Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Në kërkim të Venerës dhe drama cerebrale

U ulëm diku afër sallës Stavros Tornes, ku do të shfaqej filmi i saj “Në kërkim të Venerës”, mbrëmjen e 9 nëntorit në Festivalin e Selanikut. Aty pimë nga një gotë verë, duke diskutuar për të dhe filmin e saj. Shkuam bashkë tek amfiteatri dhe së shpejti titulli u shfaq në ekranin e madh. Nga minutat e para e kuptova: ky nuk është thjesht një film, është një dramë cerebrale me një gamë të gjerë estetike, dhe kërkon vëmendje të veçantë, siç është gjithmonë rasti kur bëhet fjalë për një art film. Filmat që i përkasin këtij zhanri shpeshherë kanë një reputacion sikur janë tepër të gjatë dhe me pak substancë. Kjo ndodh sepse ata sfidojnë mënyrën konvencionale se si tregohet një histori te publiku, dhe përkundrazi kërkojnë që shikuesit të përpiqen të gjejnë vetë mesazhet e filmit, dhe fatkeqësisht mazhoranca e publikut ndihen më rehat me filma mainstream.

Ata kërkojnë përkushtim nga ana e kineastit për të bërë zgjidhje kyçe në lidhje me mizenskanën, komplotin dhe zhvillimin e personazheve, sepse ata kanë një stil vizual të veçantë – ata duken ndryshe nga ajo me të cilën është mësuar syri i shikuesit mesatar me filmat mainstream; andaj, ata kërkojnë dhe një publik më të sofistikuar që ka kapacitetin për t’i vlerësuar ato atribute që bëjnë një film art-film: struktura episodike e tregimit pa një zgjidhje të qartë në fund, pra një histori që përbëhet nga një varg episodesh më vete; përdorim aktorësh joprofesionistë; personazhe të zhytura në mendime; mizanskena të thjeshta të papërpunuara apo pasuruara.

Duke ndjekur sekuencën e parë m’u kujtua çfarë tha Camille Paglia me një ton pesimist (si gjithmonë) tek intervista e saj e fundit në maj të vitit 2020, ku ajo sugjeron se mizanskena (Mise-en-scène) – detajet e sfondit që ofrojnë kontekst social – është një art i humbur dhe se në këtë epokë… pak kineastë dinë ta përdorin kamerën për të krijuar hapësirën fizike dhe t’u japin personazheve dendësi. Por Norika Sefa nuk është një nga ata kineastë. Regjisorja e re ka zgjedhur një zhanër filmi që sfidon kinemanë mainstream / konvencionale dhe që shpeshherë ndoshta fton një qëndrim shpërfillës nga ana e publikut – mos harroni se kur filmi i Antonioni-t L’ Avventura u shfaq në kinemanë Harbur, e gjithë salla mbeti bosh brenda gjysmë ore!

Me filmin e saj të parë me metrazh të gjatë, ajo qëndron besnike ndaj ekspresivitetit autorial duke përdorur realizmin për të hartuar një analizë të imët dhe të detajuar mbi rutinën e përditshme të një vajze adoleshente në një fshat të vogël të Kosovës, ku jeta është e mërzitshme dhe mjedisi tradicional mbizotërues. Më kujtohet se një rutinë e tillë – a slice of life – ka qenë dhe filmi i regjisores Chantal Akerman Jeane Dielman (1975), një tregim shembullor në botën e filmit arthouse.

Image

Pa melodrama dhe reagime të tepërta, filmi na tregon orvatjen e vajzës në kërkim të vetes së saj, mundimin për të kuptuar vendin dhe rolin e saj në botë, duke vrojtuar rrethanat e saj dhe gradualisht mëson se si të kritikojë kohën, njerëzit dhe qasjen e tyre ndaj jetës e rregullave që ata vetë po mbrojnë. Filmi nuk ia atribuon fajin askujt në veçanti, por sugjeron se të gjithë viktimizojnë dhe janë viktima njëkohësisht. Venera po përpiqet t’i shmanget këtij rrethi vicioz – vicious circle – dhe merr përsipër detyrën e rëndë të rebelimit kundër autoritetit. Ajo nuk do bëhet e ëma e saj, ndaj dhe përfundimisht përballet me të atin pa frikë, duke e bërë të qartë se ajo nuk do vazhdojë në të njëjtën udhë si e ëma e saj që ka pasur gjithmonë një qëndrim ngurrues në jetë.  Rebelimi i saj i ‘urtë’, por gjithashtu edhe i paepur, është në kontrast të plotë me atë të Dorinës, shoqes së ngushtë e cila po i tregon një rrugë tjetër nga ajo në të cilën Venera ka ecur deri tani.

