Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Lufta prej syve të viktimave civile

vështrim mbi librin Masakrat në Kosovë 1998-1999 të autorit Shkëlzen Gashi, botim i OJQ-ve Admovere dhe Integra

Gjakovë, nata mes 1 dhe 2 prillit 1999: forcat speciale sërbe, të shoqëruara nga njësi policie, hyjnë me forcë në shtëpinë e familjes Vejsa, nën pretekstin e kërkimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por burrat tashmë kanë ikë, duke parashiku pikërisht këtë lloj bastisjeje brutale dhe duke lënë mbrapa një burrë të vetëm me kufizime mendore me 20 gra e fëmijë nga katër familje të ndryshme, që brenda asaj shtëpie po kërkonin strehë prej tmerreve jashtë saj. 

Sidoqoftë, policët sërbë hapin batare zjarri në atë shtëpi. Trupat bien përtokë. Nga të shtënat, një dollap merr flakë. Vrasësit largohen, duke lënë zjarrin t’i përpijë gjurmët e krimit. Mes flakëve e tymit, Dreni, djali nëntëvjeçar i familjes Vejsa, i plagosur, por i vetëdijshëm, nuk del nga shtëpia pa u përpjekë me e marrë motrën e vet foshnjë, të zënë nën trupin e pajetë të së ëmës.

“E disha që motra ish gjallë, se e ndijsha tu kajtë. Nanën e kam pasë mjaft të shnoshë, e unë vetë isha fëmijë i vogël, mandej krahun e djathtë e kisha – gati si mos m’e pasë. Provo e provo, derisa u ba qaq tym sa, të kisha provu ma shumë, kisha me përfundu bashkë me to”, rrëfen ai vite më vonë, si i mbijetuari i vetëm i masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa të Gjakovës, në gjykimin kundër zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë e policorë sërbë në Hagë.

Shumë më shumë sesa statistika

Kjo më sipër është vetëm njëra nga shumë masakra të detajuara në përmbledhjen tronditëse të Shkëlzen Gashit, Masakrat në Kosovë 1998-1999. Gashi dokumenton gjithsej 105 masakra që kryhen gjatë luftës dhe fill mbas saj në mbarë truallin e Kosovës, prej të cilave 83 i përshkruan hollësisht, me kohën, vendndodhjen, rrethanat, numrin e viktimave, përkatësinë e tyre etnike, moshën, gjininë dhe, më e rëndësishmja, e sa herë e mundshme, me autorët mbrapa këtyre akteve të tmerrshme. Kurse, 22 masakrat e mbetura paraqiten në formë tabelare veç me të dhënat themelore (koha, vendi, numri i vikimave, etnia) në Shtojcën e dytë në fund të librit, duke reflektu kësisoj kërkimin e palodhshëm të autorit për dokumentim të plotë, edhe aty ku nuk u gjet informacion i mjaftueshëm mbi rrethanat e sakta të masakrave. Sidoqoftë, edhe këto, me tërësinë e viktimave të tyre (303 shqiptarë, 12 romë, tre egjiptianë, një boshnjak) janë pjesë po aq thelbësore e narrativës historike, duke qenë se ndriçojnë përmasën e vërtetë të agresionit kundër civilëve të pambrojtur në Kosovë. 

Masakrat prezantohen me renditje kronologjike. E para regjistrohet më 28 shkurt 1998, në fshatrat Likoshan dhe Qirez, ku forcat sërbe, pas përplasjes me pjesëtarët e UÇK-së, marrin hak mbi 20 shqiptarë të paarmatosur. Ndër viktimat, një është 16-vjeçar dhe një është femër, detajon përshkrimi.

E fundit regjistrohet masakra e datës 23 korrik 1999, në fshatin Grackë e Vjetër, më shumë se një muaj pas përfundimit zyrtar të luftës, ku 14 meshkuj civilë sërbë, njëri 14-vjeçar, vriten nga hakmarrësit, tashmë shqiptarë.

Gashi nuk bie në grackën e prezantimit të njëanshëm të realitetit të dhunës, jo në përpjekje për ta balancu peshoren – masakra të regjistruara me viktima sërbe janë gjithsej tri – por për të dhënë një rrëfim të ndershëm të dhunës ndaj të pambrojturve në Kosovën e viteve 1998-‘99. 

