Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mr. Jones, Holodomori, memorja kolektive dhe ne

“Mr. Jones” (Zoti Jones) është një film i vitit 2019 i realizuar nga regjisorja polake Agnieszka Holland, i nominuar, ndër shumë çmime ndërkombëtare, për ta fituar “Ariun e artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Filmi rrëfen historinë e vërtetë të Gareth Jones-it, një gazetari uellsian dhe udhëtimin e tij në Bashkimin Sovjetik në vitin 1933, rolin e të cilit në film e luan mrekullueshëm aktori James Norton.

Një gazetar i ri, por ambicioz, i cili kishte bërë emër kryesisht falë intervistës që kishte realizuar me Adolf Hitler-in, Jones-i fiksohet pas idesë për ta realizuar një intervistë të njëllojtë me Josif Stalin-in, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik. Mes shumë peripetish, ai ia del ta sigurojë një vizë udhëtimi për në Moskë. Me të mbërritur atje, ai e kupton që kjo intervistë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u realizuar dhe detyrohet të sorollatet rrugëve të Moskës nën survejimin e vazhdueshëm të policisë sekrete të regjimit.

Por, filmi fiton dramacitetin e tij kur Jones-i niset me tren në drejtim të Ukrainës dhe ajo që ai zbulon atje është e tmerrshme. Stalini e kishte kthyer urinë në armë. Ai kishte vendosur që përmes konfiskimit të drithërave ta shkaktonte një krizë urie vdekjeprurëse. “Drithi është ari i Stalinit,” i thonë Jones-it. E, kush është sipërfaqja më e pasur me këtë “ar”? Ukraina. Tmerri dhe lemeria që zbulon Jones-i atje, dëshmitë e njerëzve, uria e miliona syresh, konfiskimi i drithit nga shteti, shndërrimi i njerëzve të uritur në kanibalë, tmerri i fëmijëve dhe shumë skena të tjera rrëqethëse përcjellen në mënyrë magjepsëse nga regjisorja Holland.

Gareth Jones-i i mbledh tërë këto llahtare që i kishte parë, i boton në mediat britanike, por zhgënjehet nga impakti i pakët që shkaktojnë dhe nga shurdhëria e shoqërisë perëndimore kundrejt këtij tmerri stalinist. Për më keq, “New York Times”-i e boton një demant nga korrespodenti i saj në Moskë, Walter Duranty, me anë të të cilit ai e mohon ekzistencën e vdekjeve masive nga uria në Ukrainë.

Filmi e paraqet edhe komunikimin e Gareth Jones-it me shkrimtarin famëmadh, George Orwell-in, i cili thuhet të jetë inspiruar nga rrëfimet e Jones-it nga Ukraina për ta shkruar magnum opus-in e tij, “Fermën e kafshëve”. Madje, pretendohet që fillimisht ai kishte menduar ta emërtonte këtë kryevepër të tij me titullin “Mr. Jones”. Megjithatë, përkundër paraqitjes në film, nuk ekziston ndonjë evidencë historiografike që George Orwell-i dhe Gareth Jones-i të jenë takuar ndonjëherë në jetën e vërtetë.

Tmerri të cilën e kish përshkruar gazetari i ri uellsian dhe që e paraqet filmi eponimik ka ndodhur mes vitit 1932 dhe 1933. Në historiografinë ukrainase ky njihet si “Holodomor”, si një kombinimin i shkronjave të para të dy fjalëve ukrainase “moryty holodom” që do të thonë “të vrasësh përmes urisë”.

Përllogaritjet e ndryshme flasin për 3 gjer 12 milion viktima civile. Një deklaratë e përbashkët e OKB-së e nënshkruar nga 25 shtete anëtare deklaronte 7 gjer 10 milion viktima. Në vitin 2016, Universiteti i Kievit pretendonte për 7 milion viktima, ish-kryeministri kanadez, Stephen Harper, fliste për 10 milion viktima, kurse historiani David Marple pretendon për 7.5 milion viktima. Revista amerikane “The New Yorker” shkruan se burimet më kredibile akademike flasin për rreth 4 milion viktima civile të Holodomorit.

Holodomori ngel një nga dëshmitë më të qarta të çmendurisë së regjimit stalinist. Në emër të kolektivizmit të pronës bujqësore, regjimi sovjetik shkaktoi një tmerr të tillë. Byrokratizimi destruktiv, planifikimi i dobët, orientimi i gabuar ekonomik, presioni për të kaluar nga kultivimi i panxharsheqerit dhe pambukut vetëm në kultivim të drithërave, nevoja për të sekuestruar sa më shumë drithëra nga fshatarët që pastaj të shiteshin për eksport, e shkaktuan një gjenocid të këtillë.

