Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Morendo! Apo ngulfatja e artit kosovar në pesë kohë

Burimi: FreePik

Pjesa e parë

Prelude

Le të fillojmë me një segment nga filmi “Ninotchka”, i prodhuar nga regjisori Ernst Lubitsch, në vitin 1939: dy protagonistët e filmit, Ninotchka dhe Léon, të ulur në kafene, në një bashkëbisedim jo t ‘këndshëm në mes tyre, Léon në tentativë e sipër për ta bërë të qeshë Ninotchkën, i tregon një barcoletë: “Një person hyn në një kafene, ulet në tavolinë dhe porosit një kafe pa krem. Pas pesë minutash kamerieri kthehet, dhe i përgjigjet: “na falni por nuk na ka mbet më krem, kemi vetëm qumësht. A mund t’ju sjell një kafe pa qumësht?”

2. Adagio

Sipas Alain Badiou-së, filozofia varet nga katër kushte: arti, dashuria, politika dhe shkenca. Secila nga këto, në mënyrë të pavarur, përfaqësojnë një “procedurë të së vërtetës” [truth procedure]. Badiou thotë se e “Vërteta është një inovacion en acte, singular në lokacion dhe rrethana, por universal në adresimin e saj” dhe se “një procedurë e së vërtetës e tillë mund të fillojë vetëm përmes një thyerje me situatën e zakonshme në të cilën ajo zhvillohet” – apo atë që Badiou e quan Ngjarje [Event].

Kështu, Ngjarja, Subjekti, e Vërteta janë pjesë e një procesi të afirmimit që e sjell të vërtetën në ekzistencë përmes subjekteve që i mbesin besnik pasojave të ngjarjes. Kështu që, e Vërteta për Badiou-n ngjall logjikën e të qenit të vërtetë ndaj diçkaje, e të mbajturit të së vërtetës mbi principe, persona, apo ideale. Ta ilustrojmë me dy shembuj (të marrë nga regjistri i Badiou-s), njëri nga kushti i dashurisë dhe tjetri nga kushti i artit/shkencës: dy të dashuruar që formojnë një Subjekt dashuror, por që thellë në rrënjë i mbesin besnik takimit të tyre që definohet si Ngjarje. Apo, një artist ose shkencëtar i mbetet besnik linjës kreative të hulumtimit e cila i hap horizonte për zbulime të reja ose thyerje me traditën e zakonshme.

Badiou, katër kushtet e filozofisë i identifikon edhe si katër ‘tipe’ fundamentale subjektive: politike, shkencore, artistike, dhe dashurore [amoureux]. Dhe, secila nga këto katër tipe subjektive përfaqëson në vetvete një të Vërtetë singulare.

Në këtë shkrim do të merrem me Artin – apo më mirë të themi ngulfatjen e tij në kontekstin e Kosovës. Ngulfatjen e artit në Kosovë duhet ta shtjellojmë në kontekstin e situatës filozofike. Çka do të thotë kjo? Badiou në librin e tij “Polemika” e shpjegon që situata filozofike është një takim. Një takim në mes termave thellësisht të huaj. Badiou gjithashtu jep dy definicione për situatën filozofike. Definicioni i parë thotë: qartësoje zgjedhjen, vendimin. Ndërsa, definicioni i dytë thotë: qartësoje distancën në mes fuqisë dhe të vërtetës. Për të ilustruar këto, Badiou merr si shembull—në fakt një ndër tre shembujt—filmin e jashtëzakonshëm të regjisorit japonez Kenji Mizoguchi – “Të Dashuruarit e Kryqëzuar” [The Crucified Lovers]. Padyshim një nga filmat më të mirë për dashurinë të prodhuar ndonjëherë. Për ata që se kanë pa filmin, duhet ta shpjegojmë shkurtimisht ngjarjen dhe përfundimin e filmit.

