Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Letra e një të Panjohure

Të gjithë ata që sadopak kanë lexuar rreth krijimtarisë së shkrimtarit të madh austriak, Stefan Cvajg, duke përfshirë tregimet e tij, romanet (ani pse dy nga tre romanet i kanë ngelur të papërfunduara), letër-këmbimet (të cilat mendohen të jenë njëzet deri në tridhjetë mijë) dhe biografitë që ka shkruar për shkrimtarë, filozofë e poetë të ndryshëm, nuk kanë sesi të mos magjepsën nga fuqia e papërshkrueshme dhe e papërsëritshme e gjenialitetit të tij krijonjës. Duke e pasur të pamundur të analizoj në tërësi krijimtarinë e tij, sidoqoftë, më duhet të fokusoj vëmendjen sall tek një novelë, e cila, po të ndjehet më tërë qenien, të rrëmben pashmangshëm në kompleksitetet e pazgjidhshme të dashurisë.

“Letra e një të Panjohure,” e tillë quhet novela.

Në këtë novelë, sic do të shohim më poshtë, Cvajgu rreket të tregojë jo vetëm magjinë e pashpjegueshme të dashurisë, të përshquar nëpërmjet përjetimeve të një vajze që beson verbërisht në forcën e dashurisë, por edhe edhe të përbuzë koncepsionin cinik mbi dashurinë, të mishëruar nga romancieri i njohur R..

Cvajgu ka zgjedhur, besoj, figurën e romancierit për të treguar se, ndonëse shkrimtarët e lartësojnë konceptin e dashurisë, janë vetë ata që s’i besojnë një përjetimi të tillë. Për më tepër, dhe po të bëjmë një interpretim paksa arbitrar, Cvajgu dëshiron të demonstrojë se kur është në pyetje dashuria, shkrimtari rezulton të jetë po aq shtiracak sa edhe poeti i Pessoas.

Novela fillon pikërisht me romancierin, i cili me t’u kthyer në banesën e vet (prej një udhëtimi që kishte pasur larg Vjenës) nxjerrë letrën e të Panjohurës, njëra nga letrat më të çuditshme dhe më tronditëse që kishte pranuar deri atëherë.

“Ty që s’më ke njohur kurrë.” Ja, në këtë mënyrë i drejtohet letra. Dhe e Panjohura—pa emër, pa mbiemër, pa adresë, pa asgjë, fillon rrëfimin e vet:

Djali më vdiq dje. Kam luftuar tre ditë e tre net me vdekjen për këtë fëmijë të vogël e të brishtë. I kam ndenjur te koka dyzet orë rresht, ndërkohë gripi dhe ethet po ia sfilitnin trupin e gjorë e të vockël…dhe erdhi vdekja dhe e mori në kthetrat e saj.

I trallisur në një gjendje angështie të papërcaktueshme, romancieri do të vazhdojë leximin e letrës me shpresën se do të kuptojë më shumë rreth asaj që e mundon të Panjohurën. “E di, e di,” i thotë ajo, “djali më vdiq dje. Tani të kam vetëm Ty, që luan me jetën dhe që nuk dyshon për ekzistencën time. Vetëm ty, që s’më ke njohur kurrë dhe të cilin e kam dashur gjithmonë.”

Se ç’kishte të bënte romancieri me gjithë këtë rrëfim, përfshirë edhe vetë djalin e saj, këtë gjë do ta kuptojë sall më vonë. “Ti do ta njohësh të gjithë jetën time,” i premton ajo, “që të përket ty, megjithëse kurrë nuk e ke njohur atë. Për të fshehtën time do ta marrësh vesh vetëm atëherë po të vdes unë. Në qoftë se do të rroj, do ta gris këtë letër dhe do të hesht përsëri, siç kam heshtur gjithmonë. Por, po ta mbash në dorë, duhet ta dish se aty një grua e vdekur të rrëfen jetën e saj, jetën e vet, që ka qenë e jotja që nga fillimi deri në fund të jetës së saj.”

Këtu qëndron, më duket, e tërë madhështia e novelës.

Në njërën anë, letër-shkruesja është e vetëdijshme se e vetmja rrugë për t’u ngjallur në jetën e romancierit, është pikërisht nëpërmjet vdekjes së saj, apo, siç do ta quante Bataille, “çastit asgjësues.” Në këtë kuptim, lexuesi e vëren se derisa e Panjohura është gjallë, ajo mbetet e vdekur për shkrimtarin. Ndërkaq, në çastin që vdes ajo, ngjallet sakaq e përnjëherësh për të.

Dhe, në anën tjetër, ajo e paraqet dashurinë si esencialisht të pakushtëzueshme—si hapësirë, si frymëmarrje që suspendon të gjitha kushtëzimet. E tëra çfarë ajo i kërkon romancierit, është që ai thjesht ta besojë rrëfimin e saj. Siç e thotë bukur:

Mos ki frikë nga fjalët e mia, gruaja e vdekur nuk të kërkon asgjë, as dashuri, as përdëllim, as ngushëllim. Vetëm një gjë dua nga ty, që t’i besosh gjithçkaje. Besoji të gjitha, vetëm për këtë gjë të lutem: nuk të gënjen njeri në çastet e vdekjes së një fëmije të vetme.

