Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

I ftohti i thatë në Prishtinën e aparteidit

Këto ditë Netflix lëshoi në qarkullim filmin “Cold November / Nëntor i ftohtë”, që rrëfen për jetën në Prishtinën e fillim-viteve ’90, atëherë kur u suprimua autonomia, punëtorët shqiptarë u larguan nga puna, dhe vendi filloi të kredhej në dekadën e aparteidit. Filmi është produkt vendor, dhe vetë fakti që ai arrin të plasohet në platformën Netflix dëshmon për suksesin e tij.

Me këtë film bëhet një hap i guximshëm drejt shpalosjes së një teme mjaft intriguese, e që deri vonë do të jetë trajtuar si tabu. Është fjala për një zbërthim të sinqertë të raporteve ndër-etnike në mes të shqiptarëve dhe serbëve, si fqinj, si kolegë të punës, apo si shokë e shoqe. Fjala është edhe për trysninë psikologjike që masa bën ndaj individit, duke kërkuar prej tij lojalitet dhe konformizëm. Filmi ia del të shmangë narracionin ekskluzivisht triumfues (‘ne fituam’, ‘ata humbën’, ‘ne ishim të mirë’, ‘ata ishin të këqij, dhunues, vrasës, çetnikë’), si dhe narracionit ekskluzivisht viktimizues (‘ne ishim viktima’, ‘ne u dhunuam’, ‘ne vuajtëm’, ndërsa ‘ata vranë e plaçkitën gjithçka’).

Janë këto dy narracione ekstreme e përgjithësuese që diktojnë konformitet, e që kanë dominuar diskursin publik e intelektual në tërë periudhën e pasluftës. Duke qenë kaq përgjithësuese e thjeshtëzuese, ato nuk kanë lejuar shpërfaqjen e nuancave e raporteve shoqërore që kanë ekzistuar ndërmjet vetë shqiptarëve, apo shqiptarëve e serbëve si fqinj. Duke trajtuar këto raporte shoqërore me kaq sinqeritet e pa anime politike apo historike, filmi përfton një peshë të rëndësishme në aspektin etiko-moral.

Në film trajtohet poashtu fenomeni i “shqiptarit të ndershëm” që fillimisht u shfaq në vitet ’80 në kulmin e diferencimeve ideo-politike, dhe u thellua në fillim të viteve ’90, kur shoqëria kosovare po shkonte drejt një ndarjeje de facto aparteidi, ku pakica sundonte me ligj e me institucione. Në këtë çarje të thellë shoqërore, ku shqiptarët papritmas u zhvendosën plotësisht në rrafshin ilegal të ekzistencës (e që më shumë ishte mbijetesë), disa individë e gjetën veten mu në mes të fërkimit ndëretnik.

I tillë është edhe heroi/antiheroi i filmit. Në kohën kur shqiptarët largohesin masivisht nga puna, ai vendosë të rrijë, jo sepse kishte ndonjë simpati për regjimin serb, por sepse e kishte gruan dhe dy fëmijët në banesë (të cilën shefi serb e kërcënon t’ia marrë po që se ai e lëshonte punën) dhe një babë paraplegjik. Nuk kishte as edhe një burim tjetër jetese. Është e vërtetë se në të njëjtën luftë për ekzistencë ishim të gjithë ne, shqiptarët, ndonëse jo të gjithë të skalitur t’i qëndronim çdo stuhie me të njëjtën dozë stoicizmi. Me përkeqësimin e situatës politike në Kosovë, që duket edhe më mizore në atë të ftohtë të thatë e tipik prishtinas, gjendja e familjes së tij vjen duke u rënduar deri në momentin kulminant e tragjik kur atë e presin para banesës disa të panjohur.

Trajtimi kaq neutral i kryepersonazhit – “shqiptarit të ndershëm” – dhe vënia në pah e nuancave të personalitetit dhe konflikteve të brendshme të tij, i japin filmit një peshë të veçantë artistike, që duket edhe më shumë e tillë në sfondin e një kinematografie (dhe jo vetëm) kryesisht të cekët, ku trajtohen të tilla tema. Kjo sepse e tillë ishte jeta në Prishtinën e viteve ’90. Jeta kishte nuanca, dhe jo të gjithë ishin patriotë të flaktë. Kjo edhe justifikohej, sepse frika mbretëronte gjithandej, sidomos e prindërve për sigurinë e fëmijëve të tyre.

