Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Rikthimi i përhershëm i së keqes

Një kuartet të burgosurish bënin muzikë me violinë, kurse një çift po ashtu të burgosurish, vallëzonin nën tingujt e kësaj muzike dhe e gjithë kjo urdhërohej nga ushtarët nazistë, para se t’i fusnin në krematorium. Madje, kjo është historia sesi lindi kënga hit Dance Me to the End of Love e këngëtarit Leonard Cohen. Një skenë të ngjashme do ta shohim edhe në filmin Remake, të regjisorit boshnjak Dino Mustafiq, ku një i burgosur boshnjak detyrohet nga ushtarët serbë që të këndojë para se ta vrasin. Pra, në të dy rastet historia është e njëjtë, mbase kjo ngjan sepse barbaria është e njëjtë, si sot, si dje, e si para një shekulli. Fraza se historia përsëritet po nuk mësove prej saj shpesh ka dalë të jetë e saktë, sidomos për ne popujt e Ballkanit, e veçanërisht për ne shqiptarët. Një përshkrim sesi historia përsëritet na e shpalos regjisori boshnjak Dino Mustafiq, me filmin e tij Remake, të realizuar në vitin 2003. Ky film rrëfen për luftën e fundit në Bosnje. Aty para së gjithash paraqitet makthi i vërtetë që po ndodhte në Sarajevën e vitit 1992. Federata e dikurshme jugosllave, një konglomerat kombesh dhe etnish, e cila si parullë përbashkuese kishte vllaznim-bashkimin, kishte filluar të shpërbëhej në mënyrën më të keqe të mundshme. Ata që deri dje thoshin se kishin krijuar lidhje vëllazërore sikur mishi me thoin dhe vetën e konsideronin si diçka përtej nacionale, përtej etnie, pra, jugosllavë, filluan ta vrasin njëri-tjetrin po mbi baza të etnisë. Dukej sikur vallëzimi i përbashkët afro gjysmë shekulli ishte thjesht një mashtrim, sepse mizoritë ndaj njëri-tjetrit qenë aq barbare.

Regjisori Mustafiq, përmes këtij filmi mundohet t’i japë shpjegim dy ngërçeve themelore të asaj bashkësie të ashtuquajtur Jugosllavi. Ngërçi i parë ka të bëjë me të tjerët, pra përkatësia etnike, që nën federatën jugosllave asnjëherë nuk ishte suspenduar nga marrëdhënia e ndërsjellë dhe ngërçi i dytë ka të bëjë me demencën kolektive. Miro Jovanović (luajtur nga aktori Aleksandar Seksan), ishte me prejardhje etnike serbe dhe i cili është miku më i ngushtë i boshnjakut Tarik Karaga (luajtur nga aktori Ermin Bravo). Sikur Tariku ashtu edhe Miro jetojnë në të njëjtën lagje, në Gërrbavica, në qytetin e Sarajevës. Çdo gjë duket e zakonshme deri në momentin e shpërthimit të luftës, ku Miro do të detyrohet t’i bashkëngjitet forcave ushtarake serbe, kurse Tariku dhe të gjithë boshnjakët tani e tutje do të jenë shënjestra e tyre. Pra, këtu regjisori e thekson fuqinë e prejardhjes etnike karshi fuqisë së mendimit. Nëse faktet nuk përputhen me qëndrimet, atëherë keq për faktet, thoshte dikur një filozof, e që fakti se Tariku dhe të tjerët si ai ishin boshnjakë, nuk përputheshin me qëndrimin që serbët kishin për ta, atëherë mjerë për faktet.

