Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Ne po kalbemi në barin e butë

Tani e di; deri sa të vdes do të mbetem një fëmijë fare i vogël, i braktisur, duke klithur nga frika, i dëshiruar për përkëdhelje.”                                                                                   

Michel Houellebecq

 

***

Ma thotë zemra se njëra ndër kënaqësitë e mia të jetës është edhe leximi. Prej kur kam mësuar të lexoj, nuk jam shkëputur nga librat. Disa më duken monotone por për shkaqe ende të pakuptueshme ju shkoj në fund. Duke u rropatur në mes fletëve. Disa tjera më japin dhimbje pikërisht pse mbarojnë. Mendoj se disa libra nuk do të duhej të përfundonin kurrë. Njërin prej librave kam nisur ta lexoj para katër apo pesë vitesh dhe ende nuk e kam përfunduar. Thjeshtë do të ishte e pandershme. Do të ndihesha keq. Dua të them mësuesit më të mirë të jetës sonë, janë ata që i zgjedhim. Dhe këta mësues jo gjithmonë thonë gjëra që na pëlqejnë. Këta mësues jo gjithmonë thonë se gjithçka është e bukur. Madje gati të gjithë na mësojnë mbi themelin e trishtimit. Mbi ekzistencën si ndëshkim. Mbi pamundësinë tonë për të qenë të lirë. Mbi mungesën e një sistemi që ruan dinjitetin njerëzor. Mbi dilemat e mëdha rraskapitëse që lidhen me dashurinë. Pra mësimi shpartallon të vërtetën dhe e vërteta jo gjithmonë është e pëlqyeshme. Mbase kjo nuk ka nevojë të thuhet.

***

Njëri ndër shkrimtarët më provokues të kohës sonë, profeti ndjellakeq i Perëndimit, i përzhituri nga jeta, agronomi Michel Houellebecq, padyshim është figura më e diskutueshme nëpër qarqet letrare. Madje ai shpërfill modestinë dhe vetëdeklarohet si njëri ndër shkrimtarët më të talentuar të brezit të tij. I ftohtë. I arsyeshëm dhe tmerrësisht mizor në analizën psikologjike kundruall jetës. Ai përshkruan në mënyrë tronditëse dramën e të jetuarit dhe krizën e mundimshme në kërkim të kuptueshmërisë. Filozofia e tij është e lidhur ngushtë me trupin. Për Michelin ekzistenca individuale është një shteg vuajtjesh e shkaktuar nga epshi. Mekanizmi bazë i shoqërisë së tregut, është epshi. Ne duam ta kemi atë që nuk e kemi, qofshin këto të mira materiale, seks ose thjeshtë para. Micheli gjithmonë shkruan për të ardhmen. Dhe të gjithë ne jemi viktima të hedhura në një lëndinë të paanë që nuk dimë çfarë të bëjmë dhe ku të shkojmë. Pa përpjekje. Në zbrazëti. Të vetëm. Nën mëshirën e hiçit si pushtet absolut.

Duhanpirësi i madh është një kritik i madh i Islamit. Për shkak të pikëpamjeve të tij anti-islame në Platforma, ai ishte bërë halë në sy për radikalët islam. Pastaj në librin e tij të fundit Nënshtrimi, i cili është vendosur në vitin 2022, tek zgjedhjet presidenciale në Francë nga ku fitues del kandidati mysliman Muhamed Ben Abes, ai e përshkruan atë si një politikan tejet inteligjent dhe civilizues të cilin e admiron. Të paktën kështu shprehet në një bashkëbisedim me përkthyesin e tij holandez, Martin De Haan. Kontradiktor. Romantik i inatosur. Cinik dhe në të njëjtën kohë anti-realist i madh. Ai gjithmonë duket sikur e thotë atë që nuk e mendon apo e mendon atë që nuk e thotë. Gjithnjë duke i lënë të vërtetat, tek shporta vetjake gjendur në thellësi të zemrës së tij. I vetëdijshëm se në fotot e fundit të tij duket i tmerrshëm, ai sheh vetëm një rrugë për të ja dalë mbanë. Artikulimin e vazhdueshëm e të pakompromis të kontradiktave, në të cilat është shqyer. Guximin për të shkuar deri në fund të fenomeneve që shqetësojnë llojin njerëzor.

***

Libri i tij Thërrmijat apo Grimcat Elementare në qendër ka jetën e dy gjysmëvëllezërve, Michelit, një shkencëtar superior dhe Brunos, një mësues i pafat. Të braktisur nga nëna e tyre Hippie (tek e cila nuk është vështirë ta njohësh nënën e Houellebecq) që ndjek ëndrrën e çlirimit individual, qysh në fëmijëri të hershme, ata gjatë gjithë jetës së tyre do të mbajnë barrën e braktisjes si diçka të pashmangshme. Micheli i zhytur në shkencë arratiset nga bota në mënyrë të drejtëpërdrejtë pa njohur dashurinë dhe Bruno zhytur në fushën abuzive të seksit, poashtu pa njohur dashurinë. Sepse sipas autorit në qendër është seksi dhe jo dashuria. Ngase duke qenë aq ideale, ajo mbetet vetëm një vegim i trishtë në shoqërinë e egër të konsumit dhe kalkulimit. Lirisht mund të thuhet se e gjithë vepra mbështetet tek ideja e Paskalit; personazhet bredhin si thërrmija elementare nëpër botë, të shkëputura nga origjina, qëllimi dhe kuptimi, pa u takuar njëra me tjetrën. Specia e re intelegjente e Houellebecq, në fund të librit e programon epshin duke e larguar gjenetikisht. Por ama piskama për dashuri ushton gjatë tërë kohës. Megjithëse tragjikisht ajo dëshmon se iluzioni i individit është barbarisht i fuqishëm. Michel Houellebecq mendon se qeniet që gjithmonë hiqnin të zitë e ullirit për dashuri, kanë ekzistuar përherë. Që ia falnin jetën e tyre të tjerëve me një frymë përkushtimi dhe që nuk e bënin hesap sakrificën. Në përgjithësi këto qenie sipas tij ishin gra. Në universin e tij simbolik gruaja është e shenjtë, e cila në kërkim të dashurisë nënshtron veten para hedonizmit mashkullor. Bota që ne njohim, bota që ne krijojmë, bota njerëzore, është e rrumbullakët dhe e lëmuar. E ngrohtë si gjiri i një gruaje. Kështu shprehet personazhi futurist Hybzezhaku. Burrat me krenarinë e tyre groteske dhe egërsinë e lindur duhet ta mbajnë përgjegjësinë e tyre karshi një bote të dhunshme. Dhe humbjen e mundësisë drejtë një gjendjeje lumturie të përbashkët.

***

Natyrisht interpretimet për veprën e tij janë të llojllojshme dhe pikërisht këtu qëndon thelbi i paradoksit të artit. Si një padobishmëri që na nevojitet përderisa sipas tij ka njerëz që i hapin vetes telashe të mëdha. Këta janë artistët (si puna e tij dhe jo si e imja) që bezdisen keq nga realiteti që i rrethon. Prandaj ikin në botën paralele të artit, që për të duhet të jetë sa më larg botës reale. Pra çdo shoqëri ka pikat e veta të dobëta. Vendoseni gishtin në plagën e saj që dhemb. Dhe shtypeni shumë. Jini të ndyrë dhe do të jeni të vërtetë. Pa asnjë mëdyshje, kësaj gjëje ja ka dalë mbanë soji i tij i çuditshëm e kontradiktor, gjatë njëzet e pesë viteve aktive në letërsi.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.