Kredibiliteti i filmit mbështetet poashtu në faktin se aty trajtohet me besnikëri dhe pa anime raportet shqiptarë-serbë. E kam fjalën për raportet më të thjeshta ndër-njerëzore, të fqinjve, kolegëve të punës, simpative të rinisë. Me ngritjen e regjimit monstruoz të Beogradit, është fakt se shumë serbë morën anën e tij dhe kthyen shpinën, e madje edhe tytën, kundër fqinjve të tyre shqiptarë. Kështu është rasti i fqinjit të kryepersonazhit të filmit, i cili me përkeqësimin e situatës bëhet shef i tij. Tekefundit, në kohë armiqësish ndër-etnike, shumica e njerëzve rreshtohen mbrapa sojit të vet. Por në film shtjellohen edhe rastet kur njerëzorja ngadhënjen përkundër situatës, si p.sh. në raportin ne mes koleges serbe dhe kryepersonazhit. Vetë kolegia serbe është e brengosur për djalin e saj që ia kanë dërguar ushtar në luftën në Bosnjë.

Shkolla ”multi-etnike” në Prishtinë – evokim personal

Shkolla fillore ku kam përfunduar tetëvjeçaren në Prishinë kishte, në mos gaboj, tetë paralele shqip-folëse, e dy serbisht-folëse. Më duket se kishte edhe një paralele turqisht-folëse. Ky ishte pak a shumë distribuimi etnik brenda shkollës. Para se ndërkombëtarët të na ligjëronin për rëndësinë e jetesës multi-etnike, ne e kishim një të tillë mu në shkollën tonë.

Megjithatë, nuk mbaj mend të jemi shoqëruar shumë me njëri tjetrin. Madje edhe në pjesën e dytë të viteve ’80 – kur isha nxënës aty – ekzistonte njëfarëlloj segregacioni në mes të klasëve shqiptare e atyre serbe. Kryesisht, ata shkonin në shkollë paradite, ne pasdite. Ata shfrytëzonin një anë të shkollës, ne tjetrën. Pastaj, me përkeqësimin e situatës, mbaj mend se si ca nga djemtë e guximshëm prej mesit tonë ndaleshin pas mësimit e prisnin në oborrin e shkollës për t’u rrahur me nxënësit serbë (unë nuk isha në mesin e tyre, jo se isha domosdoshëmrisht më i pjekur, por sepse nuk isha aq i guximshëm). Në anën tjetër, siç dihet, atëherë kur ishim në klasën e VI apo VII mjekët serbë kishin tentuar të na vaksinonin me një ilaç që thuhej se të bënte steril dhe të helmonte.

Kojshiu i parë i gjyshit tim në Kodër të Diellit, ku jam rritur, ishte Vllada, apo čika Vlada si e quanim – një plak i urtë, i buzëqeshur e punëtor që kultivonte bletë. E mbaj mend me ato rrobat e kaltërta ”radnički” duke punuar rreth oborrit gjithë ditën e lume. Ishte pasionant i shahut. Shkonte e vinte me pleqtë e mëhallës me të cilët luante shah deri në orët e hershme të mëngjesit. Gruaja e tij ishte Millena – amvise, e veshur kryesisht me të zeza e shami mbi kokë. Si fëmijë kisha përshtypjen se ajo tërë vitin e kalonte duke përgatitur diçka në kuzhinën e katit përdhesë. Nëse nuk përgatiste pestil, bënte ajvar, nëse nuk bënte ajvar, bënte turshi, nëse nuk bënte turshi, ziente vezë për Bozhiq. E mbaj mend gjithë ditën duke ecur vërdallë me ata kavanozët e saj me turshi, e duke shpërndarë ushqim te fqinjtë shqiptarë. Kishin tre fëmijë – Brankon, Gocën, dhe Dejanin. Goca ishte më e madhe dhe si ekzotike dhe e pavarur që ishte, na dukej si shajni, se i takonte një universi tjetër. Dejani ishte moshatar i imi; shkonim në të njëjtën shkollë. Luanim futboll së bashku. E mbaj mend se si ne fëmijët shqiptarë bënim intriga kundër tij në lojë.

Pra, kjo ishte një familje serbe më se e rëndomtë prishtinase, që jetonte në harmoni të plotë me fqinjtë shqiptarë. Por, atëherë erdhën vitet ’90 dhe Branko, djali i madh, hyri të punojë në polici. Me kalimin e viteve, flitej se Branko ishte avansuar në detyrë dhe se u bë një ndër inspektorët kryesorë që thërriste shqiptarët në ’biseda informative’. S’do mend se edhe raportet në mes familjes serbe e fqinjve shqiptarë u ftohën gradualisht. Fill pas luftës ata shitën shtëpinë dhe sot jetojnë diku në Beograd, besoj.

Rrëfime të tilla personale të asaj kohe ka përplot. Si në film, ato shpërfaqin nuancat e marrëdhënieve komplekse ndërnjerëzore dhe thyejnë stereotipët e diktuar nga narracionet e pasluftës. Është e vërtetë se një pjesë e mirë e atyre serbëve u kthyen kundër fqinjve të tyre shqiptarë – si rasti i Brankos, apo i shefit të kryepersonazhit të filmit. Por gjithashtu e vërteta është se kishte raste humane ndërmjet njerëzish – edhe ndërmjet atyre etnish të ndryshme – edhe gjatë aparteidit, e madje edhe në luftë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.