Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Për muzikën dhe përjetësinë

Në Parimet Kushtuar Zotit dhe Njeriut, Shën Tomas Akuini thotë diçka shumë tërheqëse: Skëterra është e sunduar nga koha, jo nga përjetësia e njëmendtë. Këtu kemi një dallim midis dy përjetimeve të kohës: koha si një durim çastesh të ndara dhe koha si një përjetësi e pandashme.

Muzika është e lidhur ngushtësisht me përjetimin e kohës. Koha është parakushti më themelor i muzikës, pasi muzika nuk mund të përfytyrohet pa lëvizjen, ndryshimin dhe kalimin e tingujve. Muzika është një vallzim tingujsh në kohë.

Duke u bazuar tek dallimi midis dy përjetimeve të kohës që shpreh Shën Tomas Akuini dhe lidhja e ngushtë midis muzikës dhe kohës, dua të bëj një dallim kyç midis dy lloj muzikash: muzikën si durim dhe muzikën si përjetësi.

Muzika si durim është përdorimi i muzikës si një mundësi për të duruar të padurueshmen, përdorimi i muzikës si një tejkalim i përkohshëm i vuajtjes dhe Skëterrës së përbrendshme. Pikërisht këtë përfaqësim të muzikës shohim në pjesën e Skëterrës te piktura e mirënjohur e Hieronymous Bosch, Kopshti i Kënaqësive Tokësore.

Përbindësha që këndojnë muzikën e shkruar në prapanicën e dikujt, fyell i futur në të ndenjurat e dikujt tjetër dhe njerëz të lidhur nëpër instrumentet e të burgosur nga muzika. Nuk duhet harruar asnjëherë që njerëzit po argëtohen nga kjo shfaqje. Ky është një argëtim i domosdoshëm: pa muzikën Skëterra do ishte e padurueshme. Çfarë do bënin e kryenin ata nëse nuk do kishin muzikën për të tejkuluar kohën dhe vuajtjen? Pa muzikë, zgjedhja e tyre e vetme do ishte vetëvrasja.

Shumica e muzikës sot, e cila është kthyer në një prodhim industrial dhe konsum masiv, nuk është asgjë më shumë sesa ky përcaktim i muzikës si një argëtim që na lejon ta durojmë vuajtjen. Qëllimi i industrisë së muzikës sot është durimi dhe përligjja e tëhuajsimit të gjithanshëm dhe bashkëjetesës së përkohshme ku ndodhemi.

Produkti përmban brenda vetes jo vetëm natyrën e vetvetes, por edhe natyrën dhe qëllimin e industrisë që e ka prodhuar. Produkti muzikor që e shpreh më qartësisht këtë qëllim të industrisë së muzikës është kënga Work e Rihanna-s. Vetë kënga është një përsëritje e vazhdueshme e fjalës punë, punë, punë nën tingujt të këndshëm dhe vallëzime erotike. Nuk ka asgjë të këndshme për punën në botën e këtushme: njerëzit përgatiten pafundësisht për të gjetur një punë dhe shpesh nuk e marrin, njerëzit ç’rrënjosen për të gjetur një punë, njerëzit tëhuajsohen nga tjetri për të ndenjur në punë, njerëzit çmenden nga ankthi i punës, njerëzit keqedukojnë fëmijët e tyre nga puna e tepërt, njerëzit vendosin të mos kenë fëmijë fare për shkak të punës, ndërkohë që disa të tjerë vdesin duke kërkuar punë. Puna nuk ka asgjë zbavitëse. Puna është një ankth i tmerrshëm: po e humbe punën, si do ia paguash këstin mujor bankës për kredinë e shtëpisë? Nëse nuk gjen punë të re, sa më shpejt, si do t’i rrisësh fëmijët? Por jo, kënga nuk merr parasysh asgjë nga realiteti i punës sot, por e lyen atë me ca tinguj të këndshëm dhe vallëzime erotike në mënyrë që ne ta durojmë punën. Kënga të kërkon që ta pëlqesh gjendjen ku je; nëse nuk të pëlqen puna, atëhere faji është i yti. Shohim një zhvendosje nga gabimi strukturor tek gabimi vetjak, – gjë që sot e hasim gati gjithkund. Dhe pavarësisht vlerësimeve hyjnore që njerëzit i bëjnë sot muzikës, ajo nuk është aspak e pafajshme. Muzika sot është kthyer në një ilaç të përkohshëm antidepresiv.

Ndërkohë, në anën tjetër kemi një tjetër lloj muzike: muzika si një çast i pandashëm, një përjetim ku shfaqet koha në tërësinë e saj, një zë i përjetësisë. Kjo lloj muzike nuk e përligj vuajtjen bashkëkohore, por i jep qëllim dhe synim bashkëjetesës së përkohshme. Këtu në këtë lloj muzike, do jepja si shembuj psalmet Gregoriane, simfonitë e Bethovenit apo edhe së fundmi muzikën e përfshehtë të Arvo Pärt.

Muzika e Arvo Pärt është një përballje e pastër me vdekjen, zbrazëtinë dhe gjithësinë. Është pikërisht kjo përballje që na lejon të çlirohemi nga mekanizmi shtetëror dhe ideologjitë: për një çast ti je vetëm dhe lakuriq përballë gjithçkaje që të rrethon, ti je shikuesi dhe pamja, ti je gjithçka dhe asgjë. Në muzikën e Arvo Pärt, koha humb, hapësira përmblidhet dhe shfaqet një tingull i hyjnishëm që përsëritet tërë dritë dhe shpresë. Ky largim nga bashkëjetesa e përkohshme, mekanizmi shtetëror dhe ideologjitë bashkëkohore nëpërmjet muzikës së përjetshme, të jep mundësinë, fuqinë dhe shpresën për të përfytyruar një të ardhme ndryshe.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.