Spikat ndër masakrat kundër sërbëve ajo që kryhet më 14 dhjetor 1998, në kafenenë “Panda” të Pejës, ku gjashtë djem adoleshentë vriten nga dy sulmues të maskuar. Gashi e kontekstualizon sulmin kundrejt rrethanave politike dhe manovrave diplomatike të kohës: vetëm një ditë më vonë, Slobodan Milošević, arkitekti famëkeq i agresionit nacionalist të Sërbisë, takon në zyrën e vet të dërguarin e ShBA-së, Richard Holbrooke, të ngarkuar me përpjekjen për ta ndërmjetësu një armëpushim midis forcave sërbe dhe UÇK-së. Në takim, Milošević raportohet “i trimëruar nga ndodhitë në Pejë”. Përkimi i ngjarjeve bëhet edhe më i frikshëm në vitin 2013, kur Aleksandar Vučić, atëbotë shef i Byrosë për Bashkërendimin e Punëve të Shërbimeve të Sigurisë, sot president i Sërbisë, pohon se krimi “nuk ishte kry nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani” dhe se “pubiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”. 

E vërteta, e cila zbardhet vite më vonë, zbulon një operacion të kreut të Sigurimit Shtetëror të Sërbisë, që përdor gjakun e rinisë sërbe si vegël politike.

Gashi ofron shumë më shumë sesa numra e data; ai sjell narrativat rrënqethëse të të mbijetuarve, duke u siguru që masakrat të shihen si tragjedi thellësisht njerëzore që pllakosën gjithë ato familje e bashkësi. Vepra e tij është nga njëra anë pasqyrë e fytyrës më të egër të njerëzimit, por edhe një hap vendimtar drejt zotimit që këto krime të mos harrohen dhe të mos përsëriten.

Masakrat në dy fazat e luftës

Nëpërmjet vargimit të masakrave individuale, përmbledhja sjell rrëfimin që shpalos tërësia e saj – vijën ndarëse midis egërsisë së shtetit sërb kundër popullatës shqiptare para ndërhyrjes ajrore të NATO-s, si dhe transformimit apokaliptik që ajo pati me nisjen e fushatës së bombardimeve. 

Faza e parë, që zgjat deri më 24 mars 1999 – kur NATO nis fushatën – zbulon një strategji sulmesh të kalkuluara, ku makineria sërbe kryesisht përdor përplasjet me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si pretekst për vrasjen masive të civilëve. Gjatë kësaj faze regjistrohen 16 masakra, dhe ndërsa shumica ndjekin të njëjtin skenar tragjik të vrasjeve dhe të shkatërrimit hakmarrës, janë tri që nuk përkasin në këtë skemë. 

Në fshatin Senik, më 27 gusht 1998, forcat sërbe nisin një ofensivë të ashpër, me mortaja e artileri drejtpërdrejt kundër popullatës civile. Ofensiva përsëritet për disa ditë. Të shënjestruarit e saj janë të zhvendosurit që po largohen. Ndër 13 të vdekurit, regjistrohen një foshnje tetëmuajshe dhe një plakë 90-vjeçare. Ngjashëm, më 25 shtator 1998, fshati Gollubovc bie pre e një sulmi të pamëshirshëm, meqë është kthy në vendstrehim të të zhvendosurve nga të paktën pesë fshatra përreth. Prapë, të gjitha viktimat, 13 burra të veçuar moshash 25-54 vjeçare, janë civilë. Masakra e tretë jashtë skemës së kësaj faze është ajo e shpërthimit në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës në ditë pazari, të shtunën më 13 mars 1999. Shënjestrimi i drejtpërdrejtë i civilëve në këto raste gjatë kësaj faze të parë, paralajmëron atë që do të bëhet normative pas ndërhyrjes së NATO-s.

Faza e dytë shënon një përshkallëzim dramatik të masakrave, në numër e në përmasa. Pa kufizimin e maskës së kundërpërgjigjes ndaj sulmeve të UÇK-së dhe të tërbuara nga bombardimet, forcat sërbe shpërthejnë në shfrim gjenocidal. Vrasjet dhe dëbimet masive të shqiptarëve bëhen ngjarje e çdoditshme. Në 78 ditë, sa zgjat fushata e bombardimeve të NATO-s që sjell fundin e luftës, regjistrohet një numër tronditës prej 84 masakrash. Masakrat më masive të dokumentuara në librin e Gashit, pothuajse papërjashtimisht kryhen pasi nis fushata e NATO-s: në Krushë të Madhe me 197 viktima, në Krushë të Vogël me 114, në Izbicë me 116, Gollak me 209, dhe në Mejë-Korenicë me 349 civilë të vrarë. Masakrat e 25 marsit 1999, të nesërmen e fillimit të bombardimeve, ofrojnë shembullin më rrënqethës të këtij transformimi. Në atë ditë të vetme regjistrohen tetë masakra të ndryshme. Me fushatën ajrore që vazhdonte, forcat sërbe ndryshojnë strategjinë drejt një spastrimi të plotë të identitetit shqiptar nga toka e Kosovës. Autori shënon edhe shtatë rrëmbime të civilëve, që nuk kategorizohen si masakra, në Shtojcën e tretë të librit. Gjashtë prej tyre kryhen gjatë kësaj faze të dytë.

