Gjatë punës sime, nji pjesë e shkrimeve pleqnoj që mund të jetë në letër (pra të shtypun: gazeta) dhe nji pjesë në portale të ndryshme. Në shkrimin e fundit tim, gjykova që artikulli ‘Kulti Kadare’ të jetë i botuem në gazetë. E dërgova tek gazeta ‘Panaroma’, Tiranë – gazetë që kam bashkëpunue prej vitesh dhe kam nji pjesë të mirë të shkrimeve, të cilat janë përmbledhë në librin tim ‘Vox clamantis (in deserto)’, 2018. Përgjigja për këtë shkrim ishte heshtja totale e komunikimit tim – mbi nji javë – lidhun me informimin nëse a do të botohet a jo. Nisë prej këtij fakti e përcolla tek gazeta ‘Shqiptarja.com’, Tiranë, ku kam pasë botue edhe ma parë. Ky artikull në krye të herës, u botue në web (më datë 6 qershor, ora: 22.44 në faqen e Kulturës), me idenë që do të printohej në vijim posa hapësina të ishte e mundshme. Në orën 22. 45 (pra nji minutë mbrapa), nji portal me emnin ‘etleboro.org’ e muer dhe e publikoi në faqen e vet. Pa dijeni e autorit natyrisht, sikurse ka me ndodhë në vijim edhe me ‘telegrafi.com’; ‘kultplus’ or ‘time.al’.
Të nesërmen, pra kund mbas 10-12 orëve, ‘Shqiptarja.com’ e kishte fshî artikullin në fjalë. Edhe sot e kësaj dite ka mbetë gjurma: ‘Lajmi nuk u gjet’. Si duket për shkak të këtyne fjalëve që unë po i riprodhoj edhe njiherë:
Krahas pikiatës shqiptare të këtyne kohëve, si politike, sociale, kulturore e po ashtu edhe shkencore, kryeqyteti po lulon me evente. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, ndjek linjën e tij për vêmendje. Gja që duket krejt normale, në drejtimin e nji qyteti. Së mbrami, u promovue edhe Shtëpia Studio Kadare, me statusin e nji muzeu vendor. Nji paralajmrim që përflitet tash pak nëpër media. Me aq sa na lejojnë insertet dhe lajmet, projekti në fjalë dukej me shumë angazhim. Na ishte pajtue nji arkitekte italiane, që me e konceptue banesën e Kadaresë për nji studio të hapun për vizitorët, kundrejt pagesës natyrisht. Çdo shqiptari, sado të mesëm me formim, ia rrok mendja se projekti duhet me pasë qenë ‘ambicioz’ në fonde. E natyrisht këto fonde Bashkia e Tiranës i merr nga qeveria, e cila mendon ditë e natë po për vêmendje qoftë edhe në pikën ma akute të shtetit.
Përpos mbështetjes ministrore (MK) për shtëpinë e lindjes së z. Kadare, në Gjinokastër, tash publikut dhe vizitorëve u ofrohet dhe kjo Studio që me pasë akses. Me këtë rast, guidat e Tiranës kanë me e futë me germa kapitale këtë lokacion. Ose tue përdorë fjalët e z. Veliaj, kjo studio ‘do të jetë një stacion fantastik për turistët’ së bashku me Bunkerët(art) dhe Shtëpinë e gjetheve. Për momentin ky asht trekandëshi ma i suksesshëm i Tiranës. Në vijim ky trekandësh, ka me u ba me katër kande posa të bahet dhe shtëpia e Agollit, studio a muze. S’do mend se duhet me e kënaqë dhe mëhallën tjetër të Rrugës së Dibrës. Me shpresën se në shtëpinë e ardhshme të Agollit (mos rastsisht!), do të gjenden dhe letrat e Kadaresë kundër tij, drejtue shokut Mehmet ose shokut Ramiz.
