Connect with us

Hi, what are you looking for?

Critique

Rimendimi i Politikës (I)

Ekziston një pandehmë se tradita e mendimit politik perëndimor e ka origjinën e saj në ligjërimet e Platonit dhe Aristotelit. Këta dy mendimtarë me filozofimet e tyre i hodhën themelet e kësaj trashëgimie. Ndonëse Leo Strauss-i në veprën e të tij të njohur “Qyteti dhe Njeriu” (The City and Man) e mbron tezën se “ishte Sokrati ai i cili e themeloi filozofinë politike”. Ky teoricien i pasionuar pas mendimit klasik konstaton se filozofi antik e hapi shtegun e kësaj disipline duke e “zbritur filozofinë nga qielli në tokë, për ta themeluar atë në qytete, futur në familje, rreth jetës së njeriut dhe mënyrave të shqyrtimit të së mirës dhe së keqes”.

Mirëpo, pasi Sokrati nuk la asnjë dëshmi të shkruar, krejt çka historikisht dimë për mendimet e tij janë shkrimet Platonit dhe të Aristotelit. Prandaj, mund të themi se vetëm me këta dy mendimi politik fillon ta marrë formën e traktatit. Natyrisht, gjykimi dhe më pastaj dënimi me vdekje i Sokratit la gjurmë të thella në konstituimin e kësaj tradite. Veçanërisht te Platoni. Dhe në shumëçka përmbajtja e saj na shfaqet si reagim “traumatik” ndaj kësaj ngjarjeje “tragjike-filozofike”, që shënoi një “kthesë historiko-botërore”.

Për filozofin e njohur gjerman G.W.F.Hegel, kjo vdekje në altarin e Njohjes u bë përcaktuese për mënyrën se si filozofët filluan t’i gjykojnë çështjet politike.  Në ligjëratat e tij mbi “Historinë e Filozofisë” (Lectures on the History of Philosophy), ky mendimtar i pashoq në galerinë e kësaj disipline, pohon se kjo ishte njëra nga arsyet eksplicite se pse filozofët e mëvonshëm u “tërhoqën nga çështjet ditore shtetërore dhe e ngujuan veten në kultivimin e botës së brendshme universale e në pozicion antagonist me bindjet e banorëve të Athinës”.

Shto këtu edhe faktin që, sipas Hegelit, kjo botë ishte pushtuar nga një perspektivë zymtore dhe së cilës i mungonte freskia e dikurshme gjallëruese. Ajo kishte hyrë në një fazë të rënies së pandalshme. Në këtë boshësi trishtuese, “mbretëria e mendimit” mbeti streha e vetme e filozofëve në raport me jetën reale.

Dhe ky tension ndërmjet “filozofit dhe qytetit” ndikoi që pjesa më madhe e standardeve, kritereve dhe ideve filozofike-politike të sajohen në antinomi me interesat, pasionet dhe opinionet ditore të jetës aktive politike. Thelbin e këtij botëkuptimi e karakterizonte synimi për ta stabilizuar këtë sferë mbi parimet e së mirës, së drejtës dhe dijes. Prandaj, Leo Strauss-i, në përsiatjet e tij mbi origjinën e filozofisë politike në punimin “Ç’është Filozofia Politike?” (What Is Political Philosophy?), pohon se këtë disiplinë e ka dalluar “përpjekja për t’i zëvendësuar opinionet mbi esencën e fenomeneve politike, me dijen mbi ato”. Baza e saj mbetet përkushtimi kognitiv për ta njohur “njëkohësisht të vërtetën mbi natyrën e gjërave politike, të drejtën, të mirën dhe rendin e duhur politik”.

Komponent qenësor i teorisë klasike ishte edhe “zbulimi” i natyrës së qenies njerëzore, edukimi i saj, që të drejtohet në përputhje me këtë “natyrë” për dallim nga opinionet e trashëguara, traditat, ose thjesht trillet e momentale. Kështu, në sfond të kësaj ndërmarrjeje qëndronte raporti i “njeriut si qenie singulare” me qytetin, ngase, siç dihet, sipas këtij vizoni antropo-filozofik, esenca e tij natyrore definohej si “qenie politike”.

Errësimi i jetës politike    

Sidoqoftë, me anë të këtij solucioni, etërit teorikë të kësaj trashëgime i shpërfillën disa nga kushtet bazike të jetës aktive politike.

Zhvleftësimi konceptual i saj u shndërrua në parim fondator të mendimit klasik politik. Hana Arend (Hannah Arendt) në librin “Ndërmjet së Shkuarës dhe së Ardhmes” (Between Past And Future), ka shkruar se pikënisjen e kësaj tradite duhet kërkuar jo më herët sesa në librin “Republika” të Platonit, ku me anë të alegorisë së shpellës ky filozof e “përshkroi jetën e përbashkët njerëzore me termat e errësirës, konfuzionit dhe mashtrimit, dhe se të gjithë ata që aspirojnë ta zbulojnë të vërtetën e qenies duhet ta braktisin jetën e shpellorëve për hir të qiellit të pastër dhe ideve të përhershme”.

Padyshim se ky dëshpërim i filozofit me jetën e polisit ishte një lloj reagimi “traumatik” me fatin e Sokratit. Prandaj sigurimi i jetës së filozofit nuk do të ishte i mundur derisa njerëzit e pajisur “me thesarin më të çmuar që perënditë u kishin dhuruar vdekatarëve” të shndërroheshin në sundimtarë të shtetit. Vetëm në këtë mënyrë ata do të mund ta instalonin një shtet të drejtuar sipas parimeve të mendjes.

