Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Ndërmjet filozofisë, ironisë dhe demokracisë (I)

Sa herë që diskutojmë mbi ngecjet, stagnimet dhe bllokadat e kohëpaskohshme të demokracisë, kemi prirjen që shkaqet e dështimeve të tilla t’i kërkojmë në naricizimin e liderëve politikë, motivet e tyre egokratike, paranojat dhe vullnetin e tyre ngulmues vetëm për pushtet, duke e shpërfillur çdo standard dhe kriter tjetër politik, etik dhe ligjor. Si rrjedhojë e shtytjeve të tilla psiko-politike më pastaj shfaqen klientelizimi, korrupsioni, patronazhi, familjarizimi, tribalizimi, si dhe mbrojtja e interesave privatë mbi ata publikë, modele këto që pashmangshëm rezultojnë në degjenerim të sistemit demokratik. Po ashtu, kësaj liste mund t’i shtohen edhe kërcënime të natyrave tjera, si aftësia e lëvizjeve populiste për t’i mobilizuar masat sociale kundër parimeve të këtij rendi, veçanërisht karakterit të tij inherent pluralist, si dhe afirmimi ideologjive të ndryshme autokratike. E të mos flasim këtu për shterpëzimet që krijojnë demagogjia, retorika e zbrazët dhe tensionet konstante.

Faktin se ndërtimi dhe mirëmbajtja e demokracisë është një çështje delikate e ka konstatuar që në shekullin XVI teoricieni i spikatur Baron de Montesquieu, në veprën e tij të njohur “The Spirit of  Laws”. Në këtë vepër emblematike, ky filozof unik i mendimit politik modern konstaton se një nga parimet inherente të një rendi republikan padyshim se mbetet “dashuria për demokracinë, kurse dashuria për këtë të fundit është dashuri për barazinë”. Është me rëndësi që ky pasion të ketë karakter kolektiv dhe të jetë i gjithëpranishëm, që nga “qytetari më i thjeshtë e deri te zyrtari më i lartë i shtetit”. Vetëm nga afirmimi i këtij sentimenti të përbashkët mund të mbijetojë një rend demokratik republikan. Çdo shkarje nga ky kusht bazik mund t’i hapë rrugë triumfit të antitetezave të demokracisë.

Zhvleftësimi filozofik i demokracisë 

Sidoqoftë,  edhe përkundër kësaj teze mbi kushtet e funksionimit të demokracisë, sipas së cilës kjo e fundit nuk mund të mbijetojë pa e kultivuar sensin e virtytit publik,  megjithatë pandehmat e filozofisë politike antike e mbronin të kundërtën e këtij mendimi. Sipas tyre, pikërisht në demokraci nuk mund të jetësohet ideali i virtytit.  Për më tepër, marrëdhëniet ndërmjet filozofisë dhe demokracisë i karakterizon një raport mosbesimi dhe tensioni konstant. Ky regjim politik u kualifikua në mesin e atyre sistemeve që nuk mund të jenë të sigurt për mundësinë e mbretërimit të filozofisë.

Dënimi me vdekje i Sokratit nga demokracia e Athinës u përdor si argument në favor të këtij vlerësimi. Konstatimi i Platonit në formën e pyetjes, pas kësaj vdekjeje tragjike, se si mund të jetë i drejtë një regjim që e dënon me vdekje njeriun më të ditur të tij, u shndërrua në fusnotë për t’i ushqyer dyshimet e filozofisë politike kundër demokracisë për mijëra vjet.

Me këtë rast, vepra “Shteti” e Platonit dhe veçanërisht “libri i tetë” i kësaj vepre monumentale në panteonin e mendimit filozofik mund të merret si shembull paradigmatik i sulmeve teorike kundër të demokracisë nga mendimi antik. Për më tepër, sipas Leo Strauss-it, akuza më e rëndë kundër këtij sistemi që ishte shkruar ndonjëherë gjendet në këtë traktat politik. Në punimin e tij “What is Political Philosphy”,  ky mendimtar ka treguar se më shumë sesa dënimi me vdekje i Sokratit, (në fund të fundit Sokrati ishte dënuar me vdekje në moshën 70-vjeçare, që i bie se ai kishte mundur të jetonte dhe filozofonte deri në atë moshë pikërisht në atë regjim), ky mospajtim i mendimtarëve klasikë me demokracinë kushtëzohej nga supozimet e tyre mbi qëllimet finale të jetës politike dhe sociale.

