitha që deshët të mos i dini mbi luftën në Kosovë” [Smeh pod vešalima: Sve što ste želeli da ne znate o ratu na Kosovu], Mostart 2021, 315 faqe.

Libri në fjalë është dokument specifik historik. Në të mund të gjinden shënime të saktë mbi viktimat e luftës në Kosovë, asaj të fundit në vargun e luftërave (në Slloveni, Kroaci, dhe Bosne e Hercegovinë) të viteve të nëntëdhjetë të shekullit XX në të cilët shteti i ndërlikuar jugosllav u shpërbë gjatë disa etapave. Por për dallim me cilindo dokument të veçantë, ky libër është pasqyrë e luftës dhe e shoqërisë serbe, në përgjithësi.

Në luftë të Kosovës u vranë dhe u zhdukën 13.536 njerëz, nga ky numër 10.802 (80%) shqiptarë, 2.137 (16%) serbë, dhe 526 viktima të kombeve tjerë.

Megjithatë, viktimat e luftës në Kosovë nuk janë vetëm numra. Ato bëhen hollësi qenësore vetëm kur vështrohen në kontekstin të cilin e formon shoqëria serbe në vitet e nëntëdhjetë të shekullit XX. Kjo edhe e bën dokument historik librin. Pra: populli dhe pjesëtarët e inteligjencisë, pushteti dhe opozita, politika e brendme dhe e jashtme e Sërbisë pas fundit të luftës së ftohët dhe thyerjes se regjimeve komunistë, konceptet e ndryshëm të zgjidhjes së krizës së Jugosllavisë pas vitit 1980, marrëdhënet ndërmjet qendrës jugosllave dhe republikave, sidomos Kosovës dhe Sërbisë.

Gazetari dhe publicisti Rade Radovanoviq raportoi mbi luftën si korrespondent i Radios Evropa e Lirë [RFE/RL], e pastaj—tridhjetë vite më vonë—shkroi libër mbi atë luftë. Në të dy rastet ai qëndron i paepur me pikëpamjen se shëruese mund të jetë vetëm e vërteta. Sikur bari i fortë në doza të mëdha, ajo e ndihmon ndarjen e indit të sëmurë nga i shëndoshi, me shpresë se vetëm kjo mund t’i japë kontribut shërimit të tërësisë. Natyrisht, mjetet dallojnë. Në shoqëri, funksionin e briskut kirurgjik e kryen kritika. Ajo e ka parakusht lirinë. Se vetëm përmes dialogut formohet në një shoqëri vetëdija mbi ndërlidhjen në mes të shkaqeve dhe pasojave. Me fjalë të tjera, përgjegjësia individuale dhe institucionale për pasojat e vendimeve. Radovanoviqi kësaj nuk ia largon sytë asnjëherë. As kur shkruan mbi ato që shoqëria serbe nuk donte t’i dinte gjatë luftës, as kur e përmbledhë përmes librit pasqyrën e shoqërisë së kohës së luftës. Çka e shpjegon qëndrueshmërinë e tij: karakteri, morali personal, profesionaliteti? Në Sërbi, gjatë të nëntëdhjetëesatave, qëndrueshmëria nuk ishte rregull, po përjashtim. E përjashtimi u desh të izolohet ashtu që Radovanoviqi u stigmatizua si spiun amerikan ose tradhëtar i kombit. Kjo nuk ishte hera e parë por, për dallim të vëmendjes së historianëve të huaj, shembujt e diskualifikimeve filluan vetëm rishtas ta tërheqin atë të vendasve. Dhe Rade Radovanoviqi u bë i pranuar vetëm atëherë kur, përmes punës së tij, shpërtheu jasht mbylljes lokale . Në vitin 2000 e fitoi shpërblimin e Kryetarit për raportim mbi luftën në Kosovë. Me atë rast, kryetari i kompanisë RFE/RL, Tomas A. Dejn [Tomas A. Dain], i shkroi:

Rade i dashur,

Në sajë të punës suaj të jashtëzakontë, ju zgjodha për pranim të shpërblimit të Kryetarit për vitin 2000. Ju jam mirënjohës përgjithmonë për ato që i bëni për misionin tonë të promovimit të demokracisë. Jam i gëzuar për të arriturat e juaja të ardhme.

