Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Për Anne

Ka kohë që e mendoj. Herë në formë vargu, herë gruaje; herë përtej tyre, herë përbrenda tyre. Ajo poezinë ma la në fyt, kur lexova të sajën. Në raport me të nuk mbijeton indiferenca. Ajo të bën ta adhurosh, në të kundërtën të nevrikos. Ajo kërkon ta çmosh rrënjësisht, apo ta flakësh tutje me përçmim. Ajo të kap mendjen në mrekullim apo mospëlqim, por nuk ikën pa lënë një përshtypje të thellë. Ajo është një dikotomi e fuqishme mes të pëlqyerit e mospëlqyerit, por ajo assesi nuk ka përmbajtje për injorim. Ajo është një e vërtetë e bukur apo e shëmtuar, por vërtetësinë s’ka kush që ia vë në dyshim. Ajo është një produkt i një bote të çmendur, apo një e çmendur në botë, por ajo nuk është kurrë dhe askund e rëndomtë. Ajo është tepër lartë apo tejet poshtë, por asnjëherë në mes. Ajo është gjithçka apo asgjë, por jo pak nga të dyja. Ajo është e madhe apo hiç, por kurrë një mediokër.  Ajo është Anne Sexton – pak nga gjithçka, por pak më shumë poete.

Poezia e Anne është gjithçka përpos e zakonshme. Ajo është në të paktën shumë specifike, nga ato që ngjall rezistencë tek lexuesi, apo në të kundërtën i flenë në shpirt, e kjo për shkak të seriozitetit me të cilin ajo shpërfaq brendësitë e jetës personale të poetes. Në përputhje me këtë, në rastin e dytë kjo poezi krijon një lidhje të thellë, në nivel të personales, mes poetes dhe lexuesit, kurse në të rastin e parë, një distancë të pakapërcyeshme. Anne është dhimbje në varg. Ajo është vetë vargu. Ajo është një vragë e botës në letër të bardhë, një shenjë jete në mes të agonisë së përditshme së saj. E shoqëruar nga depresioni i thellë që në moshë të re, poezia qe terapia që e ndihmonte atë të shtynte edhe një ditë jetë, edhe një javë, edhe ca muaj, edhe pak vite, deri kur i dha fund jetës. Ajo nuk filloi të shkruante për gjë tjetër pos për t’iu kundërvënë gjendjes së rëndë të shëndetit mendor të saj. Poezia e Anne nuk është art i të varguarit, por i të mbijetuarit. Poezia e saj nuk është pasion, por medikament. Poezia e saj përfundimisht nuk është e saj, por ajo është e poezisë. Poezia e bëri Anne Sexton-in, jo Anne Sexton-i poezinë.  Ajo nuk qe e çiltër, po brutale në çiltërsinë e saj. Ajo refuzonte të ekzistonte si entitet i ndarë, si individ. “Flit me poezitë e mija,” ishte përgjigja e saj e njohur.

Anne në një mënyrë mbaroi së jetuari ndaras prej poezisë kur nisi të derdh jetën e saj aq vrazhdë e të pamaskuar ndër vargje, kur u mbyll tërësisht aty përbrenda, duke reduktuar ekzistencën prej njeriu në ngjyrë pene në letër të bardhë. Ajo frymonte përmes penës. Me dashje apo pa, Anne na lejon një depërtim shumë personal përbrenda vuajtjeve të saj, që ishin kryesisht çfarë ajo ishte: një vuajtje e thellë me një penë në dorë. Ekziston megjithatë një paradoks rreth qëndrimit të saj në raport me të shkruarit: as motivi e as mënyra nuk na japin të kuptojmë që Anne i bëhej vonë se si do pritej poezia e saj nga lexuesi. Kjo as nuk duket të ketë qenë fare preokupim i poetes. Anipse në thelb shkrimi i saj ishte një formë rebelimi ndaj normave të shoqërisë së asaj kohe, kjo temë vinte më shumë si shpalosje e luftës që zinte vend përbrenda saj, sesa si tentim për thyerje të tabuve shoqërore. Në anën tjetër, ajo kurrë nuk hezitoi botimin e shkrimeve të saj, përkundrazi, ishte një poete e frytshme, zonjë e dymbëdhjetë librave me poezi, një me prozë, dhe disa të tjerëve për fëmijë. Logjikisht, në këtë rast motivi për të shkruar dhe qasja ndaj lexuesit qëndrojnë në mospërputhje me botimin e tyre si mjet për krijimin e raportit me lexuesin. Një nga shpjegimet e mundshme për këtë është etja e Anne për vëmendje, shoqëri, e famë si pasojë e vetmisë të pashtershme në të cilën ajo jetonte me sëmundjen e saj. Gjithsesi, ky mbetet një shpjegim sipërfaqësor dhe i pambështetur e për më tepër, nuk e cilësoj të denjë prekjen e temave të tilla e ndërtimin e argumenteve mbi supozime jo doemos të vërteta lidhur me detajet e sëmundjes së saj. Paradoksi përmendet këtu vetëm për të eliminuar ndonjë hamendësi të mundshme rreth origjinalitetit të poezisë në fjalë.