Ndërsa UÇK-ja vazhdonte rezistencën, e përfshirë në një luftë krejt asimetrike, ajo nuk mund ta mbronte popullatën civile nga goditja e këtij dufi shfarosës të Sërbisë. Gashi e dokumenton këtë me qartësi të pamëshirshme. Madje, siç përshkruhet, fjala vjen, në masakrën e Kralanit (2-4 prill 1999)  ose në atë të Kaçanikut (8 prill 1999), popullata civile e gjetur mes dy palëve ndërluftuese, në përpjekjen për të ikë nga zona e nxehtë, bie drejt e në tytën e forcave sërbe. Plot 86 civilë shqiptarë vriten fill pas zjarrshkëmbimit në Kralan. Nga 32 civilët e vrarë në Kaçanik, njëri është 99-vjeç dhe tetë janë femra. 

Paradoksalisht, plot 28 të tjerë të vrarë në Kaçanik regjistrohen si “persona të armatosur”; ndërkaq, as edhe një i vetëm nga forcat sërbe. Kjo shpërputhje të bën të vramendesh lidhur me përmasat reale të fuqisë mbrojtëse të shqiptarëve. Në parathënie, Gashi tregohet i vetëdijshëm rreth saj. Ai mbështet gjetjet në listën shteruese të Qendrës për të Drejtën Humanitare, e cila, thotë autori, “përmban pasaktësi, ngaqë individë të masakruar figurojnë aty të regjistruar si persona të armatosur, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë që nuk rezistuan”. Është kjo ajo varra e fryrë e numrit të veteranëve, me pashërueshmërinë e të cilës shoqëria kosovare jeton, e që me paradoksalitetin e vet ngre vetulla habie edhe në përshkrimet e ndosa masakrave të tjera.

Ajo që del krejt e qartë nga vepra e detajuar e Gashit është se, ndonëse fushata nga ajri e NATO-s u nis për t’i ndalë forcat e Sërbisë, krahas saj u përshkallëzua kërdia mbi dhé. Kjo nuk u shpëtoi intelektualëve të kohës. Noam Chomsky, kritik i pamëshirshëm i politikës së jashtme të ShBA-së, pohoi se ndërhyrja e NATO-s ishte akt agresioni të paligjshëm, e se e bëri edhe më të keqe krizën humanitare që mëtonte me e zgjidhë. Në dallim prej tij, Christopher Hitchens fushatën e NATO-s e pa si një domosdoshmëri morale të fuqive euro-atlantike për t’i vënë digën një regjimi gjenocidal në Evropë. Këto dy pikëpamje të ndryshme përkufizojnë debatin mbi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, që edhe vetë u bë pjesë e pandashme e historisë moderne të Kosovës, me kritikët nga njëra anë që pohonin se ndërhyrja ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar, pasi u krye pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se shkaktoi viktima civile dhe dëme kolaterale, e se ishte ndërhyrje neo-imperialiste që synonte me zgjeru ndikimin e NATO-s në Ballkan, kurse nga  tjetra me mbështetësit që ngulmonin se ndërhyrja parandaloi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, ia krijoi një precedent bashkësisë ndërkombëtare me ndërhy në raste masakrash masive dhe se demonstroi angazhimin e NATO-s për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Mbase, mes “e keqe” dhe “e domosdoshme”, për ne, të shënjestruarit e asaj përpjekjeje asgjësuese, fushata bombarduese e NATO-s ishte ajo e keqja e domosdoshme.

Krim dhe (mos)ndëshkim

Një refren shoqëron si jehonë e frikshme pothuajse gjithë vëllimin Masakrat në Kosovë 1998-1999 e që është mbase e vërteta më e dhimbshme nga të gjitha: “Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush”. Shkëlzen Gashi nuk dokumenton vetëm mizoritë, por evidenton mungesën e drejtësisë në shumicën e rasteve. Nga 83 masakrat e përshkruara, 62 mbeten të pandëshkuara. Duke e marrë parasysh kërkimin e thelluar dhe të gjatë të autorit edhe nëpër vendimet e gjykatave në Hagë, Beograd e Prishtinë, duket se këtu lirisht mund të futen edhe të gjitha ato 22 masakrat që, në Shtojcën e dytë, paraqiten tabelarisht. Fjalët e këtij refreni mbajnë peshën e traumës së pazgjidhur, duke na kujtu se plagët e luftës nuk munden me u shëru kur drejtësia mohohet.

Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), i ngritur në Hagë me i adresu krimet gjatë luftërave jugosllave, përfshi Kosovën, ka pasë disa suksese në sjelljen para drejtësisë të figurave të rëndësishme mbrapa kasaphanës në Kosovë. Nga 83 masakrat e përshkruara, dhjetë janë bë pjesë e aktakuzave të ICTY-së, duke rezultu në dënime për udhëheqësit kryesorë politikë dhe ushtarakë të regjimit jugosllav, sqaron autori në parathënie.

Një nga gjyqet më të rëndësishme nga kërkimet e Gashit rezulton ai që lidhet me masakrën e  Lubeniqit, dhe tjetrën në Qyshk, Pavlan e Zahaq – katër fshatra në rajonin e Pejës, ku gjithsej 162 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat sërbe. Në shkurt të vitit 2014, Gjykata Speciale në Beograd dënoi nëntë ish-anëtarë të Brigadës 177 të Ushtrisë Jugosllave, duke i shqiptu  komandantit, Toplica Miladinović, një dënim prej 20 vitesh, ndërsa të tjerëve dënime që varionin nga dy deri në 15 vjet. 

Megjithatë, ky vendim nuk zgjati shumë; një vit më vonë e përmbysi Gjykata e Apelit në Beograd, duke e quajtë “të paqartë dhe kontradiktor”. Rigjykimi zvarritej me vonesa të përsëritura, duke hedhë dyshime nëse drejtësia do të realizohej ndonjëherë për viktimat e këtyre masakrave, sqaron Gashi. 

Fati i këtyre gjykimeve u lidh ngusht me ndryshimet politike brenda Sërbisë. Ngritja në pushtet e Aleksandar Vučić-it në prill të vitit 2014, të njohur për qëndrimet e tij nacionaliste, ka shumë gjasa të ketë diktu trajtimin e ngadaltë dhe të ndërlikuar të këtyre gjykimeve të ndjeshme. 

Megjithatë, zhvillimet e sivjetshme lidhur me rastin sjellin një epilog shpresëdhënës për gjyqësorin e Sërbisë. Shtatë nga të përfshirët në masakër, në prill 2024 morën nga Gjykata e Lartë e Beogradit dënimet e shqiptuara fillimisht nga Gjykata Speciale, duke shënu kështu një moment të rëndësishëm, ani se të vonuar, në sistemin e mefshtë gjyqësor të Sërbisë.

Megjithëse dënimi i Miladinović-it dhe të tjerëve paraqet moment të rëndësishëm – me të përmbyllet gjykimi i katërt në Beograd i të përfshirëve në masakrat kundër shqiptarëve –  mbetet çështje jetike me vazhdu me kërku drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë, mbasi veç duke i mbajtë kriminelët përgjegjës për vrasjet, shoqëritë mund të lëvizin drejt pajtimit dhe shërimit, për ta trasu kështu rrugën drejt një të ardhmeje më paqësore.

Duke iu kthy sistemit gjyqësor të Kosovës, Gashi shënon se në tetor të vitit 2021, gjykatat e Kosovës dënuan me 20 vjet burg një ish-polic sërb për përfshirjen në masakrën e fshatit Sllovi. Ky ishte rast i rëndësishëm, pasi sistemi gjyqësor i Kosovës, shpesh i kritikuar për mungesë efikasiteti, nisi më në fund me i gjyku vetë autorët e krimeve të luftës, tashmë që EULEX-i e ka zhvendosë mandatin e vet nga roli ekzekutiv në rol kryesisht monitorues, mentorues e këshillues. 

Gjyqet që ende vazhdojnë lidhur me masakrat e Izbicës, të Staradranit dhe të Dubravës – dy të parat tashmë kanë prekë fundin – shënojnë kthesën e rëndësishme që Kosova po bën në përpjekjen për drejtësi. Gjykime të reja priten në të ardhmen: Prokuroria Speciale po përgatit aktakuzë kundër 53 personave të përfshirë në masakrën e Mejës – më të madhen e kohës së luftës në Kosovë.

Ky nuk është fundi

Shkëlzen Gashi ka dokumentu me kujdes masakrat e kryera në vitet e luftës në Kosovë, duke ndriçu këtë faqe të historisë si askush më parë. Madje, gjatë përpilimit të librit, ishte kritik ndaj AShAK-ut për mënyrën e ngathtë të dokumentimit të masakrave te “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, duke theksu se institucioni më i lartë i dijeve në Kosovë kishte lënë jashtë një numër të konsiderueshëm të tyre dhe se ato që i dokumentonte, nuk ofronin të dhëna të sakta.

