Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Një e vërtetë e papërfunduar

Në vend të urimit për Ditën Ndërkombëtare të Grave…

Thuhet se e vërteta është relative. Këtë e besoj, pasi e vërteta ime si grua në këtë pjesë të botës, nuk është domosdoshmërisht e vërteta e një burri i cili jeton në po të njëjtën hapësirë apo kontekst shoqëror me mua. Njëkohësisht, e vërteta ime nuk është e vërteta e një gruaje që jeton në një pjesë tjetër të botës, më të zhvilluar apo më pak të zhvilluar se kjo e imja. E vërteta e vetme e tashme, pavarësisht realitetit ku formësohemi, e që mbetet një realitet i hidhur, është pabarazia gjinore, e përkthyer në një padrejtësi gjinore. Ky është realiteti i të gjitha grave kudo që jetojnë, pavarësisht ndryshimeve në nuanca. Por, është për keqardhje, pasi ky realitet bazohet në perceptime dhe bindje konvencionale, të marra për të mirëqena e të vështira për t’u kontestuar, për shkak të rrënjosjes së tyre ndër shekuj. Mirëpo, perceptimet jo gjithherë e tregojnë të vërtetën, pasi ato nuk janë e vërteta e ‘vërtetë’, por vetëm një version i së vërtetës, së dikujt apo disave.

Ndërkohë që perceptimet formësohen nga bindjet e shndërruara në veprime të përsëritura –veprime që i lejojmë por që edhe i pranojmë, ndryshimi i perceptimit, me qëllim të ndryshimit të realitetit, duhet të ndjekë të njëjtën logjikë. Pra, përsëritjen e veprimeve, por kësaj radhe veprimet duhet të jenë të tjera, apo ndoshta edhe të kundërta. Einstein ka thënë se, një problem nuk mund të zgjidhet duke përsëritur veprimet e njëjta – veprime të cilat e kanë krijuar problemin në radhë të parë. Pra, nëse edhe sot, ne ballafaqohemi me pabarazi, me pritshmëri të ndryshme që shoqëria i vendosë ndaj burrave dhe grave, atëherë duhet të fillojmë që veprimet të cilat na kanë sjellë aty ku jemi sot, t’i tjetërsojmë. Por, këto veprime të reja, duhet edhe t’i shohim e t’i trajtojmë si të pranueshme, pasi vetëm kështu mund të ndryshojmë perceptimin, e bashkë me të, ndoshta edhe realitetin.

Si për shumëkënd, ashtu edhe për mua, vitet e adoleshencës kanë qenë vite të tentimit për të kuptuar më shumë veten, e më pak të tjerët. Por e vërteta është, se të kuptuarit e vetes, apo thënë më drejtë, një version të vetes në një realitet të caktuar, vjen si rezultat i kuptimit të asaj që na rrethon. Procesi i të kuptuarit dhe pranimi i asaj që jemi, është një proces i shtrirë në kohë dhe kontekst, përjetime, vendime, pse jo edhe gabime. Sidoqoftë, ajo se çfarë është e sigurt, është që ky proces, jeton dhe zhvillohet me ne, për aq sa jemi ne. Dhe vetëm në fund, përmbledhja e të gjitha veprimeve tona, qofshin ato veprime të nënshtrimit apo revoltimit ndaj një realiteti, do jetë përgjigja më e drejtë dhe e vërtetë se kush ishim dhe për çfarë qëndruam. E kushdo që thotë, se veçse e ka gjetur veten dhe të vërtetën, nuk është edhe aq i sinqertë, sepse gjithmonë do ketë një ‘nesër’ për të ndryshuar bindje dhe kurs.

Vajza që kam qenë atëherë nuk është e njëjta me gruan që jam sot. Sepse e vërteta ime atëherë ndryshonte nga e vërteta ime sot.  Nëse dikur tentoja të përkufizoja veten dhe gjininë time brenda kornizave të vendosura nga pritshmëritë dhe normat e pranuara shoqërore, sot mendoj dhe besoj, që veten si grua duhet ta përkufizojmë në përputhje me bindjet, dëshirat, dhe ambiciet tona – edhe   nëse ato nuk i përshtaten burrave, apo ndoshta edhe grave të tjera, duke ridefinuar kështu pritshmëritë dhe normat e pranuara, për rolet gjinore në shoqërinë tonë.

