Vladimir Arsenijeviq, «Mexico – ditari i luftës», përkthyer nga Anton Berishaj, Sabaium bb, Prishtinë, 2000.
Më në fund, pas shumë tentimesh, më ra në dorë libri i shkrimtarit serb Vladimir Arsenijeviq, “Mexico – ditari i luftës”. Një libër i shkruar në vetën e parë në të cilin autori rrëfen tri ngjarje madhore: e para, pranimin e ftesës nga Bashkim Shehu në emër të Parlamentit Ndërkombëtar të Shkrimtarëve (PNSH) për një rezidencë letrare; e dyta, përjetimet e tij personale dhe të të afërmve të tij gjatë bombardimit të Beogradit; e treta, takimi me poetin Xhevdet Bajraj, i cili, po sikur autori, kishte marrë të njëjtën ftesë për një rezidencë letrare. Ky është skeleti i librit “Mexico – ditari i luftës”, kurse ngjarjet më të imëta të rrëfyera nga autori, janë mishi që e plotëson anatominë e librit.
Vladimir Arsenijeviq, me anë të këtij libri e përmbys narrativën nacionaliste për “anën e mirë të luftës”. Ai na e dëshmon se pa marrë parasysh kush është nismëtari, pasojat – natyrisht, me dallime të konsiderueshme e të pakrahasueshme në mes vete – i bartin të dy taborret. Për më tepër, ai mëton që nëpërmjet librit të tregojë se mbi të gjitha mizoritë që i prodhon lufta, duhet të mbizotërojë njerëzorja midis popujve, edhe në qofshin subjekte të një lufte shkatërrimtare, siç ishte lufta e Kosovës. Për Arsenijeviqin, dhe kjo është më se e rëndësishme të thuhet, nuk ka popull të mirë a të keq, por ka regjime shtypëse të cilat i kundërvihen një populli. Prandaj, në tërë librin sundon klima e pafuqisë kundrejt një autoriteti sipëror, siç është regjimi kriminal i Millosheviqit, apo, në rastin e bombardimit të Beogradit, forcat paqeruajtëse të NATOs.
Arsenijeviq ishte i anatemuar në regjimin politik të kohës në Beograd. Duke e parë këtë gjendje të tij, ftesës së Bashkim Shehut i përgjigjet me sinqeritet të plotë e me një vetëmohim të pashoq: “Mua askush, vërtet, kurrë dhe për asgjë nuk më ka burgosur as përndjekur, nuk kam bash kurrfarë kontakti me pushtetin… E di që jam në njëfarë liste të personave që nuk mund të dalin në programet e televizionit shtetëror, mirëpo, të jem i sinqertë, unë atje as që do të shkoja, madje edhe sikur të më ftonin me këmbëngulje…». Kjo për gjendjen individuale të tij, e cila nuk është e vetmja brengë, prandaj shton se “[…]detyrohem të jetoj në një vend ku çdo ditë, tashmë me vite, është gjithnjë e më keq dhe se, aq gjatë, i duroj të gjitha pasojat absurde dhe katastrofike të formës së privatizuar të një sociopati, i cili është i lig e egoist…”. Ai pohon se individualisht nuk ekziston në vendin e tij. Por, mbi të gjitha e shqetëson represioni kolektiv, të cilit i nënshtroheshin ai dhe bashkëmendimtarët tjerë.
E, pak kohë më vonë, kur të gjitha ndërdyshjet lidhur me këtë aventurë gati se e prekin epilogun, ndër to edhe blerja e një fletoreje me kapakë të trashë enkas për shënimet në Meksikë – ‘fletorja meksikane me diell’ – më 24 mars 1999 në Beograd fillojnë bombardimet e NATO-s, të cilat Arsenijeviqin e gjejnë me “rreth njëqind dinarë, një pako cigare dhe frigoriferin gjysmë të zbrazët”. Kështu, në fletoren që e kishte paraparë t’i shkruante kujtimet e Meksikës, nis dhe i shkruan përjetimet e jetës nën bombardim.
Askush më mirë sesa kosovarët nuk e di se ç’do të thotë të jesh i huaj në qytetin tënd. Paçka se bombardimi i Beogradit qe kundërveprim për krimet e Millosheviqit gjithandej Kosovës, një gjë e tillë, natyrshëm se do të përjetohej rëndë nga qytetarët e ndershëm serbë që nuk kishin gisht në ato krime, nuk pajtoheshin e madje i kundërshtonin me të gjitha mjetet që i kishin në dispozicion. Në këtë pjesë të ditarit, autori ndan me lexuesit pjesën më private të jetës së tij duke përfshirë hollësi rreth konsolidimit të familjes e rrethit të tij në raport me situatën, peripecitë për të marrë lejen e udhëtimit për Meksikë bashkë me çapitjet për të dalë nga Serbia, deri kur, përfundimisht, më 27 maj 1999, nga dritarja e avionit lexon se çka shkruan në një mal, “[…]pas të cilit, këtë e kemi tepër të qartë tashti, fillon Qyteti i pambarim…”: Ave Maria Auxiliadora!