Sipas këtij teoricieni të pasionuar pas gjetjeve të filozofimeve antike, doktrina klasike e refuzonte këtë regjim politik, sepse për themeluesit e mendimit politik të asaj periudhe “qëllimi i jetës njerëzore, më shumë sesa liria, ishte virtyti”. Madje për ta “liria  kishte karakter ambivalent, ngase nga lulëzimi i saj mund të hovëzonte si e liga, ashtu edhe e mira”. Shthurja e këtyre kritereve e krijon shtratin për shpërthimin e patologjive të tjera sociale dhe politike. Dhe, më kryesorja, e pamundëson ndërtimin e një rendi të drejtë politik.

Në veprën e lartshënuar “Shteti”, Platoni e ka artikuluar mbase zhvleftësimin më madh të mundshëm filozofik kundër demokracisë. Në këtë sistem, sipas këtij filozofi, “do të jetë e lejueshme gjithçka dhe gjithkund do të mbretërojë liria dhe mundësia që gjithkush të punojë në të çka të dojë”. Këtë rregullim shtetëror Platoni metaforikisht e krahashon me atmosferën që dominon në treg. Ndërkaq atje “ku çdo gjë është e lejueshme është e natyrshme se gjithkush e rregullon jetën e vet si i pëlqen më shumë”. Për më tepër, karakterit të njeriut demokratik, ashtu sikurse atij të regjimeve të tjera, si oligarkik dhe tiranik, i mungon virtyti. Madje, sipas Platonit, nga demokracia lind tirania. Në kuadër të shpirtit demokratik relativizohet dallimi ndërmjet dëshirave që vijnë nga “instinktet e ulëta dhe të mira, si dhe të bukura”. Karakteri demokratik e refuzon këtë diferencim dhe “pohon se të gjitha instinktet janë të njëjta dhe duhet të çmohen njësoj”. Në këtë klimë të çrregullimit total dhe dehjes ekstreme me lirinë pushteti mund të uzurpohet nga një sundimtar tiranik, sepse “liria e tepruar, si duket, nuk kalon në asgjë tjetër pos në skllavëri të tepruar edhe për individin, edhe për shtetin”. Këtu duhet ta kemi të qartë se te grekët mungonte vizioni modern i demokracisë liberale dhe kushtetuese. Prandaj, për këtë arsye, filozofët antikë e konsideronin virtytin si vlerë supreme teorike dhe politike.

Mirëpo, problemi ishte se përvetësimi i virtytit duhej të kalonte nëpërmjet një procesi rigoroz të edukimit dhe formimit të karakterit, etj., etj.” Plotësimi i këtyre kritereve s’mund të bëhej pa promovimin e arsimimit universal. Ndërkohë, sipas Strauss-it, për grekët, ky arsimim nuk mund të arrihej pa e pasur në dispozicion kohën e lirë të mjaftueshme për të gjithë. Që të bëhej kjo duhej të ndryshonte kuadri i jetës ekonomike në të cilën ata vepronin. Mirëpo, inaugurimi i këtij ndryshimi kërkonte një emancipim radikal të teknologjisë nga kontrolli moral dhe politik. Çlirim, që grekët e konsideruan të rrezikshëm. Madje, parashikimi profetik i këtyre mendimtarëve se “emancipimi i teknologjisë dhe arteve nga kontrolli moral dhe politik mund të shpjerë në katastrofa ose në dehumanizimin e njeriut, nuk është falsifikuar ende”. Duke qenë se nuk ekzistonte një zgjidhje e pranueshme filozofike për këto dilema, atëherë shpëtimi për mendimin politik klasik grek mund të gjendej te krijimi i atij rendi ku duhej të imponohej dominimi dhe sundimi i asaj pjese që është e natyrshme mbi atë pjesë që për nga natyra duhet të nënshtrohet dhe subordinohet. Ky vizion hierarkik natyror e formonte edhe vizonin antik për drejtësinë. Prandaj, shtetin duhej ta drejtonin vetëm ata që kishin pasur kohë ta përvetësonin si duhet vlerën e virtytit.