Raportimi i Rade Radovanoviqit nga lufta në Kosovë tregoi se edhe në këtë luftë, sikurse në çdo luftë tjetër, ekziston një kufi ndërmjet së mirës dhe së keqes. Si njëra, ashtu edhe tjetra anë e kësaj ndarjeje i ka nyjansat dhe mënyrat e shprehjes që dallojnë në mes vete. Kufiri nuk kalon vetëm nëpër popull. Ai i ndan pjesëtarët e inteligjencisë, politikanët, diplomatët, gazetarët… Njerëzit kanë motive, qëllime, dhe interesa të ndryshëm. As RFE/RL nuk ishte përjashtim në këtë pikëpamje. Reagimet ndaj shpërblimit të Kryetarit për vitin 2000 ishin të shumllojtë. Shumica e kolegëve u gëzua, dhe e përgëzoi laureatin. Në vend të përgëzimit, drejtori dhe kryeredaktori i shërbimit ballkanik, Nenad Pejoviq i tha Radovanoviqit: «Mos mendo se tani s’të bën kush gjë dot». E Radovanovqi ia ktheu: “Ti, Pejoviq, s’më bën gjë dot… As ti, as ai në Beograd, as ai në Uashington… ti nuk arrin ta kuptosh se fuqia e jote nuk mvaret nga qëllimet e tu, por nga pranimi im—e unë nuk pranoj”. Shkurt e qartë, Rade Radovanoviqi nuk pranoi të gënjejë në vend se ta flasë të vërtetën. As për të holla, as për karrierë. As për interesat kombëtarë të cilët i vente si parakushte propaganda politike. Gjegjësisht Prijësi së bashku me vijuesit e tij të çmendur.

Nga raportimi i Rade Radovanoviqit dihen: vendet e ngjarjes, aktorët, numrat e viktimave. Por këtyre të dhënave konkrete u bëheshin, në kontekstin e krizës së shtetit jugosllav, interpretime të llojllojtë. Përmes tyre u kristalizuan edhe gjithfarë konceptesh të zgjidhjes së krizës. Mjaft bindës, saqë të tregonin se ajo që kishte ndodhur nuk kishte qenë mundësia e vetme. Në Sërbi, qysh në gjysëm të viteve të tetëdhjetë, vjen gjer te një konsenzus shoqëror për t’iu qasur zgjidhjes së çështjes serbe si një zgjidhjeje shtetërore. Kosova bëhet armë e fortë e betejës drejt atij qëllimi. Gjegjësisht, për ndërrim të pozitës që e kishte Sërbia sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në Sërbi, si republikën e vetme  jugosllave me dy krahina autonome (“tripjesëshe²”), u ndoll mosbesim ndaj federatës jugosllave, por edhe një ndjenjë e pësimit të lëndimit, që në shoqëri serbe shkaktoi rrebesh të vërtetë emocionesh që u provokuan dhe kanalizuan në të gjithë nivelet. Në këtë atmosferë erdhi gjer te një largim i vrulltë nga persiatja racionale e interesave dhe mundësive të njëmendëta. Gjer në gjendje të sëmundjes.

Në fakt, lufta në Kosovë u planifikua gjat, jo vetëm përmes keqpërdorimit të mitit serb, por edhe përmes marrjes së vendimeve në politikë pa parashikim të pasojave të tyre. Kjo filloi me privim të shqiptarëve nga prijësit: me përjashtim të njerëzve të matur dhe të orientimit jugosllav, nga funksionet në politikë. Vazhdoi me anulim të të drejtave të fituara më parë, për të përfunduar me zbatim të dhunës së spektrit të gjërë. Në luftë të Kosovës dolën në shesh të gjitha veçoritë që i përfshin përkufizimi i “ballkanizimit”. Por edhe veçoritë e një shteti në shkapërderdhje e sipër. Gjatë luftës së Kosovës, në Sërbi funksionon vetëm prijësi autoritar. Të gjithë institucionet tjerë, duke i përfshirë edhe armatën me policinë, veprojnë krye më vete. Vrahet dhe plaçkitet popullata shqiptare. Rezistenca e shqiptarëve has në përgjegje të përdorimit të policisë dhe armatës. Njëherit, me shqiptarët e Kosovës solidarizohet popullata e republikave tjera jugosllave dhe e botës. Pas intervenimit nga NATO dhe aleanca, vje gjer te revanshimi. Gjer te vrasja e individëve serbë, si dhe grupeve të tyre. Këta, prej frikës nga pasiguria, shpërngulen me masë të madhe për Sërbi.