Për nga natyra, poezia e Anne i përkon asaj rrëfyese. Ajo shquhet sot krahas poetëve Robert Lowell, John Berryman, Sylvia Plath, e William De Witt Snodgrass. Këtë të fundit poetja e veçonte si një nga influencuesit më të mëdhenj të poezisë së saj. Poet amerikan i po të njëjtës kohë (1926 – 2009), W.D. Snodgrass njihet përndryshe edhe si një nga themeluesit e shkollës së poezisë rrëfyese, poezi kjo në tentim të shpërfaqjes të anës së fshehur, shtypur, e dhunshme të jetës që jo rrallë fshihet pas të fabrikuarës paqe që i mvishet jetës së përditshme në kuptimin e përgjithshëm të saj. Megjithatë, duke vlerësuar nga historia e jetës së saj dhe asaj se si nisi të shkruaj, duket sikur për Anne kjo lloj poezie ishte më shumë një zgjedhje aksidentale dhe e vetë-caktuar, sesa e paramenduar dhe e paracaktuar. Ajo në poezinë e saj ishte tejet e drejtpërdrejtë. Tejet personale. Tejet e pamaskuar. Logjikisht, hapësira për mospëlqim, keqlexim, e paragjykim (apo gjykim) që lexuesi kishte në dispozicion ishte e madhe. Ajo shkruante, ndër të tjera përvoja shumë personale dhe për tema që në atë kohë cilësoheshin si jo të denja për poezi (dhe jo vetëm), siç janë aborti, varësia nga droga, incesti, e tradhtia bashkëshortore.

Temat në fjalë Anne i përdorte për të mbështetur subjektin kryesor të poezisë së saj: përvojat e të qenurit grua në shoqërinë e asaj kohe dhe në përgjithësi në këtë botë dhe luftën e saj me depresionin. Ajo lëkundej mbi shumë tema, gjendje, e ndjenja, por gjithnjë mbetej në thelb asgjë tjetër veçse një grua, qoftë ajo në cilësi vajze, nëne, të çmendure, poeteje, apo çfarëdo tjetër. Ky tipar i poezisë së saj është i dukshëm në pothuajse gjithë shkrimet e saja. Ajo theu limitet e të ekspozuarit të jetës personale të një gruaje që ishte vetja e saj, me sëmundjen e saj të thellë mendore. Në krijimtarinë e saj në vitet e mëvonshme vërehet edhe një tentim për tu larguar nga vetja e saj si temë qendrore në poezinë përkatëse, por trajtimi që ajo iu bën temave tjera mbetet poaq personal, ngaqë ato transformohen tërësisht nga botëkuptimet e saj. Transformime është libri i saj që ilustron dukshëm këtë fenomen, ku ajo merr për bazë tregimet e Vëllezërve Grimm dhe i paraqet ato përmes poezisë në një dritë krejtësisht tjetër nga ajo origjinalja: si një kundërvënie ndaj rregullave të shoqërisë së asaj kohe, vështirësive të të qenurit grua, e të tjerave referenca nga jeta personale.

Anne lindi në vitin 1928 në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara me emrin Anne Gray Harvey. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare u martua me Alfred Muller Sexton II, në ç’kohë ajo punonte si modele. Pak pas lindjes së vajzës së parë në vitin 1953, ajo u diagnostikua me depresion dhe pak më pas vuajti avarinë e parë mendore e cila e qoi në spital neuropsikiatrik, vend i cili u bë lloj shtëpie e dytë për Anne, si rezultat i gjendjes së saj psikologjike jostabile në vazhdimësi. Duket që fillet e sëmundjes së saj ishin në fëmijërinë e saj dhe marrëdhëniet e çrregullta me prindërit, marrëdhënie këto edhe abuzive. Megjithatë, për hir të natyrës së shkrimit dhe ndjeshmërisë së temës në fjalë, nuk do lëshohem në detaje rreth gjendjes psikologjike të Anne, por vetëm aq sa nevojitet për të shpjeguar krijimtarinë poetike të saj, duke qenë se kjo e fundit është ndërlidhur ngushtë me sëmundjen.  Për t’u rikthyer në temë, Anne lindi vajzën e saj të dytë në vitin 1955, vit në të cilin ajo pësoi një avari të dytë mendore, u shtrua sërish në spital neuropsikiatrik, dhe ditën e ditëlindjes së saj e shënoi me tentim vetëvrasjeje. Mbase këto copëza të përmendura nga jeta e saj mjaftojnë për ta ilustruar sado sipërfaqësisht vuajtjet dhe gjendjen mendore e shpirtërore të poetes.