Dhe pasi e siguron mirë e mirë se s’do të ndikojë aspak në reputacionin e tij, autorja e letrës i shpalosë gjithë fillin e dashurisë. “Kur erdhe Ti,” i shkruan ajo, “unë isha trembëdhjetë vjeç dhe banoja në të njëjtën shtëpi ku banon ti tani, në po atë shtëpi ku mban në duar këtë letër—këtë dihatje të fundit të jetës sime. Unë banoja në po atë shkallë, mu përballë derës së shtëpisë tënde. Ti, sigurisht, nuk na mban mend: të venë e thjeshtë të një nëpunësi (ajo gjithmonë ishte e veshur në zi) dhe djaloshin thatanik – ne nuk ndiheshim fare, të mbyllur në ekzistencën tonë të mjerë mikroborgjeze. Ti, ndoshta, s’e ke dëgjuar kurrë emrin tonë, se nuk e mbanim emrin te dera e shtëpisë. Askush nuk vinte te ne, askush nuk pyeste.”

Aq larg kishte shkuar dashuria e saj për romancierin R., sa ajo kishte mësuar gjithçka për të, çdo zakon të tij, çdo kravatë që barte, çdo kostum që vishte. Madje, dhe atë me plot gojë, ajo i kumton edhe gjëra të pabesueshme. “Kam puthur dorezën e derës,” i thotë ajo, “që ke prekur me dorë ti, kam vjedhur një duq cigareje, që ti e kishe hedhur te dera dhe që për mua ishte e shenjtë, sepse e kishin prekur buzët e tua.”

Më pas, ajo i rrëfen edhe për çastin e largimit nga Vjena tre vjet më pas, pas një propozimi për martesë që një pasanik i kishte bërë nënës së vet, dhe sesi zhvendosja e tyre në Insbruk ishte shndërruar në një ferr të vërtetë për të. Megjithatë, e Panjohura i tregon sesi thyerjen e saj shpirtërore e kishte kompensuar me leximin e librave të tij, me shfletimin e intervistave që jepte për revistat e kohës, dhe, mbi të gjitha, duke gëluar kujtimet gjatë kohës sa kishte qëndruar në Vjenë. Dhe, pas dy vite insistimesh e përpjekjesh të pareshtura, autorja e letrës i rrëfen për rikthimin e vet në Vjenë (ku do të punonte si shitëse rrobash në një dyqan të kushëririt), dhe sesi me ardhjen e saj ajo kishte shpresuar se një ditë prej ditësh do ta takojë atë, që ishte njëherazi e tërë bota e saj.

Pesë vjet dashuri e pritje, vuajtje e dhimbje, zhgënjime e dëshpërime, do ta përshkonin qenien e të Panjohurës derisa më në fund romancieri do t’i fliste një fjalë.

Ajo i tregon gjithçka rreth takimit të tyre të parë: sesi ajo me qëllim ishte përplasur me të, sesi ai e kishte ftuar për darkë, dhe sesi, pa u hamendur fare, ajo e kishte pranuar ftesën. “Që nga çasti i parë flisje aq shpenguar e miqësor,” i rikujton ajo romancierit, “saqë vetëm me këtë do të më nënshtroje, në qoftë se unë prej kohës nuk do të isha e jotja, me të gjitha mendimet, me të gjithë qenien time. Ah, ti nuk e di çfarë ëndrre e madhe përmbushej për mua, pa zhgënjyer pesë vjetet e mia të pritjes.”

Për ta përshkruar gjithë situatën, sidoqoftë, e Panjohura i tregon për natën e parë që kishte kaluar më të:

Ndenja tërë natën me ty. Ti nuk e vije në dyshim se para teje asnjë burrë nuk më kishte prekur dhe nuk e kishte parë trupin tim. E di mund ta vije në dyshim, i dashur – unë nuk të bërë asnjë rezistencë, e mposhtja çdo ngurrim qe ma jepte trupi, veç të mos zbuloje të fshehtën e dashurisë sime ndaj teje.

Përveç natës së parë, ajo i tregon edhe për netët e tjera që kishin kaluar së bashku, gjatë të cilave edhe do të mbetej shtatzënë më të.

E Panjohura i rrëfen edhe premtimin që kishte marrë, se ai sërish do ta kontaktonte atë. “Ti kishe kohë që ishe kthyer,” i mëshon kokëfortësisht kujtesës së romancierit, “e pashë këtë nga dritaret që kishin dritë, por nuk më shkrove. Nuk kam asnjë rresht të shkruar nga ty në këtë orë të fundit të jetës sime, asnjë rresht nga ty, të cilit i kisha falur jetën time. Të kam pritur me dëshpërim. Po ti nuk më thirre, nuk më shkrove asnjë rresht…asnjë rresht.”