Një nga vlerat shtesë të këtij botimi është përfshirja e fotografive – shumica nga fotografë lufte me nam botëror – që ofrojnë dritare të hapura përballë përshkrimeve të masakrave. Vetë kopertina, me një ilustrim rrënqethës nga Alexandra Boulat, paralajmëron tonin e asaj që ndodhet në brendi: një përballje e hidhët me të vërtetat e kobshme. Fotografia mund ta komunikojë atë që fjalët nuk e thonë dot, e Gashi është siguru, duke u marrë vetë me copyright-et, që kujtesa e këtyre mizorive të mos mbetet veç e shkruar, por edhe e dukshme në krejt lakuriqësinë e vet të vrazhdë. 

Raportet nga organizatat si Amnesty International dhe Human Rights Watch, mediat botërore si BBC e CNN, së bashku me vendimet gjyqësore nga ICTY dhe gjykatat e tjera, ofrojnë një bazë solide që e bën këtë vepër të pazëvendësueshme për studiuesit, historianët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.

Libri vjen në tri gjuhë: shqip, sërbisht dhe anglisht. Versioni në anglisht është i domosdoshëm, pasi veprën e bën të qasshme për komunitetin ndërkombëtar. Historianët, studiuesit, gazetarët dhe akademikët botërorë mund të gjejnë në të një burim kredibil për të kuptu dhe studiu të kaluarën e Kosovës. Kurse ata zyrtarë, diplomatë e ndërmjetësues perëndimorë që ndjekin interesa të ngushtë, ky libër i detyron të përballen me të kaluarën që shpesh e anashkalojnë. Urojmë që zyrtarët dhe diplomatët kosovarë ta kthejnë këtë botim në një mjet të drejtpërdrejtë diplomacie, duke ua dorëzu atë si ‘dhuratë’ homologëve perëndimorë, për t’ua kujtu se drejtësia në shoqëritë pas konfliktit nuk mund të arrihet pa u përballë sinqerisht me të kaluarën.

Siç vëren Vuk Drašković – me gjasë i penduari i vetëm mes gatuesve të çorbës nacionaliste sërbe të viteve 1990 – brezat e rinj në Sërbi, që nuk i kanë jetu ato vite, ose që gjatë tyre kanë qenë kalamaj, shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rolin e vendit të tyre në luftërat e ish-Jugosllavisë, dhe për shumë prej tyre, Sërbia ishte viktima, jo agresori. Duke e bë këtë libër të disponueshëm në sërbisht, Gashi ia hap derën një brezi të ri intelektualësh sërbë që të përballen me anën tjetër të narrativës. Urojmë të gjejë shtigjet me u shpërnda mirë e gjerë nëpër raftet e librarive dhe të bibliotekave të Sërbisë.

Disa fjalë duhen thënë për kurajon që iu desh Gashit me e përfundu këtë vepër: në një vend ende të plagosur nga trauma e luftës, ku e kaluara është shpesh tepër e dhimbshme për ta kqyrë drejt në sy, Gashi ka kriju diçka monumentale. Pakkush mund të kish ndërmarrë një projekt të tillë me të njëjtën ndërthurje të rigorozitetit intelektual, të ndjeshmërisë emocionale dhe të këmbënguljes, krejt i vetëm, me e shteru. Për pesë vjet, ai ka qëmtu të dhëna, shpesh nga burime që vetë janë kredhë nëpër do skuta të internetit e të arkivave, siç janë raportet e organizatave humanitare nga koha e luftës, ose nga dëshmi që rrinin të strukura në mbamendjen e të mbijetuarve asnjëherë të pyetur për krajatat që i kanë kalu.

Me këtë botim, Shkëlzen Gashi nuk po ia vë pikën këtij projekti kolosal. Ai do t’i akumulojë të gjitha të ardhurat nga shitja e librit për ta kriju faqen e internetit me masakrat në Kosovë. Faqja jo thjesht do t’i katalogojë masakrat e dokumentuara në këtë libër, por do të mundësojë përditësime mbi ato më pak të ndriçuarat dhe mbi gjykimet e dënimet e reja. Platforma e tillë online do të ofrojë një burim të vazhdueshëm për kujtesën publike – një vend ku emrat, historitë dhe e vërteta e vuajtjeve të viktimave do të bëhen të përjetshëm dhe të përbotshëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.