Një e vërtetë tjetër, është se realiteti i sotëm mund të mos shihet si i drejtë, si nga gratë ashtu edhe nga burrat. Mirëpo, dallimi qëndron në faktin se për njërën palë, ky realitet është më i konvenueshëm, dhe prandaj,  iniciativa dhe incentiva për të ndryshuar këtë status quo, është më e vogël për burrat se sa për gratë.  Por, kur mendohet pa emocione, duke shmangur stereotipet dhe paragjykimet, një grua e cila zgjedhë të qëndrojë në shtëpi për të rritur fëmijët, nuk është më pak e zonja apo më pak e denjë, se një grua e cila zgjedhë t’i përkushtohet karrierës, apo edhe ndoshta nuk dëshiron të ketë fëmijë (por edhe anasjelltas). Çfarë e bën dallimin, është se zgjedhja e secilës grua duhet të jetë zgjedhje ekskluzivisht e saj dhe e pa ndikuar nga rolet të cilat ja ka caktuar shoqëria.  Ndërkohë, e njëjta vlen edhe për burrat. Një burrë i cili i përkushtohet më shumë familjes dhe fëmijëve sesa karrierës, nuk duhet të shihet si më pak i denjë në ‘përfaqësimin’ e gjinisë së tij.

Sot jam e bindur, se të pranosh dhe ndërtosh një realitet sipas pritshmërive të të tjerëve, është një barrë shumë e rëndë. Kjo do nënkuptonte që jo ne, por dikush tjetër, po e jeton jetën tonë. E çfarë kuptimi do kishte një jetë e jetuar për të tjerët apo nga të tjerët, më shumë sesa për veten? Cilat do ishin gjurmët apo ndikimi ynë? Çfarë do t’i jepnim kësaj shoqërie, apo njerëzimit? Historia tregon që ndryshimet gjithmonë kanë ardhur nga individë jokonvencionalë, ata që kanë  guxuar të pyesin, por edhe të përgjigjen në pyetje të vështira, ata që kanë guxuar të jetojnë, atë të vetmen jetë të tyre, sipas tyre, duke rrezikuar që të goditen apo të mos pëlqehen nga të tjerët.

Si për shumëkënd, ashtu edhe për mua, ka ekzistuar një moment kyç, që ka shërbyer në formësimin tim gradual, e deri në atë që jam sot. Atë ditë, një arsimtar i cili po na ligjëronte një kapitull nga lënda e filozofisë, na tregoi për një provim të cilin e kishte pasur vetë gjatë kohës së studimeve. Profesori i tij kishte hyrë në klasë dhe u kishte shpërndarë studentëve vetëm fleta të bardha, pa asnjë pyetje. Kur kthehet tek tavolina e tij, profesori merr një karrige, të cilën e vendos mbi tavolinë ashtu që ta shohin të gjithë studentët, dhe ju thotë se pyetja e vetme e provimit ishte që studentët ta bindnin profesorin, që ajo karrige mbi tavolinë, nuk ekzistonte. Ndërkohë që studentët kishin mbushur faqet e bardha me përgjigjet e tyre, profesori kishte spikatur një provim të një studenti, i cili përgjigjen e kishte dhënë me vetëm dy fjalë – “cila karrige?”.

Për mua, ky moment, e ajo përgjigje e atij studenti, më shtyu të mendoj – sot e kësaj dite vazhdoj të mendoj për të njëjtën gjë. Por çfarë më ka bërë të kuptoj, janë dy gjëra: e para, se pavarësisht kompleksitetit të problemeve, përgjigja shpeshherë është shumë e thjeshtë, dhe e dyta, që nëse diçka nuk na pëlqen, apo nuk duam ta pranojmë, ajo fillimisht nuk duhet të ekzistojë në mendjen tonë – duke i hapur rrugë kështu sjelljeve dhe veprimeve të reja. Në të njëjtën logjikë, problemi i pabarazisë gjinore, në dukje mund të jetë shumë kompleks, por përgjigjen e ka fare të thjeshtë. Nëse ne nuk duam qe ajo pabarazi te ekzistojë, atëherë, njëjtë si karrigia në përgjigjen e studentit, ajo mund të mos ekzistojë nëse të njëjtën refuzojmë ta interanalizojmë. Paramendoni sikur nesër të gjithë ne të zgjoheshim duke menduar dhe vepruar në atë formë, që burrat dhe gratë, ndonëse të ndryshëm për nga anatomia, janë të njëjtë dhe për nga dëshira dhe nevoja për të jetuar një jetë të dinjitetshme dhe kuptimplotë. Nesër do kishim gjetur zgjidhjen më të thjeshtë. Nesër do kishim ndryshuar sistemin. Por, nuk duhet harruar, se ndryshimi i sistemit nënkupton ndryshimin e vetvetes në radhë të parë. E pasi sistemi jemi vetë ne, vështirësia nuk qëndron më në ndryshimin e sistemit, por në ndryshimin e vetes sonë.

E megjithatë, ndonëse sot, unë mund ta kuptoj realitetin që burrat dhe gratë vazhdojnë të mos jenë të barabartë, e bashkë më të edhe arsyet dhe veprimet që e mundësojnë këtë realitet, të njëjtin unë refuzoj ta pranoj. Refuzoj të pranoj që ky do jetë realiteti dhe e vërteta ime përfundimtare.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.