Një grua e re është martuar me pronarin e një dyqani artizanal të vogël, një njeri i ndershëm që jeton në begati. Atij gjithashtu i pëlqen që të pijë alkool dhe t’i vëzhgojë gratë tjera, jo domosdoshmërisht në mënyrë amorale; por, ajo [gruaja e re] nuk e dashuron atë, nuk e dëshiron. Në skenë futet një djalë i ri, i punësuar në dyqanin e vogël, në të cilin ajo dashurohet. Sigurisht, se në kohën klasike ku Mizoguchi e vendosë filmin, gruaja e cila tradhton dënohet me kryqëzim. Dy të dashuruarit e ri, gruaja e martuar së bashku me punëtorin e ri, vendosin që të ikin në fshat. Kjo sekuencë, që përshkruan udhëtimin e tyre në pyje, në shtëpiza, liqeje dhe anije, është e jashtëzakonshme. Edhe pse burri i ndershëm mundohet që t’i mbrojë ata dy, në fund burrat janë të obliguar që të denoncojnë tradhtitë bashkëshortore, përndryshe ata vet do të japin përgjegjësi duke u konsideruar pjesë e asaj tradhtie. Gjithsesi, burri, dhe kjo është një provë që ai ende e dashuron gruan e vet, mundohet që të fitojë kohë. Ai madje thotë se ajo ka shkuar tek prindërit e saj në fshat… Ai në të vërtetë është burrë i mirë. Ai është një karakter shumë i bukur i filmit, një mediokritet i ngjeshur. Më në fund të dashuruarit denoncohen dhe kapen. Ata merren për t’u torturuar.

Në fund, ne i shohim sekuencat përfundimtare të filmit: dy të dashuruarit janë të lidhur mbrapa një gomari, ndërsa kamera i përcjellë ata duke ecur drejt vdekjes së egër; fytyrat e tyre kanë thjesht një shenjë buzëqeshjeje, një lloj fortifikimi në buzëqeshje. Ky imazh i fundit, shkruan Badiou, përkundrazi na thotë: dashuria është ajo që i reziston vdekjes.

Në konferencën “La Femis”, organizuar me 1987, Gilles Deleuze gjatë ndërhyrjes së tij, citon André Malraux, duke thanë se “arti asht diçka e tillë që i reziston vdekjes.”. Pikërisht në këtë sens, në ato pamjet mahnitëse, arti i Mizoguchit jo vetëm i reziston vdekjes por na ndihmon që të kuptojmë se dashuria gjithashtu i reziston vdekjes. Më tej, Deleuze flet mbi informacionin si një sistem të kontrolluar të ‘urdhër-fjalëve’, që përdoren në çdo shoqëri. Megjithatë, përveç informacionit kemi edhe ‘kundër-informacionin’ [counter-information]. Për shembull, kemi shtete që janë nën regjime të egra diktatoriale ku, megjithatë, ekziston kundër-informacioni. Në kohën e Hitlerit, hebrenjtë që iknin nga Gjermania në shtetet tjera, ishin të parët që tregonin për kampet e shfarosjes në Gjermani, njëkohësisht ata ishin edhe prodhuesit e këtij kundër-informacioni. Por, kundër-informacioni nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të bërë apo për të arritur diçka. Asnjë kundër-informacion nuk e ka trazuar kurrë Hitlerin, përveç njëherë: kur kundër-informacioni shndërrohet në mënyrë efektive në akt të rezistencës. Akti i rezistencës, vazhdon Delezue, nuk është as informacion e as kundër-informacion. Kundër-informacioni nuk është efektiv nëse nuk bëhet akt i rezistencës, por, ekziston një afinitet thelbësor ndërmjet punës artistike dhe aktit të rezistencës.

Delezue gjatë përmbylljes së ndërhyrjes së tij në konferencën “La Femis”, thot se: “arti reziston, është ai çka reziston, edhe pse nuk është e vetmja gjë që reziston, por reziston. Dhe prandaj kemi këtë lidhje të ngushtë ndërmjet aktit të rezistencës dhe punës artistike. Çdo akt i rezistencës nuk është punë artistike, edhe pse në njëfarë mënyre është. Çdo punë artistike nuk është akt i rezistencës, dhe prapë, në njëfarë mënyre është. Akti i rezistencës, siç duket, i ka dy fytyra: është njerëzor (human) dhe, gjithashtu, është akt artistik. Vetëm akti i rezistencës i mbijeton vdekjes, qoftë përmes formës së punës artistike, ose përmes formës së luftës njerëzore (humane).”.

________

Artikulli vazhdon në pjesën e dytë 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.