Dhe kështu mbyllet qarku i dreqit. Brezat e rij të Kosovës, si shqiptarët, ashtu edhe serbët, sot i kanë të përbashkët vetëm synimet e lëshimit të Kosovës dhe daljes në botë. Duke mos e pranuar disfatën që e ka pësuar politika e Republikës së Sërbisë ndaj Kosovës, pushteti i Sërbisë po sillet sikur të mos kishte ndodhur gjë. Kështu bëhet edhe më e vështirë zgjidhja e problemit të Kosovës. Prej raporteve të Rade Radovanoviqit ka qenë leht të parashihen këto pasoja. Raportimet e tij e përshkojnë tërë kohën e zgjatjes së luftës dhe janë të shpërndarë gjithkah nëpër shtyp e gjetiu. Nuk gjindej kohë të lidheshin ndërmjet veti. Aq më pak të rishqyrtoheshin. Dhe këtu tani paraqitet libri i Radovanoviqit që i bën të gjitha të mundura. Mori formë vështrimi i tij i luftës, por edhe pasqyra e tij e shoqërisë serbe gjatë luftës. Ai ua rikujton njerëzve ato që nuk donin t’i dinin mbi luftën, kurse përmes këtij libri i fton të mendojnë thellë mbi të.

Libri i Rade Radovanoviqit nuk e pat fatin librave të autorëve të cilët raportuan mbi luftën menjëherë pas përfundimit të saj. Rade nuk qe i detyruar ta ndërronte identitetin dhe ta braktiste vendin. Studimet themelorë, sikur libri i etnologut Ivan Čolloviq [Čolović] Vdekja në Fushë të Kosovës [Smrt na Kosovu Polju] (2016)—fryt i punës së tij të tetë viteve—as në bashkësinë akademike të Sërbisë nuk patën jehonë të merituar. Mirëpo libri Gazi nën litar: Të gjitha që deshët të mos i dini mbi luftën në Kosovë [Smeh pod vešalima: Sve što ste želeli da ne znate o ratu na Kosovu] e tërhoqi vëmendjen e publikut të gjërë. U botua në gjuhë serbe, shqipe, dhe kroate. Po përgatitet botimi i tij i dytë. U promovua në Sërbi dhe në Bosne e Hercegovinë, edhe po pritet botimi i tij në gjuhë angleze. A paraqet kjo pranim të disfatës së politikës e cila e ka lidhë apo, përkundrazi, të faktit që problemi i Kosovës është ajo nyja për shkak të së cilës Sërbia po vendnumron? Realiteti i cili nuk ka rrugëdalje detyron të shtrohen pyetje e të kërkohen shpjegime. Këtu e ka zanafillën çdo vetpersiatje.

                               Image

Në këtë kuptim libri i Rade Radovanoviqit e zgjëron hapësirën e lirisë dhe ia luan trollin autoritarizmit i cili problemin e pazgjidhur të Kosovës e shfrytëzon si mjet të ruajtjes së pushtetit të vet. Rade Radovanoviqi bëri aq sa pat mundësi si individ me përgjegjësi, edhe me raportim nga lufta në Kosovë, edhe me shkruarje të librit mbi luftën. Vetëm pas një procesi pak më të gjatë piqet përceptimi dhe kuptohet se ndërrimet që i premton një njeri i vetëm nga maja e piramidës së pushtetit nuk mund të jenë më shumë se imitime të ndërrimeve. Terrenin për ndërrime qenësorë në të gjithë nivelet e përgatitë individi që ka përgjegjësi. Mu atë individ përpiqet «ta zgjojë» Rade Radovanoviqi me librin e vet. Në bazë të jehonës së librit të tij, mund të konkludohet se kjo edhe po i shkon për dore.

***

Shpjegime të përkthyesit:

¹) i përkthyer shqip, dhe i botuar nga Koha, me titull tjetër, Qeshja nën trekëmbëshin e varjes, dhe pa nëntitullin Të gjitha që deshtët të mos i dini mbi luftën në Kosovë.

²) sërbisht: “iz tri dela”, shkëputur nga parulla e revolucionit antibirokrat të Millosheviqit, që e kishte për qëllim (dhe e realizoi) këthimin e krahinave autonome në përbërje të Sërbisë: Moj Sërbi e ndarë si tri, do të jesh e plotë përsëri [Oj, Srbijo iz tri dela, ponovo ćeš biti cela].

*Përkthim i Florent Rizvanollit nga sërbokroatishtja, me leje personale të autorit të librit, i artikullit të botuar në portalin Peščanik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.