Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Nëpër skutat e errëta të shpirtit

Foto: Ninullë nga Adrian Asllani (2023)

Mbi Ninullën e Adrian Asllanit

Jetojmë në një botë në dukje të thjeshtë, me një rrjedhë logjike të ngjarjeve, të marrëdhënieve njerëzore, e përkufizuar në atë që e njohim si shkak-pasojë. Filmat janë një dritare për të parë përtej realitetit, apo dritë që zbardhë mendimet, ndjesitë dhe përshtpyjet më të pazakonta që ushqejmë për ekzistencën tonë. “Ninullë” – me regji të Adrian Asllanit – shpërfaqë një rrëfim drithërues për nga dinamika e zhvillimit dhe kthesat dramatike që e karakterizojnë.

Filmi është i bazuar në baladën “Erlkönig” (1782) e Gëtes. Kolosi i gjuhës dhe letërsisë gjermane ka qenë personalitet shumëdimensional: poet, novelist, gjuhëtar, historian, koleksionist. Ai kishte prirje edhe për filozofi dhe kishte marrëdhënie të ngushtë me filozofë si Hegel dhe Schiller. Temat që ai shtjellon në veprat e tij, rëndom sillen rreth të mirës dhe të keqes, si dhe luftës së tyre të përjetshme për ta bërë për vete njeriun (Faust). Erlkönig, gjithashtu, pasqyron errësirën që pushton individin dhe dalëngadalë e futë nën zgjedhën e saj. “Ninullë” ka përmbajtje dhe shtjellon bestytnitë popullore mbi shpirtrat, apo krijesat dashakeqe që besohet se prekin njerëzit pikërisht në dobësitë e tyre më të mëdha.

Balada tregon historinë e një babai, që së bashku me të birin e sëmurë në krahë, kalërojnë mes për mes një kënete. Rrebeshi ua vështirëson shumë rrugëtimin e tyre. Sipas disa bestytnive, në këneta jetojnë disa krijesa misterioze, që e dërgojnë njeriun drejt vdekjes. Kur djali sheh një të tillë, babai mundohet ta bindë se është thjeshtë një vegim i ndjellë nga sëmundja. Teksa babai t’ia shpjegojë djalit zhurmat që i dëgjon, krijesa fantastike përafrohet edhe me shumë me shpirtin e tij. Megjithë përpjekjet e burrit për të mbërritur më shpejt te kasollja, ai nuk ia del dot ta shpëtojë të birin nga vdekja.

Avni Dalipi dhe Lis Kamberi (Ninullë)

Drama e njejtë karakterizon filmin e Asllanit, i cili e plotëson mozaikun duke i shtuar një ngjyrim frikëndjellës, ku ngjarja zhvillohet brenda një shtëpie tipike shqiptare, me simbole dhe veshje kombëtare që formësojnë identitetin e filmit, si realizim kryekëput origjinal.

Kuadri i parë tregon babain (Avni Dalipi), i cili ngjason me një person të qetë, tejet të përqendruar në punën me kukulla, teksa i trajton ato sikur margaritarë, me një pasion të veçantë dhe me kujdes të shtuar për detajet.

Në dhomën ngjitur lëngon në shtrat djali i tij. Djalin vazhdimisht e shqetësojnë disa vegime të një njeriu misterioz, të cilin ai quan “Mbreti në të zeza”. Ai i tregon se mbreti i ka dy vajza dhe kur të mbetet vetëm do të kthehet tek ai, ndërsa i thotë se në atë çast personazhi i frikshëm po e vështron, por babai e qetëson duke i thënë se gjendja e tillë është pasojë e etheve.

“Ninullë” flet nëpërmjet figurave, simboleve, kukullave të cilat burri i ka skalitur me shumë kujdes. Në të vërtetë ato janë fëmijë të shndërruar në kukulla, andaj duken edhe aq të vërtetë. Njeriu i heshtur që mbart në vete një dhimbje të fshehur, më vonë iu bashkangjitë fëmijëve të tjerë edhe djalin e tij. Ndonëse kukulla është vepër e njeriut, ajo ndonjëherë përfaqëson një krijesë edhe më tërheqëse se vet njerëzit, si vazhdimësi e kësaj, edhe lëvizjet koreografike të marionetës në teatër, që kontrollohen nga mjeshtërit e kukullave, vlerësohen si më të arrira, spontane dhe mjeshtërore në raport me valltarët, duke thyer dhe ligjet e fizikës, që njerëzit u dorëzohen plotësisht.

Aktori Dalipi shquhet për interpretimin e tij me peshë të rëndë emocionale. Transformimi që kryen përgjatë filmit e shoqëron me laramani ndjesish si: dhimbje, brengë, trishtim, vetëdorëzim, etj. I gjithë transformimi karakterial shquhet nga fuqia bindëse dhe loja e natyrshme e aktorit. Nga interpretimi i tij kuptojmë se trupin dhe shpirtin e ka të pushtuar nga një forcë e pashpjegueshme, djallëzore.