Anne nuk kishte pasur ndonjë interesim për poezinë, e aq më pak për të shkruar, deri në vitet kur sëmundja e saj morri një formë shumë reale. Ishte në vitin 1957 që terapeuti tek i cili ajo vizitohej rregullisht si pasojë e sëmundjes së saj e rekomandoi seriozisht të ndiqte një punëtori në poezi, ngaqë ky i fundit e kishte menduar poezinë, ndër të tjera, si një terapi që edhe mund të kishte efekt mbi gjendjen e Anne. Rekomandimi, për fat të mirë të lexuesit të saj – por jo doemos edhe të sajin – shënoi i suksesshëm dhe ajo filloi të angazhohej në fushën e poezisë. Anne iu bashkua një grupi shkrimtarësh, edhe nisi të thellohej në shkrim më shumë si një tentim për të gjetur një fije për të cilën ajo do mbahej në jetë, sesa si ndonjë tentim për të nxjerrë ndonjë gjë më shumë nga jeta e saj apo për të kultivuar ndonjë talent të mundshëm. Interesimi i saj i vetëm asokohe dukej të ishte gjetja e një grimë shpëtimi nga gjendja e saj, apo një shpërqendrim, mbase edhe maskim… mund të ketë qenë çfarëdo, por caku primar ishte lehtësimi, jo suksesi, siç ishte arsyeja primare mbijetesa, jo krijimi.

Në atë punëtori poezie në Massachusetts, Anne u njoftua, ndër të tjerë, me poetët/et Plath, Lowell, Maxine Kumin dhe George Starbuck, me të cilët edhe u shoqërua shumë (për aq sa e lejonte gjendja e saj), edhepse në nivele të ndryshme me secilin. Me Plath, miqësia morri një kahje të çuditshme, sidomos kur marrim parasysh paralelet mes jetëve të tyre, e posaçërisht vdekjeve (kjo temë do trajtohet në një shkrim të veçantë). Ishte pra pikërisht kjo shtytje nga terapeuti i saj, i njoftuar mirë me gjendjen e saj mendore, që krijoi lidhjen mes Anne dhe poezisë, e kjo e fundit u shndërrua në armën më të fortë të saj për të luftuar për jetën, gjer në ditën kur i erdhi koha të shuante veten. Në iu tretën fjalët për vargje, apo dëshira për fjalë, atë mbase edhe nuk është jona ta diskutojmë nga respekti për zgjedhjen e saj përfundimtare dhe të pakthyeshme. Duket që për Anne, kishte kohë që terroret e jetës ia kishin marrë anën terrorit të vdekjes, ndaj edhe iu lëshua kësaj të fundit në duar në vitin 1974 në moshën 46 vjeçare. Ajo para se të ikte nga kjo jetë, shkroi për gjithë përvojën e saj të para vdekjes, dhe për aktin e vetëvrasjes poashtu. Ato u botuan në librin e fundit të saj, të titulluar Fletoret e Vdekjes. Tri vepra të tjera u botuan pas vdekjes së saj.  Anne gjatë jetës së saj u shpërblye me çmimin Pulitzer për poezi (1967), për librin e saj Jeto apo Vdis.

Anne Sexton në një fjalë na dhuroi poezinë e sëmundjes mendore. Poezia e saj që vetë sëmundja. “Dhe unë. Unë poashtu./Mjaft e përmbledhur në ndeja kokteji,/ndërkohë që në kokën time/po ndodh një operacion në zemër të hapur.” Këto vargje, anipse këtu jashtë kontekstit, ma sjellin Anne përherë të gjallë, ashtu siç ishte. Me këto vargje për herë u njoftova me të. Përmes tyre u futa më thellë në kokën e saj, në jetën e saj, ku gjeta shumë e shumë të tjera të ngjashme. Vija mes Anne si grua dhe poezisë së saj nuk ekziston. Ajo është një tërësi e pandashme. Ajo të lidh ngushtë për veten e saj, për gjith çfarë ajo personifikon. Ky është efekti që e veçon atë prej të tjerëve. Rilindja e saj si poete ishte një akt aksidental, siç ishin risitë që ajo solli në botën e poezisë. Unë e dua. E lexoj. E çmoj. Unë e quaj thjesht Anne. Më bëhet që e njoh. Anne poezia, Anne e rebeluara, Anne e sëmura, Anne e bukura, Anne e vetëvrara, Anne heroina. Anne Sexton-i. Anne që hipi poezinë në piedestalin e terrorit personal të brendshëm, të të vërtetës së dhimbshme të saj.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.