Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Injoranca e bekuar kundër mendimit kritik

 

 

Çfarë është në të vërtetë mendimi kritik?

Mendimi kritik nënkupton guximin për të mos u pajtu/konformu me rregullat e të menduarit tradicional dhe për të dalë jashtë kornizave të përcaktuara nga mendimi i zakonshëm dominues. Pra, në radhë të parë nënkupton mendim jokonformues ndaj asaj që thonë autoritetet morale, pedagogjike e politike me qëllim që të çelen shtigje për ide të reja e kreative.

A ka njerëz në shoqërinë tonë që mendojnë në këtë mënyrë? Natyrisht se po. Por, përshtypja ime është se nuk mund të flitet për një masë kritike, domethënë për një numër minimal të nevojshëm që kishte me e avancu mendimin kritik. Në mungesë të kësaj force, të rinjtë tanë kryesisht riprodhojnë modelet e vjetra të të menduarit që i pranojnë nga autoritetet në shtëpi, shkolla, e media.

Veç kësaj, ka edhe një “por” tjetër: shpeshherë kur pretendojmë se angazhohemi në mendim kritik, ai reduktohet në mendim dhe qëndrim ndryshe nga ai i autoriteteve. Në sajë të hapjes kulturore dhe revolucionit informativ, të rinjtë u ekspozohen informacioneve të shumta dhe ideve nga më të ndryshmet. Por, kufizimet kohore dhe kognitive, si pasojë e arsimimit të papërshtatshëm, e pamundësojnë verifikimin e informacionit dhe shqyrtimin ideve. E vërtetë se qasja e lehtë dhe e shpejtë në informacion po jep mundësi të shumta, por ky informacion është vetëm mbledhje e fakteve, por jo edhe kuptim i tij, domethënë dije.

Tejkalimi i mendimit të zakonshëm tradicional është kusht i domosdoshëm drejt mendimit kritik. Mirëpo, është e pamjaftueshme që të merren modele të gatshme dikah tjetër, nga majtas e djathtas, lindja e perëndimi, e kaluara dhe e tashmja, e të mos i asimilojmë ato në një model të ri të të menduarit kreativ e alternativ. Ky integrim i ideve në mënyra të reja mendimi, mund të bëhet vetëm nëse mendimi rrjedh nga një qëndrim e analizë kritike ndaj çdo modeli të gatshëm të të menduarit. Ndryshe, mund të flitet veç për mendim dogmatik.

Mendimi kritik, prandaj, është origjinal e jokonformist, e joskematik sipas modeleve të caktuara.

Përse nuk ka mendim kritik?

A ka shpresë që shoqëria jonë do të mendojë në mënyrë kritike e të zhvillojë mënyra të reja të mendimit? Mendoj se po. Ka arsye të jemi optimistë përkitazi me këtë në një të ardhme të parashikueshme.

Në shoqëri po ngjajnë transformime të ndryshme strukturore ose organizative që do të kenë ndikim edhe në zhvillimin e ideve të reja ndër brezat e rinj. Brezat e rinj po rriten e formohen në rrethana të ndryshme nga ato të brezave më të vjetër dhe po formojnë një mendësi e kulturë tjetër. Të rinjtë po u ekspozohen ideve që qarkullojnë në nivel global përmes internetit, udhëtimeve e njohjeve personale. Ata do të kenë nevojë për ide e mendim që do t’u përshtaten situatave të kohës së tyre dhe thyejnë kufijtë e provincionalizmit. Trysnia shoqërore për zëvendësimin e ideve dhe elitave të vjetra me të rejat po shtohet. Mirëpo, duhet të pranojmë se ka faktorë pengues që përderisa ekzistojnë ato, zhvillimi i kulturës dhe shprehive të mendimit kritik do të vonohet.

Çfarë e pengon mendimin kritik në shoqërinë tonë? Nëse marrim parasysh faktorët kulturorë, mendimi kritik nuk është diçka që e promovon struktura e logjikës tradicionale që mbizotëron në kulturën tonë. Kjo logjikë është formuar për një kohë të gjatë në kontekste të ndryshme politike e ideologjike në kuadër të organizimeve shoqëroro-politike dhe ideologjitë e së kaluarës, si ai kanunor, fetar, nacionalist dhe komunist.

Sistemi jonë vleror që rezulton prej një formimi të këtillë të krijon autoritete e vlera të padiskutueshme, shenjtëron ngjarje, persona, organizata, qëndrime e besime. Në familje kemi t’zotin e shpisë, bacin, vllaun e madh, etj. Toka jonë ka bartur mbi shpinë heronj e shenjtorë dhe është larë me gjak martirësh e dëshmorësh. Mbi të e nën të gjejmë baballarë të kombit, Mekë e Jerusalem shqiptar, pastaj patriotë që deri dje i njihnim për tradhtarë, e tradhtarë që deri dje ishin patriotë. Në kalendarin tonë historik kemi shënuar epope, luftëra të shenjta, ngjarje nga më të zakonshmet që i shpallim historike, madje zgjedhje historike, që i përkujtojmë në forma si të riteve fetare. Në mendësinë tonë kolektive kemi filozofi të filan politikanit, madje fe të shqiptarëve, si edhe miqësi të përhershme e vëllazni me vendet e tjera, e me do të tjera armiqësi pereniale, e çkamos.

