Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Lavdi të qeshurës!

Unë pretendoj të drejtën për të qenë edhe i trishtuar.

Aldous Huxley

Tek libri Brave New World i Aldous Huxley-t ngritet edhe një dilemë fundamentale që vazhdimisht e përndjek njeriun, ashtu sikurse i shkon pas hija e tij. Dilema se: a është njeriu qenie që vetnënshtrohet apo duhet presion për ta nënshtruar. Ose, pse njeriu mësohet aq shpejt me shtypjen, me skllavërinë. Kjo dilemë në shikim të parë duket sikur e ekzagjeruar, mirëpo, në analizë e sipër vërejmë se vërtetë ka bazë, sidomos kur fillojmë dhe argumentojmë me fakte. Ka shumë popuj që kanë jetuar dhe jetojnë nën shtypje (shumica dërmuese e tyre), madje, edhe duke e marrë si të mirëqenë gjendjen e tyre. Më së lehti pushteti totalitar mbahet në ato shoqëri ku njerëzit e duan skllavërinë e tyre, kështu thekson Huxley. Poropaganda ideologjike ka për synim që njerëzit t’i çmagjepsë nga emocioni. Sulmin e parë që bëjnë ato është që t’u tregojnë njerëzve se jeta është e mire dhe e rëndësishme vëtëm atëherë kur ne heqim dorë nga ego-ja personale dhe i japim tërë qenien tonë masës. Masa është ajo që na duhet, ajo që na mbron. Jashtë masës jemi qenie të zbrazta, na thonë. Prandaj, duhet t’i ndrydhim emocinet tona, këto vese të këqija dhe të biem në prehrin e masës, aty ku na pret lumturia.

Image

Në kërkim të një lavdie të tillë është edhe John Preston-i (luajtur nga Christian Bale), personazhi kryesor i filmit Equilibrium, i cili është i realizuar në vitin 2002 nga regjisori Kurt Wimmer. Ky film është i vendosur në vitin 2072 në shtetin e quajtur Libria, të krijuar nga të mbijetuarit e Luftës së Dytë Botërore. Ky shtet udhëhiqej nga Këshilli i Tetragramit, i udhëhequr nga Ati, i cili shihet vetëm në ekranet gjigante në të gjithë qytetin. Librianët besjonë se Lufta e Dytë Botërore ishte shkaktuar për faktin se njerëzit udhëhiqeshin nga emocionet, nga stimujt e ndryshëm që shkaktonin emocione dhe si rezultat i kësaj për të evituar ndonjë katastrofë të tillë pushteti kishte vendosur që secili qytatar duhet injektuar çdo ditë me Prozumin 2Prozumin 2 është një ilaç i cili i ndrydhë të gjitha emocionet tek njeriu. Secili njeri që hetohej se ia kishte lejuar vetës mospërdorimin e këtij ilaçi, vritej.

Gjithashtu, janë të shpeshta edhe kontrollet që bëhen nga klerikët Grammaton, ku kërkohen materiale të paligjshme si materiale të artit, letërsisë dhe muzikës, të cilat shkatërrohen, ndërsa njerëzit që i fshehnin këto materiale të paligjshme ekzekutohen, sepse këto janë burim i të gjitha mbrapshtive. Libria është një shtet brutal. I pandjeshëm. Frikësues. Këto janë të gjitha fjalët që mund ta përshkruajnë mjedisin ku jetojnë libriasit. Një mega-qytet konkret ku arti është i ndaluardrogat për shtypjen e humorit janë të detyrueshme and status quo-ja mbrohet nga një skuadër vdekjeje e udhëhequr nga John Preston-i.

Pra, nëpërmes kësaj metafore filmike regjisori Wimmer tregon se si pushteti ideologjik nëpërmjet dhunës përpiqet të krijoj barazinë. Të gjithë qytetarët janë të barabartë, asnjëri nga ta nuk ka të drejtë të ndjejë kurrfarë emocioni. Secili duhet ta marrë ilaçin i cili shkatrron çdo emocion, përveç udhëheqësve and autorëve të mendjes, të cilët i lejojnë vetës luksin e përjetimeve emocionale. Pra, filmi Equilibrium si një metaforë distopike, tregon se të gjithë janë të barabartë, përveç disave.

Pavarësisht shtrëngesave që ushtron pushteti totalitar i Atit në shtetin e Librias, sado që është i dhunshëm sistemi, ai prapëseprapë nuk mund të kontrollojë ndjenjat e njerëzve. Është e pamundur që të kontrollohen emocioni apo mendimi. Jo rastësisht thuhet se: liria e mendimit është një kërcënim për sistemet totalitare. Dhe pikërisht për këtë, moment i rëndësishëm në film është kur personazhit kryesor Preston-i, aksidentalisht i thyhet shishja e tij me Prozumin 2, të cilën nuk ka mundësi ta zëvendësojë para se të shkojë në bastisjen e radhës. Për pasojë, ai fillon të përjetojë momente të shkurtra emocionale që ngjallin kujtime, ndezin ndjenja dhe e bëjnë më të vetëdijshëm për gjendjen. Fillon e ndërgjegjësohet. Dikush që digjte veprat e artit, ai që deri dje shkrihej gati deri në eksitim kur digjte pikturën e Mona Liza-s, tani preokupohet për gjendjen e një qeni të vogël që bredhë rrugëve. Pas përjetimesh të tilla aq të forta, dëshira për të provuar emocione të tilla shtohet, përkundër rrezikut.

Ai qëllimisht fillon të fshehë pilulat duke mos i përdorur. Dihet se dëshirat, pothuajse, çdoherë bartin më vete edhe rrezikun.  Ky akt ‘dorëzimi’ i Preston-it ndaj ndjenjave, mund të konsiderohet se është edhe fillimi i rënies së diktaturës libriane. Pikërisht këtu fillon një jetë tërësisht ndryshe për Preston-in. Ai e kupton se barazia në shtetin e Librias nuk është asgjë tjetër përveçse një pushtet i dhunshëm në emër të saj. Përmes personazhit Preston, regjisori Wimmer e konfirmon tezën e Friedrich A. von Hayek se barazia është e pamundur, sepse çdo tendencë për t’i bërë njerëzit të barabartë çon në dhunë. Për këtë von Hayek thoshte se: “…ne në qoftë se njerëzit i trajtojmë në mënyrë të barabartë, rezultati do të jetë pabarazia në pozitën e tyre aktuale, dhe se e vetmja mënyrë për vendin e tyre në një pozitë të barabartë do të jetë për t’i trajtuar ata në mënyra të ndryshme”.

Filmi Equilibrium na paraqet fuqinë që ka individi edhe në sistemet më totalitare dhe se çdo tendencë për ta mbajtur të ndrydhur, qoftë edhe në emër të barazisë, është një mënyrë vetëshkatërruese për vet sistemin. Gjithashtu, ky film na tregon se si barazia është e pamundur dhe se ajo ekziston vetëm në aspektin e saj iluzor. Është jo serioze se sa seriozisht ideologjitë totalitare e marrin vetën. Mbase, për këto ideologji, shkatrrimtar bëhet pikërisht ky seriozitet. Zhdukja e artit, shtypja e humorit, ndalimi i të qeshurës, që janë kuintesenca e qenies njerëzore, nga kushdo ose çfarëdo ideologjie, politike apo religjioze që ka pretenduar t’i shkulë nga shpirti njerëzor ato kanë përfunduar të humbura. Kur njeriu qesh, tiranitë bien!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.