Tjetërsimi i personazhit nga një baba i dashur, në “Mbretin në të zeza”, është sa tronditës dhe befasues. Pakkush e parashikon këtë lloj ndryshimi. Ne e shohim burrin në vaj, të dorëzuar para aktit të kryer, ndërkohë që krijesa i vendosë kurorën në kokë, si të ishte trashëgimtar i fronit mbretëror, në këtë rast një prijës i botës së nëndheshme, apo i një dimensioni përtej realitetit tonë.

A kemi të bëjmë me një distancim nga vetvetja për t’iu dorëzuar forcave djallëzore, me një pakt faustian me Djallin? Çka nëse ngjarjet janë veçse vegime të djalit, halucinacione të shkaktuara nga ethet? Kjo e dyta gjenë një mbështetje logjike në skenën e fundit të filmit, ku brenda kuadrit i shohim kukullat dhe nga biseda e babit me djalin, kuptojmë se djali vazhdon të jetë me ethe dhe ndjehet i frikësuar. Ne megjithatë mbetemi pa një përgjigje se nga kush frikësohet.

Muzika origjinale e komponuar nga Altin Asllani, luan një rol integral në ecurinë e filmit. Muzika evokon vazhdimisht shqetësim për atë që do të pasojë, për një moment na shpie drejt rrezikut fatal, kurse një herë tjetër na çliron paksa nga tensioni, por menjëherë na kthen në atmosferën paraprake. Meloditë kanë shumë gjasë të jenë reflektim i botës shpirtërore të personazheve, apo paraqitje e atmosferës së rënduar brenda mureve të shtëpisë. Përdorimi i kalibruar i muzikës dhe gërshetimi me elementet e tjerë vokal e bëjnë filmin edhe më depërtues. Kur asaj i bashkohen edhe zhurmat e ambientit, zhurma irrituese që krijon hapja e ngadaltë e derës, të trokitjeve së këpucëve mbi dysheme, gjithashtu edhe lëvizjet e ngadalta të personazheve, që filmit i japin një suspancë që të mban në gjendje të vazhdueshme tensioni.

Filmin në masë të madhe e shoqëron errësira. Ambienti i punës së babait ndiçohet nga dy qirinj, që na transportojnë në një periudhë më të lashtë. Kjo mënyrë e ndriçimit e vë në pah edhe më shumë lojën e aktorëve, i jep një karakter edhe më të spikatur rrëfimit dhe e bën ngjarjen më intime në sytë e publikut.

Si në antikitet, mesjetë, por edhe në periudhën e rilindjes dhe atë klasike, kemi rastet e popujve të ndryshëm që u besojnë legjendave, bestytnive të cilat në njëfarë mënyre e kanë shoqëruar ekzistencën e tyre. Ato kanë ndikuar edhe në funksionimin e shoqërisë, marrëdhëniet dhe raportet njerëzore, shpesh duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimarrje për çështje të caktuara. Sot në kohërat moderne, vërejmë se ka një tjetër perceptim për këto subjekte, por ato ende janë pjesë e popujve në Evropë dhe gjetiu. Te ne, janë bërë studime mbi historiografinë dhe folklorin në Arbërinë e lashtë. Legjenda e Dedalisë, Katallanit, për të vazhduar me “Plakat e Prillit”, “Zanat”, e shumë figura e legjenda të tjera popullore.

Dilema universale se a ekziston në të vërtetë e keqja brenda njeriut, apo ai e takon atë gjatë rrugëtimit të jetës, ka qenë lëndë e krijimtarive letrare e artistike e traktatave filozofike për një kohë të gjatë. Kjo pyetje shtrohet edhe në këtë film, që nuk i jep përgjigje definitive dilemës. Se a është babai i pushtuar nga “Mbreti në të zeza”, që ia vendosë kurorën mbi kokë, apo babai është i tillë qysh në gjenezë dhe vetëm më vonë zbulohet identiteti i tij i vërtetë? Ndoshta krijesa e frikshme gjurmon thellë në brendësinë e qenies, në skutat më të errëta të shpirtit.

Ndonjëherë filmi ka si qëllim të nxisë nënvetëdijën tonë, ndjesitë tona të fshehura, të pazbuluara. Më shumë sesa thjesht një proces i nxitjes së intelektit, kinemaja është përjetim, iluminim. Andaj, mendoj se regjisori qëllimisht e ka ndërtuar veprën e tij në këtë prizëm. Shpjegimet personale derivojnë nga përvojat jetësore, peripecitë, rrethanat ku janë rritur, njerëzit që kanë njohur dhe këndvështrimi i përgjithshëm për botën.

Suksesi i këtij filmi është dëshmuar me çmime të rëndësishme në festivale ndërkombëtare. “Ninullë” ka fituar tre çmime në fesivalin e filmit në Zvicër, “Zuger Filmtage”: çmimin e publikut për Filmin më të mirë, çmimin për Kamerën më të mirë dhe çmimin special të Jurisë së të rinjve , gjithashtu ka qenë pjesë e festivaleve të tjera si: “PriFest” në Prishtinë dhe “Atlanta Film Festival”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.