Detyrimin drejt këtij synimi fisnik të jetës politike në mënyrë paradigmatike e ka pasqyruar biseda e Sokratit me Alkibiadin,  një i ri ky i rretheve aristokratike të kohës me ambicie politike. Ky dialog ndodhet edhe në veprën e Michel Foucault “The Hermeneutics of the Subject”. Me këtë rast, filozofi plak e instrukton të riun athinas se nuk mund të merret seriozisht me çështjet politike pa e kultivuar paraprakisht ”njohjen e vetvetes” dhe “brengën për veten”.

Ndërkohë, kjo thirrje filozofike për ta “njohur veten” kishte edhe implikime politike. Sepse, siç thotë Foucalt, nxitja për ta “njohur veten dhe përkujdesja po ashtu për veten, që grekët e quanin ‘epimeleia hauton’ dhe latinët “cura sui”, parimisht u drejtohet atyre që dëshirojnë t’i qeverisin të tjerët, se si të shndërrohen në shtetarë të mirë”. Ky shqetësim për veten po ashtu ishte privilegj vetëm i atyre që “kishin kohë të lirë, mundësi dhe nivel të zhvillimit kulturor”. Ishte detyrim për ta zbatuar sa më mirë atë për të cilin ishin të destinuar, sundimin e tjerëve. Dhe ky kusht nuk mund të plotësohej pa e zotëruar aftësinë për ta komanduar veten.

Ndërkohë, ky raport gnoseologjik ofronte të vetmin rrugëtim mendor për t’i përvetësuar standardet e përhershme të së vërtetës dhe drejtësisë. Sepse këtu nuk duhet harruar faktin se sipas shkollës sokratike të transmetuar në traditën e filozofisë perëndimore nga Platoni, idetë janë të përjetshme, absolute dhe universale. Ato nuk janë krijuar nga askush. Neve s’na mbetet gjë tjetër pos t’i njohim format e pastra të tyre të cilat qenësojnë në “kaltërsinë e pastër të qiellit” dhe ta ndriçojmë shpirtin njerëzor me xanxat e tyre rrëzëlluese. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për zbulim të “ideve novatore”, por vetëm njohje të tyre nëpërmjet vetënjohjes.

Prandaj te Platoni doktrina e njohjes e ka karakterin e rikujtesës. E ky koncentrim dhe thellim në këtë ndërmarrje kognitive na bën të mundur që ne t’i zbulojmë ato brenda vetes sonë. Ta përvetësojmë karakterin e tyre universal. Dhe në këtë mënyrë ta ndërtojmë një rend politik të drejtë, racional dhe të përhershëm, në të cilin do të mbretëronte filozofia, për shkak të këtij funksioni të shumëfishtë.

Kjo edhe është arsyeja që kjo disiplinë nuk kishte karakter “privat”, por një rol të pastër “publik”. Detyrë e saj ishte të shërbente si guidë teorike për ta justifikuar jetën e mirë në sferën politike. Çdo regjim që nuk e kalonte këtë test s’mund të quhej i drejtë. Të tilla ishin oligarkia, tirania dhe demokracia. E para për shkak të lakmisë dhe babëzisë së pushtetarëve vetëm për luks, pasuri dhe shkëlqim të rrejshëm, e dyta për shkak të sundimit absolut dhe të pakufizuar të Njëshit dhe treta për shkak se, siç thoshte Aristoteli, krijon kushte që të “sundojë shumica e paarsimuar”. Në këtë mënyrë, ky regjim u jep shansin atyre që s’janë të përgatitur sa duhet për detyra politike që të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

Kjo betejë teorike titanike kundër pasurisë së sundimtareve, abuzimit ekstrem të pushtetit nga një individ, si dhe mediokritetit të masave, i ka ushqyer shumë prej utopive iluministe në traditën e mendimit politik perëndimor. Në themel të kësaj ëndrre “politiko-romantike” qëndronte ideja fillestare platonike e ‘filozofo-kracisë’.

Por, si arriti që demokracia t’i shfronësojë dhe desublimojë këto pretendime të filozofisë? Dhe po ashtu pse ajo u tregua më efikase në garantimin e koekzistencës njerëzore pa imponime represive, si dhe pa e projektuar mbijetesën e saj në parime fondatore teorike dhe absolute? Mbase një pjesë të përgjigjes për disa prej këtyre pandehmave mund ta kërkojmë në konstatimet e shkollës së neo-pragmatizmit amerikan.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.