Rruga drejt modelit ideal të politikës kalonte nëpërmjet devalvimit të retorikës si medium për kultivimin e bindjeve njerëzore, e cila, sipas Aristotelit, e përbënte esencën e “artit të bindjes si një mënyrë politike e të folurit, por që në vetvete qëndronte në antinomi me artin dialektik apo artin filozofik të të folurit”. Këtij nënvleftësimi filozofik iu nënshtrua edhe kategoria e doksës (opinioni).

Politikisht, deri në atë kohë, e para gëzonte gati një reputacion hyjnor, kurse e dyta, po ashtu siç e tregon etimologjikisht edhe vetë fjala, krahas kuptimit të lartshënuar të opinionit e transmetonte edhe mesazhin  e “madhështisë, shkëlqimit dhe famës”, atribute këto që mund të arriheshin dhe që ishin të lidhura drejtpërdrejt me shfaqjen para të tjerëve në një hapësirë të përbashkët publike. Sepse vetëm në kuadër të hapësirës aparente që qëndronte “midis njerëzve” bëhej e mundur edhe zbulesa (disklosura) e çdo qenie të veçantë individuale.

Kurse pas “groposjes” së këtyre kategorive burimore politike në puset e thella “para-filozofike”, kësaj sfere iu imponuan nocione që dervionin nga domeni jopolitik i veprimtarive njerëzore. Ngase në këtë mënyrë mëtohej të garantoheshin qëndrueshmëria dhe stabiliteti i përhershëm i rendit të ëndërruar politiko-filozofik. Dhe një paradoks i tillë ndikoi që të hapet një humnerë e pakapërcyeshme ndërmjet jetës politike dhe mendimit mbi këtë sferë përgjatë gjithë kësaj tradite.

Kështu, sipas Hannah Arendt, vetë idetë e Platonit janë një shembull paradigmatik i  kësaj shkolle. Në librin “Gjendja Njerëzore” (Human Condtion) ajo pohon se pikërisht “filozofi-mbret i aplikon idetë e tij njësoj si zanatçiu rregullat dhe standardet e tij në sferën e prodhimit.

Ai e “formon” qytetin e tij sikur skulptori e sajon një statujë dhe madje në fund të karrierës platonike të njëjtat ide u bënë ligje të cilat vetëm kanë nevojë të ekzekutohen”. Kjo pleksje e dijes epistemike me dominimin dhe sundimin si dhe e veprimit me bindjen dhe ekzekutimin, e formuan boshtin e doktrinës platonike. Dhe në instancë të fundit e përcaktuan kahun e mendimit politik në kuadër të traditës perëndimore.

Këto ide u shndërruan në standard absolut për ta gjykuar sjelljen morale dhe politike në të njëjtën mënyrë thuajse sikur se “ideja e shtratit shërben për t’i gjykuar përshtatshmërinë e të gjithë shtretërve partikularë”. Gjithçka i ngjason një skeme konstante përsëritëse të të njëjtave ide. Mundësia e një “fillimi të ri” si atribut qenësor i politikës mbyllet një herë e përgjithmonë për shkak të këtij projekti “meta-politik”.

Për Hegelin, ky qëndrim i Platonit në raport me idetë e tij shprehjen e vet më të spikatur e gjeti edhe në marrëdhëniet që ai ndërtoi me sundimtarin e Sirakuzës. Në ligjëratat mbi “Historinë e Filozofisë” (Lectures on the History of Philosophy), filozofi gjerman tregon se si “interesi i vetëm i Platonit ishte republika ideale; ai hyri në marrëdhënie me një udhëheqës i nxituar vetëm nga tundimi për ta jetësuar këtë shtet të ëndërruar; individi nuk ishte asgjë tjetër pos instrument i këtij qëllimi dhe jo diçka më shumë”.

Kjo dëshirë e ethshme për t’i absolutizuar idetë e tij, e dallonte Platonin nga Aristoteli. Sepse, sipas Hegelit, Aristoteli në raport me Aleksandrin “nuk u nxit nga synime të tilla. Ai thjesht kishte para vetes një person, me të vetmin qëllim që ta instruktonte edukimin dhe zhvillimin e individualitetit të tij si të tillë”. E një qëndrim i tillë mbase ishte i “kushtëzuar” nga orientimet themelore të filozofisë politike të Aristotelit. Me këtë rast, Hannah Arendt në esenë e saj “Çka është Autoriteti?” (What is Authority?) pohon se mendimi politik i këtij filozofi u sajua mbi premisa krejt të tjera në raport me atë të Platonit.

Madje lirisht mund të themi që edukuesi i atij që më vonë do të bëhej sundimtar i botës, ndoshta është edhe i pari mendimtar i cili në përpjekjet e tij për ta justifikuar sundimin brenda çështjeve komplekse njerëzore do të bazohet te “natyra  e cila në vetvete i ka “rrënjëzuar diferencat ndërmjet më të riut dhe më të moshuarit, destinimi i së cilës është që ta bëjë të mundur që njëri të jetë i sunduar dhe tjetri sundues”. Prandaj Aristoteli në mënyrë konsekuente i ekstrapoloi disa kategori të botës “parapolitike” dhe i transformoi ato në standarde dhe kritere për rregullimin dhe gjykimin e sferës politike në përputhje me qëllimet e vendosura nga “natyra”.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.