Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Mulliri i Bicajve, vlerë e trashëgimisë kulturore

Mulliri në fshatin Vrellë, Istog, Kosovë, 2019. Foto: Ridona Berisha

Mullinjtë e ujit janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës, të ndërtuar kryesisht në vende ku kapaciteti i burimit të ujit nga lumenjtë është më i fuqishëm. Historikisht, mullinjtë e ujit kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekzistencën e popullit dhe furnizimit me miell.

Mullinjtë kanë shërbyer edhe si pikëtakim, ku njerëzit kanë ndërvepruar, janë njohur me njëri-tjetrin dhe kanë shkëmbyer mallra. Kjo për arsye se procesi i bluarjes ka marrë më shumë kohë, sepse kërkesa për bluarje ka qenë më e madhe, dhe njerëzit është dashur të qëndrojnë më gjatë (shpeshherë edhe me ditë të tëra) në mënyrë që të furnizohen me miell.

Një ndër vendet më karakteristike ku gjenden mullinjtë e ujit është fshati Vrellë në Komunën e Istogut. Ky fshat shtrihet në pjesën veri-perëndimore të Kosovës, shtatë kilometra nga Istogu, rrethuar nga bjeshkët dhe me një burim të ujit që plotëson nevojat e fshatit dhe rrethinës.

Një ndër mullinjtë më karakteristikë është mulliri i Bicajve, i ndërtuar në shekullin XIX, ndër më të vjetrit në Istog, i cili vazhdon të jetë në funksion edhe sot e kësaj dite. Ky mulli ka formë katërkëndëshe, është i punuar me teknikën e gurit dhe me ilaç gëlqereje, dhe është i mbuluar me tjegulla tradicionale.

Fillimisht, familja Bicaj kishte ndërtuar dy mullinj, mirëpo pas luftës së fundit në Kosovë 1998 – 1999, njëri nga mullinjtë u dogj nga forcat serbe, ndërsa mulliri tjetër ishte shkatërruar sepse kafshët e kishin përdorur për t’u fshehur dhe strehuar në të.

Pas përfundimit të luftës, pronari thekson se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e bëri meremetimin e mullinjve si nevojë esenciale.

Andaj, familjarët vendosën t’i rregullonin që të dy mullinjtë vetë. Njëri prej tyre është jashtë funksionit dhe ruhet vetëm si kujtim. Ndërsa mulliri tjetër është në funksion.

Pronari Fazli Bicaj tregon se para 20 vitesh kishte më shumë punë, sepse njerëzit ushqeheshin kryesisht me miell të misrit, ndërsa tani miellin e misrit e konsiderojnë më tepër si luks, kjo sepse edhe mënyrat e përgatitjes dhe përbërësit e ushqimit janë pasuruar.

as a “Nganjëherë bluaj deri në 500 kg blojë, po sot qysh po shihet nuk koka dita jonë me fat”, thotë Fazli Bicaj gjersa pastron gurin e mullirit.

Gjatë diskutimit me z. Bicaj, erdhi një veturë dhe solli një thes me misër që ta bluante. Ata ranë dakord që të vinte ta merrte në mbrëmje. Pronari futi brenda thesin me misër, e peshoi dhe më pas filloi që me një kovë ta vendoste në mushnjakë (kosh). Rregulloi ngrefcin me anë të të cilit vendoste se sa duhej të ishte trashësia e miellit.

Sipas pronarit mund të bluhej miell i trashë dhe i hollë, por që miellin e trashë kryesisht e kanë bluar për “gja” (bagëti).

Kjo ishte një mundësi e artë për ta parë për së afërmi se si zhvillohet procesi i bluarjes së misrit në mulli.

Në pjesën anësore të gurit të mullirit, pronari tërhoqi një dru. Kështu, në këtë vend që ishte i qetë e mund të dëgjoje vetëm rrjedhën e ujit, tani zotëronte një zhurmë që lëshonin çakallet e mullirit. Ky proces i bluarjes vazhdoi pa ndërprerje pothuajse për një orë e gjysmë dhe në përfundim pronari mbushi thesin me miell dhe mbi të vendosi inicialet e personit që i përkiste mielli, në mënyrë që thesi mos të ngatërrohej me atë të dikujt tjetër.

Gjatë kohës që po qëndroja në mulli, shumë fshatarë kalonin aty pari dhe mua m’u dha mundësia që t’i pyesja rreth mullirit. Sipas tyre, brezi i vjetër mullirin e shihte fare ndryshe prej të riut. Për brezin e vjetër, mulliri ngjallte nostalgji: “Pasaniku më i madh është ai që ka mulli… Ke qenë zotni nëse ke pasë mulli”, thoshin ata.

Sot, urbanizmi, teknologjia dhe jeta dinamike, kanë ndikuar që shumë veprimtari të kultivuara brez pas brezi të mbesin nën hijen e së kaluarës, përfshirë këtu edhe mullirin.

Pas disa orëve të kaluara në mulli dhe bashkëbisedimin me shumë fshatarë, personat që kishin sjellë misrin për bluarje erdhën ta merrnin miellin.

Askush tjetër nuk erdhi më pas për të bluar, e Fazli Bicaj arsyetohej duke më thënë: “Po sot osht vikend, njerëzit kanë qejf me pushu… ditëve të javës bijnë ma shumë blojë”.

Teksa fliste, ndjeva brengosjen që kishte për të ardhmen e mullirit. Edhe unë fillova të mendoj për të ardhmen e mullirit, ndonëse isha një ndër të paktët persona nga brezi i ri që ende kishte interes për rolin e mullirit në kulturë dhe shoqëri.

Duke parë rëndësinë historike të mullinjve, është i nevojshëm një kujdes i shtuar për ta, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e vendit.

Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si mullinjtë mund të bëhen më joshës për popullatën, duke filluar që nga mbajtja e tyre afër restoranteve, që do të ofronte një përvojë të jetës “ktyneherë”, model ky që mund të ngjasonte me një tip muzeu, duke ruajtur kështu vlerat për të cilat konsiderohet.

Por, një gjë është e sigurt, nëse nuk merren masa tani, mullinjtë rrezikojnë të mbeten në memorien kolektive dhe të harrohen përfundimisht. Vizita në mullirin e familjes Bicaj në fshatin Vrellë ishte një përvojë e paharrueshme, e cila duhet të shërbejë për të reflektuar mbi rëndësinë dhe nevojën që të merren veprime konkrete për t’i mbrojtur mullinjtë e ujit në Kosovë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.