Por, shteti i Ukrainës nuk ka qëndruar duarkryq. Që nga pavarësimi prej Bashkimit Sovjetik më 1991, Ukraina ka ndërmarrë fushata të shumta për memorializimin e kësaj ngjarjeje dhe për trumbetimin e saj në botë. Në vitin 2006, Ukraina e ka shpallur Holodomorin si akt gjenocidi dhe gjer më sot 15 shtete të tjera e kanë njohur Holodomorin si akt gjenocidi të kryer nga qeveria sovjetike.

Përkundër debateve të shumta nëse Holodomori mund të përkufizohet si gjenocid, vetë shpikësi dhe përkufizuesi i parë akademik i këtij nocioni, Raphael Lemkin, ish-profesor i Universitetit të Yale-it, do ta vlerësonte atë si akt gjenocidi. Në një artikull të vitit 1953 që ai e botoi me titullin “Gjenocidi sovjetik në Ukrainë”, Lemkin-i, ndër të tjera, do të shkruante: “[Holodomori] është simbas gjasës shembulli klasik i gjenocidit sovjetik dhe eksperimenti më i gjatë dhe më i gjerë i tij në [drejtim të] rusifikimit dhe shkatërrimit të kombit ukrainas.”

Falë diplomacisë proaktive të Ukrainës dhe sidomos të diasporës së saj, sot Holodomori është shtyrë si temë politike anekënd botës dhe muzeumet që e përkujtojnë këtë ngjarje të llahtarshme ekzistojnë në Chicago, Los Angeles (ShBA), Winniepeg, Edmonton, Windsor, Calgary (Kanada) dhe Lublin (Poloni). Natyrisht, këtu nuk përmenda dhjetëra muzeume memoriale nëpër gjithë Ukrainën.

Vendin më të posaçëm ndër muzeumet e Holodomorit e ka “Muzeu Kombëtar i Gjenocidit të Holodomorit” në Kiev – një investim mbresëlënës i shtetit ukrainas në memorjen kolektive të kombit të vet. Aty të lë pa fjalë intensiteti i kujtimeve që përcjell ky muzeum, duke u nisur nga artefaktet që i kanë takuar viktimave gjer tek përmendorja në hyrje të muzeut, simboli i vetë muzeut, “Histori e hidhët e fëmijërisë”, skulptura e nje vajzë të vogël të uritur e të vuajtur.

Ofensiva diplomatike e Ukrainës për një rast që shumë figura akademike në botë e kontestojnë nëse vërtetë mund të kufizohet si gjenocid, dëshmon se një shtet, një qeveri, me përkushtim serioz dhe të gjithanshëm, mund ta shtyjë përpara respektimin e memorjes kolektive të kombit të vet dhe të të kaluarës së dhimbshme të tij.

Tmerret që ka kryer shteti serb në Kosovë ndër dekada kanë mbetur të pagjykuara. Mijëra civilë të vrarë, gra të dhunuara, fëmijë të masakruar, asnjëherë nuk morën kujtimin e merituar. Akoma sot Kosova nuk e ka një muze që do t’i përkujtonte këta në qendër të Prishtinës. Mos të flasim për aktet e mëhershme gjenocidiale të Serbisë ndaj shqiptarëve – më 1878, më 1913, më 1945. Vetëm ajo që ka ndodhur në vitet 1998 dhe 1999 do të duhej të shërbente si bazë e mjaftueshme për ta ndërkombëtarizuar tmerrin që Serbia ia ka shkaktuar popullsisë civile shqiptare.

Kjo është pika ku kemi dështuar. Të vërtetën tonë kemi hezituar t’ia përcjellim dhe t’ia përsëritim botës. Nuk kemi investuar në memorjen kolektive dhe në memorializimin e saj. Në ndërkombëtarizimin e saj, aq më pak. Ukraina është një shembull se si duhet të bëhet ofensivë diplomatike dhe se si memorja kolektive të jep kredite ndërkombëtare dhe siprani morale karshi fqinjëve që kanë kryer gjenocid. Ne jo vetëm që nuk e kemi realizuar atë ofensivë, por jemi tkurrur në defansivë dhe e kemi lënë hapësirën boshe për shtetin serb që ta imponojë narrativën e vet dhe ta relativizojë dallimin mes agresorit dhe viktimës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.