Por, i privilegjuemi i pushteteve në Shqipni, me rastin e 83 vjetorit të lindjes, duket se asht i ‘prekur nga kjo’. Dhe interesante madje rezulton sesi asht ndërtue rubrika televizive në disa media. Në ma shumë se nji media thuhej se Kadare ‘e ka mirëpritur këtë ide’. Tash nënpyetja asht: e ka ‘mirëpritur’ apo e ka ‘nxitur’? Sepse na rezulton, se po ai vetë gjatë vizitës së tij në atë studio do të shprehej (kinse turbullt prej emocioneve) se ‘kjo e afirmon kombin shqiptar’. Pra, ne me Kadarenë jemi afirmue ndërkombtarisht, apo thanë ndryshe asht ai që na ka ba të mujtun me u afirmue si komb, sepse asht shkrimtar i njohun e pretendent i Nobelit dhe i larguem nga regjimi i tmerrshëm i Hoxhalisë. Si fillim më lejoni me përmendë se kandidati i parë shqiptar për Nobel, Padër Gjergj Fishta, sot që po flasim nuk ka shtëpi muze (as të lindjes as ndonji tjetër). Përpos nji pllakate, ndoshta tash të shlyeme boje, në Fishtë të Lezhës se këtu ka lindë Gj. F., prej ku ne shohim veç do gurë themelesh e kurrgja tjetër. Ndërkohë as protagonisti i shpalljes së Pavarësisë, ish-ministri e shkrimtari, Luigj Gurakuqi sot nuk ka shtëpi se Bashkia e Shkodrës u tregue bujare në rrenimin e saj. Me fjalë tjera, mbylli sytë e veshët, e sot kulmin dhe themelet e asaj shtëpie i gëzon tjerakush. Ndërkohë as të larguemit e tjerë padyshim ma me dinjitet se Kadareja, si p. sh. Martin Camaj, Arshi Pipa e Lin Delija (po ndalem vetëm te këta se lista vazhdon) nuk e kanë asnji shêjë guraleci se kjo apo ajo asht shtëpia e tyne e lindjes. Duket qartë nga kjo se ‘njeriu i madh dhe gjeniu i letrave’ po mendon për mbasvdekjen, sepse për gjalljen ka mendue boll edhe në qoftë se asht shkrue me shkue moshë me Adamin. Me randësi asht, kur të shkojë matanë bote, që me lanë gjurmë. E për këtë ushtria asht e madhe, me thanë të drejtën, sepse në radhët e saj janë kritikë, akademikë, pedagogë, drejtues, botues e turlifarësoji tjetër. Të gjithë munden me e mbjellë fidanin e kultit. Kulti për vetveten asht sindromë e regjimit, ku me devocion Kadareja ka marrë pjesë. Paçka se ai, me ardhjen e asaj që shqiptarët po quejnë demokraci, gja që unë prej kohësh e cilësoj zgjatje të komunizmit, na doli para me duert përpjetë si Ponc Pilati: ‘ja, unë jam për me hapë dosjet e komunizmit’. Me fjalë tjera: me hapë ato që kanë lanë pa asgjasue. E megjithatë, me figurën e tij intelekuale ai ka prodhue si Ponc Pilatin si Judën. Herë tue u tregue gjoja konfuz, herë se shqiptarët i kanë kuptue gabim pohimet e tij, herë tue i cilësue disa opinione absurditet shqiptarësh, herë tue u shitë ndryshe në sy të tjerëve, herë përgojime e ndikime lidhun me Akademinë suedeze e gjithqysh. Natyrisht askush nuk pretendon prej tij, me pasë qëndrimin e bashkëqytetasit të tij, Profesor Çabjet në lidhje me dhambët e egër të Enverit për ‘gjuhën e njësuar’. Këtë e din çdo shqiptar. Nuk asht Kadareja asì brumi. Por brum që e xên bukën edhe me 7 presidentë të tjerë, pas vdekjes së Sekretarit të parë të Partisë. E ma e keqja e gjithë kësaj, asht (e ripërsëris) heshjta. Heshtja e kolegëve, e intelektualëve. Këta kolegë e intelektualë, munden me jargitë nëpër media sa për protestën e studentëve – nji cicmic që nuk u zbardh ende – sa për Ramën, sa për Ruçin, sa për Lleshin, sa për Tufën e sa për Gjinushin. Situatat dhe rastet kanë emnues të përbashkët, e nuk asht çasti me drejtue gishtin kah tjetri. Këtë punë, na shqiptarët dimë me e ba ma së miri. Na rrin dora pezull në hava tue kërkue përgjegjësin. Na, të dashtun, jemi përgjegjës për shumëçka. Por jemi mësue me futë veshët aty ku nuk bjen drita, e mos me ba za prej frike, ngaqë e kemi lepurin 6 kilesh në bark. Akademia asht në atë gjendje, si shumë punë tjera, sepse dashtas asht lanë me degradue ashtu. E në këtë pikë, nuk kanë faj as vetullat as artikujt e Gjinushit. E as trajektoret e Ministrit të Brendshëm, që dikur vetë ia rritët veshët po mandej batë aktin ‘e bukur’ me marrë gërshanët e hardhive. As factotum-i i ndonji drejtuesi institucioni, që veshë kostumin të cilin ia ka pré ati i vet shpirtnor [paradite drejtor, në drekë shkencëtar, në darkë analist]. Po as Ruçi me të tjerët, sepse nuk u dënuen kurrë për krimet e veta. As kritika letrare klienteliste a për favore të tjera. E as deliret e nji kryeministri, që e ka mprehë shpatën ndaj mullijve të erës.