Përballë këtij aparati totalitar ideologjik, kujt t’i shkojë mendja ose kush guxon të vërë në dyshim krejt këto shejtni e këtë histori të domosdoshme e të pashmangshme të kombit?! Të kundërshtosh mendimin dominues që është i tillë vetëm pse përsëritet deri në monotoni dhe legjitimohet duke ia veshur mantelin e shenjtnisë është e barabartë me blasfemi, sepse shenjtnia nuk guxon të cenohet. Ata e ato që guxojnë të flasin për temat tabu ose të shprehin mendime blasfemike dënohen si renegatë.

Aq sa zgjerohen tabutë, domethënë të vërtetat e padiskutueshme e të padyshimta, ngushtohen çështjet në të cilat mund të mendohet, domethënë vetë fusha ku lejohet diskutimi, arsyetimi logjik, opinioni, mospajtimi, debati e dallimet në opinione. Kështu, temat e çështjet mbi të cilat mund të mendohet shkojnë duke u rrudhur, ndërsa thellësia e të menduarit mbi to cektësohet.

Injoranca e bekuar

Ishte dashtë që sistemi arsimor me i tejkalu e rrënu pengesat e vëna nga mendimi dogmatik tradicional e bashkëkohor. Por, edhe ai është thellë i ideologjizuar. Arsimtarët vijnë në klasa me librat e të vërtetave të pakontestueshme për t’ia kumtuar ato nxënësve e studentëve, bash si profeti me shkrimet e gdhendura në rrasa guri nga vetë Perëndia. Shkollat e universitetet tona, u mësojnë nxënësve dhe studentëve të vërtetat e gatshme dhe kanë vetëm nga një përgjigje të pakontestueshme për çështje e pyetje të komplikuara.

Sistemi ynë shkollor mbjell dhe e kultivon një kulturë dembelie intelektuale, pasi që nxënësit pranojnë dijet kategorike dhe fitojnë ndjenjën se nuk mbetet gjë e re për t’u mësuar ose për t’u thënë. Natyrisht që një arsimim i tillë nuk nxit e as ndihmon të rinjtë të mendojnë në mënyra alternative; të provojnë atë që thuhet nga autoritetet pedagogjike duke i krahasuar ato nëse janë në pajtim me faktet dhe të ekzaminojnë nëse vërtet ka logjikë në atë që thuhet. Kështu, shkolla të rinjve ua jep rehatinë e të nxënit të t’vërtetave të gatshme, të pajtuarit me atë që thuhet dhe pranimit të zgjidhjeve të gatshme për çdo problem, në vend të mundit të dyshimit, shqyrtimit dhe mendimit ndryshe.

Arsimimi degjeneron në indoktrinim që të rinjtë i mëson të mendojnë me kategori dyjare përjashtuese: “e mira”/”e liga”, “ne”/”ata”, “e jona”/”e huaja”, “mik”/”armik”, “patriot”/”tradhtar”, sipas modelit “bardh”/”zi” të të menduarit. Në këtë mënyrë, bëhet dallim ndërmjet dijes së gabuar dhe dijes së saktë, por jo duke u bazuar në kritere e standarde objektive shkencore, por duke në shkallën e përputhshmërisë së dijes së prodhuar me ideologjinë dominuese. Kategoria “e jona”/”e huaja” shërben për të zhvlerësuar apriori çdo ide a argument që bie ndesh me postulatet e shenjta “tonat” si “të përgatitura në kuzhinat e huaja”. Me anë të nocionit “tradhtar” refuzohen apriori opinionet e argumentet që kundërshtojnë atë ideologji duke e damkosur protagonistin e mendimit ndryshe si “dorë e zgjatur  e këtij e atij armiku”, “mbeturinë e këtij e atij sistemi”, etj.

Pastaj, kultura jonë provinciale këtë e quan “arsye” ose “mendim shkencor”, por që nuk është i tillë, pasi që nuk është mendim i lirë dhe kritik, por ide që nuk u janë nënshtruar provës së rreptë shkencore e logjike.

Ky sistem i arsimit rezulton në një kulturë ku mendimi kritik është i mundimshëm dhe i pavlerësuar, ndërsa pajtimi me autoritetet dhe injoranca janë bekim dhe vlerë. Bindja e verbër dhe injoranca tashmë janë patriotizëm, mençuri, zotësi, e besnikëri. Strehimi tek emrat e përveçëm të dëshmorëve të luftës, bartësve të filozofive politike të paqes e miqve ndërkombëtarë është maskë për të legjitimuar paaftësinë e injorancën dhe fshehur mashtrimin e të ligën.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.