Ngërçin e dytë, që paraqitet si problem i brendshëm boshnjak, regjisori Mustafiq e shpjegon përmes vetë Tarik Karagas, i cili ishte një shkrimtar i ri, e që para se të fillonte lufta kishte shkruar një skenar filmi, të cilin e kishte dërguar në një konkurs letrar në Francë. Ky skenar rrëfen historinë e vërtetë të babait të tij, Ahmed Karaga, i cili gjatë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore zihet rob dhe përfundon në një kamp përqendrimi, por që arrin të mbijetojë. Në fakt, këtu historia përsëritet, sepse ajo se çfarë kishte shkruar në skenar Tariku, e që ishte rrëfimi se ç’i kishte ndodhur babait të tij gjatë Luftës së Dytë Botrore, tani po i ndodhte vetë atij. Kështu që, nëpërmes vendosjes së filmit brenda filmit, regjisori Mustafiq përveçse krijon të ashtuquajturën metakinema, gjithashtu, shpërfaq para publikut problemin e harresës kolektive. Megjithatë, skenari i Tarikut i dërguar para se të niste lufta, kishte zgjuar kureshtje në Paris, mirëpo, zhvillimet në Bosnje tanimë kishin marrë tiparet e një lufte të çmendur. Në Sarajevë Tariku është zënë rob nga ushtria serbe dhe u ishte nënshtruar kushteve mizore në një kamp pune, i cili pothuajse nuk ndryshonte nga një kamp përqendrimi ku dikur ishte mbajtur babai i tij nga nazistët gjermanë. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të shpëtuar, një producent filmi francez në një këmbim me një të burgosur tjetër e ndihmon Tarikun që të lirohet dhe t’ia sigurojë transportin për në Paris.

I gjendur në sallonet me shumë luks të Parisit, ku njerëzit nuk çanin kokën se çfarë po ndodhte realisht me Bosnjen dhe me boshnjakët në përgjithësi, ai vendos të kthehet në vendlindjen e tij në Sarajevë. Duket se përmes kësaj sekuencë regjisori Dino Mustafiq sikur i bën kritikë (akuzë) botës perëndimore rreth sjelljes indiferente karshi një lufte që po merrte përmasat e shfarosjes etnike. Tariku kthehet në Bosnje, tani si njëri nga ushtarët boshnjakë dhe në një betejë me forcat serbe, përballet me Miro-n, mikun e fëmijërisë, ku nga një granatë humbin jetën që të dy. Pra, regjisori Mustafiq këtu shpërfaq edhe vrazhdësinë e politikës, dhe sikur në njëfarë forme pse Jugosllavia kishte hyrë në një cikël të çmendur dhunë ishte për shkak të politikës, e cila për hesape pushteti i kishte armiqësuar shoqëritë deri në urrejtje.

Gjithashtu, filmi Remake shqyrton temën e hakmarrjes kundrejt faljes, si dhe idenë se historia përsëritet dhe se ata që nuk mësojnë prej saj janë të destinuar ta jetojnë atë në formën që vjen. Pra, përderisa Tariku ishte i fokusuar që ta rrëfente historinë e babait të tij, ai nuk e dinte se shumë shpejt edhe ai do të bëhej pjesë e një rrëfimi të trishtë me përmasa botërore. Ai nuk ishte i vetëdijshëm se drama e babait do të jetë pothuajse identike e riprodhuar në vetë fatin e tij. Do të ndryshonin vetëm epokat, por jo edhe problemet etnike. Prandaj, fuqia e vërtetë e filmit Remake nuk është vetëm te historia e saj për një të kaluar të trishtuar e të shkakëtuar nga lufta, por edhe te parashikimi i saj për një të ardhme të zymtë. Përmes këtij filmi, regjisori Dino Mustafiq mundohet ta vërë në qendër fuqinë që kanë ndarjet etnike pavarësisht zhvillimit kulturor që mund të ketë një shoqëri. Ai përmes këtij filmi ngre zërin dhe insiston që politikanët ekstremistë me politikat e tyre fashiste janë të aftë ta përsërisin historinë në formën më të keqe të mundshme dhe se është detyra qytetare dhe intelektuale, që humaniteti jo vetëm të jetë pjesë e ndërsjellë e jona, por edhe pjesë që banon në politikë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.