Xhevdet Bajraj dhe Vladimir Arsenijeviq
Kapitulli i tretë “Xhevdeti dhe unë” paraqet pjesën boshtore të librit: momentet e vështira të pritjes për aterimin Xhevdet Bajrajt në tokën e nxehtë meksikane – pa ditur shumë për mirëqenien e këtij të fundit, takimin e autorit me Xhevdetin dhe bisedat e tyre të gjata, për të mos thënë rrëfimin kronologjik për përjetimet jashtëzakonisht të rënda të Bajrajt. Këtu ai merr detyrën e lajmësit të historisë plot emocion të poetit Bajraj. Nga mënyra e rrëfimit kuptohet se personi që dëgjon po e ndan dhimbjen me personin që flet. Këtë e pranon edhe vetë autori, duke thënë se “[…] historia ime e ‘luftës’ do të përfundojë, do të jetë e plotë dhe e drejtë vetëm kur t’ia kundërvë një lloj raporti mbi një përvojë identike, megjithëse larg e larg më tragjike, të Xhevdetit dhe tërë familjes së tij.”
Po të mos dinim për Kosovën e fundviteve të ’90-ta, përjetimet e Bajrajt, familjes së tij, por edhe shumë familjeve tjera kosovare do të ngjanin surreale edhe për ne që vijmë nga ‘e njëjta anë’, e le të mos flasim për autorin, i cili vjen nga ‘ana e kundërt’. Por, diskursi i këtij të fundit është ndërtuar mbi premisa tërësisht humaniste dhe pa ngarkesa që burojnë nga -izma të shumëllojshme, e më së shumti, nga nacionalizmi dhe fashizmi.
Autorin, siç duket, e mbreson fort odiseja e Xhevdet Bajrajt, në rend të parë, brenda Kosovës në mes të luftës, e deri te udhëtimi përfundimtar drejt Meksikës, së bashku me të shoqen Vjollcën, dy djemtë dhe plot kujtime nga Rahoveci. Kujtime, që në vrojtimin e parë, nuk të japin përshtypje se mund të kenë ndodhur brenda një jete njeriu, që atëbotë ishte afër të katërdhjetave: nga çastet e lumtura deri te çastet e helmëta, kur ndodhej në zgrip të ekzekutimit.
Në një rast, Arsenijeviq, me anë të një fjalie të vetme, na jep një tabllo të plotë të heqakeqjeve të Bajrajt: “Qamilja, e ëma e Xhevdetit, vendosi të shkojë deri në Prizren, për t’i vizituar atje bijat e saj, Dritën dhe Besën, për t’i blerë Xhevdetit cigare normale (të cilat do t’i paguante 80 DM për kuti me dhjetë pako, vetëm të mos e shikonte të birin e saj t’i derdhte qeset e çajit dhe t’i mbështjellë me letër gazete që, me kalimin e ditëve të luftës gjithnjë e më të rreptë, po bëhej një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë në Rahovec)”. Kjo fjali, por edhe shumë të tjera si kjo që gjenden brenda librit dëshmojnë për stilin e hollë të autorit, i cili e di fare mirë se çka po rrëfen dhe, para së gjithash, kujt po ia rrëfen.
Domethënëse për këtë kapitull është rëndësia që Bajraj u jep të gjitha viktimave të luftës. Linja e tij e rrëfimit nuk kufizohet vetëm brenda individit, por ai me një dhimbje të pashembullt i tregon autorit – dhe nëpërmjet tij edhe lexuesit – për njerëzit që e rrethonin dhe me të cilët kishte ndarë kohë të konsiderueshme nga ‘jeta e tij e parë’: para se të merrte rrugën e gjatë për në Meksikë. Personazhet e tij nuk janë fiktivë, sikundër që nuk janë as homogjenë, por me emra e mbiemra që njëherë e njëkohë janë përballur fyt-a-fyt me ato që lufta i kishte rezervuar për ta, përfundimi i të cilëve ishte ku më i lehtë e ku tragjik.
Do të ishte e mirëseardhur, sidomos për lexuesit e memoaristikës që, mbase me ndonjë redaktim a korrigjim të atykëtushëm, ky libër të ribotohej, sepse po mbushen 23 vjet qëkur u botua në gjuhën shqipe dhe s’mund të gjendet askund. Ndër të tjera, edhe si kujtim për poetin brilant Xhevdet Bajraj, të cilin që nga 22 qershori 2022, në mesin tonë e kemi vetëm nëpërmjet poezisë së tij dhe rrëfimeve të Arsenijeviqit.