Po në fund të fundit as Kadare nuk ka faj… Ajo çka pritet asht… thjesht nji riciklim i fjalimit të Ramiz Alisë, – si akt i fundit i venerimit, – që Universitetit të Tiranës herëdokur, in honorem, me iu vû emni ‘Ismail Kadare’.
Prej këtij veprimi, mbetet me shestue se kontrolli i fjalës në Shqipni asht në ‘pupa’: pra në kulmin e vet, dhe se diktati politik e i ithtarëve të Kadaresë asht i pranishëm kudo. Unë, i kuptoj kolegët e mi që s’kthejnë përgjigje ose bajnë nji veprim të thjeshtë: ‘delete’. Ata sigurisht kanë shtërngesat dhe detyrimet e veta, prejse ai vend asht i ngjizun ashtu siç asht. Peshë që e kam ndie edhe me artikullin tim të kahmotshëm ‘Shqipnia, qeveria dhe rriqnat’ që u pat botue në ‘pamfleti.com’ dhe u pat fshî mandej, sepse pata kritikue qeverinë dhe pata folë për ‘çitjanet e Ramës’. Kjo ishte e parakuptueshme se mund të ndodhte dikur, ngaqë Ed Xheladini i Shemsedin Beut i ka dythundrakët e vet, që mund të kontrollojnë gjithë rrjetin. Kjo situatë e tillë, të ban me mendue se gjendja asht edhe ma e randë se 1944, kur u instalue kontrolli dhe censura komuniste ishte kudo e pranishme. Pse e them këtë? Sepse në gjithë atë gjendje të randë, ku u vihet flaka qendrave të votimit, ku ndodhin vrasje përditë, ku politikanët shkyhen si zagarët në cofëtinë, ku shqiptarët sot duhet me i pague Beketit 125 milionë dollarë damshpërblim, ku cari Rama nuk pranon me i kthye thembrat ku i ka majet, ku denoncimet e përgjimet po bajnë namin, ku s’ka institucione të ligjshme e me radhë, kadareistave and velijanëve u del ngeja me kontrollue shkrimin e nji autori. Pra, përpos ngrîmjes së gjendjes politike, në Shqipni asht ngrî fjala e lirë: pikërisht ajo që ishte e para. Kjo kohë rekord e ‘mbylljes së gojës’ tregon edhe njiherë sesa e pushtetshme asht censura dhe sesa e shpejtë asht dora e Partisë për korrigjimin e elementëve problematikë, që prishin pranverën edviniste.
Sot Shqipnia asht në nji gjendje të rithemelimit dhe riorganizimit të Sigurimit të Shtetit: Ministri i Brendshëm po e dëshmon çdo moment, asht përballë topitjes së zanit të intelektualëve, asht përballë çoraphanes mediatike, asht në fakt përballë mallkimit të gjakut të viktimave të regjimit komunist shqiptar. Si ka me u ndryshue kahja, kur gjaku ende s’asht shpëla? Domethanë, kur gjatë tridhetë vjetëve tranzicion nuk ka përgjegjësi, nuk ka dënime, nuk ka dosje të hapuna, kur ata që ishin dje janë sot… kur e veja e Hoxhës gati 100 vjeçe sot i ka faqet ma të lëmueta sesa nji nanë 30 vjeçe në internimet e dikurshme!!! Më thoni si? Si mundet me ndodhë kthesa, në nji vend ku s’dihen sa eshtna janë pa vorre, e sa vetëvrasje prej përdhunimeve të sadistëve enveristë, sa lindje të pavullnetshme, sa dame!!! Nji shtet që nuk ka statistika as ngarkim për fajet e nji sistemi, asht i destinuem me mbajtë peshën e nêmës së shpirtnave të pafajshëm. E s’don mend se në këtë bukë, të bame me të njejtin miell, Beu i trajton si pronë të vetën qytetarët, elektoratin, varësit e të gjithë. Po këtë bukë po hanë edhe ata që pranojnë me u tërheqë prej hunde, me u ba palë. Qysh prej të postet honorifike: këshilltarët, e deri tek detyrat ministrore, qeveritare. Për fund, të gjithë këto vektorë të çojnë në nji rrugë: kulti. Kulti asht i fortifikuem me pushtet, asht i ndërzyem me mungesën e kurajës qytetare, i lustruem me bojën e matrioshkave, i kunorëzuem me deponuesit: ftyrat e reja të Sigurimit. Kështu ruhen çifligjet e pamata, ndërkohë që bashtinat janë djerrë.