Ndoshta filmi përqendrohet pak më tepër te tema e zgjimit seksual dhe sigurisht mund të kishte krijuar një rrjetë më të gjerë shqetësimesh me të cilat një vajze e re mund të përballet – për shembull e ardhmja profesionale, ndoshta zhvillimi i një talenti artistik, ose kurioziteti për të njohur botën e jashtme në udhëtime të largëta, etj. Gjithsesi, Venera e aktores, Kosovare Krasniqi, rezulton në një personazh joshës dhe përfundimisht të sigurt në vetvete, një rebel me kauzë, dhe tharmi i qëllimeve dhe dëshirave të saja është nevoja për të jetuar jetën e çliruar nga kufijtë e rendit shoqëror dhe normave shoqërore.

Pra, gjithçka ka të bëjë me ndërtimin e atmosferës të duhur, për ta komunikuar këtë mesazh te publiku. Si po tregohet kjo histori and pse po tregohet në këtë mënyrë? Kur ne shohim një sekuencë ku kamera qëndron në një drejtim të papërcaktuar ndërsa trupat e personazheve hyjnë dhe dalin jashtë kuadrit dhe njëri trup del para tjetrit, e gjithë kjo situatë krijon një gjendje nervozizmi, irritimi dhe padurimi, një atmosferë mbytëse, një ndjenjë sikur diçka na ngushton dhe kufizon lirinë a veprimtarinë tonë. Janë pikërisht këto ndjenjat e Venerës që jeton në një mjedis të varfër dhe të çrregullt, në një shtëpi plot me njerëz dhe objekte që krijojnë një rrëmujë në syrin e shikuesit. Janë këto ndjenjat e vajzës adoleshente që është e kufizuar në një ambient të shkretë ku asgjë nuk ndodh dhe gjithçka është më kot, një ambient që nuk e mirëpret natyrën e saj kurioze. Dhe si ndryshe mund ta përcjellë këtë situatë regjisorja te shikuesit nëse jo ndërmjet teknikës të kamerës dhe mënyrës se si i vendos trupat e personazheve të ndërveprojnë me njëri-tjetrin!

Shikoni se çfarë ndodh te skena ku Venera përjeton përvojën e saj të parë seksuale. Zakonisht, ky është momenti që të gjitha vajzat e presin në çdo film që ndjekin, sepse i mëson se si ta shijojnë seksin, se si të duken të bukura ndërsa shijojnë seksin dhe si të përqafohen ngushtë me partnerin pas aktit të seksit. Dhe zakonisht skena të kësaj natyre shoqërohen me një muzikë që i përshtatet situatës, ose janë të xhiruara në slow motion për efekt sensual, ose ka përdorim close up mbi trupat, lëvizjet dhe gjestet e personazheve. Por, te Venera ne mund të themi se kjo fantazi që kinemaja mainstream ka përpunuar prej shumë kohe thyhet dhe ajo që ngelet për shikuesin është një vajzë dhe një djalë në aktin seksual, pa zbukurime dhe gënjeshtra. Në një botë ku na mësojnë të shtiremi në momentin më intim të natyrës njerëzore, Norika Sefa na tregon një rrugë tjetër, ku është OK të tregosh se në fakt, ky moment intim, nuk është gjithmonë plot fishekzjarrë dhe muzikë, nuk të krijon gjithmonë emocione për t’i shprehur me rënkime apo psherëtima seksuale, ndonjëherë rrëshqasim nga jastëku dhe ndonjëherë vishemi dhe largohemi pa shprehur diçka më tepër. And that’s life!

Një moment tjetër, krejt ndryshe nga ky, plot emocione, është skena ku Venera kthehet nga një party ku ka qëndruar vonë dhe e ëma po e pret e zgjuar. Edhe pse dialogu i tyre është intensiv, më në fund Venera arrin t’i zgjojë ndjenja që ajo ka harruar prej shumë kohe: të buzëqeshë, të ndihet e gjallë përsëri – shikoni se si gjesti me të cilin ajo lëshon flokët e saja të lira dhe kërcen e qeshur, e lirë, si një Cinderella bashkëkohore! Nënë e bijë këndojnë dhe kërcejnë në ritmin e muzikës dhe në këtë moment lidhen në të vërtetë me njëra-tjetrën. Do të ishte vërtet një moment shpërthyes nëse do të ishte xhiruar me më shumë volum – reagimi i së ëmës që shket në një delir gëzimi në ato momente të shoqërohej me një volum krejt shurdhues! Megjithatë, mesazhi është i qartë, po ashtu është edhe gjendja psikologjike e dy personazheve. Venera po ndryshon, po rritet, po mëson të argumentojë për të drejtat e saj dhe përfundimisht të vazhdojë kërkimin e saj të Venerës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.