Dhe, çasti më shpërthyes, më tronditës për romancierin do të jetë kur ai e lexon këtë pjesë të letrës: “Fëmija im vdiq dje—ishte dhe fëmija yt. Ishte dhe fëmija yt i dashur—fëmija i një prej atyre tre netëve.”

Se pse nuk është treguar e hapur me romancierin, siç mund të mërmërisë secili syresh, ajo do ta bëjë të ditur në letrën e saj:

Nuk do të më besoje kurrsesi, mua një gruaje të panjohur, shoqes së rastësishme të tre netëve, pa kundërshtim, që t’u dha me fjalën tënde të parë, nuk do të më besoje, pjesëmarrëses pa emër të një takimi të shpejtë që të mbeta besnike, ty – të pabesit dhe vetëm me dyshime  do ta kishe njohur fëmijën tënd. Kurrë, bile, edhe sikur fjalët e mia të dukeshin të vërteta, nuk mund të çlironin nga mendimi i fshehtë se unë mundohesha të imponoja ty, një njeriu të kamur, kujdesin për fëmijën e huaj… dhe pastaj unë të njihja. Të njihja ashtu, siç nuk e njihje vetë veten tënde dhe e kuptoja se për ty që doje vetëm gjithçka të shkujdesur, të lehtë, që kërkoje në dashuri vetëm lojën, do të ishte e rëndë të bëheshe papritur baba, të bëheshe befas përgjegjës për fatin e dikujt. Ti, që ishe mësuar me një liri të plotë, do ta ndjeje veten të lidhur me mua.

Është e habitshme, gjithsesi, për të mos thënë e pabesueshme, sesi e Panjohura zgjedhë rrugën e vetëflijimit nga frika e ndëshkimit që mund të marrë si pasojë e rrëfimit (Foucault do të thoshte: “kur njeriu rrëfen diçka, ai domosdoshmërish e ndëshkon vetveten”).

Dhe, teksa përshkruan hjekitë e mundimet e të birit, ajo i deklaron edhe për atë që do të bëhej fati i saj më i urryer: “E shita veten,” shpërthen ajo, “si mënyrë e vetme për të mbijetuar së bashku me të birin.”

Këtë jetë prej prostitute letër-shkruesja do ta bëjë rrafsh dhjetë vjet.

Dhe, pas dhjetë vjet mundimesh e vuajtjesh, siç e bën të njohur në letrën e saj, në një nga baret e natës ajo do ta takojë sërish romancierin, por për të ajo tashmë s’ishte veçse një prostitutë që mund të blihej me para. “Nuk isha për ty veçse një zuskë nga Tabarini,” i shkruan e xhindosur ajo nga tërbimi, “asgjë më tepër, më pagove, më pagove (për natën që kaluam së bashku). Nuk mjaftonte që më kishe harruar, duhej të isha edhe e poshtëruar.”

“Të gjithë, të gjithë njerëzit më kanë përkëdhelur,” vazhdon ajo, “të gjithë kanë qenë shpirtmirë ndaj meje—vetëm ti, vetëm ti, ti më ke harruar—vetëm ti, vetëm ti s’më ke njohur kurrë.”

Pas gjithë këtyre rrëfimeve, letër-shkruesja i shkruan për vendimin e saj përfundimtar.

“Pse të mos e dua vdekjen,” e pyet ajo, “kur jam e vdekur për ty, pse të mos iki, kur ti ike nga unë? Nuk do të lë as portret, as ndonjë shenjë tjetër kujtimi, siç nuk më le dhe ti asgjë. Kurrë, kurrë s’ke për të më njohur. Ky ishte fati im në jetë, kështu le të bëhet edhe në vdekjen time. Nuk do të thërras në orën time të fundit, do të largohem dhe nuk do të marrësh vesh as emrin tim, nuk do të njohësh as fytyrën time. Do të vdes me lehtësi, sepse nuk e ndjen këtë nga larg.”

E vetmja lutje që i kërkon është që për çdo ditëlindje të tij, ai të vendosë trëndafila të bardhë në vazon e tij, një zakon që ajo e kishte përsëritur më shumë së dhjetë vjet (pa i treguar se ishte ajo që i dërgonte lulet). “Të lutem, bëje këtë, i dashur… Kjo është lutja ime e parë ndaj teje dhe e fundit… Të faleminderit. Të dua, të dua… Lamtumirë,”—e përfundon letrën e saj e Panjohura.

Me gjithë rrëfimin e saj, kujtimet e romancierit mbesin paksa të vagëlluara. E tëra çfarë ndjen, sidoqoftë, është një dridhje e çuditshme shpirtërore, një kthim mbrapa në të kaluarën e tij dhe një ndjenjë përdëllimi për të gjitha ato që i kishte shkaktuar të Panjohurës. Mbase mund të jetë edhe përshtypje e gabuar, por duke qenë se letër-shkruesja është mishërim i dashurisë, Cvajgu mëton të tregojë se dashuria mbetet e panjohur jo vetëm për romancierin R. por edhe për të gjithë ne, të vdekshmit e kësaj bote.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.